Betim Bregovina nuk i lejoi vetes pushim veror gjatë verës që shkoi. Në vend të tij, pesë herë në javë ndoqi kursin për administrim biznesi në Qendrën e Aftësimit Profesional në Prishtinë.
Natyra e kursit ia ktheu një ëndërr të kahmotshme, të harruar me kalimin e viteve – dëshirën për t’u bërë prodhues lodrash për fëmijë.
Betimi 32-vjeçar nuk ka shumë besim se këmbëngulja do t’i përkthehet detyrimisht në realizim të planeve. Ndonëse tashmë ka investuar shumë vjet për t’u arsimuar, e pastaj edhe për aplikime të pafundme, asnjëherë nuk është thirrur në intervistë pune.
Ai beson se kjo ndodh për shkak të aftësive të tij të kufizuara. Betimi është i verbër që nga lindja.
Në 10 e vitet e fundit Betimi ka qenë katër herë student. Fillimisht ka përfunduar Psikologjinë dhe Pedagogjinë e Përgjithshme në nivelin bachelor në Universitetin e Prishtinës (UP), për ta vazhduar aty ngritjen e tij arsimore me master në Psikologji Shkollore dhe Këshillim. Tani vijon ligjëratat në masterin e dytë në UP në Pedagogjinë e Përgjithshme.
Udhëtimin në Prishtinë nga vendbanimi në Mazgit në komunën e Obiliqit ai e bën kryesisht nën shoqërimin e motrës. Pavarësisht aftësive të kufizuara, Betimi thotë se përvoja e vijimit të studimeve nuk është e ndryshme nga ajo e të tjerëve, përveç kur bëhet fjalë për mënyrën se si i përpunon ligjëratat.
“Nga dita e parë që jam bërë student unë vazhdoj t’i regjistroj ligjëratat me diktafon, pastaj i dëgjoj”, thotë ai. “Kur kemi punime seminarike apo detyra tjera në fakultet, unë bashkëpunoj me kolegët të cilët më ndihmojnë që t’i përfundoj në kohë”.
Betimi i ka përfundur me sukses të shkëlqyeshëm studimet në bachelor e master dhe notat e larta janë arsye tjetër pse është ndjerë optimist se një ditë do të mund të punësohet si psikolog shkolle ose burgu.
“Janë profile profesionale që në një formë a tjetër merren me shkollën”, thotë Betimi. “Unë mendoj që jam i kualifikuar për të qenë në këto fusha, në shkolla ose burgje, sepse atje ka shumë nevojë”.
Betimi thotë se përcjell çdo konkurs pune që lidhet me përgatitjen e tij profesionale. Ka aplikuar për punë në mësimdhënie, psikologji të shkollës, punë sociale, dhe si psikolog shkolle.
Duke treguar dëshminë e aplikantit për vërtetësi, rrëfen se si ka aplikuar disa herë vetëm në komunën e Prishtinës. “Nuk më kanë thirrë as në intervistë”, thotë ai.
Fatkeqësisht, përvoja e tij e kërkimit për punë nuk është e pazakontë për një person të verbët në Kosovë.
Daut Tishuku është kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës. Sipas Tishukut, në Kosovë llogaritet të jenë 2,500 persona të verbët, por vetëm rreth 30-35 prej tyre janë të punësuar. Kjo ndodh pavarësisht Ligjit për Aftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave të kufizuara, i cili obligon çdo punëdhënës të punësojë nga një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punonjës.
“Në gishta mundemi me i numëru në Kosovë sa persona të verbër janë të punësuar”, thotë Tishuku. “Kjo edhe pse kanë të kryer shkollimin, pra kemi të verbër me grada shkencore, por punësimi i tyre është me të vërtetë alarmant. Katër janë të punësuar në shkollën për të verbër në Pejë dhe më shumë nëpër shoqata”.
Për Betimin paragjykimet e shoqërisë ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë mbesin ndër problemet më të mëdha me të cilat ata përballen. Sipas tij, janë këto paragjykime që rezultojnë në mungesë mundësish të punësimit.
“Shpesh thuhet se këta [personat me aftësi të kufizuara] nuk mund të kryejnë punë, hajt se ua kanë falë notat, nuk janë profesionalë, e fjalë të ngjashme”, thotë Betimi. “Shpesh kur shkon një person me aftësi të kufizuara në ndonjë institucion, aty fillojnë të pyesin ‘qysh je, a je mërzitë?’ Për çka me u mërzitë? Pra, këtu fillon paragjykimi”.
Marigona Përvetica, studente në vitin e fundit në Fakultetin e Juridikut, pajtohet me Betimin dhe beson se paragjykimet e rrënjosura shoqërore vështirë se do të krijojnë hapësirë për ndryshime për personat me aftësi të kufizuara edhe në të ardhmen.
E rritur në famlje juristësh, interesimi për drejtësinë iu shfaq që në moshë shumë të re. Marigona është shtatshkurtër dhe ishin pikërisht padrejtësitë kundër personave me aftësi të kufizuara ato që e orientuan 25-vjeçaren në karrierë.
“Njerëzit diskriminohen në Kosovë për shkak të pamjes”, thotë ajo. “Nuk ta kqyrin cilësinë, pa marrë parasysh se çka din apo çka je i aftë me punu; këtu ta kqyrin pamjen. Bash njerëzit me aftësi të kufizuara kanë nevojë për fjalë motivuese”.
Marigona beson se paragjykimi ndaj pamjes reflekton në sfera të ndryshme të punësimit në Kosovë. “Kjo ndodh në kompanitë private, por edhe në sferën publike kam ndigju për shumë raste. Të thonë, hajde nesër, hajde nesër, e vetëm e kanë sa me të sjellë [deri aty], e rezultati dihet; nuk punësohesh”.
Ajo thotë se ka përfunduar disa praktika, duke përfshirë një në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Administratës Publike. Megjithatë, ato asnjëherë nuk janë shndërruar në oferta pune.
“Ndoshta pse nuk e kam përfunduar ende fakultetin, por nuk më është vazhduar praktika më shumë se një muaj ose [ofruar mundësia] të punësohem”, thotë ajo. “As nuk më ka shku në mend, sepse e di nga ato që kam ndigju se nuk punësohesh pa pasur të njohshëm”.
Ndërsa pret ta ushtrojë profesionin e vet për të luftuar për të drejtat e personave më aftësi të kufizuara, një ëndërr e dytë e saj është në prag të të bërit realitet. Pasionin e saj për aktrimin ajo po e jetëson me një rol në një film të Shqipërisë, që quhet “Nën hijen e diellit”.
“Aktrimi në një formë po më ndihmon me u ndi vetvetja më shumë sesa përditshmëria ime”, thotë ajo. “Kur kam qenë e vogël kam ëndërru me u ba aktore. Gjithë kam kqyrë filma, edhe hala kqyri. Shpesh e kam qitë vetën në ndonjë aktore edhe e kam paramendu ashtu veten”.
Marigona nuk di nëse aktrimi do të jetë zgjedhja e saj e karrierës para drejtësisë, por vazhdon me shumë entuziazëm të marrë pjesë në xhirimet përfundimtare të filmit. Ajo që di është se për shumë njerëz me aftësi të kufizuara, varësia nga mbështetja financiare ua bën më të vështirë arritjen e synimeve të përcaktuara.
“Problemin më të madh e shoh te [mungesa] e punësimit të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe te asistenca sociale për ta”, thotë ajo. “Të ndryshohet, apo nuk e di çfarë… thjesht personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë të punësohen, kanë nevojë për përkrahje”.
Të papëfaqësuar e të mbingarkuar
Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Kosovë janë rreth 73,000 persona me aftësi të kufizuara. Megjithatë, drejtori i HandiKOS-it, Afrim Maliqi, beson se kjo shifër nuk i afrohet numrit të vërtetë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëron se 10 deri në 15 përqind të popullsisë botërore janë me aftësi të kufizuara, ndërsa Forumi Evropian i Aftësisë së Kufizuar pohon se numri i personave të prekur prej një aftësie të kufizuar brenda një popullate shkon deri në 10 për qind. Nëse llogaritja prej 10 përqind aplikohet në popullatën kosovare, do të jepte një numër prej rreth 170 mijë vetash, shifër kjo që Maliqi beson se është më reale.
“Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk dihet numri i saktë i personave me aftësi të kufizuara, për shkak se institucionet asnjëherë nuk e kanë marrë [këtë çështje] me përgjegjësi e seriozitet”, thotë Maliqi.
Statistikat e tilla janë të rëndësishme, pasi ndihmojnë në hartimin dhe përpilimin e politikave përkatëse. Në Kosovë, mbështetja sociale vazhdon t’i përjashtojë shumë persona me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre nga format e ndryshme të mbështetjes, përfshirë atë financiare. Për pasojë, barra kryesore u mbetet familjarve që shoqërojnë anëtarin e tyre në aktivitetet ditore si të shkuarit në shkollë a punë.
Edhe kur ligjet përcaktojnë kompensim monetar, shuma mbetet minimale për shumë kategori të personave me aftësi të kufizuara dhe për shoqëruesit e tyre. Për shembull, për personat në kategorinë e parë të verbërisë – me humbje të plotë të të parit – Ligji për Personat e Verbër parasheh një kompensim material prej minimum 100 eurosh. Ky ligj po ashtu parasheh kompensim për shoqëruesin; në rastin e Betimit, për motrën e tij.
Sipas Tishukut, i verbri dhe shoqëruesi zakonisht marrin nga 125 euro, pra shumën totale prej 250 eurosh. “Në Kosovë janë rreth 1,500 persona të kategorizuar në grupin e parë të verbërisë dhe e gëzojnë këtë të drejtë [të kompensimit]”, thotë Tishuku.
Sidoqoftë, sipas Ligjit për Personat e Verbër, ata që marrin kompensim për shkak të verbërisë, nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë skeme tjetër pensionale të aplikueshme në Kosovë. Tishuku shpjegon që kjo prek më së shumti personat mbi 65-vjeçarë, të cilët duhen të zgjedhin mes kompensimit për shkak të verbërisë ose njohjes së stazhit të punës.
Mbështetja financiare dhe kompensimet e tilla bëhen të rëndësishme sidomos kur merret parasysh se shumica e personave me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga tregu i punës. Në këtë drejtim, aktivistët për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara vazhdimisht theksojnë faktin se privohen nga pjesëmarrja në jetën sociale, politike, kulturore dhe ekonomike, dhe se pjesëmarrja e tyre në sfera të ndryshme të jetës mbetet çështje shumë sfiduese.
Për Maliqin nga HandiKOS-i, personat me aftësi të kufizuara në Kosovë janë ndër grupet më të varfra dhe të rrezikuara në vend.
“Më të varfër, sepse kanë burime të kufizuara financiare, kanë mungesë të ofrimit të shërbimeve ditore ose mujore për ta, do të thotë është një gamë e shërbimeve që shteti nuk ua ofron”, thotë ai. “Në anën tjetër, janë të rrezikuar sepse u mungojnë ato shërbime”.
Problem të vazhdueshëm Maliqi e sheh paragjykimin, që sipas tij vjen nga të gjitha anët, duke përfshirë shoqërinë e përgjithshme dhe punëdhënësit në rastet kur personat me aftësi të kufizuara aplikojnë për ndonjë vend pune. “Nëse bazohemi në ligjin kundër diskriminimit, mund të themi se në vendin tonë personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar. [Janë] pa shërbime, pa infrastrukturë a qasje, pa punësim, dhe vetëm një numër i vogël është i integruar në shoqëri”, thotë Maliqi.
I pari i institucionit të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, thotë se problemi qëndron më shumë te sistemi sesa te rastet individuale. Ai beson se personat me aftësi të kufizuara e vuajnë diskriminimin gjatë gjithë jetës.
“Si fëmijë, kanë probleme me qasjen në shkolla, pra në arsimim, me trajtimin brenda shkollës, transportin e çka jo tjetër”, thotë Jashari. “Benificionet tjera, siç janë shoqëruesit, nuk ua siguron shteti, kështu që janë barrë e familjeve të veta e në fakt shteti e ka për obligim. Pastaj, këto probleme ata i përcjellin deri në moshën e pensionimit. Kur dalin në pension, të njëjtit persona kanë probleme të natyrës tjetër: nuk kanë drejtë në dy pensione, [duhet të bëjnë] lajmërime të shpeshta në ministri, e të tjera aspekte që ua vështirësojnë jetën”.
Me qëllimin që t’i vihet fund zinxhirit të problemeve që shoqëron personat me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës, aktivistët për të drejtat e këtij komuniteti e vënë theksin në përmirësimin e qasjes infrastrukturore dhe rritjen e mundësive për punësim, për t’u ndihmuar e për t’ua mundësuar pjesëmarrjen në jetën publike. Megjithatë, duhen përpjekje më të mëdha në nivel shoqëror për personat me aftësi të kufizuara që të jenë në gjendje të integrohen plotësisht në jetën publike.
Pesonat me aftësi të kufizuara rrallëherë të mirëpritur
Me gjithë mekanizmat institucionalë e ligjorë në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara për punësim, gjetja e punës mbetet sfidë e madhe për ta. Të dhënat nga Agjencia për Punësim pasqyrojnë një situatë shumë dëshpëruese: në vitin 2017, nga 470 të regjistruar në agjenci, janë punësuar vetëm 18 persona me aftësi të kufizuara.
Bujar Morina është njëri nga personat ‘me fat’. Institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës, në vitin 2016 e punësoi si asistent administrativ.
Në të kaluarën, 50-vjeçari kishte punuar si inxhinier për organizata dhe kompani të ndryshme, por para 11 vjetësh një akisident i rëndë e la përjetësisht në karrocë. Në punën e fundit para aksidentit, ishte si hulumtues i ujit në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit pë një kompani private zvicerane që vepron në Kosovë.
Në vitin 2007, Bujari nga aksidenti në trafik lëndoi dy unaza të qafës. I paaftë për t’iu kthyer punës, për më shumë se nëntë vjet mbeti i papunë. Gruas së tij, mësuese në nivel parashkollor, për gjithë këto vite iu desh e vetme t’i mbështeste atë dhe dy fëmijët e tyre.
“Mos e pafsha askënd në atë përiudhë që e kam kaluar, megjithatë e kam pasur vullnetin për jetë edhe e kam tejkalu”, thotë Bujari. “Në vitin 2016, e kam pa konkursin, në fakt gruaja e ka pa dhe ajo së bashku me fëmijët kanë insistu shumë që të aplikoj, se unë me ju thanë të drejtën pritojsha, nuk e disha a mundem me kry punën a jo. Po ja, konkurrova dhe ndonëse kam pritur dikund pesë a gjatë muaj pas konkursit, në fund u punësova”.
Konkursi i hapur në Kuvendin e Kosovës ka qenë i veçantë për personat me aftësi të kufizuara. Kjo e nxiti edhe më shumë familjen që ta bindte të aplikonte.
Bujar Kadriu, Kryetar në Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar thotë se përshtatja e konkurseve të punës për personat me aftësi të kufizuara është e rregulluar me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi në fund të vitit 2008, i cili parasheh kuota për të siguruar punësim për personat me aftësi të kufizuara në kompanitë me më shumë se pesëdhjetë punëtorë.