Ai qëndronte pezull, i shkëputur nga toka, duke manovruar koshin mbi vinçin e një kamionçine të vogël që e ngrinin, atë dhe furçat, në lartësi. Prej dy ditësh, Andrej Zikic, një artist nga Beogradi, po përpiqej ta shndërronte fasadën e zbehtë të një ndërtese në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë, në një telajo arti. Vepra, një djalosh me bicikletën hedhur krahëve, po merrte litrat e fundit të bojës.
Piktori serb, emri artistik i të cilit është “Artez”, është një nga trembëdhjetë artistët ndërkombëtar të rrugës që iu përgjigjën thirrjes së bashkisë së Tiranës, për të organizuar, në fillim të qershorit, të parin festival mural në kryeqytet.
Festivali i parë Mural në Tiranë solli një numër artistësh të rrugës të cilët, duke punuar rrezikshëm lart mbi skelë, pikturuan fasadat e qytetit. Foto: Artan Rama / K2.0.
“Përmes ngjyrave po përpiqemi të përcjellim mesazhe pozitive”, thotë Drejtori i Dekorit të Bashkisë, Henril Çule. Me një buxhet të vogël, atij i duhet të negociojë edhe për lejet për disa prej fasadave, veçanërisht, vitrinat e kateve të para në pronësi të qytetarëve të cilët, shpesh, tregohen skeptikë ndaj këtij lloj arti.
Pak ditë më vonë edhe dhjetë artistë të tjerë u ftuan për të realizuar muralet e tyre mbi fasada e objekte në kryeqytet. Këtë radhë projekti i përkiste Drejtorisë së Promovimit të Qytetit dhe meqënëse, së bashku me Dekorin, ishin pjesë e së njëjtës bashki, aktivitetet u bashkuan në një të vetëm.
Në një metropol me një zhvillim urban të pakontrolluar, arti i rrugës po nxiton të shfrytëzojë një mundësi për të fituar një vend të sigurt dhe po i përdor hapësirat urbane për të komunikuar drejtpërdrejt me këmbësorët.
Pak blloqe më tej, në hyrje të “Komunës së Parisit”, në faqen anësore të një ndërtese të hollë pa dritare, Licuado nga Uruguaji po vizaton portretin e një gruaje në anën e një ndërtese të hollë pa dritare. Simbolet shpalosin një metaforë të pëlqyeshme. Analogjia synon ta shndërrojë zhurmën e rrugës në një art të rrugës. “Është nëna… nëna ime”, më thotë. “Por që përfaqëson të gjitha nënat!”.
Mamaja e Licuado-s, një artist i rrugës nga Uruguaji, duke parë qytetin. Foto Artan Rama / K2.0.
Bashkë më kutitë e bojës, furçën dhe ushqimin në një enë të vogël plastike, ai do të qëndrojë deri vonë mbi skelë. Zhurma urbane tretet në lartësi, por Licuado shpreson që ikona të zbresë në rrugë.
Përreth, një rrjet i dendur brandesh dhe kabllosh interneti shpërndajnë ankth dhe pasiguri, por në duart e Saj ndodhen fijet, që në mënyrë tradicionale, po aq dhe moderne, na lidhin me të shkuarën dhe premtojnë përjetësinë.
“Rruga më frymëzon. Më mbush me poezi”, thotë një tjetër artist i rrugës Eldi Veizaj.“Në rrugë i përshtatem ngjyrave të terrenit, njësoj siç bëjnë arkitektët. Më pas piktura mbetet e juaja”, i tha ai Kosovo 2.0. Zyra e Dekorit të Bashkisë ia ngriti skelën pranë Parkut të Madh të Tiranës dhe Veizaj, pas tre dite pune mbi vinç, i dhuroi Tiranës një vepër murale.
Puna e Eldi Veizajt në Festivalin Mural të Tiranës ishte në harmoni me peizazhin përreth. Foto Artan Rama / K2.0.
Vepra e tij, “Ave Maria” pohon elementet natyrore përmes një portreti femëror. “U përpoqa të depërtoja brenda njerëzve dhe kështu, ndërtova një portret me ngjyrat e ujit”, tha ai.
Një koncept i mirë, do të mendoja unë. Po në ç’mënyrë na ndihmon për të kuptuar qytetin, problemet e tij? A mund ta shtojë hapësirën e blertë, “blerimi” mbi fasadë? Përndryshe, le të kthehemi pas, në galeri!
Shqipëria, ish komuniste dhe e izoluar gjatë Luftës së Ftohtë, sot është një qytet me porta të hapura. Tirana Mural Fest është një mundësi që mbi fasada të ngjiten autorë. Globalizmi dhe metropolet po nxisin një estetikë të re. Materialet, teknikat kanë ndryshuar. Artistët, të çliruar prej kuratorëve, po zgjerojnë energjitë e tyre. Por, a është vetëm një estetikë që vetëmjaftohet me shpalosjen e egos së artistit?
Le t’i tregojmë hallet përmes mureve, madje edhe të kritikojmë.
Një bisedë me njeriun që së bashku me ekipin e tij e mundësoi festivalin, më ndihmon për të kuptuar më shumë. “Ndërmarrja e Dekorit” tingëllon një term i shkuar, por drejtori Çule, përcjell një tjetër pamje. Kur ia sheh krahët e mbuluar nga tatuazhe shumëngjyrëshe, përpjekja për të kuptuar motivet, lehtësohet.
Unë i them se ngjyrat nuk mjaftojnë. Por, plot siguri, ai përgjigjet se muret nuk janë për të zgjidhur halle. Por unë i them se hallet, le t’i tregojmë përmes mureve, madje edhe të kritikojmë. Por ai më thotë se deri tani, asnjë artist nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Intervista mbaroi, por asnjëherë nuk mjaftohem me pyetjet, qoftë dhe kur më pëlqejnë përgjigjet. Kështu i lashë ngjyrat mënjanë dhe vendosa të depërtoj në fasadë.
Nadine Kseibi, nja artiste me shtetësi Rumune dhe Siriane njëkohësisht, u caktua të punonte në zonën e Bllokut si pjesë e Festivalit Mural. Por përpara se të fillonte, ajo largoi nga muri një tjetër poster, të ngjitur aty, disa muaj më parë.
Ndërkohë që Festivali Mural i shtoi ngjyrat mbi fasadat e Tiranës, shpesh punët e reja, i fshinë veprat artistike ekzistuese, kryesisht ato me karakter politik, si “Sorella Tone” e aktivistëve të grupit Çeta. Foto: Artan Rama / K.2.0.
Një prej këtyre punëve e kishte shndërruar të famshmen “Motra Tone”, veprën e artistit klasik Kol Idromeno, në një imazh modern e me një titull të ri: “Sorella Tone”, një përkthim nga shqip në italisht, si një qëndrim kundrejt numrit të lartë të kompanive italiane të Call Center-ave që vepronin në Shqipëri.
Ajo ishte realizuar nga Çeta, një grup aktivistësh që vepronin në fshehtësi dhe që i përdornin energjitë e tyre krijuese për të kritikuar politikat qeverisëse përmes graffitit. Puna e Kseibit, “Pafajësi pa identitet”, ishte e mrekullueshme, ndoshta më e mira e festivalit, por rrethanat në të cilat u krijua, duke larguar më parë një tjetër arritje dhe kjo, jo pa ndihmën e bashkisë, la tek unë shijen e zhgënjimit.
“Pafajësi pa identitet” e Kseibit ishte një nga më të mirat e festivalit, por rrethanat në të cilat u krijua ishin të diskutueshme. Foto: Artan Rama / K2.0.
Në gusht të 2016-ës, pak muaj pasi Çeta kishte filluar aksionet, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nxorri një urdhëresë “Për Rregullat e Zënies së Hapësirës Publike”.
Puna e Çetës ka një karakter të qartë politik. Një tjetër punë e saj tregonte transformimin e një pikture të realizmit socialist të Sali Shijakut, të një partizani të vrarë mbi tank, Vojo Kushit, duke e rivendosur atë mbi një veturë Jaguar. Ndërsa Nënë Zylja i referohej një të moshuare të gjobitur nga bashkia, për shkak se shiste presh në rrugë. Grupi gjithashtu, prodhoi një stencil në kujtim të Ardit Gjoklajt, adoleshentit që humbi jetën në rrethana të dyshimta të deponinë e Sharrës, në Tiranë.
Puna me karakter të qartë politik e Çetës përmbledh një seri veprash të cilat bien ndesh me qëndrimin e shtetit shqiptar. Posterat dhe vizatimet e tyre, shpesh janë fshirë prej autoriteteve lokale. Fotot: Artan Rama / K2.0.
Vdekja e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në vend të punës, nxiti protesta në vend si dhe muret e qytetit ishin mbushur me grafite në të cilat kërkohej drejtësi për vdekjen e tij. Foto nga Artan Rama.
Pasi veprat përfundonin, ekspozimi mbetej problem. Hapësira publike u bë ekspozita e preferuar për aktivistët e Çetës dhe sheshi i betejës me autoritetet. Brenda pak orëve apo ditëve, imazhet e Çetës fshiheshin ose tjetërsoheshin.
Në vetëm pak minuta, përmes teknikave të sprejit, shkumës dhe posterave, aktivistët mbushnin muret dhe të fshehur, nën kapuçonj, u shmangeshin kamerave në rrugë.
Një mbrëmje, takova tre prej tyre. Emrat nuk m’i thanë, por më treguan mjaftueshëm rreth aksionit të tyre subversiv. Në një shtëpi të vogël, me çati e oborr, zhvillova këtë bisedë.
Unë: Kush jeni?
Çeta: Një grup arti politik.
Unë: Çfarë synoni?
Çeta: Të provokojmë, por dhe të emancipojmë.
Unë: Përse fshiheni?
Çeta: Për të shmangur gjobat dhe që të mos merren me ne, por me fenomenin.
Unë: Kush ju paguan?
Çeta: Ne punojmë vullnetarisht.
Unë: Kush ju udhëheq?
Çeta: Askush! Vendimet i marrim në grup.
Unë: Përse nuk kërkoni leje për t’i ngjitur posterat nëpër hapësirat publike?
Çeta: Sepse janë hapësira publike dhe na takojnë të gjithëve.
Ata më thanë se do të qëndrojnë anonim, dhe që puna e përbashkët është më e rëndësishme sesa egoja e gjithsecilit.
Puna e Diversantit (Ergin Zaloshnja), me një karakter të theksuar politik, gjithashtu është fshirë, por ai shpreson se numri 13 i fanzinës së tij mund të mbetet në mur. Fotot Artan Rama / K2.0.
Një tjetër artisti të rrugës, Ergin Zaloshnjës, emri artistik i të cilit është Diversanti dhe që pesë vjet më parë, krijoi të parën fanzinë, me titull Sputnik, i është fshirë puna prej Bashkisë.
Për Zaloshnja fshehja nuk ka qënë asnjëherë një qëllim, ndonëse fanzina e tij nuk ka patur një fat më të mirë sesa Çeta. Ai ka ngjitur dymbëdhjetë fanzina në muret e kryeqytetit, përpara se të fshiheshin prej punonjësve të Zyrës së Dekorit të Bashkisë. Por ende nëpër rrethinat e Bllokut shihen gjurmët e graffitit të tij të ndaluar, ose më saktë, ajo çfarë ka mbetur prej tyre…
Numri i trembëdhjetë, “Trusti i kullave” pritet të dalë së shpejti. Të shohim se sa gjatë do të qëndrojë! Sidoqoftë, në sytë e konsumatorëve kryeqytetas, bojrat e dekorit të qytetit mund të shihen më qartë se sa zymtësia e një shoqërie distopike që paraqet Ergini.
Falë përpjekjeve për të fituar zemrat e banorëve, artistët, por dhe autoritetet po e përdorin rrugën në shërbim të një estetike të re urbane, të një mesazhi. Por përtej synimeve, për shkak të motiveve të ndryshme, arti i rrugës po shndërrohet, më shumë në një betejë për rrugën, se sa për vetë artin. Dhe e drejta mbi hapësirat publike, rrezikon t’u shërbejë autoriteteve për një vendimmarrje përzgjedhëse, në dëm të kundërshtarëve dhe lirisë politike.
Këtë fillim vere në Tiranë, disa prej artistëve ndërkombëtarë që ‘pushtuan’ fasadat ishin me të vërtetë të mrekullueshëm. Por kur efekti që shkakton ngjyra shuhet, lind një pyetje: kujt i shërben arti mbi fasada? A është ilustrim i një trendi, apo diçka më shumë se sa egoja e një artisti kontemporar?
Tirana po i lartëson fasadat. Le t’u japim mureve mundësinë për të thënë të vërtetën, përmes ngjyrave, por edhe përmes kontrasteve, përmes një aksioni që synon një reagim kolektiv e jo vetëm egot e artistëve të rrugës.
“Skuadra e vogël e dekorit të qytetit”, siç Kryetari Veliaj e ka quajtur, gjatë fushatës së tij elektorale, sapo ka filluar të kuptojë peshën e madhe të vendimmarrjes. Por a e kanë ata emancipimin dhe mundësinë për ta shndërruar artin e rrugës në një platformë dialogu e jo një mënyrë diktature?
Në një qytet ku zhurma e rrugës rrezikon të mbysë çdo tingull, fasadat duhet të flasin e të dëgjohen.
Por së paku, Tirana Mural Fest tregon se kanë nisur të belbëzojnë…
Fotografitë: Artan Rama / K2.0.