Nenad Jovanović, qytetar i Mitrovicës së Veriut dhe Diellza Jëlliqi, qytetare e Mitrovicës së Jugut, në dokumentarin e shkurtër, xhiruar në fillim të vitit 2023, flasin për jetën e tyre, përtej përkufizimeve reduktuese, që u janë mveshur ndër vite edhe veriut e edhe jugut.
Përtej jugut e veriut, Jovanović dhe Jëlliqi flasin për shoqëritë, të kaluarën, shkollimin, shpresat e edhe mëdyshjet për të ardhmen. Të dy i përbashkon një përplasje e dukshme midis asaj që ndodh përditë dhe përpjekjes për të jetuar një jetë të zakontë, të papenguar nga tensionet e vazhdueshme politike e vështirësitë tjera, që karakterizojnë jetën rinore të shumë njerëzve në Kosovë.
Të dy, secili midis qytetit të vet dhe lajmeve, krizave e tensioneve për to, Jovanović dhe Jëlliqi e zgjerojnë diskutimin shpeshherë të ngushtë rreth njerëzve të Mitrovicës së Jugut e Mitrovicës së Veriut.
Flasin për hapësirat ku ndodh shoqëria, për ëndrrat e aktivizmin për jetë më të mirë, për izolimin shumë-vjeçar nga regjimi i vizave që i ka bërë të ndihen të mbyllur e të kufizuar, cilësinë e zbehur të jetës për shkak të papunësisë e mundësive të pakta për rininë e mbi të gjitha, i dhënë zë kërkesës për ndryshim.