Blogbox | Trillim

Arbitri (Pjesa 4)

Nga - 27.03.2020

Mbi profecitë dhe vdekjen.

                 Kjo është pjesa 4 e tregimit pesëpjesësh.                                                                               Lexoni pjesët e mëparshme këtu: 1 | 2 |

*Vëmendje: Kjo pjesë e tregimit përfshin përshkrime të rënda të dhunës dhe vdekjes që mund të jenë shqetësuese për ndonjë lexues.*

Që ta përjetoni plotësisht tregimin, klikoni ‘Lësho’ për ta dëgjuar kompozimin muzikor shoqërues.

Arbitri e rrasi shpejt e shpejt trupin e pajetë të paramilitarit të KIRN-it në një thes të zi, mu aty te pragu i banesës së tij. E barti shkallëve teposhtë duke e mbajtur mbi sup. Kalimtarët nuk e çanin kokën për atë që po ndodhte; ishin të përhumbur në përmbajtjet mediatike që projektoheshin pranë syzeve të tyre.

E njëjta mund të thuhej për kamerat CCTV. Edhe pse pamjet e tërë rrugës dërgoheshin drejtpërdrejt në ndonjë server të largët ku algoritmet do t’i shqyrtonin e do t’i analizonin përmbajtjet, flakërimat e bardha të rrezeve infra-të-kuqe që emetoheshin prej syzeve të trasha, të cilat i bartnin të gjithë, i bënin imazhet të dukeshin si varg flakërimash të bardha. Kështu që, Arbitri, pa pikën e drojës se mos e shihte ndokush, e futi thesin me kufomë në bagazhin e gjerë të xhipit të zi.

Ndërsa Arbitri u kthye për të hyrë në veturë, i erdhën ndër mend thashethemet e disa prej arbitrave më fanatikë, të bazuara në një interpretim tejet të veçantë të Kodit, që pretendonte se kryeministri i vjetër e kishte ngarkuar vetëdijen e tij përbrenda Inteligjencës Artificiale, dhe se vullneti i Vërtetarit duhej të interpretohej si vullneti i vetë ish-kryeministrit.

Prapë iu kujtua hera kur e kishte shfarosur një qeli plot me kalemxhinj të Shqipërisë që besohej të ishin përgjegjës për atë lajm të rremë. E bashkë me ta edhe ata arbitra që, çuditërisht, ishin duke i shoqëruar. Sërish para syve i dolën imazhet nga ai vegim me trupat e djegur të arbitrave të Gjeneratës së Tretë që i kishte dekomisionuar.

“Kini kujdes nga profetët e rremë dhe të pavërtetat që i vjellin,” pëshpëriste Arbitri duke recituar nga Kodi. “Tri herë do të blasfemojnë. Do ta shtrembërojnë të Vërtetën, dhe do ta rrezikojnë Kodin. Dhe tri herë do t’i shfarosim të pavërtetat e tyre që rriten si shkurre të këqija. Por, kujdes nga blasfemia e fundit, e katërta që ka për ta përcaktuar luftën për të Vërtetën. Sepse të ardhmet, të tashmet dhe të kaluarat sipas  përfundimit të saj do të kodohen. Kështu thotë profecia. Kështu thotë Kreu i Madh, Edi i Parë, Atë i Arbitrave dhe Mburojë e së Vërtetës”.

Kasaphanat parajsore

“Hajde bre bebusha”, tha Detektivja Sara Kulla ndërsa ecte teposhtë shkallëve të një korridori prej betoni. “Çka mundet me qenë aq e randësishme sa me ma prishë ditën e pushimit?”

Ajo mbante veshur rroba të zeza sportive me zbukurime lineare të verdha. Flokët nën kaçketën e zezë zgjateshin si bishtalec prapa kokës së saj. Pistoleta e saj pushonte në këllëfin e lidhur për kofshe. Vijat e verdha të atleteve të zeza përshtateshin me zbukurimet e rrobave. Fytyra e saj ende shkëlqente nga djersa që kishte nxjerrë gjatë vrapit që ia kishin ndërprerë.

“Hajde tash, folni”, tha Sara. “Çka po m’rrini mrrolët?”

Oficeri Blaku ngriti supet dhe heshti. Adi, tekniku i hetimeve që i ndiqte nga prapa, e shmangte shikimin ndërsa i lëvizte sytë shpërqëndrueshëm.

Detektivja Sara nuk kishte qenë e vetëdijshme për nivelin e kërdisë kur kishte hyrë në bunkerin e shtabit të KIRN-it. Ajo shkoi në ballkonin e katit të epërm ku mund t’i shihte mirë tri katet e poshtme të hapura. Përshtypja e parë mund të përshkruhej si një bojatisje e shkujdesur, nëse ngjyra e përzgjedhur do të ishte ajo e gjakut të njeriut.

Muret e betonit ishin bërë shoshë me plumba, ndërsa vrimat akoma thërrmoheshin dhe nxirrnin zall të hirtë. Djegiet nga baruti dhe nga eksplozivët ruanin formën e zjarrit fillestar që i kishte shkaktuar. Xhamat e thyer, shrapneli, gëzhojat e municioneve, ashklat e drurit dhe orenditë e thyera shoqëroheshin nga shkëndijat elektrike afër currilave të ujit. Ndërsa ajri lëvizte, tymi dhe era e barutit u zëvendësuan me kundërmimin e ëmbël dhe metalik të gjakut të përzier me erën e qelbur të zorrve të shqyera dhe përbrendsave të nxjerra jashtë.

Dhe Sara nuk e kuptoi mirëfilli se ç’kishte ndodhur derisa i pa trupat e vdekur. Edhe pse të rënë kuturu, prapëseprapë dukeshin të renditur sikur të ndiqnin struktura matematikore. Dukeshin sikur të ishin prezervuar në qelibar mu prej atij çasti kur ishin takuar me engjëjt e tyre të vdekjes në trajtën e plumbave, të shrapnelit, të goditjeve me thikë, apo të gjakderdhjeve të brendshme të shkaktuara prej ndonjë shpërthimi. Sikur kuadro të ngrira, disa nga kufomat e paramilitarëve të KIRN-it vareshin prej tavolinave a prej kangjellave, kurse të tjerët ishin të shtrirë përmbys në dysheme, në gjurmët e gjakut që i kishin përshkëllirë me shpurdhjet e fundit para vdekjes.

“Unë… qysh…”, Sara mbeti pa fjalë. “O Zot i madh”.

Nuk ishte e përgatitur për një masakër të kësaj përmase. Kur e kishin lajmëruar për një incident në shtabin e KIRN-it, ajo kishte kujtuar se ndonjë gazetar i ri ka qëlluar veten në këmbë duke e pastruar pistoletën (apo në rastin më të keq, plumbin e kishte ngrënë ndonjë koleg i tyre). “Sa xhenaze janë këtu?”

“Secili paramilitar i KIRN-it. S’ka pshtu kush gjallë”, tha Oficeri Blaku.

Sara ndihej keq për shakanë që kishte bërë më herët. Tash e mori vesh përse “audienca e saj e zakonshme” nuk kishte qeshur me talljet e saj, por vetëm i kishin varur vetullat në fytyrat e zymta. Nisi ngadalë ta ndiejë një gulçim të brendshëm. Fillimisht iu duk sikur do të villte, por kur gulçimi u ngrit më lart, ajo u ballafaqua me një mik të vjetër — tërbimin. Kjo do të bëhej bela e madhe, thoshte vetë me vete. Nuk ishte ndier kështu prej… eh, nuk donte t’i rikujtonte ato gjëra.

Pamja i kujtonte çaste të hidhura dhe pikëlluese. Ajo nisi të frikësohej. Jo nga pamja e llahtarshme, por nga vetvetja. Hera e fundit që kishte përjetuar ndjenja të tilla, ishte ngjarje personale, dhe kishte përfunduar keq — me hakmarrje po aq të përgjakshme sa edhe skena që kishte përballë.

“Po get që kurrë nuk po u kapërcejshin sendet”, tha ajo me zë të ngjirur nga gulçi në fyt.

“Qysh, qysh, zonja Detektive?”

“Kurrgjo, kurrgjo. Kush po ju merr mendja kish mujtë me ditë për këtë hapsinë sekrete?”

“Ka gjasë që dikush o’ infiltru tu u shtirë si gazetar”, tha Oficeri Blaku.

“Sa gazetarë janë vra?” pyeti Sara.

“Eh, qaty kena mbetë”, tha Oficeri Blaku. “Deri tash, asnjo. Nuk e kemi gjetë asni gazetar të vdekun. Realisht, s’e kemi gjeti asni gazetar, të vdekun a të gjallë. Veç kufoma të paramilitarëve të KIRN-it”.

“E dishim që ka me ardhë kjo ditë. A s’e kemi ditë? E kemi ditë bre dreqi e marrtë. E çka me ba tash? Kemi me ba çka kemi ba çdo herë. E nënshkrujmë ‘Marrëveshjen e Ajovës’ edhe lypim hala ma shumë sherr…” Sara vërejti se po nxehej paksa, dhe me ton më të butë i tha Oficerit Blaku, “M’fal”.

“S’keni pse me m’kërku falje”, u përgjigj Blaku. “Nji tragjedi e këtyne përmasave… ka me u ba kërrsh kur ta kapin gazetat e t’bohet publike. S’kemi me mujtë me e mbajtë msheft përgjithmonë”.

“A ka naj shejë të arbitrave?” pyeti Sara.

“Hiç. Paqt’ si në spital privat”.

“Sa po ta merr mendja që kanë qenë për nji mision të tillë?”

Oficeri Blaku i ngriti supet, dhe pastaj tha, “Nëse i besojmë propagandës së tyne shtetnore, njo kish me qenë boll”.

Sara u ndal për një çast dhe i ktheu sytë nga kërdia në katet e poshtme. Duke i vëzhguar trupat e pajetë, ajo filloi të rikthehej në atë pjesë të kujtesës që ishte përpjekur aq shumë ta harronte.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Muzika: Liburn Jupolli.