Blogbox | Art

Artistët pa kritikë nuk janë artistë

Nga - 02.06.2019

Shkrim satirik mbi kritikën e artit.

“Prishtina është kryeqyteti i artit bashkëkohor Evropian”, kishte thënë kuratori René Block kur e kishte vizituar Kosovën në fillim të viteve 2000.

E kam megjithëmend.

Dhe kishte të drejtë të bënte një pohim aq të guximshëm. Asokohe, siç më tregon shoqja ime artiste, skena e artit kishte pas qenë goxha energjike dhe nëpër tërë qytetin qarkullonte njëfarë rryme që elektrizonte gjithçka që i dilte para. Ky far elektriciteti në ajër mund të ketë qenë veçse efekti i zakonshëm i pas-pijes që shoqja ime artiste ta ketë ndjerë gjatë atyre viteve rinore tek kënaqej ndejave.

Sidoqoftë faktet mbesin, dhe thënja “Artisti që nuk flet anglisht nuk është artist” u kthye përmbys, u inçizua në video dhe shërbeu për të “vulosur” përmbi dyshimet e skeptikëve. Të rinjtë u rebeluan ndaj prindërve, profesorëve, dhe mjeshtërve më të mëdhenj të artit të asaj kohe, tek i braktisën traditat dhe filluan të punonin me forma e mediume të reja që asokohe konsideroheshin veçse modë jetëshkurtër.

Teletubbies rrëfyen tregime lufte. Fuqia e Amerikës u tregua përmes teorive konspirative vendore. Rapsodët me çiftelia kënduan për lavdinë dhe të korrurat e mëdha të artistëve Kosovar, për pushtimet dhe aventurat e tyre artistike nëpër katër këndet e Botës — nga Nju Jorku e Londra, deri në Paris, Berlin, e përtej.

Krejt këto gjëra madhore kishin pas ndodhur, por unë vështirë se dija për to.

Iu përkujton grindjet dhe thashethemet e vazhdueshme mes grupeve të artistëve.

Shoqja ime e mirë ia atribuon këtë gjë mungesës në shkrimin e kritikës së artit tek ne. Por unë nuk pajtohem.

Dhe do e vërtetoj këtë duke shkruar një recension për ekspozitën e shoqes sime. Për hir të korrektësisë, dhe ngaqë dua t’i ruaj marrëdhëniet e mira me shoqen time, nuk do t’ia përmendi emrin, apo titullin e ekspozitës, apo në cilin vend ajo shfaqet për momentin.

“E sheh? Kjo e vërteton idenë time”, tha shoqja ime dhe më quajti frikacak e hileqar. “Arti këtu është veçse një klub shokësh dhe askush nuk do që ta rrezikojë pozitën e vet. Krejt veç ia bëjnë qejfin njeri-tjetrit”.

Dhe mbase ky është fenomeni të cilin shoqja ime është munduar ta eksplorojë në instalacionin e saj të titulluar “Bashkë-Ndarë”. Duheni vërtetë të fokusoheni përtej betonit, hekurit, dhe gomës që e mbulon pjesën e pasme, për t’ia zgjidhur kuptimin kësaj vepre, e cila iu përkujton grindjet dhe thashethemet e vazhdueshme mes grupeve të artistëve.

Aq shumë, saqë menjëherë mu kujtua se sa më turbullohet barku çdo herë kur dëgjoj për mos-bashkëpunime mes artistëve dhe për gjithë ato thika pas shpine, tek mundohem të mbaj mend se kush nuk flet me kë për cilëndo arsye. (Shoqja ime artiste mund të ankohet sa të dojë për “klubin e shokëve” por mendja dhe duart e saja e vërtetojnë të kundërtën me krijimin e kësaj vepre.)

Ndriçimi i instalacionit e shton një shtresë të mëtejme të kuptimit: mënyra se si goma e butë në pjesën e prapme ndriçohet nga drita të zbehta të neonit, ju bën të mendoni për vulgaritetin e lidhjeve dhe miqësive të rrejshme. Mbase Bota është kështu tani?

Tek ecni hapësirës së ekspozitës do të vëreni pikturën në kanvas të madh që titullohet “Torta”, e cila për keqardhje, më duhet ta pranoj se nuk i ikën dot ngjyrimeve aq të dukshme nacionaliste, ndërsa në të njejtën kohë mundohet të duket ndërkombëtare.

“Torta” do të mund të kishte dalur, oh, aq mirë po nëse shoqja ime artiste do të kishte vazhduar me impulsin e saj fillestar për eksperimentim. Por ajo nuk i rezistoi dot këngës së Sirenave të Lekut të cilat e drejtuan këtë kryevepër të mundshme të përplaset shkëmbinjëve të kiçit. Në këtë rast vepra nuk është as krejtësisht me motive nacionaliste, e as njëra nga ato projektet e pa-takt për pajtimin dhe bashkëjetesën që ditëve tona i ka joshur aq shumë artistë të krijojnë vepra aq plastike sa edhe vetë ndjenjat e tyre të vërteta për temat për të cilat janë paguar të krijojnë.

Por, është e dhimbshme që jetojmë në një vend të varfër ku artistit shpesh i duhet të shesë shpirtin për një kafshatë mbijetese. Do të dëshiroja sikur barku i zbrazët i shoqes sime të mos jetë zënë në mes të glorifikimit të cilësdo prej atyre lojërave pseudo-ideologjike; dhe do të doja që ajo të kishte energjinë për t’iu çasur krijimit të artit siç i ka hije, e të eksperimentonte, e mbase të tentonte t’i jepte përgjigje ndonjerës nga ato pyetjet e thella mbi kuptimin e jetës.

Ah sikur Baca Benxhamin t'kish qenë ende këndej pari — a thua vallë çfarë do t’thoshte mbi këtë farë lidhjen poroze mes avantgardit dhe kiçit?

Por çfarë mund të jetë më thellë e më thelbësore sesa barku i thatë? Është një e vërtetë që tjetri mund ta arrijë vetëm përmes vuajtjeve nga më të vërtetat. Përkundër procesit të mrekullueshëm artistik i cili meriton çdo lëvdatë, “Torta” prapëseprapë thërmohet e shkërmoqet ngaqë është aq e qartë se shoqja ime artiste është duke i thumbuar patronët dhe sponzorët e saj tek vendosë nëpër gojëra të tyre fjalë si “Paj, atëherë, [artistët zorëtharë] le të hanë torte”.

Një nga veprat interesante vjen në formën e librit artistik që titullohet “Por, a ka rritje dhe inovacion?” dhe i tërë thelbi i saj është se e bën të njëjtën pyetje në forma të ndryshme. Tirazhi i librit është 1,000 kopje (numër astronomik për një libër arti) dhe shitet për një çmim mjaft të majmë (nuk do t’iu prishi surprizën). Ky është një shembull ku përmbajtja dhe koncepti e përcjellin formën, dhe mbase i jepet përgjigje dilemës së Walter Benjamin-it se nëse mund të ekzistojë një vepër arti që riprodhohet mekanikisht.

Por çfarë mund të thuhet për një vepër e cila e trajton artin si industri në vend të një procesi avantgard, të bazuar në hulumtime dhe eksperimentime, që mundohet të zbulojë të vërteta filozofike më të thella mbi atë se çfarë do të thotë të jesh e të jetosh si qenje njerëzore? A është industrializimi i artit e vërteta më e thellë në të cilën tani besojnë shoqëritë tona kapitaliste/konsumeriste? A është kjo Utopia për të cilën jemi përpjekur aq shumë?

Mbase kjo është shkrirja perfekte mes një vepre arti dhe një objekti të riprodhuar mekanikisht. Çfarë zgjidhje tjetër mund të ketë për një vepër arti në epokën e riprodhimit mekanik? Ah sikur Baca Benxhamin t’kish qenë ende këndej pari — a thua vallë çfarë do t’thoshte mbi këtë farë lidhjen poroze mes avantgardit dhe kiçit?

Ndoshta vepra më e mirë e shoqes sime artiste nuk është e shfaqur në këtë ekspozitë. E kam fjalën për instagramin e saj.

Dhe çfarë e simbolizon një urinal kibernetik më mirë sesa cilado prej rrjeteve shoqërore?

Përpos të qënit një përkujtues i bezdisshëm i asaj se sa e qelbur është jeta ime në krahasim me gjithë ato gjëra të hareshme që i bën ajo — dhe zilisë sime gjithnjë në rritje për udhëtimet e saja në emër të artit (që në këto kohë të izolimit të tejzgjatur të vizave është sikur t’i hedhësh kripë varës çdoherë kur i shikoj ato insta-stories) — instagrami i saj në fakt i afrohet më së shumti idesë se çfarë roli do të duhej të kishte arti në kohërat tona.

Fillimisht, do të mund të mashtroheni në të menduar se prodhimtaria artistike e shoqes sime ka rënë deri në pikën ku udhëtimet e saja janë shndërruar në arritje kulminante në vend se të ishin rezultati i artit të saj. Por më lëni t’ju bindi se përfundi gjithë asaj krenarie, impulseve narcisoide, dhe nevojës së pamohueshme për vetë-marketing, gjindet (mbase aksidentalisht dhe padashje) koncepti artistik që i përkon në mënyrë perfekte kohërave në të cilat jetojmë.

Mendojeni në këtë mënyrë: Nëse Marcel Duchamp do kishte jetuar në epokën e internetit, çfarë lloj objekti readymade do të kishte përdorur në vend të “Fontanës” së tij të famshme? Dhe çfarë e simbolizon një urinal kibernetik më mirë sesa cilado prej rrjeteve shoqërore?

Kjo ide, në fakt, ngritet në një nivel edhe më të lartë sapo ta mirrni vesh se shumica e gjërave që shoqja ime artiste poston janë në fakt ri-postime prej njerëzve të tjerë. Dhe mua një gjë e tillë më duket gjeniale, sikur edhe emri i llogarisë së saj të instagramit, “Mediator Maximus”, që në fakt i përket edhe titullit të kësaj vepre arti.

“Mediator Maximus” është readymade virtuale që ilustron ndërmjetësimin e realitetit sikur ishte parashikuar dhe diskutuar nga Guy Debord në “Shoqëria e Spektaklit”. Ka kaluar një kohë e gjatë që nga kur e kemi përjetuar botën e vërtetë përmes syve dhe shqisave tona.

Madje edhe ky artikull, nëse nuk shpërndahet dhe nëse nuk del nëpër Facebook dhe Instagram, në realitet nuk ekziston. Nuk dimë më se si ta shikojmë botën nëse nuk është nëpërmjet ekraneve të telefonave ose nëpërmjet filterave si “Valencia”, “Lo-Fi”, ose “X-Pro”.

Sidoqoftë, ka akoma shpresë për artin bashkëkohor. Për sa kohë që shikojmë një vepër arti dhe aq sa jo gjithçka është e qartë dhe përderisa një gjë e tillë na bën të pyesim veten “çfarë do të thotë krejt kjo?”, atëherë akoma jemi n’gjendje t’mirë.

Dhe, sa i përket punës artistike të shoqes sime, ka akoma vepra arti që ma xigilojnë atë pjesë të trurit dhe shpresoj tuajin gjithashtu. K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia