Bursa | Në thelb | Të Drejtat e Njeriut | Aftësi të Kufizuara

As në intervistë

Nga - 10.12.2018

Prej gjetjes së punës te ngjitja e shkallëve e te qasja në bankomatë, kështu është kur jeton me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Betim Bregovina nuk i lejoi vetes pushim veror gjatë verës që shkoi. Në vend të tij, pesë herë në javë ndoqi kursin për administrim biznesi në Qendrën e Aftësimit Profesional në Prishtinë.

Natyra e kursit ia ktheu një ëndërr të kahmotshme, të harruar me kalimin e viteve – dëshirën për t’u bërë prodhues lodrash për fëmijë.

Betimi 32-vjeçar nuk ka shumë besim se këmbëngulja do t’i përkthehet detyrimisht në realizim të planeve. Ndonëse tashmë ka investuar shumë vjet për t’u arsimuar, e pastaj edhe për aplikime të pafundme, asnjëherë nuk është thirrur në intervistë pune.

Ai beson se kjo ndodh për shkak të aftësive të tij të kufizuara. Betimi është i verbër që nga lindja.

Në 10 e vitet e fundit Betimi ka qenë katër herë student. Fillimisht ka përfunduar Psikologjinë dhe Pedagogjinë e Përgjithshme në nivelin bachelor në Universitetin e Prishtinës (UP), për ta vazhduar aty ngritjen e tij arsimore me master në Psikologji Shkollore dhe Këshillim. Tani vijon ligjëratat në masterin e dytë në UP në Pedagogjinë e Përgjithshme.

Betim Bregovina ka bërë shumë vjet studimesh të larta, ka një diplomë master dhe po studion për të dytën, por asnjëherë nuk është thirrur në intervistë për postet në të cilat ka aplikuar. Foto: Arbër Murturi.

Udhëtimin në Prishtinë nga vendbanimi në Mazgit në komunën e Obiliqit ai e bën kryesisht nën shoqërimin e motrës. Pavarësisht aftësive të kufizuara, Betimi thotë se përvoja e vijimit të studimeve nuk është e ndryshme nga ajo e të tjerëve, përveç kur bëhet fjalë për mënyrën se si i përpunon ligjëratat.

“Nga dita e parë që jam bërë student unë vazhdoj t’i regjistroj ligjëratat me diktafon, pastaj i dëgjoj”, thotë ai. “Kur kemi punime seminarike apo detyra tjera në fakultet, unë bashkëpunoj me kolegët të cilët më ndihmojnë që t’i përfundoj në kohë”.

Betimi i ka përfundur me sukses të shkëlqyeshëm studimet në bachelor e master dhe notat e larta janë arsye tjetër pse është ndjerë optimist se një ditë do të mund të punësohet si psikolog shkolle ose burgu.

“Janë profile profesionale që në një formë a tjetër merren me shkollën”, thotë Betimi. “Unë mendoj që jam i kualifikuar për të qenë në këto fusha, në shkolla ose burgje, sepse atje ka shumë nevojë”.

Betimi thotë se përcjell çdo konkurs pune që lidhet me përgatitjen e tij profesionale. Ka aplikuar për punë në mësimdhënie, psikologji të shkollës, punë sociale, dhe si psikolog shkolle.

Duke treguar dëshminë e aplikantit për vërtetësi, rrëfen se si ka aplikuar disa herë vetëm në komunën e Prishtinës. “Nuk më kanë thirrë as në intervistë”, thotë ai.

Fatkeqësisht, përvoja e tij e kërkimit për punë nuk është e pazakontë për një person të verbët në Kosovë.

Daut Tishuku është kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës. Sipas Tishukut, në Kosovë llogaritet të jenë 2,500 persona të verbët, por vetëm rreth 30-35 prej tyre janë të punësuar. Kjo ndodh pavarësisht Ligjit për Aftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave të kufizuara, i cili obligon çdo punëdhënës të punësojë nga një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punonjës.

“Në gishta mundemi me i numëru në Kosovë sa persona të verbër janë të punësuar”, thotë Tishuku. “Kjo edhe pse kanë të kryer shkollimin, pra kemi të verbër me grada shkencore, por punësimi i tyre është me të vërtetë alarmant. Katër janë të punësuar në shkollën për të verbër në Pejë dhe më shumë nëpër shoqata”.

Për Betimin paragjykimet e shoqërisë ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë mbesin ndër problemet më të mëdha me të cilat ata përballen. Sipas tij, janë këto paragjykime që rezultojnë në mungesë mundësish të punësimit.

“Shpesh thuhet se këta [personat me aftësi të kufizuara] nuk mund të kryejnë punë, hajt se ua kanë falë notat, nuk janë profesionalë, e fjalë të ngjashme”, thotë Betimi. “Shpesh kur shkon një person me aftësi të kufizuara në ndonjë institucion, aty fillojnë të pyesin ‘qysh je, a je mërzitë?’ Për çka me u mërzitë? Pra, këtu fillon paragjykimi”.

Marigona Përvetica, studente në vitin e fundit në Fakultetin e Juridikut, pajtohet me Betimin dhe beson se paragjykimet e rrënjosura shoqërore vështirë se do të krijojnë hapësirë për ndryshime për personat me aftësi të kufizuara edhe në të ardhmen.

E rritur në famlje juristësh, interesimi për drejtësinë iu shfaq që në moshë shumë të re. Marigona është shtatshkurtër dhe ishin pikërisht padrejtësitë kundër personave me aftësi të kufizuara ato që e orientuan 25-vjeçaren në karrierë.

“Njerëzit diskriminohen në Kosovë për shkak të pamjes”, thotë ajo. “Nuk ta kqyrin cilësinë, pa marrë parasysh se çka din apo çka je i aftë me punu; këtu ta kqyrin pamjen. Bash njerëzit me aftësi të kufizuara kanë nevojë për fjalë motivuese”.

Marigona beson se paragjykimi ndaj pamjes reflekton në sfera të ndryshme të punësimit në Kosovë. “Kjo ndodh në kompanitë private, por edhe në sferën publike kam ndigju për shumë raste. Të thonë, hajde nesër, hajde nesër, e vetëm e kanë sa me të sjellë [deri aty], e rezultati dihet; nuk punësohesh”.

Marigona Përvetica thotë se se e vuan diskriminim për shkak se është shtatshkurtër. Ajo po ndjek studimet për drejtësi që të mund t’u dalë krah personave me aftësi të kufizuara. Foto: Arbër Murturi.

Ajo thotë se ka përfunduar disa praktika, duke përfshirë një në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Administratës Publike. Megjithatë, ato asnjëherë nuk janë shndërruar në oferta pune.

“Ndoshta pse nuk e kam përfunduar ende fakultetin, por nuk më është vazhduar praktika më shumë se një muaj ose [ofruar mundësia] të punësohem”, thotë ajo. “As nuk më ka shku në mend, sepse e di nga ato që kam ndigju se nuk punësohesh pa pasur të njohshëm”.

Ndërsa pret ta ushtrojë profesionin e vet për të luftuar për të drejtat e personave më aftësi të kufizuara, një ëndërr e dytë e saj është në prag të të bërit realitet. Pasionin e saj për aktrimin ajo po e jetëson me një rol në një film të Shqipërisë, që quhet “Nën hijen e diellit”.

“Aktrimi në një formë po më ndihmon me u ndi vetvetja më shumë sesa përditshmëria ime”, thotë ajo. “Kur kam qenë e vogël kam ëndërru me u ba aktore. Gjithë kam kqyrë filma, edhe hala kqyri. Shpesh e kam qitë vetën në ndonjë aktore edhe e kam paramendu ashtu veten”.

Marigona nuk di nëse aktrimi do të jetë zgjedhja e saj e karrierës para drejtësisë, por vazhdon me shumë entuziazëm të marrë pjesë në xhirimet përfundimtare të filmit. Ajo që di është se për shumë njerëz me aftësi të kufizuara, varësia nga mbështetja financiare ua bën më të vështirë arritjen e synimeve të përcaktuara.

“Problemin më të madh e shoh te [mungesa] e punësimit të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe te asistenca sociale për ta”, thotë ajo. “Të ndryshohet, apo nuk e di çfarë… thjesht personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë të punësohen, kanë nevojë për përkrahje”.

Të papëfaqësuar e të mbingarkuar

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Kosovë janë rreth 73,000 persona me aftësi të kufizuara. Megjithatë, drejtori i HandiKOS-it, Afrim Maliqi, beson se kjo shifër nuk i afrohet numrit të vërtetë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëron se 10 deri në 15 përqind të popullsisë botërore janë me aftësi të kufizuara, ndërsa Forumi Evropian i Aftësisë së Kufizuar pohon se numri i personave të prekur prej një aftësie të kufizuar brenda një popullate shkon deri në 10 për qind. Nëse llogaritja prej 10 përqind aplikohet në popullatën kosovare, do të jepte një numër prej rreth 170 mijë vetash, shifër kjo që Maliqi beson se është më reale.

“Fatkeqësisht në Kosovë ende nuk dihet numri i saktë i personave me aftësi të kufizuara, për shkak se institucionet asnjëherë nuk e kanë marrë [këtë çështje] me përgjegjësi e seriozitet”, thotë Maliqi.

Statistikat e tilla janë të rëndësishme, pasi ndihmojnë në hartimin dhe përpilimin e politikave përkatëse. Në Kosovë, mbështetja sociale vazhdon t’i përjashtojë shumë persona me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre nga format e ndryshme të mbështetjes, përfshirë atë financiare. Për pasojë, barra kryesore u mbetet familjarve që shoqërojnë anëtarin e tyre në aktivitetet ditore si të shkuarit në shkollë a punë.

Edhe kur ligjet përcaktojnë kompensim monetar, shuma mbetet minimale për shumë kategori të personave me aftësi të kufizuara dhe për shoqëruesit e tyre. Për shembull, për personat në kategorinë e parë të verbërisë – me humbje të plotë të të parit – Ligji për Personat e Verbër parasheh një kompensim material prej minimum 100 eurosh. Ky ligj po ashtu parasheh kompensim për shoqëruesin; në rastin e Betimit, për motrën e tij.

Daut Tishuku, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, thotë se prej rreth 2,500 personave të verbër sa ka Kosova, vetëm nja 30 janë të punësuar. Foto: Arbër Murturi.

Sipas Tishukut, i verbri dhe shoqëruesi zakonisht marrin nga 125 euro, pra shumën totale prej 250 eurosh. “Në Kosovë janë rreth 1,500 persona të kategorizuar në grupin e parë të verbërisë dhe e gëzojnë këtë të drejtë [të kompensimit]”, thotë Tishuku.

Sidoqoftë, sipas Ligjit për Personat e Verbër, ata që marrin kompensim për shkak të verbërisë, nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë skeme tjetër pensionale të aplikueshme në Kosovë. Tishuku shpjegon që kjo prek më së shumti personat mbi 65-vjeçarë, të cilët duhen të zgjedhin mes kompensimit për shkak të verbërisë ose njohjes së stazhit të punës.

Mbështetja financiare dhe kompensimet e tilla bëhen të rëndësishme sidomos kur merret parasysh se shumica e personave me aftësi të kufizuara janë të përjashtuar nga tregu i punës. Në këtë drejtim, aktivistët për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara vazhdimisht theksojnë faktin se privohen nga pjesëmarrja në jetën sociale, politike, kulturore dhe ekonomike, dhe se pjesëmarrja e tyre në sfera të ndryshme të jetës mbetet çështje shumë sfiduese.

Për Maliqin nga HandiKOS-i, personat me aftësi të kufizuara në Kosovë janë ndër grupet më të varfra dhe të rrezikuara në vend.

“Më të varfër, sepse kanë burime të kufizuara financiare, kanë mungesë të ofrimit të shërbimeve ditore ose mujore për ta, do të thotë është një gamë e shërbimeve që shteti nuk ua ofron”, thotë ai. “Në anën tjetër, janë të rrezikuar sepse u mungojnë ato shërbime”.

Afrim Maliqi, drejtor i HandiKOS-it, thotë se numri zyrtar i personave me paaftësi në Kosovë është nënpëfaqësim drastik i realitetit. Foto: Majlinda Hoxha, arkivi i K2.0.

Problem të vazhdueshëm Maliqi e sheh paragjykimin, që sipas tij vjen nga të gjitha anët, duke përfshirë shoqërinë e përgjithshme dhe punëdhënësit në rastet kur personat me aftësi të kufizuara aplikojnë për ndonjë vend pune. “Nëse bazohemi në ligjin kundër diskriminimit, mund të themi se në vendin tonë personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar. [Janë] pa shërbime, pa infrastrukturë a qasje, pa punësim, dhe vetëm një numër i vogël është i integruar në shoqëri”, thotë Maliqi.

I pari i institucionit të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, thotë se problemi qëndron më shumë te sistemi sesa te rastet individuale. Ai beson se personat me aftësi të kufizuara e vuajnë diskriminimin gjatë gjithë jetës.

“Si fëmijë, kanë probleme me qasjen në shkolla, pra në arsimim, me trajtimin brenda shkollës, transportin e çka jo tjetër”, thotë Jashari. “Benificionet tjera, siç janë shoqëruesit, nuk ua siguron shteti, kështu që janë barrë e familjeve të veta e në fakt shteti e ka për obligim. Pastaj, këto probleme ata i përcjellin deri në moshën e pensionimit. Kur dalin në pension, të njëjtit persona kanë probleme të natyrës tjetër: nuk kanë drejtë në dy pensione, [duhet të bëjnë] lajmërime të shpeshta në ministri, e të tjera aspekte që ua vështirësojnë jetën”.

Me qëllimin që t’i vihet fund zinxhirit të problemeve që shoqëron personat me aftësi të kufizuara gjatë gjithë jetës, aktivistët për të drejtat e këtij komuniteti e vënë theksin në përmirësimin e qasjes infrastrukturore dhe rritjen e mundësive për punësim, për t’u ndihmuar e për t’ua mundësuar pjesëmarrjen në jetën publike. Megjithatë, duhen përpjekje më të mëdha në nivel shoqëror për personat me aftësi të kufizuara që të jenë në gjendje të integrohen plotësisht në jetën publike.

Pesonat me aftësi të kufizuara rrallëherë të mirëpritur

Me gjithë mekanizmat institucionalë e ligjorë në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara për punësim, gjetja e punës mbetet sfidë e madhe për ta. Të dhënat nga Agjencia për Punësim pasqyrojnë një situatë shumë dëshpëruese: në vitin 2017, nga 470 të regjistruar në agjenci, janë punësuar vetëm 18 persona me aftësi të kufizuara.

Bujar Morina është njëri nga personat ‘me fat’. Institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës, në vitin 2016 e punësoi si asistent administrativ.

Në të kaluarën, 50-vjeçari kishte punuar si inxhinier për organizata dhe kompani të ndryshme, por para 11 vjetësh një akisident i rëndë e la përjetësisht në karrocë. Në punën e fundit para aksidentit, ishte si hulumtues i ujit në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit pë një kompani private zvicerane që vepron në Kosovë.

Bujar Morina, i mbetur në karrocë pas një aksidenti prej para një dekade, punon për Kuvendin e Kosovës. Posti ishte shpallur veçanërisht për persona me aftësi të kufizuara, gjë që thotë se ia dha vetëbesimin të aplikonte.  Foto: Arbër Murturi.

Në vitin  2007, Bujari nga aksidenti në trafik lëndoi dy unaza të qafës. I paaftë për t’iu kthyer punës, për më shumë se nëntë vjet mbeti i papunë. Gruas së tij, mësuese në nivel parashkollor, për gjithë këto vite iu desh e vetme t’i mbështeste atë dhe dy fëmijët e tyre.

“Mos e pafsha askënd në atë përiudhë që e kam kaluar, megjithatë e kam pasur vullnetin për jetë edhe e kam tejkalu”, thotë Bujari. “Në vitin 2016, e kam pa konkursin, në fakt gruaja e ka pa dhe ajo së bashku me fëmijët kanë insistu shumë që të aplikoj, se unë me ju thanë të drejtën pritojsha, nuk e disha a mundem me kry punën a jo. Po ja, konkurrova dhe ndonëse kam pritur dikund pesë a gjatë muaj pas konkursit, në fund u punësova”.

Konkursi i hapur në Kuvendin e Kosovës ka qenë i veçantë për personat me aftësi të kufizuara. Kjo e nxiti edhe më shumë familjen që ta bindte të aplikonte.

Bujar Kadriu, Kryetar në Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar thotë se përshtatja e konkurseve të punës për personat me aftësi të kufizuara është e rregulluar me Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi në fund të vitit 2008, i cili parasheh kuota për të siguruar punësim për personat me aftësi të kufizuara në kompanitë me më shumë se pesëdhjetë punëtorë.

K2.0 ka dërguar pyetje 12 kompanive të mëdha në Kosovë – Ipko, KEDS, VivaFresh, ElkosGroup, Elkoscender, Devolli corporation, Birra Peja, Albi center, Meridian Group, Trepharm, Neptun dhe Aztech – për të marr vesh për numrin e personave me aftësi të kufizuar të punësuar. Vetëm Meridian Group ka kthyer përgjigje.

Sipas Kadriut, krejt çka duhet të bëjnë institucionet, qeveria dhe mekanizmat e tjerë, është ta zbatojnë ligjin. Por, ai thotë se përderisa konkurset e tilla krijojnë hapësirë për punësim më të madh të personave me aftësi të kufizuara, si masa afirmative për të promovuar punësimin e një grupi historikisht të diskriminuar, fakti që janë të ndara mund të çojë te përjashtimi më i madh i  personave me aftësi të kufizuara nga shqyrtimi i barabartë gjatë konkurseve të përgjithshme publike.

“Në kuadër të punësimit, mendoj që nuk duhet të ketë konkurse të veçanta për personat me aftësi të kufizuara; nuk jam i ithtar i asaj, por jam ithtar i idesë që konkurset të jenë publike si për krejt qytetarët dhe në kuadër të kushteve të barabarta, t’u jepet përparësi personave me aftësi të kufizuara”, thotë Kadriu. “Pra, unë nuk jam ithtar i besimit që të punësohen në kuptimin e mëshirës, por në konkurse le të tregojë edhe kjo kategori që ka vlera”.

Bujar Morina, i punësuar në Kuvend, beson që qeveria, ministritë dhe komunat duhet të ndjekin shembullin e Kuvendit të Kosovës dhe të krijojnë vende pune për personat me aftësi të kufizuara, meqë ai e di impaktin që sjellin këto punësime.

Morina rrëfen se në fillim të punës haste në vështirësi për t’u përshtatur, sepse u desh kohë para se infrastruktura t’u përshtatetej nevojave të tij, por dikur problemet u zgjidhën.

“Në fillim ishte pak problematike qasja, por me kohë krejt kanë ardhë në vend të vetin. Tash e kam vendparkimin tim, liftin, WC-në vetëm për mua e kanë rregulluar; tash edhe nëse nuk është shoqja me më përcjellë, mund të shkoj edhe vetë”, thotë ai. “Thjesht, duhet të jepet mundësia me tregu që edhe ne mund të punjomë”.

Kuvendi del të jetë njëri nga institucionet e vetme që respektojnë ligjin e punësimit për personat me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave që i ka siguruar K2.0, nga 183 punonjës, Kuvendi ka të punësuar shtatë me aftësi të kufizuara.

Tabela më lartë tregon numrin e punonjësve me aftësi të kufizuara të punësuar në çdo institucion në krahasim me numrin total të punonjësve të atyre institucioneve dhe nëse janë apo nuk janë në pajtim me ligjin. Të dhënat e paraqitura janë kërkuar nga K2.0.

 

K2.0 po ashtu ka siguruar të dhënat mbi numrin e pesonave me aftësi të kufizuara në punësuar në qeveri, presidencë, ministri dhe komuna. Shifrat tregojnë që një numër i konsiderueshëm i komunave dhe ministrive janë larg përmbushjes së obligimit ligjor. Në një përgjigje me shkrim, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka thënë se nuk e posedon numrin e personave të deklaruar nëpër kompani si persona me aftësi të kufizuara.

Tabela më lartë tregon numrin e punonjësve me aftësi të kufizuara të punësuar nga secila ministri në krahasim me numrin e përgjithshëm të punonjësve të atyre ministrive dhe nëse janë apo nuk janë në pajtim me ligjin. Të dhënat e treguara janë vetëm nga 12 ministritë nga 21 që iu përgjigjën kërkesës të dërguar nga K2.0.

Tabela më lartë tregon numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuara në secilën komunë në krahasim me numrin e përgjithshëm të punonjësve në ato komuna dhe nëse janë apo nuk janë në pajtim me ligjin. Të dhënat e treguara janë vetëm nga 20 komunat që iu përgjigjën kërkesës së K2.0. Kërkesat u dërguan në të gjitha 33 komunat.

Edhe pse pasqyra e punësimit në institucionet publike tregon moszbatueshmëri të ligjit për punësim, të intervistuarit për K2.0 pohojnë që diskriminimi më i madh bëhet në sektorin privat.

Maliqi thotë se nga puna e përditshme në terren përafërsisht identifikon deri në 20 kompani private që kanë të punësuar persona me aftësi të kufizuara – qoftë me rekomandim nga HandiKOS ose me vullnetin e tyre. Megjithatë, ai nuk ka ndonjë statistikë zyrtare për këtë çështje.

K2.0 u ka dërguar pyetje 12 kompanive të mëdha në Kosovë Ipko, KEDS, VivaFresh, ElkosGroup, ELKOScenter, Devolli Corporation, Birra Peja, Albi Center, Meridian Group, Trepharm, Neptun dhe Aztech për të mësuar mbi numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuara të to.

Vetëm Meridian Group ka kthyer përgjigje: “Numri i përgjithshëm i punonjësve në Meridian Express është rreth 480 persona. Për momentin nuk e kemi dikë të angazhuar me aftësi të kufizuara. Në kompaninë tonë kemi pasur të angazhuar një person me aftësi të kufizuara në departamentin e Marketingut dhe një nga Down Syndrome Kosova, mirëpo që për arsye personale e kanë lënë punën”.

Sipas databazës online Bizneset e Hapura të krijuar dhe të menaxhuar nga organizata joqeveritare Open Data Kosovo, 279 biznese të mesme (me 50 deri në 249  punëtorë) dhe 77 biznese të mëdha (250+ punëtorë) janë të deklaruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, që do të thotë se janë gjithsej 356 biznese me mbi 50 punonjës dhe prandaj, sipas ligjit, duhet të kenë të paktën një punonjës me aftësi të kufizuara. Por, kjo rrallë ndodh.

Avokati i Popullit Jashari pohon se raportet e Institucionit të tij që i dorëzohen Kuvendit të Kosovës çdo vit trajtojnë diskriminin e madh të personave me aftësi të kufizuara në punësim.

“Mund të them me përgjegjësi të plotë se ekziston një diskrepancë e madhe dhe ka ndasi të madhe mes sektorit publik dhe atij privat. Kjo përfshin kushtet e punësimit, të drejtat që kanë këta persona në sektorin publik, por edhe privat”, thotë Avokati i Popullit.  “Po ashtu, rregullativa ligjore bën dallime të mëdha; për shembull, sektori publik rregullohet me disa akte nënligjore e disa ligje, ndërsa sektori privat rregullohet vetëm me një ligj, që është Ligji i Punës. Pra, vetë sistemi ka një problem brendapërbrenda dhe kjo pastaj krijon parregullsi”.

Derisa zyrtarët nga institucionet aludojnë që ndërmarrja e politikave të reja do të zbusë papunësinë e kësaj kategorie, për vetë personat me aftësi të kufizuara dhe aktivistët diskriminimi i madh tashmë ka shkaktuar pasoja të pakthyeshme.

Kryeinspektori në Inspektoratin e Punës, Basri Ibrahimi, thotë se ligji për punësim nuk po implementohet. Edhe pse Inspektorati i Punës nuk e ka një statistikë të saktë, Ibrahimi thotë se këtë ligj më shumë mund të mos e respektojnë kompanitë private kundrejt atyre publike.

“Fatkeqësisht, deri më tani nuk ka pasë zbatim të mirë, për shkak se punëdhënësi ka pasur hapësira të mëdha mos me e zbatu, dhe në këtë rast edhe Inspektorati i Punës ka qenë i pafuqishëm për me shty diçka përpara”, thotë Ibrahimi. “Me ligj kanë qenë të parapara dënimet, por nuk kanë qenë të qartësuara procedurat se ku duhet me pagu, për sa persona, e të tjera”.

Në mënyrë që ky ligj të zbatohet dhe t’i mundësohet Inspektoratit të Punës të shqiptojë gjoba për punëdhënësit që nuk e respektojnë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) më 22 gusht sivjet miratoi një Udhëzim Administrativ mbi Mënyrat, Procedurat dhe Afatet e Pagesës Mujore për Punëdhënësit të cilët nuk Punësojnë Persona me Aftësi të kufizuara. Pika 4 e Nenit 4 e këtij Udhëzimi obligon punëdhënësit t’i paguajnë MPMS-së një shumë baras me pagën minimale, nëse nuk punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo të pesëdhjetin punëtor.

“Tashti janë krijuar kushtet më të përshtatshme dhe besoj në muajt në vazhdim Inspektoriati i Punës do të kërkojë në çdo kompani që plotëson numrin prej 50 punëtorëve, një të jetë me aftësi të kufizuara”, thotë Kryeinspektori i Punës. “Nëse kompanitë nuk punësojnë personat me aftësi të kufizuara, janë të obliguara që të paguajnë një pagë minimale për çdo muaj. Për këtë është edhe një xhirollogari e veçantë [në MPMS]”.

Ministria i tha K2.0 se ministri Skender Reçica ka kërkuar së fundmi nga Ministria e Administratës Publike të krijojë një mekanizëm të veçantë për punësimin e personave me aftësi të kufizuara brenda shërbimit civil, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Ndërsa zyrtarët nga institucionet aludojnë se ndërmarrja e politikave të reja do t’ia zbusë papunësinë kësaj kategorie, për vetë personat me aftësi të kufizuara dhe aktivistët, diskriminimi i madh tashmë ka shkaktuar pasoja të pakthyeshme.

“E githë kjo e shkakton frikën, e shkakton izolimin e tyre”, thotë Vatovci. “Rrjedhimisht edhe shprehet depresioni dhe pasiguria në vetvete”.

Të ndryrë nga infrastruktura

Shpesh, pasi ta shoqërojë motra deri në Prishtinë, Betimi vazhdon vetë për në fakultet duke e përdorë shkopin e bardhë për orientim. Betimi thotë se sigurimi i një pune duhet të shkojë dora-dorës me të drejtën për lëvizje të lirë.

“Unë jam në dijeni për ligjin [për Aftësim, Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara] por institucionet publike nuk ofrojnë qasje në infrastrukturë, kur ne kemi nevojë me shku me e kry një punë dhe kemi problem qasjen”, thotë ai.

Për personat me aftësi të kufizuara, infrastruktura e papërshtshme përbën problem të madh shtesë edhe kur e drejta në punësim është e realizuar.

Për personat e verbër, çdo lëvizje mund të bëhet e rrezikshme. Edhe pse personat e verbër mësohen t’i kujtojnë në mënyrë shumë të hollësishme rrugët, këndet e ndërtesat që i kanë vizituar më parë, zhvillimi i parregullt i Kosovës pas luftës, bashkë me fenomenin shumë të përhapur të parkimit të paligjshëm, u pengon atyre edhe më shumë.

Ndërtesat dhe hapësirat janë veçanërisht problematike për personat e verbër, meqë asnjëra ndërtesë nuk ka sipërfaqe taktore.

Rasti më ilustrativ është ai i kryeqytetit. Komuna e Prishtinës në vitet e fundit ka instaluar semafora akustikë, të cilët sinjalizojnë kur është e sigurt të kalohet rruga, në mënyrë që t’u mundësohet qasja personave të verbër. Por vetëm në rrugën “Garibaldi” afër hotelit “Grand”, ka pika kalimi që në fakt i drejtojnë personat e verbër drejt semaforave, duke i përdorur trotuaret taktore. Në pjesët e tjera të qytetit semaforat akustikë dhe trotuaret taktore janë gati joekzistente.

Sipas Tishukut, situata është edhe më keq se në Prishtinë. “Vetëm në Prishtinë ka samafora akustikë dhe me aq sa kemi ne informata, as ata nuk funksionojnë si duhet”, thotë ai.

Një raport i HandiKOS-it që analizoi pengesat arkitekturale në 195 ndërtesa dhe shërbime private e publike të frekuentuara rregullisht në kryeqytetet që nga qendrat  shëndetësore, institucionet arsimore, shërbimet sociale e deri te bankat thekson nevojën për ndërhyrje urgjente për eliminimin e pengesave, për t’ua siguruar kështu të drejtën personave me aftësi të kufizuara për jetë të pavarur.

Raporti vuri në pah se standardet e qasshmërisë aplikohen në minimum: zonat për parkim të projektuara për persona me aftësi të kufizuara, toaletet e përshtatshme, rampat e qasjes dhe ashensorët e mëdhenj, thelbësorë për përdorues të karrocave dhe me susta me alfabet Braille (që lexohet me anë të shqisës së prekjes) janë të integruar vetëm në një numër shumë të vogël objektesh e hapësirash. Raporti tregoi se ndërtesat dhe hapësirat janë veçanërisht problematike për personat e verbër, meqë asnjëra ndërtesë nuk ka sipërfaqe taktore.

Agim Vatovci nga Shoqata e Personave me Hendikep dhe Aftësi të Kufizuara të Kosovës sqaron se si infrastruktura e papërshtatme shkakton barriera të shumta edhe për personat shtatshkurtër.

“Ne kemi problem të qasemi nëpër bankomata, sepse nuk mbërrijmë me tërheqë pare. Nëpër shtete të tjera, unë kam pa që personave shtatshkurtër u vendosen shkallë që të mundem me kry shërbime”, thotë ai. “Unë mund të them se infrastruktura [ndihma] që ofrohet është zero”.

Vatovci thotë se edhe përshtatja e infrastrukturës në vendet e punës mungon në të gjitha aspektet, përfshirë sigurimin e karrigeve dhe të tavolinave të rehatshme për personat shtatshkurtër.

Agim Vatovci i di sfidat e kryerjes së detyrave të përditshme kur infrastruktura nuk është bërë për t’i përkrahur peronat me aftësi të kufizuara. Shtatshkurtër, Vatovci thotë se edhe përdorimi i bankomatit kthehet në sfidë të pakapërcyeshme. Foto: Arbër Murturi.

“Mungojnë edhe liftat nëpër institucione ku ne punojmë, sepse ne si shtatshkurtër e kemi problem t’i ngjisim shkallët për shkak se i kemi këmbët të shkurta”, thotë ai.

Edhe Betimi është skeptik kur flet për përmirësimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.

“Nëse e kap ujku dhelpnën për qafe dhe e shtërngon, dhe ajo e sheh që po don me e ngulfatë, atëherë dhelpna krejt planet e ujkut i miraton e nuk guxon me i ba dredhi”, thotë Betimi. “Pra, nëse institucionet tona kanë detyrime vërtet të sinqerta ndërkombëtare me u kujdesë për personat me nevoja të veçanta, jo me i punësu, por me u kriju kushte e mos me u qitë barriera, atëherë ka gjasë, ose nëse ndodh që të vijë ndonjë mrekulli e madhe, përndryshe nuk besoj”.K

Redaktuar nga Dafina Halili.
Redaktim shtesë: Lauren Peace.
Redaktim i gjuhës: Gazmend Bërlajolli.

Foto kryesore: Arbër Murturi.

Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në Gazetari për të Drejtat e Njeriut, 2018.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.