Blogbox | Drejtësi sociale

Arti frymëzues rom

Nga - 08.04.2025

Dita e Romëve në fjalët e artistëve/eve romë

Sot, më 8 prill, është Dita Ndërkombëtare të Romëve — një moment për të festuar historinë, kulturën dhe qëndrueshmërinë e popullit rom. Është gjithashtu mundësi për të reflektuar për vështirësitë, me të cilat romët vazhdojnë të pëballen, si dhe mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat, zërat dhe tregimet tona.

Si një gazetar i ri rom, për mua, kjo ditë ka një domethënie të veçantë. Përtej deklaratave zyrtare dhe ceremonive, kjo është një mundësi për të vënë në qendër një nga format më të fuqishme të shprehjes së identitetit tonë: artin.

Artistët/et romë/e, qofshin muzikantë/e, piktorë/e, poetë/e apo regjisorë/e, për mua nuk janë thjesht krijues/e. Ata e ato janë rrëfimtarë/e të jetëve tona, mbrojtës/e të kulturës sonë dhe zëra të një rezistence, që shpeshherë heshtet. Përmes veprave të tyre, ata/o sfidojnë paragjykimet që na kanë ndjekur për shumë kohë, rimarrin në dorë tregimin tonë dhe na kujtojnë të jemi krenarë për atë që jemi.

Në një botë që shpesh na keqpërfaqëson e keqpasqyron — përmes stereotipeve, heshtjes apo përjashtimit — artistët romë shpërfaqin një anë tjetër, më të vërtetë të asaj që jemi. Vepra e tyre shpalos një identitet që nuk është i thjeshtë apo një-ngjyrësh, por i guximshëm, me nuancë, shumëdimensional dhe i fuqishëm.

Për këtë ditë, kam biseduar me disa nga artistët romë që më frymëzojnë dhe i kam pyetur se çfarë do të thotë për ta Dita Ndërkombëtare e Romëve, se si ndikon identiteti i tyre në artin që krijojnë dhe çfarë mesazhi shpresojnë të përcjellin përmes veprës së tyre.

Jimmy Mustafa, muzikant

Nëse je rritur në Kosovë dhe ke pasur qoftë edhe pak kontakt me muzikën rome, me siguri e ke dëgjuar emrin Jimmy Mustafa dhe bendin e tij “Jimmy Mustafa Band”. I rritur në Plemetin, Jimmy ia ka dalur ta bashkojë traditën rome me zhanre moderne si pop dhe rap, duke krijuar diçka që tingëllon krejtësisht origjinale. Albumet e tij, “Posvetime” dhe “Romane Bajrakja”, janë plot këngë në gjuhën rome dhe tregojnë sa e e gjallë dhe e shumëngjyrshme është muzika jonë.

Fotografia nga arkivi i Jimmy Mustafa.

“Si muzikant, kjo ditë është një mundësi për të promovuar jo vetëm traditat tona muzikore, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin për problemet dhe sfidat që romët përballen në shoqëri. Është një mundësi për të festuar arritjet tona, por gjithashtu për të treguar se ende kemi shumë për të bërë në drejtim të barazisë dhe respektit për të drejtat tona.

Kultura rome është themeli i artit tim dhe e ndjej atë në çdo notë që luaj dhe çdo tekst që shkruaj. Përmes krijimtarisë sime, dua të tregoj se romët janë një popull me një trashëgimi të pasur, të denjë për respekt dhe vlerësim dhe se arti është një mundësi e fuqishme për të ndryshuar perceptimet dhe për të forcuar lidhjet midis komuniteteve të ndryshme”.

Farija Mehmeti, piktore

Farija Mehmeti është piktore, e cila krijon nga shtëpia e saj e thjeshtë dhe plot ngrohtësi në fshatin Lepinë, në komunën e Lipjanit.  E njohur për portretet e grave rome plot forcë e shpirt, Farija ka luftuar fort që arti i saj të dalë përtej katër mureve të shtëpisë dhe të marrë vëmendjen që meriton.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat që ka bërë populli ynë për të ruajtur identitetin e tij dhe për të avancuar në shoqëri.

Kultura rome është e thellë dhe e pasur me ngjyra, ritme dhe histori të paharrueshme, që shprehen në artin tim. Kjo kulturë pasuron punën time, duke i dhënë kuptim dhe shpirt pikturave të mia, që shpesh përqendrohen në portretet e grave rome dhe jetën e përditshme të komunitetit tonë. Përmes artit tim, përpiqem të dërgoj mesazhin se ndonëse jemi të ndryshëm, ne si romë kemi një identitet të pasur dhe dinjitet, që duhet të respektohet dhe vlerësohet nga të tjerët”.

Bajram Mehmeti, piktor

Krahas portreteve të Farijes, si në shtëpinë e saj ashtu edhe në skenën kulturore të Kosovës , qëndron edhe puna e vëllait të saj, Bajramit, i cili përmes pikturave të tij pasqyron përditshmërinë e jetës rome.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Si artist, Dita Ndërkombëtare e Romëve, është një mundësi për të përdorur artin për të dhënë një mesazh fuqizimi dhe vetëdije për kulturën tonë dhe për të sensibilizuar shoqërinë për rëndësinë e njohjes dhe mbrojtjes së të drejtave të romëve.

Artin tim e frymëzon intensiteti dhe ngjyra e jetës rome. Nga momentet e përditshme në komunitetin tonë deri tek këngët dhe vallet që na shoqërojnë, çdo imazh ka një histori të fortë për të treguar. Artin e përdor për të nxjerrë në pah vlerat që na karakterizojnë, por edhe për të treguar se si ne si romë mund të kontribuojmë në zhvillimin e shoqërisë”.

Sejnur Veshall, aktor dhe regjisor

Nëse ndjek politikën në Kosovë, me siguri e ke dëgjuar emrin Sejnur Veshall. Ai është i angazhuar prej kohësh në jetën politike. Por edhe nëse ndjek kulturën, me gjasë ke dëgjuar për të. Sejnuri është edhe aktor dhe regjisor dhe, së fundmi, ka qenë pjesë e një shfaqjeje të poetit dhe dramaturgut gjerman, Bertolt Brecht, e cila u vu në skenë nga Teatri Rom “Nexhip Menekshe” në Prizren

Fotografia nga arkivi i Sejnur Veshall.

“Për mua, Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi për të treguar se, edhe pse jemi një komunitet që shpesh është nënvlerësuar, kemi një histori dhe një kulturë të pasur që meritojnë të njohën dhe vlerësohen. Si aktor dhe regjisor, kjo ditë më jep mundësinë të shprehem përmes artit dhe të kontribuoj për ndërgjegjësimin e shoqërisë për përvojat e romëve, si dhe për rolin që kultura jonë mund të luajë në pasurimin e shoqërive ku jetojmë.

Në punën time artistike, kultura rome është burimi im kryesor i frymëzimit dhe energjisë”.

Gynesh Veshall, aktore dhe aktiviste

Dhe sa herë që dëshiron të dish më shumë për Teatrin Rom “Nexhip Menekshe” dhe për Prizrenin, është e pashmangshme të mos ndeshesh me emrin e Gyneshit.  Ajo ka qenë pjesë e teatrit që në fëmijëri, dhe gjatë gjithë jetës së saj është kujdesur që aktivizmi dhe kultura rome të mos shihen si diçka që përfaqësohet vetëm nga burrat.

Fotografia nga arkivi i Gynesh Veshall.

“Për mua, Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin tim ndaj popullit rom dhe për të festuar trashëgiminë dhe historinë tonë. Është gjithashtu një mundësi për të sjellë në vëmendje diskriminimin dhe margjinalizimin me te cilin ende përballemi. Në këtë ditë, unë festoj, por gjithashtu bëj thirrje për barazi dhe për të drejtat e plota për komunitetin tonë dhe specifikisht për gratë rome.

Kultura rome është një motiv i fuqishëm për mua sepse është një pasuri që gjithmonë ka ndikuar në mënyrën si interpretoj dhe krijoj art. Nëpërmjet punës sime, dua të tregoj për një kulturë që është e pasur, e gëzuar, dhe e rëndësishme, por që gjithashtu ka kaluar dhe kalon shumë sfida”.

Driton Berisha, këngëtar 

Kur flasim për stil dhe shpirt muzikor, në bisedë nuk mund të mungojë Driton Berisha, këngëtar dhe kitarist nga Plemetini. Karrierën muzikore e ka nisur që i vogël, ndonëse për një kohë të gjatë nuk kishte asnjë instrument për të luajtur, përveç zellit për të mos u ndalur.

Fotografia nga arkivi i Driton Berisha.

“Për mua, Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi për të shfaqur jo vetëm artin, por gjithashtu për t’i treguar botës se kultura rome është plot histori, ngjyra dhe emocion. Kjo ditë është një mundësi për të krijuar më shumë mundësi dhe hapësira për komunitetin rom.

Muzika ime është thellësisht e influencuar nga kultura ime, duke përfshirë elemente të muzikës tradicionale rome, si dhe ndikime moderne. Përmes muzikës, unë dua të përcjell një mesazh të fuqishëm për dashurinë dhe unitetin. Dua që artistët romë të kenë mundësinë të dëgjohen dhe të shpërthejnë përmes talentit të tyre”.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

KOMENTO