Pikëpamje | COVID-19

Ardhja e vaksinave nuk nënkupton se ka mbaruar pandemia

Nga - 14.04.2021

Ç’domethënie ka dhënia e vaksinave në Kosovë gjatë kësaj faze të pandemisë?

Ndonëse shumë vende në botë kanë filluar vaksinimin e popullatave të veta kundër COVID-19 më herët gjatë këtij viti, ne Kosovë jemi ende në ditët e para. 

Kosova ka pranuar kontigjentin e parë të vaksinave të përbërë nga 24,000 doza të AstraZeneca-s — e cila është vaksina më e përdorur në botë kundër COVID-19 — më 29 mars nga programi COVAX (shkurtesë për Qasja Globale për Vaksinat kundër COVID-19). Vlen të vihet re se rregullatorët së voni kanë gjetur lidhje mes mpiksjes së gjakut dhe vaksinës AstraZeneca, por ky është efekt anësor shumë i rrallë.

Programi është themeluar në prill të vitit 2020 për t’ua mundësuar një numër vaksinash vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje dypalëshe me prodhuesit farmaceutikë. Shkurt e shqip, COVAX-i është litar shpëtimi për vendet që nuk mund mund të sigurojnë vaksina lehtësisht.

Ndërrimi i lidershipit ka mbjellë mosbesim për autoritetet.

Kosova mirëpriti vaksinat në mënyrë madhështore përmes një pritjeje në aeroportin e Prishtinës, ku ishte i pranishëm kryeministri. Duhet të kihet parasysh se dozat e pranuara deri më tash mezi mbulojnë profesionistët shëndetësorë dhe një përqindje të vogël të të moshuarve mbi moshën 80 vjeç. Këto janë grupet që kanë më së shumti përparësi për t’u vaksinuar. Edhe 100,620 vaksina pritet të merren mes prillit dhe qershorit.

Problemi i kësaj narrative nuk është ardhja e tyre, por vonimi. Këto vaksina do të duhej të kishin ardhur në fund të shkurtit. Kjo është e rrezikshme për të gjithë ne. Qeveria e kaluar e Kosovës ka treguar mungesë lidershipi në lidhje me sigurimin e vaksinës.

Ka kaluar paksa më shumë se një vit prej kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka shpallur sëmundjen COVID-19 pandemi, ndërsa janë bërë rreth pesë muaj nga zhvillimi i vaksinës së parë Pfizer BioNTech. Ndërkaq Kosova ka mbetur prapa me përpjekjet për sjelljen e vaksinave.

Fajin e kemi pjesërisht ne sepse jemi vendi i vetëm në Evropë dhe më tej që ka pësuar ndryshim qeverie në mes të ngujimit të parë global. Kjo i hodhi benzinë zjarrit të pasigurisë që përjetonin njerëzit. Megjithatë, kjo ishte vetëm pengesa e parë me të cilën u përball Kosova gjatë pandemisë. Ndërrimi i lidershipit ka mbjellë mosbesim për autoritetet dhe kështu, shumë njerëz nuk u janë bindur rekomandimeve të qeverisë për ruajtjen e sigurisë gjatë pandemisë.

Disa vaksina tashmë kanë ardhur. Çfarë tash?

Plani i vaksinimit është organizuar në tri faza: fillimisht do të vaksinohet trepërqindëshi i parë i popullatës, ose 54,000 punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit bashkë me të sëmurët kronikë; faza e dytë do ta mbulojë 17% të popullsisë ose 306,000 njerëz, ku do të kenë përparësi mësuesit dhe personelet e sigurisë; dhe në fazën e fundit pritet të vaksinohen 50% e popullsisë ose 900,000 njerëz, përfshirë edhe grupmoshat e reja, sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë. Ky protokoll është rekomanduar nga OBSh-ja dhe Kosova po e ndjek fill e për pe.

Sipas një studimi të kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), afro 70% e të anketuarve ngurrojnë ta marrin vaksinën.

Hapësira që përdoret tani për tani për vaksinimin e mjekëve dhe të moshuarve është Salla “1 Tetori”, ndërsa një pjesë tjetër e stafit mjekësor do të vaksinohet në QKUK. Pas ardhjes së dozave të tjera, ato do të shpërndahen në qendrat e mjekësisë familjare nëpër Kosovë për imunizimin e grupmoshave të tjera.

Teksa flasim për çështjet logjistike të vaksinimit, është hapur një platformë shërbyese online e quajtur “E-Kosova” ku njerëzit regjistrohen dhe presin të ftohen për t’u vaksinuar. Kjo ka marrë kritika meqë procedura, sado e lehtë që është, kërkon njëfarë përvoje teknike për t’i ngarkuar dokumentet, dhe kjo ka qenë sfidë për disa të moshuar. Më vonë është vendosur se ky grup i caktuar po ashtu do të telefonohet kur t’u vijë rendi.

Ka mjaft hapësirë për përmirësime dhe natyrisht për kritika. Sidoqoftë, nga ajo që kam parë gjatë vizitave në hapësirën ku po ndodhin aktualisht vaksinimet, gjithçka po shkon mirë dhe po vijon siç duhet.

Deri më 14 prill gjithsej 10,704 punëtorë shëndetësorë dhe qytetarë të moshuar kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Por, ajo që hasim në terren është sfidë tjetër. Kjo vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së investimeve në shëndetësinë e Kosovës gjatë dekadës së fundit: një ngurrim i jashtëzakonshëm për marrjen e vaksinës. Sipas një studimi të kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) — i cili është pjesë i planit të vaksinimit për Kosovën — afro 70% e të anketuarve ngurrojnë ta marrin vaksinën.

Qeveria e kaluar ka bërë fare pak për t’i informuar dhe për t’i edukuar qytetarët se si të jetojnë gjatë pandemisë.

Ç’është e vërteta, unë kanë rezervat e mia për përqindjen e paraqitur në studim pa shqyrtimin e madhësisë së mostrës dhe metodologjisë së përdorur. Sidoqoftë, ky është një mosbesim mjaft i madh që rrjedh nga mungesa e përgjithshme e edukimit për rëndësinë e imunizimit. Po ashtu ekziston një mungesë e përpjekjes nga institucionet për rrokjen e këtij problemi para se të bëhet akoma më i madh. Nuk është një faj që mund t’ia hedhim njërës qeveri ose tjetrës, por thjesht orvatje e dobët kolektive nga të gjitha qeveritë gjatë 20 viteve të fundit.

Pandemia ka shpërfaqur plasaritjet e shëndetësisë 

Para se të shpallej pandemia më 11 mars 2020, shëndetësia nuk është parë as si çështje tretësore në Kosovë dhe kjo krizë ka nxjerrë në pah anët e dobëta të sistemit. Thuajse 13 muaj nga atëherë, akoma ka mungesë të shtretërve, të stafit dhe të pajisjeve. Vendi aktualisht po përjeton ngujimin e dytë që pritet të zgjasë 12 ditë.

Shumë profesionistë shëndetësorë po ashtu kanë thënë se përgjatë viteve, Kosova po e humb “trurin” duke i lënë mjekët e infermierët të mërgojnë në shtete të tjera. Këtij problemi nuk i shihet fundi.

Ndërsa vazhdon ngujimi, mund të flasim për mënyrën si kemi ardhur në këtë gjendje; çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar një ngujim të radhës në të ardhmën e afërt; dhe nëse një gjë e tillë është zgjidhja më e mirë për momentin.

E vërteta është se nuk ka përgjigje të shkurtra dhe përfundimtare për asnjë pyetje. Kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të vdekshmërisë që nga fillimi i këtij viti dhe një shkallë të lartë të infektimit. Na mungojnë vaksinat për të imunizuar grupe të mëdha njerëzish dhe qeveria e kaluar ka hequr shumicën e kufizimeve në muajin e parë të vitit 2021; pra, rivendosja e tanishme e kufizimeve duket se ka kuptim.

Kemi parë se gjatë fushatave zyrtare dyjavore në shkurt — por edhe ca kohë para tyre — të gjitha partitë politike kanë mbajtur tubime të mëdha. Këto takime janë mbajtur shpeshherë në hapësira të përcaktuara për dasma, pa kurrfarë kokëçarjeje për shëndetin publik.

Qeveria aktuale duhet t’i përqendrojë përpjekjet e menjëhershme ose në blerjen e vaksinave, ose në lobimin për donacione nga aleatët.

Problemi tash është se shumica e njerëzve janë të habitur nga fakti se duhet të paguajnë çmimin për këtë. E përmend këtë sepse mbase të gjithë ndihen të zemëruar. Sidoqoftë, është e rëndësishme të kihet parasysh se si kemi ardhur deri këtu dhe çfarë duhet të bëjmë tash janë dy pyetje të ndara. Na kërkohet solidariteti sepse njerëzit po vdesin dhe ne mund të ndihmojmë për parandalimin e shtimit të këtyre vdekjeve duke i ndjekur rekomandimet që i dimë tash e më se një vit: të vëmë maskën, të lajmë duart dhe të mbajmë distancën fizike.

Është po ashtu e rëndësishme të thuhet se qeveria e kaluar — meqë fajësimi i qeverisë së tanishme që ka marrë detyrën para tri javësh do të ishte i parakohshëm — ka bërë fare pak për t’i informuar dhe për t’i edukuar qytetarët se si të jetojnë gjatë pandemisë, ose çfarë të bëjnë deri sa të imunizohemi të gjithë. Është e vërtetë që ka pasur disa tentativa që janë transmetuar në gjithë vendin, por u ka munguar mundi i vërtetë për të vazhduar angazhimin dhe për t’i qasur të gjitha komunitetet; ka pasur përpjekje, por kanë qenë të vonuara dhe paksa të pakripë.

Aspektet e shumta të pengesave diplomatike të vaksinimit — disa të drejtpërdrejta e disa të tërthorta — besoj se janë prioritet parësor për udhëheqësinë e Kryeministrit Kurti. Qeveria e tij duhet t’i përqendrojë përpjekjet e menjëhershme ose në blerjen e vaksinave, ose në lobimin për donacione nga aleatët. Asnjë plan tjetër — qoftë ngujimi i plotë, ose mungesa e plotë e kufizimeve — nuk do të jenë pa pasoja. Ose do të ketë humbje të drejtpërdrejtë të jetëve njerëzore, ose humbje të tërthorta përmes rënies ekonomike.

Vetëm atëherë kur Kosova ia del ta imunizojë shumicën e popullatës do të fillojmë të flasim për stabilitetin — qoftë politik ose ekonomik — dhe mund të aspirojmë për gjëra të tjera. Sidoqoftë, imunizimi masiv është rrugëdalja e vetme prej pandemisë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTO