Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, dhe emocionet janë në rritje e sipër. Premtimet megalomane dhe ambicioze mbizotërojnë në diskursin politik, ndërsa lajmet 24-orëshe kërcejnë nga intervista në intervistë, nga tema në temë.
Në këtë seri, K2.0 po e bënë një hap prapa nga krejt ky muhabet. Duke shkruar për tema të ndryshme deri në zgjedhjet e 11 qershorit, po i mbulojmë disa çështje kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova sot. Problemi që Kosovën pa dyshim se e ka përcjellë prej periudhës së shpalljes së pavarësisë është korrupsioni në institucionet publike, apo siç njihet ndryshe “kanceri” i shtetit më të ri në Europë.
Bazuar në rezultatet e indeksit të përceptimit të korrupsionit të organizatës Transparency International, Kosova del të jetë shteti më i korruptuar në Ballkanin Përendimor, derisa rangohet në vendin e 95 -të nga 176 vendet në botë (e ku me 1 është shënuar shteti më i korruptuar e me 176 më së paku i korruptuar).
Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkaq, mbetet sfida kryesore e Kosovës sa i përket sundimit të ligjit si dhe kushti kryesor i Kosovës në procese jetike të saj, si ai për anëtarsimin në Bashkimin Europian (BE), liberalizimin e vizave, e shumë procese tjera. Në vitin 2010 kryeministri Hashim Thaçi nga radhët e PDK-së pati marrë vendim për krijimin e Task Forcës Kundër Korrupsion, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, si dhe kishte iniciuar Ligjin Antimafia që mendohej se do të prekte edhe zyrtarë të lartë shtetëror dhe do të parashihte konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëvë publik.
Pavarësisht këtyre hapave minimal, mekanizmat ndërkombëtarë që monitorojnë punën e institucioneve publike të Kosovës, si Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i vitit 2015, vazhdojnë të vlerësojnë se Kosova ndodhet në fazën krejtësisht fillestare në luftën kundër korrupsionit, dhe “në përgjithësi me një progres të kufizuar”. Edhe raporti i 2016-ës thekson të njëjtën.
Vëmendje të veçantë dhe prioritet edhe në aspektin e hetimeve, Kosovës i është kërkuar t’i kushtojë korrupsionit të profilit të lartë veçanërisht në sektorin publik, duke kërkuar që të sigurohen dënime përfundimtare gjyqësore për ato raste. Por deri më tani, hetimet për korrupsion të profilit të lartë, janë të rralla dhe nuk kanë rezultuar me dënime përfundimtare. Ish-ministra, deputetë, gjyqtarë e prokurorë janë në listat e lëndëve me prioritet shtetëror për t’u gjykuar, kryesisht për shpërdorim pozite dhe korrupsion.
Buxheti për organet e drejtësisë mbetet i ulët ndërkaq. Vetëm 7 milionë euro nga buxheti total i Kosovës janë ndarë për Prokurorinë e shtetit. Derisa Prorkuroria Speciale e Kosovës e cila ndjek penalisht krimet e profileve të larta, operon vetëm me 9 prokurorë special, nga 18 sa i nevojiten për të pasur kapacitete të plota.
Ligji Antimafia asnjëherë nuk ishte dërguar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, derisa ishte Vetëvendosje ajo e cila në mandatin e kaluar parlamentar kishte kërkuar që ai të sillet në Kuvend. Përveç kësaj, janë pikërisht zyrtarë të lartë të partive aktualisht më të mëdha në vend, si ish-ministra të PDK-së dhe zyrtarë të LDK-së që janë të përfshirë në afera korruptive, për të cilat po zhvillohen procese hetimore dhe gjyqësore. Por pavarësisht kësaj ata figurojnë edhe në listat për kandidat për deputetë në zgjedhjet e sivjetme parlamentare.
Kyetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj ndiqet për krim të organizuar dhe korrupsion, për vepra që akuzohet se i ka kryer gjatë kohës kur ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Kandidati për deputet i LDK-së, Naser Osmani po gjykohet se ka dëmtuar afro 6 milionë euro shtetin, duke privatizuar Fabrikën e Armaturës Ndërtimore – FAN, në Podujevë, në mënyrë të kundërligjshme, duke shpërdorë pozitën e tij.
Korrupsioni në prokurimin publik mbetet ndër problemet kryesore që evidentohet si shkas i dëmtimit të buxhetit shtetëror në raporte të ndryshme. Lidhjet e partive politike me bizneset e ndryshme që fitojnë tenderë publik ka ofruar hapësirën për këtë. Një raport i organizatës “Çohu” thekson se ndër kompanitë që më së shumti kanë fituar tenderë publik nga Qeveria e Kosovës janë ato që kanë financuar PDK-në. Të dytat janë kompanitë të cilat kanë financuar Vetëvendosjen.
Ligji mbi financimin e subjekteve politike i obligon partitë që të bëjnë publike listën e donatorëve juridik apo individual. Por ky rregull nuk është respektuar çdo herë në mënyrë strikte.
Duke marrë për bazë rëndësinë e shërimit sa më të parë të Kosovës nga kanceri i quajtur korrupsion, K2.0 ka analizuar programet politike si dhe ka pyetur partitë më të mëdha shqiptare, që ishin përfaqësuar në Kuvend në mandatin e kaluar, se cilat janë planet konkrete të tyre për të luftuar këtë fenomen. Përgjigjet e tyre, gjykojini ju.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Në një takim me Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit të mbajtur në shtator të vitit 2015, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, mbajti një fjalim duke theksuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit. “Është nevojë e menjëhershme që luftimi i korrupsionit të bëhet prioritet kombëtar”, i kishte thënë këtij këshilli. “Sot, luftën kundër korrupsionit duhet ta kuptojmë si akt patriotik. Patriotizmi së pari duhet të kultivohet brenda institucioneve, duke filluar nga partitë politike”.
Megjithatë, përkushtimi i Veselit nuk duket se u përkthye në programin e partisë për zgjedhjet e vitit 2017, “Fillimi i Ri”. Në kapitullin për sundimin e ligjit të titulluar “Drejtësia e cila lufton krimin dhe korrupsionin”, fjala korrupsion përmendet vetëm një herë jashtë këtij titulli.
Ajo shfaqet në një fjali paksa të gjatë e cila thekson zotimet e PDK-së për të: “zhvilluar struktura për policinë, prokurorët dhe gjykatësit si dhe për organe tjera të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit për t’i përgatitur në mënyrë adekuate për bashkëpunim në çështje civile, tregti, dhe krim, dhe për t’i aftësuar që në mënyrë efikase ta parandalojnë, ta hetojnë, ta ndjekin dhe ta gjykojnë krimin e organizuar, korrupsonin dhe terrorizmin [sic].”
Partia ka përfshirë një kandidat për deputetë në listën e saj, të cilët janë nën hetime nga Prokuroria Speciale, për shkak të përfshirjes në “Aferën Pronto”. Nijazi Kryeziu është i përfshirë në listë duke qenë njëkohësisht nën hetime. K2.0 e pyeti nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hoti, dhe zyrën për media të PDK-së në lidhje me masat që do të ndërmerren nga PDK-ja nëse ngritet aktakuzë kundër kandidatëve të cilët janë nën hetime, por nuk mori kurrfarë përgjigje.
K2.0 gjithashtu kërkoi nga zyrtarët e PDK-së ta komentonin mungesën e një auditimi të pavarur financiar të kësaj partie, si dhe të shpjegonin arsyen që shumë kompanitë të cilat e kanë financuar partinë janë duke marrë tenderë. Nuk morëm kurrfarë përgjigje.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin e saj qeveriës, të përbashkët me partnerët e koalicionit parazgjedhor Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Alternativën e parasheh miratimin e “ligjeve antimafia” në kuadër të kapitullit të nëntë të programit të saj që flet për “Sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e vendit”. Tre nga 16 pika të këtij kapitulli flasin për luftën kundër krimit, por fjala “korrupsion” nuk përmendet askund në këtë program.
“Depolitizimi, dekriminalizimi dhe profesionalizimi i institucioneve të drejtësisë, policisë, dhe mekanizmave të tjerë të sundimit të ligjit”, thuhet në programin LDK, AKR, Alternativa. Tutje në këtë program 9 faqesh thuhet se luftimi i krimit të organizuar dhe terrorizmit si dhe miratimi i ligjeve antimafia është synim i këtij koalicioni.
Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK, AKR dhe Alternativa, Avdullah Hoti (ish-ministër i financave nga radhët e LDK-së), ka deklaruar gjatë një takimi me banorët e Kishnicës së Gjilanit gjatë fushatë së tij, se LDK nuk do të tolerojë më korrupsionin në vend. “Nuk mund të tolerojmë që e ardhmja jonë të rrezikohet nga krimi dhe korrupsioni. Krimi dhe korrupsioni nuk është luftuar asnjëherë më shumë sesa nga qeveria e kaluar. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Gjatë mandatit katërvjeçar ne do ta çrrënjosim korrupsionin dhe paprekshmërinë e individëve para ligjit”, ka thënë Hoti. Ai ka thënë se, Kosova dhe e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të ndërtohet nga ata që janë mbi ligjin dhe nga ata që kanë probleme me biografinë e tyre.
Por duket se Hoti ka harruar se disa nga zyrtarët që janë të përfshirë në afera korruptive të natyrës së rëndë si dhe krim të organizuar, vijnë pikërisht nga partia e tij.
Përkundër pretendimeve të lartëpërmendura, Naser Osmani, që aktualisht po përballet me gjyqin për dëmtim në afro 6 milionë të buxhetit shtetëror në rastin e FAN-it, renditet si kandidat për Kuvendin në zgjedhjet e sivjetme parlamentare. K2.0 pyeti zëdhënësin e partisë Arban Abrashi, njëherit kandidat për deputet nga LDK, se pse njerëzit që përballen me aktakuza dhe gjykime për çështje të korrupsionit, iu është dhënë mundësia që të mund të përfaqësojnë LDK-në në Kuvend, por nuk ka marrë përgjigje.
Por, Osmani nuk është i vetmi anëtar i tanishëm i LDK-së që është përballur me probleme me ligjin. Ish-ministrat e kulturës së LDK-së, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri janë shpallur fajtorë për dhënien e kontratave të paligjshme publike për kompanitë private (megjithëse ky vendim u përmbys kohët e fundit për shkak të një çështje procedurale), ndërsa Ukë Rugova, biri i themeluesit të partisë, Ibrahim Rugova po gjykohet për kontrabandimin e emigrantëve dhe lidhjet me krimin e organizuar. Ish-përfaqësuesit e LDK-së që punonin në Ministrinë e Shëndetësisë, Bujar Bukoshi dhe Ilir Tolaj, u përballen me gjyq për akuza të korrupsionit. Bukoshi gjithashtu ishte akuzuar edhe për mashtrim për fondin e 3 përqindëshit.
K2.0 ka pyetur po ashtu se pse LDK akoma nuk ka bërë publike listen e donatorëve biznesor dhe individual, ashtu siç obligohen me Ligjin për financimin e subjekteve politike, por ka ngelur pa përgjigje. LDK po ashtu nuk është përgjigjur as në atë nëse do të ndajë më shumë buxhet për Prokurorinë Speciale të Kosovës në rast se fiton zgedhjet, duke ia mundësuar kështu drejtësisë të rris kapacitetet për luftimin e krimit. Kjo Prokurori aktualisht punon me stafin dhe buxhetin përgjysmë, prej sa është vlerësuar se ka nevojë.
Vetëvendosje (VV)
Shteti i së drejtës përbën pjesën qendrore të programit të Alternativës Qeverisëse të Vetëvendosjes, duke theksuar njëkohësisht transparencën e institucioneve, llogaridhënien përpara qytetarëve, gjyqësorin më të fuqishëm dhe ndarjen ndërmjet establishmentit dhe sistemit të drejtësisë. Programi i partisë synon ta forcojë transparencën duke i bërë të dhënat në dispozicion të publikut dhe duke publikuar rrogat e të gjithë zyrtarëve publik të cilët paguhen nga buxheti i shtetit.
Programi kërkon që të gjitha ata të cilët kanë “uzurpuar, vjedhur, dhe keqmenaxhuar me pronën dhe paranë publike” të ballafaqohen me drejtësinë. Për të ndihmuar në arritjen e kësaj, ish-deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, i tha K2.0 se qeveria e Vetëvendosjes do ta prioritetizonte shtyrjen përpara të ligjit Anti-Mafia. “Me këtë masë ne synojmë fuqizimin e kompetencave të prokurorisë, e po ashtu barra e provës të kalohet tek i dyshuari dhe jo tek prokurori sepse kjo po e vështirëson punën e prokurorisë në ndjekjen e të korruptuarve dhe konfiskimin e pasurive”.
Një qeverisje eventuale e Vetëvendosjes, do të amandamentonte edhe draft-ligjin Anti-Mafia, duke ia dhënë të drejtën prokurorit gjatë hetimeve ta konfiskojë pasurinë e të pandehurit. Haxhiu tha se prokurorët do të kenë të drejtë të konfiskojnë pasuri kur ajo duket në mospërputhje me të ardhurat e të pandehurit. Haxhiu shtoi se Vetëvendosja planifikon të krijojë një njësit special brenda prokurorisë, të përbërë nga prokurorë të profilizuar të cilët do të merren vetëm me rastet e korrupsionit.
Shumë anëtarë dhe aktivistë të Vetëvendosjes janë arrestuar përgjatë viteve gjatë rrugëtimit të aktivitetit politik të partisë, dhe në shumë raste partia ka përdorur retorikë të ashpër kur ka folur për sjelljen e zyrtarëve të cilët kanë keqpërdorur pozitën përpara drejtësisë. Kjo ka prodhuar përshtypjen publike se qeveria e Vetëvendosjes do të instalonte një sistem të drejtësisë të bazuar në hakmarrje. Haxhiu i tha K2.0 se shteti nuk do të intervenonte në drejtësi dhe se “ne nuk do t’i hakmerremi askujt”. Është ky një koncept i cili u theksua nga përfaqësuesit e tjerë të Vetëvendosjes në debate parazgjedhore në media, duke përfshirë edhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti.
Haxhiu tha se të gjitha ndryshimet legjislative do të kalojnë përmes Kuvendit, duke theksuar se partia menjëherë do të hartonte dhe do të instalonte legjislacion për procesin e vetingut (vlerësimi i integritetit të gjykatësve dhe prokurorëve) nga ana e Kuvendit. “Ky proces do të siguronte që në sistemin e drejtësisë të ketë gjyqtarë e prokurorë të pastër e me integritet dhe profesionist dhe jo të paaftë dhe servil të ekzekutivit”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kosova ka mbet një ‘‘vrimë e zezë e varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe pse është një vend me pasuri natyrore”. Për AAK-në luftimi i korrupsionit mbetet parakusht i zhvillimit të vendit. AAK në programin e saj politik, “çrrënjosjen” e korrupsionit e ka prioritet. AAK jep disa pika, në bazë të së cilave do të luftojë korrupsionin dhe rrethanat që e mundësojnë atë. Ndryshimi i ambientit të përgjithshëm, ulja e shpenzimeve qeveritare, zhvillimi dhe ristrukturimi i sistemit të pasurive të patundshme, procesi i tenderimeve të bëhet online dhe të vendosen kamera në hapjen e çdo tenderi, të reformohen të gjitha procedurat në të gjitha sektorët ku shfaqen ende fenomene korrupsioni, të rritet transparenca, si dhe të rritet bashkëpunimi me qytetarët, janë pra pikat në të cilat bazohet lufta e AAK-së kundër korrupsionit.
K2.0 ka kontaktuar me zyrën për Media të AAK-së dhe deputeten në largim Teuta Haxhiu, duke e pyetur për detaje të mëtutjeshme rreth këtyre projekteve dhe financimit të tyre. Por nuk morrëm përgjigje.
Megjithatë, AAK thotë se do të dyfishohen të ardhurat mujore të policëve, njësitë elitare kundër krimit të organizuar të policisë do kenë status të veçantë financiar, si dhe që do të hapin policinë për kuadro të reja nga jeta civile, dhe do të rekrutojnë ekspertë nga lëmi të ndryshme.
Në prill të 2016-ës, AAK kishte reaguar përmes një komunikate për media pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për të gjeturat e vitit 2015, i cili thoshte se Kosova përballet me një korrupsion endemik dhe mosndëshkimi i tij çon në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe AAK ishte shprehur e brengosur për nivelin e lartë të korrupsionit.
Në reagimin e AAK-së thuhej se edhe njëherë po dëshmohej niveli i lartë i korrupsionit dhe se AAK ka vullnetin dhe parasheh mekanizma që do të bëjnë të mundur luftimin e korrupsionit. Sipas tyre, duhet të themelohet Byroja Nacionale e Hetimeve (BNH), që do të jetë mekanizëm i sistemit të drejtësisë i vendosur tek Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe të jetë i specializuar për të hetuar krimet.
Kjo byro do të ketë edhe homologun e saj brenda Policisë së Kosovës, që do të funksionojë brenda Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës që do të ketë emër të ngjashëm (Policia BNH), si dhe Departamenti Gjyqësor për rastet penale nën juridiksionin e BNH-së do jetë pjesë e sistemit gjyqësorë. K2.0 e kontaktoi Haxhiun dhe zyrën për media të AAK-së për të mësuar më shumë për bazën ligjore mbi të cilën do të operonte ky Departament, por nuk morrëm përgjigje.
Edhe në këtë e rast, AAK nuk kishte shpalosur të dhëna konkrete sa do jetë kosto financiare e këtyre mekanizmave, si do të funksionojnë ato, cila do jetë baza ligjore e funksionimit të këtyre mekanizmave.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së dhe mandatari për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA, kishte deklaruar se korrupsioni në Kosovë tashmë është në nivele edhe më të mëdha se në kohën e UNMIK-ut dhe se AAK ka kapacitet ta luftojë korrupsionin dhe do ta bëjë këtë papushim.
Mirëpo, në media ishin ngritur pretendime se Haradinaj ka mashtruar Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) në deklarimin e saktë të vlerës së shtëpisë së tij, që gjendet në lagjen Arbëria. Haradinaj në deklarimin e pasurisë tek Agjencia Kundër Korrupcionit, shtëpisë së tij prej 950 m2 i kishte vendosur vlerën prej 300 mijë eurove. Komuna e Prishtinës, në faturën e tatimit mbi pronë, ka deklaruar se shtëpia ka sipërfaqe prej 1200 m2 dhe se vlera e shtëpisë ishte 1.2 milionë euro, katër herë më shumë se që kishte deklaruar Haradinaj në Agjensionin Kundër Korrupsionit. K2.0 kërkoi nga AAK që të komentojë në lidhje me këto akuza nëpërmjet zyrës për media, por nuk morrëm përgjigje.
Në listën e AAK-së për deputet të zgjedhjeve e këtij viti, të publikuar me 18 maj, 2017, figuron edhe Pal Lekaj, ndaj të cilit në prill të këtij viti ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Lista e AAK-së e publikuar me 18 maj erdhi një ditë para se Gjykata Themelore e Gjakovës të hedhë poshtë akuzat nga Lekaj, me 19 maj, 2017. Pjesë e listës për deputet të AAK-së është edhe Elmaze Nura, e cila në muajin prill të 2016, nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte shpallur e pafajshme për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nisma për Kosovën
Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj është lideri i vetëm politik në Kosovë, ndaj të cilit ka aktakuzë të ngritur për korrupsion. Procesi gjyqësor i nisur në 2009 nga Eulexi, e që sot vazhdohet nga prokurorët vendorët, vazhdon tash e disa vite dhe Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit nga radhët e PDK-së. Limaj ishte deklaruar i pafajshëm dhe akuzat e prokurorisë i kishte quajtur politike.
Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj ishte shprehur gjatë vitit 2015 për korrupsionin duke thënë se “në këtë vend nuk është mbetur t’i besohet askujt. Institucionet janë të kapura dhe te korruptuara komplet”. Duke u përballur me akuza për korrupsion tash e disa vite, megjithatë partia e tij Nisma, nuk e trajton korrupsionin në programin e saj politik. E vetmja që e thotë Nisma në programin e saj politik për korrupsionin është se ‘‘Kosova e krimit, korrupsionit e informalitetit nuk është dhe nuk mund të jetë atdheu ynë i preferuar’’.
K2.0 ka kontaktuar me zyrën për Media të Nisma-s, duke e pyetur për mungesën e trajtimit të korrupsionit në programin e saj, pastaj rreth alternativave kundër korrupsionit që do të ofronte Nisma si dhe për akuzat për korrupsion kundrejt kryetarit të tyre Limaj, mirëpo ata nuk kthyen përgjigje.
Nisma për Kosovën udhëheqë me komunën e Malishevës – e cila është edhe vendlindja e Limajt – prej vitit 2014 me kryetar komune Ragip Begaj. Këtij në dhjetor të 2016 nga Prokuroria Speciale e Kosovës i’u ishte ngritur aktakuzë për veprën e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Në komunën e Malishevës jo vetëm kryetari i saj Ragip Begaj ka probleme me ligjin, edhe Blerim Thaçi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit të kësaj komune është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për keqpërdorimin të detyrës apo autoritetit zyrtar, akuza lidhet me tenderin e rrethojave të oborrit të gjimnazit.
Zyrtar tjetër i komunës së Malishevës që është akuzuar sipas raportimeve të medieve për keqpërdorim të detyrës zyrtare është edhe Hamdi Hoti, ish drejtori tjetër i arsimit, i cili kishte punësuar si mësimdhënës djalin e tij, pa diplomë universitare, gjithashtu punësimi ishte bërë pa hapur konkurs fare. Edhe asambleistja e Nismes, Floriana Demaj ishte akuzuar se është punësuar si mësimdhënëse pa pasur të hapur konkurs fare.
Ndaj komunës së Malishevës është ngritur kallëzim penal nga 22 mësimdhënës dhe 5 punëtorë administrativ të Qendrës së Kompetencës në Malishevë, të cilët pretendonin se janë larguar nga puna pa të drejtë. Ata kanë paditur kryetarin Begaj dhe drejtorin e arsimit Thaçi se i kanë larguar nga puna pa të drejtë vetëm se nuk janë pjesë e Nisma-s.K
Feature image: Driton Selmani.