“Do të ta dija për nder po gjete kohë të shkruash një opinion dhe vrojtim për çka po ndodh [në veri] sepse prej atje po marr vetëm raportime sipërfaqësore…”
Kështu më kërkuan që ta shkruaj këtë artikull dhe prandaj pranova menjëherë. Kjo përkon me përshtypjen time se si shihet veriu – si një pjesë sipërfaqësore e thjeshtuar e Kosovës, e udhëhequr nga Beogradi.
S’ka asgjë të thjeshtë kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës, ndonëse mund të duket kështu. Secila krizë e re që krijohet këtu nuk është vetëm incident i izoluar që shpjegohet lehtë me ngatërrimin famëkeq të Beogradit; e megjithatë, vetëm kaq sheh nëpër mediat e Kosovës.
Edhe para se të hynin nëpër vetura, shumë gazetarë që po niseshin drejt Mitrovicës së Veriut e dinin si do t’i raportonin rrëfimet e tyre.
“Kryeministri Haradinaj kishte të drejtë, kriza humanitare në veri është e rrejshme,” kështu mund t’i përmbledhësh shumë prej raportimeve të mediave mbi veriun të këtyre ditëve.
Të mbyllura për biznes
Dyqanet, barnatoret, restorantet, kafenetë, pikat e karburantit dhe butiqet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës i kanë mbyllur dyert për biznes të hënën dhe të martën këtë javë për atë që e kanë quajtur “protestë paralajmëruese”.
Ditëve të fundit, tregtarët në veriun e Kosovës ankoheshin se po u harxhoheshin mallrat. Kjo erdhi pas një bojkotimi të përhapur të blerjes së mallrave nga jugu me shumicë shqiptare, ky në vetvete reagim ndaj taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë, që u prezantua nga qeveria e Kosovës nëntorin e kaluar, dhe ndaj aksioneve të mëpasme të Policisë së Kosovës në fund të majit për eliminimin e kontrabandimit ilegal.
Raporohet nga media e veriut të Kosovës KoSSev se shumë tregtarë serbë kanë marrë një memorandum të nënshkruar nga “Shoqata e Sipërmarrësve të Kosovës dhe Metohisë” që u kërkonte të tregonin “harmoni dhe unitet” në bojkotin e tyre “me çfarëdo çmimi”.
Politikanët serbë e kanë cilësuar situatën si “krizë humanitare”, ndërsa udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se është krizë “e inskenuar” për qëllime politike.
Bizneset u rihapën të mërkurën, por udhëheqësit e bizneseve në veri paralajmëruan se mund të ketë protesta të tjera nëse s’do të mund të kenë qasje në produktet serbe.
Rreshtimi i mediave që jep përshtypjen e mbështjetjes së qëndrimeve të një politikani fushatues nuk mjaftonte. Jo, disa prej tyre madje pretendonin se kishin zbuluar komplote sekrete dhe plane të liga të disa njerëzve të fuqishëm me lidhje të fshehta me disa njerëz të tjerë të mistershëm.
Është e vërtetë se veriu i Kosovës ka kohë që po shfrytëzohet si vegël politike, po hidhet si monedhë negocimi dhe po përdoret si skenë për deklarata politike nga Prishtina e nga Beogradi. Është gjithashtu e vërtetë se statusi i zonës së hirtë i kësaj hapësire, që vepron njëkohësisht edhe brenda edhe jashtë dy sistemeve, e bën vend tërheqës për ata që kanë lidhje me politikën dhe krimin e organizuar e që dëshirojnë të operojnë nëpë hijet e shoqërisë.
Por kjo nuk do të thotë se gjithçka që ndodh në veri e ndjek të njëjtin skenar.
Ajo që asnjëra nga mediat e Kosovës nuk ia doli ta zbulonte është e vërteta – se tregtarët dhe qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës janë lodhur prej ndikimeve negative nga lojërat e mëdha politike në jetët e tyre të përditshme. Pati krejt pak raportime rreth pozitës së konsumatorit mesatar në veri, rreth mënyrës se si vendasit e shohin situatën apo rreth asaj që i shtyu tregtarët të ndërmerrnin masa aq ekstreme sa t’i mbyllnin dyqanet.
Por, ç’është duke ndodhur në veri?
Krizë ka, kjo është e sigurt. Kosova Veriore, me sistemin e saj paralel dhe vlerën simbolike për të dyja palët antagoniste, ndodhet në gjendje emergjence tash 20 vjet, vetëm se disa emergjenca janë më të mëdha se të tjerat.
Emergjenca më e fundit, me protestën e tregtarëve dhe mbylljen e dyqaneve është formë e përligjur e të protestuarit. Dhe është mbi të gjitha reagim ndaj vargut të përpjekjeve të dhunshme dhe të imponuara të vendosmërisë së qeverisë së Kosovës.
Kjo u shfrytëzua pashmangshëm nga Beogradi – Aleksandar Vučić e shfrytëzoi çastin për ta paraqitur veten si i vetëshpalluri “Robin Hood i Evropës”.
Por, e gjitha kjo nisi me taksat në nëntor 2018, dhe kulminoi me përdorimin e tepruar të forcës nga njësitë speciale të policisë së Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës në maj 2019. Vendimi i parë i shtoi shtigjet e kontrabandimit, i dyti i ndaloi prerazi, duke e zbatuar kështu embargon tregtare ndaj produkteve të Serbisë.
Prandaj, kriza e tanishme është rezultat i zbatimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për të mos importuar produkte të Serbisë. Kontrabandimi i mallrave nga Serbia u ndal për më se dy javë, dhe kjo ishte njëra anë e medaljes.
Ana tjetër ishte bojkotimi i distributorëve shqiptarë nga ana e tregtarëve serbë si dhe bojkotimi i përgjithshëm i dyqaneve në jug. Si pasojë e këtyre dy aspekteve të krizës, produktet në dyqanet lokale po harxhoheshin.
Këtu kthehemi te argumenti që përsëritet – por ka produkte të tjera në Kosovë.
Taksa e ndërpreu këtë mundësi të rrallë spontane për komunikim ndëretnik, duke e zëvendësuar edhe me një tjetër lloj të nacionalizmit banal.
Patjetër që ka, por ka edhe lëngje intravenoze në Serbi,e Kosova prapë zgjedh t’i importojë – me kosto më të madhe – nga Gjermania. A duhet të shtirem se nuk e kuptoj arsyen? Në të dyja rastet, njerëzit të cilëve jetët u janë politizuar, po zgjedhin të përdorin nacionalizëm ekonomik.
Tregtarët serbë më parë kishin produkte nga jugu; tregtonin suksesshëm me jugun me vite, dhe para taksës ky ishte shembull i rrallë pozitiv i komunikimit dhe bashkëpunimit ndëretnik këtu. Duhet shtuar se nuk ishte e pazakontë të shihje dikë nga Mitrovica Jugore duke e kaluar urën për te barnatoret, shitoret, dhe butiqet serbe.
Mirëpo taksa e ndërpreu këtë mundësi të rrallë spontane për komunikim ndëretnik, duke e zëvendësuar edhe me një tjetër lloj të nacionalizmit banal.
Por nacionalizmi ekonomik nuk është shkaku i vetëm i krizës më të re. Tregtarët janë me të vërtetë të shqetësuar se do ta humbin fitimin nëse i zëvendësojnë të gjitha produktet serbe.
Ndryshe nga enklavat serbe nëpër Kosovë, për njerëzit në veri, udhëtimet personale për të bërë pazar në Rashkë ose në Novi Pazar nuk janë alternativa të pamendueshme. Të mësuar me produktet që i njohin dhe i kanë besuar gjithë jetën, ata do t’u drejtohen këtyre qyteteve çdo muaj ose çdo javë vetëm për të bërë pazar. Kjo tashmë është praktikë gjatë kremtave dhe festave të mëdha.
Sa më të shpeshta udhëtimet, aq më shumë para do të dalin nga veriu i Kosovës dhe tregtarët vendas do t’i humbin bizneset. Krejt kjo mund të ketë pasoja shkatërruese për ekonominë lokale.
Dhe këtë herë të paktën, roli i Beogradit në sjelljen e krizës është më pak i rëndësishëm sepse themeli i kësaj krize kryesisht është vendosur nga veprimi i qeverisë së Kosovës. Veprim ky që ktheu ndarje të tillë saqë produktet filluan të kenë “prapavijë etnike”.
Bojkotimi i produkteve serbe është një gjë, por ndalimi i tyre është kufizim i drejtpërdrejtë i zgjedhjes së konsumatorit dhe është naive të presësh se në sfondin e komplikuar shumetnik në Kosovë nuk do të kishte ndikim të dëmshëm mbi mënyrën se si do të reagojë komuniteti i ndikuar prej taksës.
Kushdo që e kupton vendimin e Kosovës për të vënë taksa duhet të pajiset me paralele të mjaftueshme që ta kuptojë bojkotimin e distributorëve dhe dyqaneve shqiptare nga ana e tregtarëve dhe konsumatorëve serbë.
Së fundmi, gjithmonë arrij ta njoh ngatërrimin e Beogradit në çfarëdo veprimi të serbëve të Kosovës dhe ndonëse pati raportime të shumta për njerëzit që po kërcënohen të mos shkojnë të blejnë mallra në jug, mund të pohoj nga këndvështrimi im se shumica prapëseprapë do t’i bojkotonin si lloj rezistence ndaj taksës.
Kjo praktikë është pjesë e rëndësishme e cilësisë sonë së të jetuarit sa “kontrabandimi” këtu më nuk është as fjalë e keqe as e pandershme.
Një tjetër çështje për t’u shqyrtuar është valuta monetare. Shumica e njerëzve në veri të Kosovës ende i marrin pagat, pensionet ose ndihmën sociale në dinarë. Për shumë prej tyre, shkëmbimi i dinarëve me euro për të bërë pazar në jug është një vendim i keq ekonomik në afat të gjatë, meqë paratë e humbura në këmbim do t’ua ulnin vlerën e të ardhurave.
Përkohësisht, kriza është shmangur, mallrat serbe janë rifutur në tregun e Kosovës së veriut të mërkurën (më 3 korrik) dhe shumica e dyqaneve janë hapur për biznes. Por, derisa të gjindet një zgjidhje më e institucionalizuar, skenat e dyqaneve të zbrazëta ose të mbyllura do të përsëriten.
Pavarësisht se çka thonë politikanët, mospasja e një shitoreje a barnatoreje të hapur në gjithë qytetin është adaptim mjaft i madh për cilindo qytetar, madje edhe për ata që janë të mësuar me situata ekstreme me ngarkesa politike.
Komuniteti serb tashmë po kontrabandonte libra shkollorë në gjuhën serbe dhe ilaçe që para taksës – qysh nga viti 2015. Kjo praktikë është pjesë e rëndësishme e cilësisë sonë së të jetuarit sa “kontrabandimi” këtu më nuk është as fjalë e keqe as e pandershme. Prandaj, shumica e përdorin eufemizmin “sigurimi i mallrave përmes rrugëve alternative” për t’iu referuar asaj që e konsiderojnë si kontrabandim të arsyetuar.
Tani për tani, duket se Kosova e veriut do t’i kthehet kontrabandimit të produkteve që konsumatorët duan t’i blejnë. Por, sa do të zgjasë kjo varet nga qeveria e Kosovës.
Foto kryesore Milica Andrić Rakić