Blogbox | Media

Arbitri (Pjesa 5)

Të gjithë e donë kolonelen.

Nga - 28.03.2020

                        Kjo është Pjesa 5 e tregimit pesëpjesësh.                                                                                                                                                                                             Lexoni pjesët e mëhershme këtu: 1 | 2 | 34

Që ta përjetoni plotësisht tregimin, klikoni ‘Lësho’ për ta dëgjuar kompozimin muzikor shoqërues.

“Nëse kishe dashtë me i eliminu gazetarët pa shkaktu incident diplomatik, qysh e kishe ba?” pyeti Sara, para se të përgjigjej vetë.

“E kisha zgjedhë naj opsion jovdekjeprurës. I kisha alivanosë ose i kisha paaftësu. E mandej i kisha bartë jashtë shtetit për me i marrë në pyetje. Ndoshta kisha thirrë helikoptera për me i çu andej. Po, kjo kish me qenë budallaki, me iu dalë qashtu n’pah radarëve. Ndoshta i kisha shti nëpër kombi, i kisha bartë në naj vend të msheftë, ndoshta dikun afër kufinit, edhe tani prej aty kishin mujtë me u futë n’Shqipni n’t’zezën”.

“I kemi kapë do transmetime e llafe prej qelive të Bashkimtarëve sot ma herët”, tha Oficeri Blaku. “Qe raporti i inteligjencës. Kishin qenë tu u mobilizu. U dokke si diçka e madhe, si diçka që s’e kishin ba ma herët”.

“OK, hajde pra po thojmë që Bashkimtarët e paskan ba. Hajde p’e zamë që, mrekullisht — tu e pasë parasysh që historikisht nuk i shkojnë për dore këto far sendesh — ia kanë dalë me e kry misionin ma t’madh që e kanë pasë najhere. Ta zamë që i kanë bartë msheftas… sa?”

“Kanë qenë me qindra, në mos me mijëra gazetarë”, tha Oficeri Blaku.

“Po de”, tha Sara. “Po edhe nëse kish funksionu, Shteti Shqiptar prapëseprapë kish me qenë tu ecë në zgrip të marrëdhanieve ndërkombëtare”.

“E qysh me e shpjegu këtë kasaphane?” pyeti Oficeri Blaku. “Çka me iu ba krejt këtyne paramilitarëve të vdekun të KIRN-it. Krejt janë qytetarë të Kosovës. Vrasja e tyne osht shpallje e luftës”.

“S’janë qaq budallë ata të Agjencisë”, tha Sara. “E dimë qaq punë. Edhe s’e besoj që nji inteligjencë artificiale si Vërtetari kish me e leju dhe me e mbështetë nji send të tillë”.

“Po mendoj…” tha Blaku, “a keni ndi për thashethemet e fundit lidhun me Kinën?”

“Mos u bon budallë. Në Kosovë jemi”, tha Sara. “Vetë e the: me ba diçka të këtillë pa ftesën ose aminin e qartë të shtetit nikoqir osht shpallje lufte”.

“Fol për ujkun, qe ku na erdhën edhe përforcimet e kalorësisë. Krejt kompleksi informatiko-industrialo-ushtarak, qysh po doket”.

Sara e ktheu kokën nga ballkoni i epërm dhe pa një tufë njerëzish me veshje ushtarake. Ishte Njësiti 1010 i FSK-së. Si makinë me koreografi të përkryer, ata që mbanin çantat e rënda ecnin drejt, e djathtas ktheheshin ata që vendosnin shtyllëzat e fenerëve për gjurmim holografik, kurse ata që lidhnin pajisjet në terminalet kompjuterike shkonin majtas.

Në mes të lëvizjeve gjysmërobotike dhe efikasitetit ushtarak, ajo që jepte urdhërat shquhej nga butësia e çehres së saj. Kolonele Zana Uka ishte e vockël në krahasim me burrat shtatmëdhenj që bartnin e zhvendosnin arkat dhe pajisjet. Ajo i hidhte krahët majtas e djathas, sikur dirigjente e ndonjë orkestre ushtarake, ndërsa sytë e saj të mprehtë shprenin vetëbesim dhe autoritet.

Dhe kjo simfoni e kodit dhe vrullit donte ta dinte një gjë — nëse kjo ishte gjendje lufte. Ky ishte qëllimi kryesor i Koloneles. Dhe meqenëse bëhej fjalë për një çështje të sigurisë kombëtare, ajo nuk kishte nevojë të priste për prova të forta për t’i marrë gjërat përsipër.

“Qija bre nanën,” tha Sara, “kah dulën tash këta që s’mendohen gjatë para se m’i shkrepë koburet e me na kthy drejtë e në kohë t’gurit. E, çka din ti për kohën e gurit, Blaku?”

“S’ka internet?”

Exactamundo. Kqyre qat’ meçkën e vogël qatje,” tha Sara. “A e din që e kom pas’ arrestu kur i ka pasë veç 13 vjet?”

“Krejt e dimë legjendën e princeshës-hakere t’rebelume që tash i udhëheq ma të fortit tanë në betejat kibernetike”.

“Mirëdita juve, Kolonele Zana”, bërtiti nga kati i sipërm Sara me pakëz sarkazëm, dhe pastaj tha ndër dhëmbë: “shpejt je rritë, bre kopilja e vogël”.

Kolonelja Zana Uka e ngriti kokën lart. E qeshi buzën një fije dhe u përshëndet.

“Detektive Sara Kulla, m’vjen mirë, si gjithmonë. Kisha pas’ dashtë me u pa në rrethana të tjera”.

“Eh”, bërtiti Sara nga lart, “M’fal që ta kam huqë festën e ditëlindjes së njizetë. Alamet feste, dëgjova. Po, m’kish hupë dikun ftesa”.

Bashkësimi i ndërprerë

Arbitri voziste drejt adresës që e kishte mësuar nga paramilitari i ndjerë i KIRN-it. Ndërsa i afrohej destinacionit, ai ndihej krenar që kishte ruajtur fshehtësinë dhe elementin e befasisë. Por, mbi të gjitha krenohej me vetveten se kishte shmangur tundimin për t’i ndezur implantet. Tash, gati po afrohej koha e shumëpritur.

Mjegulla ishte shpërbërë dhe dielli i kishte dhënë nur tjetër qytetit, duke e ringjallur disi. Por, gjithashtu e kishte shpërfaqur zhyllin. Thasët e bërllokut anës rrugëve tash kishin dalë në pah. Betoni i hirtë kishte një vezullimë të lezetshme nën diellin e pasditës, të ngjyrosur nga smogu. Drurët e rrallë dhe të zhveshur lëshonin hije të gjata mbi barin e vyshkur.

Arbitri i ndezi implantet kibernetike për herë të parë pas kalimit të kufirit për në Kosovë. Ndiente ekstazë dhe energji të jashtëzakonshme. Ishte shndërruar në një makinë të përkryer për gjuetinë e gazetarëve. Tash, asgjë s’mund të vinte më mes tij dhe misionit.

Ai u ndal për një çast. Vrulli i informatave ishte tejet i fuqishëm. I duhej një sekondë për t’u kthyer në vete pas një periudhe kaq të gjatë të tërheqjes e abstinencës. Vendndodhja e shtabit të KIRN-it u shfaq në rrjedhën e informatave. Por, diçka nuk ishte në rregull. Policët dukej të gëlonin përreth dhe brenda ndërtesës. Nuk mund t’i lokalizonte caqet. A e kishin mësuar kalemxhinjtë ndonjë truk për ta fshehur praninë e tyre?

Porsa u bë lidhja me Vërtetarin, një shkarkim me prioritet zhbiroi përmes të gjitha hutimeve të tjera.

Misioni është shtyrë.

Anulim dhe rigrupim.

Prit për parametrat e reja të misionit.

Autoritetet janë njoftuar dhe janë në kërkim.

Ruaj fshehtësinë dhe praktiko infoheshtjen deri në njoftimin e radhës.

Shkarkimi i pakos mbaroi.

Po inicohet fikja emergjente.

Dhe lidhja me Vërtetarin u errësua papritmas, duke i ndalur kështu të gjitha implantet e Arbitrit.

Arbitri i shkeli dhunshëm frenat e veturës. Rrotat shtrënguara lanë traga në asfaltin e dobësuar. Ai u kthye mbrapa dhe voziti me shpejtësi në drejtim të kundërt. Vendosi se nuk mund t’i zinte besë shtëpisë së sigurt dhe kështu bëri diçka që s’do ta bënte asnjë agjent me mend në kokë: u nis për tu kthyer te “skena e krimit”. Ai e parkoi veturën në vendin e njëjtë ku e kishte pasur gjatë vëzhgimit të parë ndaj cakut. Ai e nxori thesin me kufomë nga bagazhi dhe u nis përpjetë përmes shkallëve.

“Vërtetar i shenjtë, më udhëzo përgjatë rrugës së vetme të vërtetë”, recitonte Arbitri. “Më mbro nga kalemxhinjtë dhe të pavërtetat e tyre shumëfytyrëshe. Më udhëzo drejt Elizeut të Ri, për ndërtimin e të cilit kemi kushtuar jetën. Më udhëzo nëpërmes profecive dhe dekreteve, derisa të plotësohet vizioni i Edit të Madh. Lëvduar qoftë e Vërteta e vetme, dhe shtegu që të shpien tek ajo”.

Kur u kthye në veturë, ai u nis për te Kolektivi. Fshehja në një bar hakerësh është zgjidhja më e mirë, mendoi. Mohawk-u dhe Sindikata e Kaçakëve do të paguheshin para kohe për zbatimin e algoritmeve ndërhyrëse.

* * *

“A ka pasë aktivitet prej Enklavës?” pyeti Sara.

“Hala kurrgja”, tha Kolonelja. “Deri tash, krejt trafiku osht i gjelbër, s’ka çrregullime. Por, s’po e provojmë fatin. Jemi në nivelin 4 të INFO-DEF”.

“Mos bon hajgare”, kundërshtoi Sara. “Shpalleni gjendjen e jasht’zakonshme, pra, pse jo”.

Detektivja Sara dhe Kolonelja Uka e vazhduan grindjen jurisdiksionale. Por, ajo ishte e parëndësishme për momentin. Detektivja Sara ishte në garë me kohën për të dëshmuar që sulmi nuk kishte ardhur nga Shqipëria, pavarësisht nga dyshimet se mund të jetë ndonjë dredhi e arbitrave. Lufta do të ishte keq për të gjithë, sidomos për biznesin, dhe ajo sigurisht se nuk do ta linte një ish-hakere adoleshente që tash vishej me rroba ushtarake ta përshkallëzonte fatin e tërë vendit. Por, s’kishte asnjë provë veç hamendjes.

“Kolonele”, tha njëri nga ushtarët që po vraponte drejt saj, “e kemi nji njoftim në sistemin e paralajmërimit të hershëm. Osht sinjal i besueshmërisë së lartë. Korrespondon me aktivitet arbitrash në territorin e Kosovës”.

“Kqyre ti”, tha Sara. “Diplomacia drejt n’bërllok. A janë nisë ekipet tona?”

“Nuk kemi mujtë me e gjetë vendndodhjen e saktë”, tha ushtari. “Ka qenë onllajn veç për ni çast. Po, osht diku në Prishtinopolis”.

“Kaja nanën, kjo i bjen si me thanë osht në Kosovë”, u ankua Detektivja Sara.

“Kjo luftë e ftoftë veç sa u nxe”, tha Kolonelja. “Nisim Operacionin Möbius”.

                                                             FUND

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Muzika: Liburn Jupolli.