podcast | Dhunë Seksuale

Bartja e traumës nga të mbijetuarët e dhunës seksuale tek gjeneratat e reja

Nga - 12.11.2021

Si barten efektet afatgjate nga nënat me PTSD te fëmijët e tyre?

Për shumë të mbijetuar të dhunës seksuale, efektet e çrregullimit të stresit post traumatik (PTSD), mund të jenë po aq serioze edhe vite më pas, sa vetë krimi dhe përvoja traumatike. Shumë njerëz zhvillojnë çrregullim të stresit post traumatik pasi që u ekzpozohen traumave të mëdha, siç janë përjetimet e luftës. Prandaj, që nga mbarimi i luftës në Kosovë aktivistët e të drejtave të mbijetuarëve të dhunës seksuale, viktimave të luftës dhe familjarëve të tyre këmbëngulnin në rëndësinë e ballafaqimit me këtë temë në nivel shoqëror.

Derisa kemi një dokumentim të gjerësishëm për nevojën dhe domethënien e ofrimit të mbështetjes dhe trajtimit për këdo që ka përjetuar torturë dhe ngjarje traumatike gjatë luftës — siç është rasti me të mbijetuarët e dhunës seksuale — ka më pak njohuri për efektet afatgjate që barten te gjeneratat e ardhshme. 

Por në vitet e fundit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), si organizatë udhëheqëse në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, po përpiqet që ta përfshijë në diskutim publik edhe traumën ndër-brezore apo bartjen e traumës nga një gjeneratë në tjetrën. 

QKRMT-ja bashkë me Institutin Danez kundër Torturës në Danimarkë (DIGNITY), me mbështetjen e Spitalit Universitar të Kopenhagës, dhe Universitetit të Monashit në Australi, ka publikuar një hulumtim të gjerë epigjenetik mbi traumën ndër-brezore në Kosovë. Studimi ka hulumtuar mekanzimat e mundshëm që shpjegojnë se si mund të barten efektet e traumës nga një brez në tjetrin duke theksuar rëndësinë e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë që përjetojnë dhunë seksuale gjatë luftës, dhe veçanërisht ata të lindur nga nënat me simptoma të PTSD gjatë shtatëzanisë.

Në podkastin e sotëm, gazetarja jonë, Dafina Halili bisedon me Selvi Izetin, psikologe klinike në QKRMT, për çrregullimin e stresit post traumatik, hulumtimin e QKRMT-së dhe traumën ndër-brezore.

 

 

 

Ky podcast është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e tij i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.