S`fundmi | LGBTI

Ardhja e IDAHOBIT në Kosovë

Dita që i feston të arriturat e personave LGBTQ+.

Nga - 17.05.2020

Më 17 maj, njerëzit e komunitetit LGBTQ+ nga anekënd bota e shënuan Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë (IDAHOBIT) për herë të pesëmbëdhjetë.

Është një ngjarje globale e përvitshme që përqendron vëmendjen e vendimmarrësve, të medias dhe të publikut në situatën shqetësuese me të cilën përballen njerëzit me orientime seksuale, identitete ose shprehje gjinore dhe tipare të seksit të shumëllojshme. Por gjithashtu i feston shumëllojshmëritë dhe fitoret për t’u dhënë jetë më të mirë njerëzve LGBTQ+.

Dita e shtatëmbëdhjetë e majit është përzgjedhur për ta përkujtuar vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vitin 1990 që hoqi homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve mendore. Ky vendim erdhi 20 vjet pas Paradës së parë të Krenarisë në Njujork, e cila u ndoq nga trazirat e Stonewall-it në vitin 1969 që njihen si katalizatorët e lëvizjes moderne për të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Ky koncept — fillimisht i njohur si IDAHO — është zhvilluar në vitin 2004. Në vitin 2005, shumë individë dhe organizata ndërkombëtare sikur Shoqata Ndërkombëtare e Gejëve dhe Lezbikeve (ILGA) dhe Komisioni Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut të Gejëve dhe Lezbikeve (IGLHRC) kërkuan mbështetjen e publikut për këtë ditë përmes një fushate njëvjeçare.

Protesta dhe festa janë në zemër të lëvizjes IDAHOBIT, IDAHOT 2015. Foto nga CEL.

Sot, kjo ditë shënohet në më se 130 shtete, përfshirë 37 syresh ku marrëdhëniet mes personave të gjinisë së njëjtë janë të kundërligjshme.

T-ja, e cila përfaqëson transfobinë, është shtuar qartazi në emër në vitin 2009, dhe i miraton përvojat e ndryshme të njerëzve që tërhiqen nga personat e të njëjtit seks, nga ata që janë transgjinorë apo me gjini diverse. Në vitin 2015 janë shtuar shkronjat ‘B’ dhe ‘I’ për bifobinë dhe interfobinë. Organizatat lokale kanë mundësinë të shtojnë shkronja sipas dëshirës së tyre, meqë emri nuk është i regjistruar ligjërisht si trademark

“Kjo ditë gjithmonë është përdorur për ta tërhequr vëmendjen e institucioneve qeverisëse dhe atyre publike për përgjegjësinë e zbatimit të legjislacionit të Kosovës, në mënyrë që të promovohen dhe të respektohen njerëzit LGBTQ+ dhe të garantohen të drejtat e tyre si masë drejt qëllimit të barazisë”, thotë Arbër Nuhiu, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), organizatë për çështjet LGBTQ+ me seli në Prishtinë.

Përmes fjalëve të aktivistëve, mbështetësve dhe personave LGBTQ+, K2.0 ju sjell njohuri për zhvillimin e IDAHOBIT përgjatë viteve.

Në fillim…

IDAHOT u mbajt në Prishtinë në vitin 2007, atëherë kur vëreheshin shkëndijat e para të aktivizmit lokal për çështjet LGBTQ+ në vend. Nuhiu kujton se si aktivistët vendosën pllakate nëpër Prishtinë dhe e organizuan një diskutim publik në Teatrin Oda. Diskutimi ishte transmetuar nga Rrokum TV, dhe Nuhiu thotë se asnjë media tjetër nuk kishte qenë e interesuar.

“E mira e asaj dite është se u bë një fushatë publike për herë të parë”, thotë ai. “Kemi pasur shumë vullnetarë, dhe nuk besoja se aq shumë njerëz ishin të interesuar. Diku 300 pllakate janë vendosur nëpër qytet dhe e tëra është bërë për më pak se një orë. Përveç stafit të CSGD-së kishim edhe 20 vullnetarë”.

Një vit më vonë në të njëjtën ditë, Nuhiu thotë se aktivistët kanë organizuar një fushatë të vogël, të mbështetur kryesisht në kontribute individuale meqenëse iu mungonte përkrahja financiare.

“Kemi vendosur stikerë nëpër qytet me mesazhe të ndryshme të shkruara nga personat LGBTQ+ dhe stafi ynë në CSGD”.

Nuhiu thotë që për shënimin e IDAHOBIT në vitin 2009, organizata e tij u ka dërguar letra informative të gjitha institucioneve që kanë mandat për t’i promovuar dhe për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut — ministritë, komunat, Policia e Kosovës, zyra e prokurorit dhe këshillet gjyqësore — për dispozitat ligjore që i garantojnë të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Po atë vit, CSGD ka dërguar një kërkesë pranë Zyrës për Qeverisje të Mirë (ZQM), një organ monitorues dhe këshillues për të drejtat e njeriut brenda Zyrës së Kryeministrit në mënyrë që të njihet dhe të mbështetet IDAHOBIT.

“Natyrisht, ne nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje ndaj kërkesës. Por, heshturazi, Qeveria e Kosovës, përmes ZQM-së, e ka njohur atë si ditë ndërkombëtare prej vitit 2009”, thotë Nuhiu. “Por përveç ‘mbështetjes morale’, asgjë nuk është bërë për këtë ditë deri në vitin 2012 kur ZQM-ja organizoi një konferencë për IDAHOBIT-in. Tri vitet e para, ZQM-ja thoshte se qeveria nuk ka fonde për të organizuar diçka më 17 maj”.

IDAHOBIT u ka hapur shteg Paradave të Krenarisë. Viti 2018. Foto: Atdhe Mulla/ K2.0.

Për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, OJQ-ve të përqendruara në çështjet e komunitetit LGBTQ+ iu desh të hiqnin dorë nga planet për shënimin e IDAHOBIT me aksione simbolike në vitet 2010 dhe 2011.

“Vetëm kemi dërguar deklarata për mediat që kurrë nuk u publikuan”, thotë Nuhiu. “Mediat në atë kohë nuk ishin shumë të hapura për t’i diskutuar këto çështje, përveç rasteve specifike”.

Mungesa e shtjellimit mediatik ndryshoi një natë dhjetori të vitit 2012 kur një ngjarje mbi seksin dhe seksualitetin e organizuar nga Kosovo 2.0 u sulmua prej disa personave që supozohet se ishin radikalë fetarë dhe huliganë të futbollit. Një sulm tjetër, këtë herë brenda organizatës Libertas për çështjet LGBTQ+, ndodhi disa ditë më vonë. Shumë njerëz në të dyja ngjarjet u sulmuan fizikisht.

Mbërthimi i hapësirës

Për tri vjet (2014-2016) në IDAHOBIT, personat LGBTQ+ si dhe aktivistët dhe aleatët e çështjes së tyre mbërthyen hapësirën publike duke valëvitur flamurin e ylbertë në marshe simbolike nëpër sheshet kryesore të Prishtinës. Marshet u organizuan nga Qendra për Liri dhe Barazi (CEL), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Emancipimin Shoqëror (QESh). Zakonisht qytetarët mblidheshin në Sheshin Skënderbej, ku aktivistët endeshin prej grupit në grup duke dhuruar distinktivë, maica dhe pllakate me ngjyra të ylberta për t’i mbajtur derisa parakalonin.

Organizatorët siguroheshin që në fund të ngjarjes t’i adresonin të gjithë personat LGBTQ+ që nuk janë çelur dhe që nuk mund të jenë vetvetja sepse rrethohen nga homofobia dhe transfobia në Kosovë.

Lend Mustafa, një nga aktivistët më të shquar për çështjet e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë, si dhe personi i parë transgjinor që është çelur publikisht, thotë se marshet ua shtuan dukshmërinë personave LGBTQ+, por edhe aktivizmin brenda diskutimit publik.

Politikanët filluan të shkonin në Marshin IDAHOT në vitin 2014. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Deri atëherë, komuniteti ynë punonte, por ishim në hije në sytë e shoqërisë. Duke dhënë mesazhe të fuqishme dhe të drejtpërdrejta për të drejtat e komunitetit tonë, dhe duke i shprehur sfidat tona publikisht, ne e paraqitëm një portret tjetër, një rrëfim tjetër”, thotë ai. “Marshet ishin një ndër aksionet e para që i thyen muret prapa të cilëve fshiheshim”.

Ai reflekton se si për të dhe për shumë persona të tjerë LGBTQ+, mendimi “i të qenit i vetmi person në botë” ishte tmerrues.

“Frika është që je vetëm në rrugëtimin tënd. Duke qenë të dukshëm, ne u japim shpresë personave LGBTQ+ dhe ua bëjmë të ditur se nuk janë vetëm. E di sepse kam qenë në atë situatë vetë”.

Sarah Maliqi, zyrtare e programit për Civil Rights Defenders (CRD), një nga mbështetëset më të mëdha të personave LGBTQ+ në Kosovë — si individ dhe me organizatën ku punon — ka marrë pjesë në secilin aktivitet të organizuar për IDAHOBIT.

“Më kujtohet marshi i parë i organizuar për IDAHOBIT në vitit 2014 — megjithëse tash më kujtohet si ëndërr — nuk kishte shumë njerëz nga komuniteti. Ata që morën pjesë kishin maska, kostume, e kështu me radhë. Sot, shumica e tyre marrin pjesë haptas”, thotë ajo. “Nuk mund të flasim për të drejta të barabarta nëse nuk e kemi një komunitet të fuqishëm e të gjallë”. 

Ajo thotë se marshet dhe aktivitetet e tjera për IDAHOBIT luajtën rol të rëndësishëm për diskutimin e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore, dhe se tryezat për IDAHOBIT shërbyen për t’i përfshirë mekanizmat e shumëllojshme që kryejtën punë për t’i avancuar të drejtat e personave LGBTQ+ dhe për ta diskutuar pozitën e tyre.

Sociologia Sibel Halimi nënvizon se, pavarësisht nga përpjekjet e OJQ-ve, marshi i parë për IDAHOBIT në vitin 2014 ishte vendimtar për t’i bartur të drejtat e komunitetit LGBTQ+ nga sfera private në sferën publike.

“Përdorimi i marshit si mjet politik apo edhe artistik, i bëri çështjet e lidhura me personat LGBTQ+ të mos jenë vetëm private”, thotë ajo. “Ai nuk e përmirësoi situatën e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë, por entuziazmi dhe vullneti i personave LGBTQ+ dhe aktivistëve për çështjen e tyre dha një lloj emocioni tjetër dhe në një mënyrë biseda për seksualitetin dhe trupin nuk ishte më çështje private”.

Marshi për IDAHOBIT në vitin 2014 — i pari në Kosovë prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 — kishte mbështetje publike nga liderët politikë, madje disa prej tyre edhe morën pjesë, bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë dhe të BE-së.

“Pjesëmarrja e politikanëve e legjitimoi shumëllojshmërinë seksuale të personave LGBTQ+, sepse deri atëherë, diskutimi ka ndodhur vetëm prapa dyerve të mbyllura dhe në nivelin legjislativ, në formën e politikave dhe rregulloreve”, thotë Halimi.

Kërkesa për përkatësi

Një trajtë e mbështetjes publike që qeveritë kosovare e kanë treguar prej vitit 2014 për IDAHOBIT është ndriçimi i ndërtesës së qeverisë me ngjyrat e ylberit.

Por këtë vit, pas një konfirmimi fillestar, përfaqësuesit qeveritarë iu shkruan aktivistëve me kërkesën që të vijnë me një ide tjetër në vend të saj. Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga aktivistët dhe nga vetë komuniteti LGBTQ+.

Aktivistët thanë se kanë këmbëngulur për ndriçimin e ndërtesës së qeverisë, sidomos për shkak se nuk kishte mundësi të mbaheshin aktivitetet normale për shkak të pandemisë së COVID-19. Sipas tyre, kjo do ta dërgonte një mesazh solidariteti për personat LGBTQ+ nga institucionet kosovare. Sipas aktivistëve dhe studiuesve, njerëzit LGBTQ+ po përjetojnë armiqësi të shtuara gjatë ngujimit.

Njerëzit dhe mbështetësit fshiheshin fillimisht, ndërsa tash mund të vijnë hapur. Viti 2018. Foto: Atdhe Mulla/ K2.0.

Pas trysnisë publike, qeveria vendosi ta vazhdojë ndriçimin tradicional edhe këtë vit. Por kjo po ashtu konfirmoi këndvështrimin se institucionet — edhe kur udhëhiqen prej një partie që promovon drejtësinë shoqërore — ende nuk kanë qëndrim të ngurtë për mbështetjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+.

Sibel Halimi thotë se kjo mungesë e entuziazmit nga Vetëvendosja (VV) për t’i mbështetur haptazi personat LGBTQ+ tregohet në trajtën e mungesës së qëndrimeve të drejtpërdrejta e guximplota të mbështetjes; apo në trajtën e mosorganizimit ose mosinicimit të debateve publike me komunitetin. Sidoqoftë, përveç ndonjë politikani të veçuar, asnjë qeveri deri më sot nuk i ka mbështetur fuqishëm të drejtat LGBTQ+. Një herë, madje, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte përdorur një fyerje homofobike për t’i përshkruar kundërshtarët e tij.

“Sa më afër të jenë zgjedhjet për një parti politike, aq më i madh është ngurrimi për të dhënë mbështetje sepse nuk duan të përfshihen në një debat të drejtpërdrejtë që lidhet me të drejtat e komunitetit LGBTQ+”, thotë ajo. “Qeveritë janë të vetëdijshme se personat LGBTQ+ janë të stigmatizuar dhe të diskriminuar dhe kështu dështojnë ta ndërtojnë një projekt emancipues për shoqërinë kosovare”.

Halimi thotë se në luftën për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ ka ende shumë punë dhe se diskutimi duhet të bëhet pjesë thelbësore në faktorët e socializimit, sikur familja dhe shkolla.

“Duhet të bëhet një përpjekje për ta përfshirë çështjen e seksualitetit dhe trupit në librat shkollorë dhe diskutimet formale e joformale të planprogrameve në arsim. Arsimi është një ndër mjetet kyçe që i përgatit të rinjtë për çështjet LGBTQ+”, thotë ajo. “Në anën tjetër, dukshmëria dhe fushatat janë të nevojshme, si dhe përdorimi i artit për ta rritur vetëdijen shoqërore”.

Halimi përshkruan se si një fushatë masive i ndikoi të gjitha dimensionet e qytetit kur shteti i Njujorkut legalizoi martesat e gjinisë së njëjtë, me portrete të mëdha të çifteve gej duke u përqafuar të vendosura në hapësirat publike sikur pjesët e brendshme të stacioneve të metrosë.

Personat LGBTQ+ ende kërkojnë të drejtën e tyre për të jetuar si duan. Viti 2019. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0

Arbër Selmani është gazetar dhe aktivist që ka mbuluar çështjet e komunitetit LGBTQ+ gjerësisht për më se një dekadë. Ai thotë se puna dhe vëzhgimet e tij kanë treguar se mbijetesa për njerëzit jo të bardhë, ata johetero dhe për gratë është shumë e vështirë në Kosovë. Sipas tij, IDAHOBIT përfaqëson një mundësi për komunitetin që të dalë në pah, të jetë pjesë e diskursit dhe narrativës publike.

“Shpesh, ky diskutim devijon dhe lëndon”, thotë ai. “IDAHOBIT është një mundësi tjetër për debat konstruktiv, për të reflektuar rreth asaj se ku jemi si shoqëri dhe përse nuk po i lëmë njerëzit ta jetojnë jetën ashtu si duan? Pse nuk e pranojmë atë që është e ndryshme nga ne? Pse duhet që të gjithë të jemi brenda një kutie të ndërtuar nga shoqëria?”

Maliqi nga CRD shton se marrja e masave konkrete dhe angazhimi i vërtetë i institucioneve të Kosovës për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+ si dhe për zhdukjen e homofobisë së institucionalizuar në qeveritë lokale dhe qendrore, në polici dhe në institucionet gjyqësore, është themelore për të drejtat e komunitetit LGBTQ+. Ajo thotë se IDAHOBIT ngre po këto pyetje, duke dërguar mesazhin se “personat LGBTQ+ duhet të kenë mundësi të ngjashme sikur të tjerët: një jetë të lirë dhe dinjitoze për të vendosur se me kë duan të jetojnë, kë duan ta dashurojnë dhe ku duan ta vijojnë mësimin e punën”.

Sipas Maliqit, trashëgimia e IDAHOBIT në Kosovë u ka hapur udhë Paradave të Krenarisë me më shumë se 800 pjesëmarrës si dhe fitoreve të tjera të rëndësishme, sikur rastin gjyqësor që legalizoi ndryshimin e emrit dhe shënuesit të seksit në dokumentet e identifikimit.

Në vitin 2017, Kosova mbajti Paradën e Parë të Krenarisë. Ishte ngjarje e gjallë dhe e ngazëlluar në qendrën e Prishtinës. Krahasuar me marshet e tjera të IDAHOBIT që kurrë nuk janë shpallur para 17 majit për shkak të sigurisë, sot për Paradën njoftohet javë përpara se të ndodhë.

“Mund të themi se marshet për IDAHOBIT janë përdorur për ta matur situatën në Kosovë për organizimin e Prajdit, por nuk janë planifikuar fillimisht si të tilla. Parada e Krenarisë dhe Java e Krenarisë vijnë si rezultat i një lëvizjeje revolucionare, kur aktivistët ishin të lodhur nga të gjitha refuzimet, neglizhimet dhe sfidat e organizimit të marsheve”, thotë Lend Mustafa. “Megjithatë, marshi kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë ishte forum që e kemi përdorur për të kërkuar më shumë, për ta kërkuar atë që na përket”.K

Imazhi i ballinës nga CEL.

Ky artikull është pjesë e projektit “Avancimi i pozitës së Personave LGBTI në Shoqëri”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, dhe implementuar nga Qendra për Barazi dhe Liri CEL.
Opinionet e shprehura këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Hollandës në Kosovë.