Blogbox | Politika

Bogdan Bogdanović, një intelektual për t’u mbajtur mend

Nga - 20.05.2021

Vëllimet “Sërbia tjetër” do të përmbledhin qëndrimet e intelektualeve sërb që kundërshtuan shtypjen e shqiptarëve.

Në fund të viteve ‘80, arkitekti i mirënjohur nga Beogradi Bogdan Bogdanović po kthehej nga Mitrovica duke udhëtuar me një shofer shqiptar në veturë me targat e këtij qyteti. Në njërën prej shumë intervistave të tij në mediat jugosllave, në dhjetor të vitit 1989 ai kishte thënë që gjatë kësaj përvoje e kishe kuptuar se ç’do të thoshte me qenë shqiptar në Yugosllavi: “Gjithçka na bënë gjatë rrugës: i binin burisë, fishkëllonin, kërcënonin se do të na shtypnin me kamion”.

Në prag të shkatërimit të ish-Jugosllavisë, represionin dhe aparteidin e Serbisë në Kosovë që do të intenfisikohej gjatë viteve ‘90, Bodanović e kishe cilësuar fashizëm, duke shtuar se këtë “populli sërb, ne sërbët, fëmijët dhe nipat tanë, do ta mbajmë në ndërgjegje”. Rrënimin dhe mbytjen e qyteteve dhe të njerëzve në Kosovë, si dhe mungesën e vetëdijes sërbe për këtë, Bogdanović e kishte konsideruar tragjedi morale të popullit sërb.

Bogdanović është pjesë e grupit të intelektualëve sërbë që i kundërshtonin shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve sërbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Sërbia më 23 mars 1989 e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999, madje edhe më tej. Këto shkelje kulmuan gjatë viteve 1998–1999 në krime lufte e krime kundër njerëzimit, me vrasjet e afro 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunimet e mijëra, në veçanti grave, deportimin e gati një milion shqiptarëve, djegien dhe shkatërrimin e rreth 100 mijë shtëpive, si dhe me dëme të tjera shpirtërore e materiale.

Me qëllim për të përmbledhur qëndrimet e intelektualëve sërbë që kishin kundërshtuar represionin shtetëror sërb ndaj shqiptarëve gjatë viteve ‘90, organizata ADMOVERE lancoi projektin “Sërbia tjetër”, me mbështetje nga KFOS. Për këtë qëllim janë hulumtuar gjerësisht artikuj dhe intervista të botuara gjatë këtij harku kohor prej mbi tri dekadash nëpër gazetat ditore dhe publikimet javore të Kosovës, të Sërbisë, e më gjerë. 

Në vëllimin e parë të publikuar më 2021 janë përfshirë fragmente nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual të këtillë, arkitektit Bogdan Bogdanović, në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90.

Bogdanović, kritik e i zëshëm

Bogdanović u lind më 1922 në Beograd dhe ishte përfshi në rezistencën antifashiste që në vitin 1941. I shkolluar për arkitekt në Beograd, pas Luftës së Dytë Botërore projektoi më se 20 monumente për viktimat e luftës dhe të fashizmit. Dy prej tyre, ai në Jasenovac dhe tjetri në Vukovar, u njohën ndërkombëtarisht. 

Ai ligjëroi urbanologji në Universitetin e Beogradit dhe përveçse autor i shumë artikujve qoftë për arkitekturë apo komente politike, mjaft prej të cilëve të botuar edhe nëpër revista ndërkombëtare, ishte edhe autor i disa librave. Në vitet 1980 drejtoi Komunën e Beogradit ndërsa më 1981 dha dorëheqje nga Akademia Sërbe e Shkencave dhe e Arteve ngaqë nuk pajtohej me politikat nacionaliste të këtij institucioni. Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, duke qenë majtist i flaktë, e kundërshtoi rreptë nacionalizmin sërb. 

Vëllimi i ADMOVERE për Bogdanović-in përfshinë fragmente në të cilat ai kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës gjatë viteve ‘90 dhe raportet e saj me Sërbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-sërbe përgjithësisht. Për shembull, ai i kundërshtonte standardet e dyfishta të përfaqësuesve të regjimit sërb gjatë viteve ’90, të cilët për Krajinën në Kroaci kërkonin autonomi me të drejtë për shkëputje, ndërkaq Kosovës këtë ia mohonin kategorikisht. Për më shumë, Bogdanović është i pari sërb që qysh më 1990 e tha publikisht se në Kosovë ishte tashmë vonë edhe për republikë, duke e konsideruar dëshirën e shqiptarëve për bashkim si të drejtë legjitime.

Për më tepër, ai nuk mbështeste ankesën sërbe se situata demografike në Kosove po ndryshonte me rritje të popullësise shqiptare. Argumenti i tij ishte se për njëqind vjet sa Kosova ishte pjesë e Sërbisë, sërbet iknin prej andej e një prej arsyeve për këtë ishte zhvendosja në pjesë më të pasura, duke ua shitur tokën shqiptarëve për një çmim të mirë. Ideja e tij ishte se territori ku jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë që përbëjnë mbi 90% të popullatës së atij territori, u takon njerëzve që jetojnë aty dhe kjo i duhet thënë popullit sërb, ndonëse të gjithë e dinë, por nuk kanë forcë a guxim që ta pohojnë.

Kundërshtimi i tij ndaj nacionalizmit serb të 90-ve më së miri e ilustron letra e gjatë, të cilën në fund të viteve ‘80 ia dërgoi Milošević-it.

Në vijim të kësaj, Bogdanović thoshte “E kemi dhënë Kosovën, por e kemi marrë Vojvodinën” dhe shtonte se kur Kosova ishte djepi i mbretërisë sërbe, Beogradi ishte i hungarezëve. Sipas tij, Sërbia do duhej ta kuptonte se të fitosh miq është më e rëndësishme se të pushtosh territore, e se interesi kombëtar i sërbëve është që me shqiptarët të jenë miq dhe që në Kosovë ta mbajnë atë pjesë të popullatës sërbe që don të jetojë atje. Ai thoshte që tempujt do të jenë në shtëpinë e miqve duke iu referuar historive se si shqiptarët i kanë ruajtur ato, për shembull, Patriarkanën e Pejës e kanë ruajtur Kelmendët e Rugovës.

Bogdanović ka bërë një sërë parashikimesh të sakta për zhvillimet politike gjatë viteve ’90, madje shumë vite përpara se ato të jetësoheshin. Tri prej tyre janë të jashtëzakonta: i pari, se presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Milošević do të ulet në bankën e të akuzuarve për t’u përgjigjur për krime lufte para shumë popujve; i dyti, nëse populli sërb ia mësyn një lufte në Kosovë, ai do ta humbë atë me turp; dhe i treti, Beogradi do të bombardohet.

Kundërshtimi i tij ndaj nacionalizmit serb të 90-ve më së miri e ilustron letra e gjatë, të cilën në fund të viteve ‘80 ia dërgoi Milošević-it. Kjo letër dhe kritikat e tjera antinacionaliste ndaj Milošević-it i nxitën përpjekjet për t’ia thyer banesën, kërcënimet për linçim dhe, në fund, përjashtimin nga partia. Sulmet kundër tij bënë që më 1993, bashkë me të shoqen, Ksenija-n, të shpërngulej nga Beogradi në Vjenë, ku vdiq më 2010.

Zëra tjerë kundër shtypjes

Përderisa Bogdanović është ndër më të njohurit, janë edhe disa intelektualë të tjerë sërbë që ngjajshëm kritikonin represionin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Andaj, në kuadër të projektit “Sërbia tjetër” publikimet vijuese të ADMOVERE do të përfshijnë edhe fragmentet nga artikujt e intervistat e të tjerëve që, ndonëse të paktë, megjithatë ishin, e që për fat të keq, më nuk janë më në këtë botë. Ata janë: sociologu Bogdan Denitch (1929–2016), diplomati Ilija Đukić (1930–2002]), historiani Ivan Đurić (1947–1997), regjisori Lazar Stojanović (1944–2017), disidenti Mihajlo Mihajlov (1934–2010), kryediplomati Miloš Minić (1914–2003), shkrimtari Mirko Kovač (1938–2013), avokati Srđa Popović (1937–2013), e të tjerë.

Të gjithë këta intelektualë u frymëzuan nga socialdemokratët sërbë si Dimitrije Tucović, Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević, Triša Kaclerović, e të tjerë, të cilët gjatë viteve 1912-13, kur Sërbia e pushtoi Kosovën, kundërshtuan krimet e llahtarshme të shtetit sërb ndaj popullatës së pafajshme civile shqiptare në Kosovë. 

Këto personalitete te populli sërb janë parë si tradhtarë e janë paragjykuar, njollosë e sulmuar, ndërkaq te populli shqiptar janë shikuar kryesisht me mosbesim dhe rrjedhimisht janë shpërfillë.

Sa për ilustrim, një artikull i socialdemokratit Tucović, në gazetën socialiste të Beogradit “Radničke novine” të kohës shkruan: “ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”. Një artikull redaksional i kësaj gazete thoshte se posedonte të dhëna për krime aq të tmerrshme të forcave sërbe ndaj shqiptarëve, sa parapëlqente të mos i publikonte fare. Për fat të keq, këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), pastaj gjatë viteve 1946-1966, e në fund edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999).

Projekti “Sërbia tjetër” jo vetëm ofron modele të intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’ të vet, pavarësisht prej arsyetimeve të tyre, por edhe nderon intelektualin që kësisoj shpesh e vë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim manhitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, këto personalitete te populli sërb janë parë si tradhtarë e janë paragjykuar, njollosë, anatemuar e sulmuar, ndërkaq te populli shqiptar janë shikuar kryesisht me mosbesim dhe rrjedhimisht janë shpërfillë.

Kosova e pasluftës nuk e ka ndonjë rrugë, shesh, a shkollë, me emrin e arktitektit e humanistit Bogdan Bogdanović, ndonëse ai ishte ideator edhe i disa monumenteve të ngritura në Kosovë, si Monumenti i Minatorit në Mitrovicë. Për më shumë, ai edhe e kishte kundërshtuar ashpër mbylljen e shkollave shqipe nga pushteti i Milošević-it në fillim të viteve ’90. E megjithëse më i zëshmi intelektual sërb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi sërb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj, Kuvendi i Kosovës nuk e ftoi as në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Prandaj, për fund duhet thënë se ky publikim mëton të jetë një mirënjohje modeste për kontributin e madh të intelektualit të jashtëzakontë Bogdanović për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, si dhe për kontributin e tij drejt ndarjes paqësore e miqësore të shqiptarëve me sërbët, por edhe bashkëjetesës së tyre mbi baza të tolerancës dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.