Në thelb | Media

Arrogancë në vend të transparencës

Nga - 13.02.2018

Komunikimi efektiv ende mungon nga Qeveria Haradinaj

Pak ditë pasi ishte zgjedhur në postin e Kryeministrit të vendit në shtator 2017, Ramush Haradinaj kishte nisur polemika me media. Kur gazetarët ia përmendën deklaratën e Ambasadës Amerikane, në të cilën thuhej se nuk do të përkrahet versioni tjetër i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Haradinaj nuk e komentoi deklaratën, por u mor me gazetarët.

Sipas tij, ata do të duhet të shkojnë në shkollë sepse nuk po e kuptojnë gjuhën angleze; dhe meqë nuk janë në gjendje të kuptojnë gjuhën angleze, nuk meritojnë ndonjë koment për pyetjet e tyre.   

‘‘Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni’’, u tha Kryeministri duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin e gazetarëve.        

Fjalët e kreut të Qeverisë kishin nxitur reagime të gazetarëve, të cilët shpreheshin se ato i cilësonin si ofendim ndaj tyre dhe e ftonin Kryeministrin t’u kërkonte falje. Indinjatën e gazetarëve  e kishte mbështetur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që kërkonte ndaljen e ofendimeve ndaj gazetarëve prej zyrtarëve të institucioneve, specifikisht prej Kryeministrit. AGK-ja ia rikujtoi Kryeministrit se roli i tij nuk është të ndërhynte në përmbajtjen e pyetjeve të gazetarëve por të siguronte transparencë të Qeverisë.   

Gjatë muajve të parë të mandatit 2015-17, Kryeministri Isa Mustafa as që kishte zëdhënës.

Raportet jo të mira të qeveritarëve me media kanë qenë diçka e zakonshme në vend, dhe që në forma të ndryshme e kanë përcjellë secilën Qeveri. Arroganca dhe mungesa e transparencës apo e konferencave për shtyp, komunikimi jo i vazhdueshëm apo vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, dhe vështirësitë e qasjes në dokumente publike janë vetëm disa nga pengesat në komunikim.

Për shembull, gjatë muajve të parë të mandatit 2015-2017, Kryeministri Isa Mustafa nuk kishte as zëdhënës. Por edhe pas caktimit të Arban Abrashit i cili njëkohësisht mbante edhe postin e ministrit të mirëqenies sociale Mustafa preferonte që, në të shumtën e rasteve, komunikimin e tij me qytetarët ta bënte përmes rrjetit social Facebook, duke iu shmangur përballjeve me gazetarët.

Në fakt, në shumë raste Mustafa ishte kritikuar se shpërfaqte arrogancë karshi gazetarëve. Ai ishte akuzuar se kishte kërcënuar një gazetar për publikimin e lajmit për vëllain e tij të sëmurë i cili kishte shkuar për shërim jashtë vendit. Artikulli vinte në pikëpyetje mungesën e besimit të Kryeministrit dhe të familjarëve të tij në cilësinë e sistemit shëndetësor. Gazetari në një shkrim autorial pretendonte se Mustafa i ishte drejtuar atij duke i thënë ‘‘qen bir qeni’’ dhe duke e kërcenuar se ‘‘do të paguajë shtrenjtë’’ për shkrimin.  

Kabineti i Mustafës po ashtu ishte kritikuar edhe për nepotizëm, si për shembull kur për servisimin e një veture të Zyrës së Kryeministrit, tenderi i ishte dhënë kompanisë “Makcar”, pronar i së cilës është djali i Mustafës.      

Para tij, Kryeministri Thaçi kishte zgjedhur që me media të ruante distancën. Gjatë dy mandateve të tij 2007-2011 dhe 2011-2014, ishin të pakta konferencat për shtyp dhe intervistat që ai i kishte dhënë. Po ashtu, disa vendime të rëndësishme të marra gjatë qeverisjes së tij asnjëherë nuk janë bërë publike.    

Investimi më i madh i bërë në Kosovën e pasluftës ishte ndërtimi i autostradës ‘‘Ibrahim Rugova” gjatë periudhës 2010-2013, që thuhet se ka kushtuar afërsisht 1 miliard euro. Çmimi i saktë nuk dihet sepse ende nuk është publikuar kontrata e këtij investimi.

Në vazhdën e mungesës së transparencës kur bëhej fjalë për pasuritë publike, bën pjesë edhe shitja e distribucionit të KEK-ut në vitin 2013. E gjitha që komunikohej nga Qeveria e atëhershme për këtë projekt ishte se shteti do të përfitonte 26 milionë euro. Ndërkohë, partitë opozitare si dhe pjesëtarë të ndryshëm të shoqërise civile kritikonin jo vetëm shumën e kontratës si të vogël, por edhe faktin se shumë detaje të tjera rreth saj mbetën të papublikuara, duke përfshirë edhe vet mungesën e transparencës në procesin e privatizimit.

Zyrtarë të qeverisjes së Thaçit nuk kishin lejuar qasje në dokumentet rreth privatizimit të kësaj pasurie publike, me arsyetimin se bëhet fjalë për dokumente konfidenciale. Mirëpo, në kundërshtim me këtë, në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin në procesin e privatizimit të KEDS-it dhe tenderin për Termocentralin “Kosova e Re”, kur nuk kanë lejuar qasje në dokumentet publike për këtë proces. Vendimi urdhëron MZhE-në që ankuesve, Institutit Gap dhe KOSID-it, të dyja organizata joqeveriatre të shoqërisë civile, t’u lejohet qasje në këto dokumente. Ndërkohë, kontrata është publikuar vetëm pjesërisht në fund të muajit janar të këtij viti.

Koncept-dokumenti dhe ‘‘Open data’’

Problemet që hasen në komunikimin e Qeverisë me mediat dhe qytetarët u theksuan edhe nga Zyra për Komunikim me Publikun në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Duke tentuar të rregullojnë komunikimin e Qeverisë me publikun, kjo zyrë (e përbërë nga stafi civil) në nëntor të vitit të kaluar kishte përfunduar hartimin e ‘‘Koncept-dokumentit për shërbimin e komunikimit qeveritar me publikun’’. Më 20 dhjetor të atij viti, Qeveria tashmë e kishte miratuar këtë koncept-dokument.     

Koncept-dokumenti është një analizë e cila kishte vënë në pah një varg mangësish të komunikimit të Qeverisë me publikun. Aty thuhej se praktika e deritanishme ka treguar ‘‘vështirësi, kufizime dhe mangësi të zbatimit të rregullores së mëparshme për komunikim të Qeverisë’’. Gjithashtu theksohet se komunikimi i Qeverisë ka qenë i njëanshëm.

Problemet e tjera që janë potencuar nga kjo analizë janë: mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale që ka Zyra për Komunikim; komunikimi qeveritar ka qenë i orientuar kryesisht në mbulimin medial të agjendës së Kryeministrit; anashkalimi i komunikimit Qeveri-qytetarë në fazat e hershme të zhvillimit të politikave etj. Dhe, si zgjidhje të këtyre problemeve, është paraparë të funksionalizohen tri njësi: për komunikim me media dhe monitorim; për planifikim, koordinim dhe komunikim të politikave; dhe për media të reja.

Në hartimin e këtij koncepti ishin marrë parasysh edhe disa prej kërkesave të gazetarëve. Ato përfshinin: që vendimet e Kryeministrit dhe të ministrave që merren në baza ditore të publikohen në uebfaqe përkatëse; që të publikohen projektligjet në kohë reale dhe të mos pritet derisa ato të shkojnë në Kuvend; që të publikohen sa më shumë dokumente në uebfaqe në mënyrë që të rritet transparenca; që Kryeministri, ministrat dhe zëdhënësi të mbajnë konferenca shtypi; që përdorimi i mediave sociale të mos zëvendësojë konferencat për shtyp; që gazetarët të njoftohen me kohë për rendin e ditës së Qeverisë dhe materialet që diskutohen në mbledhje të Qeverisë të jenë të qasshme për media, etj.

Gazetari i Kallxo.com, Kreshnik Gashi, nuk beson se koncept-dokumenti që është miratuar së fundmi nga Qeveria i trajton problemet më thelbësore sa i përket komunikimit të dobët zyrtar me mediat. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por, gazetari Kreshnik Gashi nga Kallxo.com dyshon që miratimi i këtij Koncept Dokumenti do t’i zgjidh problemet. Pika kryesore të cilën Gashi e ka kritikuar ka të bëjë me kahjen që ka strategjia, që sipas tij nuk merret me thelbin e problemit.

‘‘Kritika kryesore ka qenë se kjo strategji në njërën anë flet për transparencën por, nuk flet për konceptin e ‘të dhënave të hapura’’’, thotë ai.      

Problemet që janë veçuar sipas këtij dokumenti për Gashin janë dytësore dhe nuk do të ndryshojnë diçka substancialisht. Të flitet për numrin e zyrtarëve qeveritarë të komunikimit, për atë se a do të jenë publike apo jo mbledhjet e Qeverisë, a duhet të akreditohen apo jo gazetarët që raportojnë prej institucioneve, sipas Gashit nuk është se do të ndryshojë diçka. Sipas tij, kjo qasje është sikur të tentosh ta ndreqësh problemin ‘‘prej bishtit’’.  

‘‘Ne mund t’i shtojmë edhe 500 zyrtarë të tjerë, por nëse ata nuk kanë çka të ofrojnë [dokumente], dhe nëse vazhdon logjika që dokumentet të bëhen publike në fund të prodhimit të tyre, kjo mbetet problematike’’, thotë Gashi.    

Rëndësia primare sipas Gashit duhet të jetë që institucionet të jenë të qasshme për qytetarët përmes platformave online. Sipas tij, nëse krijohet ky standard do të ishte më e lehtë që të monitorohen puna e institucioneve qysh nga fillimi i hartimit të politikave të caktuara.

‘‘Nëse do ta kishim konceptin e Open Data, Qeverinë në një varg procesesh do ta kishte bërë më transparente’’, thotë ai.

Por përderisa një koncept i tillë nuk aplikohet, publikimi i çfarëdo lloj dokumentesh qeveritare vazhdon kryesisht të varet nga vullneti i atyre që janë në institutcione.

Për shembull, rishtazi Qeveria Haradinaj ka marrë vlerësime që në janar të këtij viti publikoi kontratën për ndërtimint e termicentralit “Kosova e Re” e që ishtë nënshkruar në dhjetor 2017.  

Por Hekuran Murati, analist financiar dhe konsulent i pavarur në një editorial të tij vinte në pah se kontratat komerciale që janë pjesë e marrëveshjes për termocentralin ‘‘Kosova e Re’’, nuk janë publikuar të plota. Ai theksonte se brenda secilës kontratë ka shumë raste kur nuk jepen informacione me pretekstin se janë informacione të klasifikuara. Ndërkohë, një prej kritikave të Gashit është se kontrata nuk është përkthyer në gjuhën shqipe dhe kështu për shumicën e qytetarëve është ende jo e qasshme.

Përkundër publikimit të një kontrate të madhe nga ana e Qeverisë, Gashi thekson se edhe kjo Qeveri vazhdon të jetë e ngjashme me ato paraprake. Sipas tij, qasja në dokumente publike po ndalohet nga Qeveria Haradinaj, bile edhe atëherë kur ka vendim të gjykatave.

Për shembull, është rasti i parashtrimit të padisë nga BIRN-i ndaj Zyrës së Kryeministrit për qasje në faturat e Kryeministrisë gjatë mandatit të Hashim Thaçit. Në shkurt 2017, Gjykata e Apelit kishte pranuar si të bazuar, dhe detyronte zyrën që ankuesve t’u lejojê qasje. Ka kaluar gati një vit qëkur gjykata ka urdhëruar Qeverinë të ndërmarrë një hap të tillë, por ende nuk është zbatuar ky vendim.

Sipas Gashit, ky është tregues se sa transparente është Qeveria Haradinaj, kur edhe një vendim i plotfuqishëm i gjykatës nuk respektohet prej tyre, edhe pse bëhet fjalë për faturat e Kryeministrit të kaluar.  

Petrit Çollaku, hulumtues në AGK, thotë se në adresën e organizatës ku ai punon kanë ardhur ankesa të gazetarëve që theksojnë se Qeveria e tanishme po vazhdon të mos u lejojë qasje në dokumente publike. Kjo sipas tij nuk ndodh vetëm në Qeveri por edhe në institucionet e tjera. Në bisedat e tij me gazetarët, Çollakut i është thënë se kjo mbyllje dhe mospublikimi i dokumenteve publike po penalizon punën e tyre, sidomos gazetarinë hulumtuese dhe trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike.

Hulumtuesi i AGK-së, Petrit Çollaku, nuk u beson pretendimeve institucionale se miratohen 90 për qind të kërkesave të gazetarëve për qasje në dokumente publike. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Për shembull, prej 9 shtatorit të vitit të kaluar kur Haradinaj u zgjodh në krye të Qeverisë, gazetari Besnik Krasniqi nga ‘‘Koha Ditore’’ ka bërë tri kërkesa për qasje në ‘‘Studimin e fizibilitetit për Trepçën’’ dhe në të trija rastet nuk i është lejuar qasja në atë dokument.

Çollaku konteston deklarimet e institucioneve kur ata thonë se në 90 për qind të rasteve, gazetarëve u lejohet të kenë qasje në dokumente zyrtare. Sipas raportit të vitit 2016 të realizuar nga Zyra për Komunikim Publik, del se prej 2,169 kërkesave për qasje në dokumente publike, për 2,050 prej tyre është lejuar qasja.

Mirëpo, sipas një ankete të AGK-së të realizuar me 50 gazetarë të organizatave të ndryshme mediale, rreth 78 për qind të tyre kanë thënë se u është refuzuar qasja në dokumentet e kërkuara gjatë vitit 2016. Për më tepër, edhe Avokati i Popullit, Seksioni për Media i OSBE-së, dhe OJQ-të si GAP, KDI, e BIRN që janë marrë me monitorim të implementimi të ligjit, kanë kritikuar institucionet për mosimplementim efikas të qasjes në dokumente publike.

Një kritikë të tillë ka drejtuar edhe Albulena Sylaj-Zeqiri, zyrtare për komunikim dhe trajtim të kërkesave për Qasje në Dokumente Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Në një diskutim të organizuar për të adresuar sfidat në implementimin e ligjit, ajo kishtë thënë se institucionet shpeshherë refuzojnë kërkesat për qasje në dokumente publike duke mos ofruar aktvendim me shkrim siç e parasheh ligji, por vetëm duke mos iu përgjigjur atyre që kërkojnë qasje.

Arroganca dhe përplasja me gazetarët      

Në sipërfaqe, duket se Qeveria e tanishme ka sjellë ndryshim në mënyrën e komunikimit me media. Për dallim nga Kryeministrat e mëparshëm, Haradinaj është i gatshëm të prononcohet për media, të dalë në konferenca për shtyp dhe të përballet nëpër intervista. Ai ka caktuar zëdhënës qysh në fillim të mandatit dhe afër vetes si këshilltarë për komunikim publik ka persona që për një kohë të gjatë janë marrë me gazetari.   

Por, për gazetarët dhe profesionistët e fushës, sasia nuk do të thotë cilësi.

‘‘Paraqitjet e Haradinajt janë më shumë sa për të thënë se po shfaqet në konferenca për shtyp, dhe jo që aty jep ndonjë informacion’’, thotë Krasniqi i Kohës Ditore.Për shembull, kur në fillim të dhjetorit të kaluar Kryeministri Haradinaj kishte marrë vendim që t’ua falë borxhin kompanive të ambalazhimit të ujit, me vlerë mbi 58 milion euro, pyetjes se përse kishte ndërmarr këtë veprim, Kryeministri i ishte përgjigjur: ‘‘se mu ka tekë’’.

Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, beson se ekipi i komunikimit në Kryeministri me qëllim krijon marrëdhënie të tensionuara me gazetarët për ta mbrojtur shefin. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Apo, kur në krye për të menaxhuar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore ishte zgjedhur dhëndri i Kryeministrit, 27-vjeçari Liridon Dërvishaj, Haradinaj ishte arsyetuar se nuk kishte asnjë informacion për këtë zhvillim dhe se ishte njoftuar nga mediat. ‘

‘Është i zgjedhur me konkurs…ju mundeni me thonë se ka pasë interferime. Me e pasë ditë përpara ndoshta i kisha thonë hiq mos u bo. Masi u bo të drejtën s’muj ia ndali askujt’’, ishte shprehur Kryeministri. E edhe në rastin kur Zëvendëskryeministri dhe ministri i diasporës, Dardan Gashi ishte xhiruar duke shtënë me armë në një aheng privat, ishte i menjëhershëm reagimi i opinionit publik ku kërkohej dorëheqja ose shkarkimi i tij. Por Haradinaj e kishte adresuar duke thënë: ‘‘S’është kiamet, gjuaj edhe unë’’.

Përgjigje të tilla të Kryeministrit për Kreshnik Gashin janë strategji e Kryeministrit, ku nëpërmjet tyre ai eviton llogaridhënien, dhe tenton të relativizojë çdo gjë që raportohet për të mos u marrë seriozisht dhe për të zbehur efektin e tyre.

Krasniqi po ashtu sheh një qasje të njëjtë tek njerëzit të cilët kryeministri i ka zgjedhur në ekipin e tij për komunikim me media, të cilët shpeshherë edhe krijojnë arimiqësi ndërmjet vetes dhe gazetarëve për ta larguar vëmendjen nga veprimet apo deklaratat e Kryeministrit.

‘‘Zëdhënësi krijon armiqësi me gazetarët apo publikun për ta mbrojtur shefin e tij’’, thotë Krasniqi, duke shtuar se për pasojë të këtyre veprimeve janë prodhuar raporte të ngrira mes gazetarëve të caktuar dhe stafit të Kryeministrit.

‘‘Kryeministri Ramush Haradinaj ka shfaqë aty këtu finesa arrogance në raport me publikun"

Halil Matoshi, janar 2018

Rreth këtyre episodeve dhe kritikave ndaj komunikimit të Kryeministrit Haradinaj me publikun, K2.0 ka dërguar pyetje në drejtim të Këshilltarit për Media të Kryeministrit, Halil Matoshi i cili nuk është përgjigjur. Mirëpo, në një shkrim të publikuar në median online ‘‘Gazeta Express’’,   Matoshi ishte shprehur se ka raste kur Haradinaj është treguar arrogant në raport me publikun.   

‘‘Kryeministri Ramush Haradinaj ka shfaqë aty-këtu finesa arrogance në raport me publikun, jo pse është i tillë, porse duke qenë i pari i Qeverisë nuk po mundej t’i shihte gjërat me aq komoditet e neglizhim siç ishin përshtatur të gjithë. Politikanë dhe gazetarët’’, ka shkruar ai.  

Por nëse mund të shquhet një kritikë që tërhoqi vëmendje jo vetëm në Kosovë por edhe në media ndërkombëtare, ajo ishte rreth vendimit të Kryeministrit për rritje të pagave të zyrtarëve të lartë shtetërorë, e posaqërisht pagës së tij nga 1,443 euro në 2,950 euro. Kur Haradinaj e arsyetoi vendimin duke thënë se do ketë nevojë të blejë kravata të reja, qytetarët vendosën një numër kravatash në hyrje të objektit të Qeverisë.

Për më tepër, një vajzë 13-vjeçare i kishte drejtuar edhe letër, duke folur për kushtet e vështira ekonomike në qytetin e saj të Mitrovicës. Mediat kishin publikuar letrën e adoleshentes, me ç’rast këshilltari Matoshit ata i kishte quajtur “abuzues të fëmijëve”.

Ndërkohë, vendimi për rritje të pagës është kundërshtuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila theksoi se ky vendim bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Si rrjedhojë, Ministria e Financave nuk e ka zbatuar vendimin te procesimi i rrogave të janarit.

Se a do të ndryshojë gjuha karshi mediave dhe zyrtarëve të kabinetit Haradinaj, duke përfshirë edhe vet Kryeministrin, si dhe praktikat institucionale për të ofruar e për të siguruar më transparencë, mbetet të shihet gjatë këtij mandati qeveritar.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull u shkrua nga Kosovo 2.0 si pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. K2.0 është partner i projektit të ECPMF. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi e vetme e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren për të pasqyruar pikëpamjet e Bashkimit Evropian.