Pikëpamje | Dialogu

‘Korrigjimi i kufijve’ me Serbinë: Kompromis apo Paqe?

Nga - 02.10.2018

Apo, pse Kosovës i duhen Luanë e jo Qengja.

Mbështetja e Charles Kupchan për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndarjen e Kosovës përgjatë linjave etnike tërhoqi shumë vëmendje publike, veçanërisht pasi ai e miratoi si “formë paqësore e spastrimit etnik”.

Sipas Kupchan, pragmatizmi do të duhej ta mposhtë parimin, edhe nëse rezultati do të ishte moralisht ofendues. Kjo tingëllon si këshillë e një realistit të vërtetë politik, i cili preferon t’i sheh marrëdhëniet e pushtetit dhe pasojat politike, në vend të parimeve ligjore apo morale, si kritere për vendime të politikës së jashtme.

Kupchan e dha edhe një argument për ta mbështetur ndarjen përgjatë linjave etnike, por me të nuk tërhoqi shumë vëmendje. Ai tha se nëse Serbisë i ipet një pjesë e Kosovës, Serbia do të transformohej nga një “ngatërrestare e hidhëruar në një palë e kënaqur e interesit” në rajon. Teoria e Kupchan ishte se pasi të kënaqet, Serbia më pas mund ta shkurajojë entitetin të përbërë kryesisht nga serbët e Bosnjes, Republikën Serbe, që të mos kërkojnë ndarje nga Bosnja dhe Hercegovina.

Idea është mjaft e thjeshtë: Serbia kënaqet duke e marrë një pjesë të Kosovës, dhe Serbia heq dorë nga pretendimet nacionaliste të saj në Ballkan, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë. Kënaqe Serbinë duke e sakrifikuar integritetin territorial të Kosovës për të mirën më të madhe të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Siç thotë Kupchan, “efektet pozitive të pajtimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës e justifikojnë më tej një rast të vetëm të sakrifikimit të parimeve pluraliste”. Megjithatë, kjo do të ishte fatalisht e gabuar, jo vetëm për shkak se do t’i sakrifikonte parimet themelore, por edhe për shkak se nuk i qëndron testit të realistëve politikë.

Realizmi politik na mëson se shteti duhet të ketë kujdes kur bën kompromise me një shtet tjetër që nuk është i kënaqur me status kuonë.

Kupchan me sa duket e ka propozuar një politikë të paqes në lidhje me Serbinë, domethënë janë përpjekje për t’i plotësuar kërkesat e një shteti që dëshiron ta kthejë mbrapsht rendin ekzistues politik. Kjo taktikë zakonisht asociohet me politikat e jashtme që arritën kulmin në Konferencën e Mynihut në 1938.

Në atë kohë, Hitleri ishte i etur për ta kthyer mbrapshtë rendin politik që ishte krijuar nga Traktati i Versajës në 1919, nën të cilin Gjermania po vuante më së shumti. Ai e shkeli Traktatin e Versajës, sa i përket kufizimeve të armëve që ishin imponuar mbi Gjermaninë, dhe në 1936, ai madje e okupoi përsëri Rhinelandën. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (MB) nuk i kundërshtuan realisht këto lëvizje sepse – MB në veçanti – i shihnin kufizimet e imponuara nga Versaja mbi Gjermaninë si të padrejta.

Në 1938, Hitleri e justifikoi aneksimin e Austrisë duke iu referuar parimit të vetëvendosjes – për t’i kthyer të gjithë gjermanët ‘përsëri në Reich’. Në atë vit, ai i morri pjesët e Çekosllavisë që ishin të populluara me gjermanë.

Në Konferencën e Mynihut në 1938, Franca dhe MB u pajtuan që Çekosllovakia të ndahej përgjatë linjave etnike. Hitleri deklaronte se Gjermania nuk do të kishte më pretendime territoriale dhe se duke i inkorporuar pjesët gjermane të Çekosllovakisë, Gjermania do të ishte ‘e kënaqur’. Më pak se gjashtë muaj pas Konferencës së Mynihut, Hitleri e pushtoi gjithë Çekosllovakinë, dhe pastaj e sulmoi Poloninë, dhe kështu nisi Lufta e Dytë Botërore.

Mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në mënyrë ushtarake në ’territore të largëta’, ndjesia e fajit për kufizimet e imponuara nga Versaja mbi Gjermaninë, dhe vlerësimi i gabuar i synimeve të Hitlerit në politikë të jashtme i motivuan francezët dhe britanezët për të bërë koncesione aty ku nuk duhej. Pasojat ishin katastrofike.

Realizmi politik na mëson se shteti duhet të ketë kujdes kur bën kompromise me një shtet tjetër që nuk është i kënaqur me status kuonë. Politikat e kompromisit dhe përshtatjes – merr jep – janë të arsyeshme kur të dy vendet e pranojnë status kuonë politike, domethënë distribuimin ekzistues të pushtetit, përderisa kompromisi nuk e ndryshon status kuonë. Politikat e kompromisit nuk funksionojnë kur njëri prej shteteve është shtet ‘revizionist’ i cili ka për synim ta përmbysë status kuonë dhe ta ndryshojë balancin e pushtetit në avantazh të tij.

Gjermania e Hitlerit ishte një shtet i tillë revizionist, ndërsa Franca dhe MB besonin se ishte shtet i ‘status kuosë’. Zbatimi i politikave të kompromisit (paqësimit), që funksionojnë ndërmjet shteteve të ‘status kuosë’, në relacion me një shtet revizionist është politikë e gabuar. Në këtë rast, përmbajtja, domethënë mbrojtja e status kuosë ekzistuese, është politika e duhur.

Serbia mbetet si kundërshtuese e kësaj status kuoje, dhe si politikë zyrtare e ka ta kthejë mbrapsht këtë rend të ri politik.

Serbia është një shtet i tillë revizionist. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në 1999 solli një ndryshim në distribuimin e pushtetit kur e gdhendi ndarjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk çoi vetëm deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës në 2008, por e dobësoi edhe pushtetin relativ të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. NATO kështu e krijoi një status kuo të re politike të bazuar në një fitore ushtarake ndaj Serbisë, që u formalizua në Marrëveshjen Ushtarake-Teknike 1999.

Serbia mbetet si kundërshtuese e kësaj status kuoje, dhe si politikë zyrtare e ka ta kthejë mbrapsht këtë rend të ri politik. Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të Serbisë. Politikat e jashtme të saj janë shumë agresive: e parandalon Kosovën që të mos zhvillojë marrëdhënie të reja bilaterale dhe të mos anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, domethënë të mos njihet ndërkombëtarisht si shtet. Ministri i punëve të jashtme të Serbisë së fundmi deklaroi se Serbia do ta njeh Kosovën “kur të fluturojnë derrat”.

Pavarësisht premtimeve boshe të Serbisë për mospërdorim të forcës, vetëm prania ushtarake e NATO-s në Kosovë e parandalon Serbinë që të mos e kërkojë kthimin e status kuosë së kaluar nëpërmjet veprimeve ushtarake. Ushtria e Serbisë është nën alarm sa herë paraqitet Policia Speciale e Kosovës në komunat veriore të Kosovës, gjë që tregon sa të gatshëm janë lidershipi i Serbisë për të shkrepur.

Lëvdatat publike që i dha Presidenti i Serbisë Vučić për Slobodan Milošević-in, duke e quajtur ‘lider të madh serb, qëllimet e së cilit sigurisht ishin për më të mirën’, tregojnë mbështetje për ambiciet politike për krijimin e ‘Serbisë së Madhe’, që sipas Vučić-it ka dështuar sepse janë zbatuar metodat e gabuara, ndërsa synimi mbetet legjitim.

Ndonëse Vučić ka kujdes që të mos tregojë publikisht armiqësinë e tij ndaj integritetit territorial të Bosnjes dhe Hercegovinës, ai është i etur për t’i forcuar lidhjet ndërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe. Me mbështetje të Serbisë dhe Rusisë, Republika Serbe jo vetëm që po i armatos qytetarët dhe po e vënë në dyshim sovranitetin e Bosnjes dhe Hercegovinës, por edhe po i pret rrethanat e duhura historike’ për t’u bashkuar me Serbinë. Serbia sigurisht do të ishte e fundit për ta kundërshtuar një unifikim të Republikës Serbe me Serbinë në stilin e Krimesë.

Kosova duhet ta mbrojë status kuonë dhe të mos i bëjë koncesione territoriale Serbisë, e të mos bëjë koncesione që e ndryshojnë substancialisht natyrën e Pakos së Ahtisarit.

Pra Kosova do të gabonte po ta pranonte ndarjen përgjatë linjave etnike. Kosova nuk do të përfitonte shumë me inkorporimin e Luginës së Preshevës që është ekonomikisht e dobët, ndërsa Serbia do të përfitonte nga burimet jetike që gjinden në veri të Kosovës.

A do të ndalej me kaq Serbia? Kur të ndryshojnë parimet themelore të rendit politik në Ballkanin Perëndimor dhe të legjitimohen ‘politikat e linjave etnike’, Serbia mund ta përdorë të njejtin parim për të bërë kërkesa tjera për serbët në pjesët jugore të Kosovës.

Ku do të çojë kjo? Autonomi territoriale për komunat serbe në pjesët e mbetura të Kosovës? Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë gjithashtu do të ketë nevojë për mbrojtje dhe koncesione shtesë që lidhen me këto çështje. Nëse funksionojnë ‘politikat e linjave etnike’ në Kosovë, pse të mos funksionojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, e mbase edhe në Maqedoni?

A do ta njehë Serbia Kosovën nëse e merr një pjesë të Kosovës? Me shumë gjasë jo. A do t’i bashkohet Kosova BE-së dhe OKB-së, vetëm për shkak se i ka plotësuar kërkesat e Serbisë? Me shumë gjasë jo, sepse Kosova është ende larg përmbushjes së kritereve më bazike për anëtarësim në BE, dhe anëtarësimi në OKB mund të dështojë ende për shkak të vetos së Rusisë dhe Kinës.

Pika kyçe është që Serbia do të arrinte sukses me politikën e saj për ta kthyer mbrapsht status kuonë e krijuar me ndërhyrjen e NATO-s. Ky ndryshim do të bëhej në dëm të Kosovës, por çuditërisht, Serbia do ta arrinte atë me mbështetje të Kosovës.

Kosova duhet ta mbrojë status kuonë dhe të mos i bëjë koncesione territoriale Serbisë, e të mos bëjë koncesione që e ndryshojnë substancialisht natyrën e Pakos së Ahtisarit. Kosova ka përparësi ndaj Serbisë dhe duhet ta përdorë atë. Serbia nuk do të ketë mundësi t’i bashkohet BE-së, edhe nëse i përmbushë të gjitha kriteret tjera, përveç nëse lidh marrëveshje ligjore me Kosovën.

Kostot sociale dhe ekonomike me të cilat përballet Serbia nëse nuk i bashkohet BE-së janë shumë më të larta se ato të Kosovës. Kosova ka mbështetje të bollshme financiare nga BE nëpërmjet fondeve IPA dhe ndihmës së donatorëve bilateralë, në fakt ka më shumë se që mund të absorbojë realisht. Prapëseprapë duhet të ndërmerrë reforma të rëndësishme ekonomike, administrative dhe ligjore, para se të fillojë të mendojë për anëtarësim në BE.

Ndonëse është e dëshirueshme për Kosovën që të arrihet një marrëveshje me Serbinë sa më parë, kjo nuk duhet të bëhet me çfarëdo kosto. Kosova mund t’i zgjatë negociatat me Serbinë pa humbje të mëdha. Serbia nuk ka llogari t’i zgjatë negociatat sepse kostot relative të mundësisë do të rriten sa më shumë që kalon kohë duke negociuar një marrëveshje me Kosovën.

Shqetësimet se Serbia po afrohet edhe më shumë me Rusinë si rrjedhojë e bllokimit të anëtarësimit të saj në BE nga Kosova mund ta shpjegojnë mbështetjen që po e japin SHBA dhe BE për ndarjen e Kosovës përgjatë linjave etnike. Ata mund ta shohin paqësimin e Serbisë në dëm të Kosovës si zgjidhje të shpejtë për ta mbajtur Serbinë larg Rusisë.

Kosova nuk ka nevojë për ‘qengja’, por për ‘luanë’, të cilët janë të gatshëm t’i mbrojnë interesat e Kosovës dhe kanë vullnet për t’i paguar kostot e nevojshme për ta ruajtur Kosovën nga Serbia revizioniste.

Pra a duhet të dorëzohet Kosova? Përgjigja është jo. Kosova duhet ta përdorë përparësinë që e ka ndaj Serbisë duke imponuar kosto mbi Serbinë sa më gjatë që ajo refuzon një marrëveshje që e njeh Kosovën si shtet të pavarur brenda kufijve të saj ekzistues.

Kosova duhet të angazhohet në negociata dobiprurëse duke ofruar të drejta dhe mbrojtje për minoritetet, bazuar në parimet e multi-etnicitetit dhe qytetarisë, dhe jo etnicitetit dhe nacionalizmit. Duhet të negociojë dhe ta mbrojë status kuonë në bazë të vlerave dhe parimeve të Bashkimit Evropian dhe të demonstrojë se është partner i përgjegjshëm për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

Kjo do ta çonte Serbinë deri te pika e thyerjes, dhe siç ka thënë Vučić, Serbia “nuk do të merrte asgjë substanciale nga negociatat me Kosovën” dhe prapëseprapë do të duhej ta njihte atë.

Për të funksionuar kjo, lidershipi politik i Kosovës duhet të jenë luanë, e jo qengja. Kjo metaforë i referohet dallimit që e bën shkencëtari politik Randall Schweller ndërmjet shteteve që janë të gatshme të paguajnë kosto të lartë për t’i mbrojtur ato që i posedojnë (‘luanët’) dhe ata që janë të gatshëm të paguajnë vetëm kosto të vogël për t’i mbrojtur vlerat e tyre (‘qengja’).

Siç e shpjegon Schweller, qengjat janë shtete të dobëta që karakterizohen me aftësi relativisht të pakta, me mungesë të legjitimitetit institucional, me ndarje të brendshme dhe identitete të shqyera. Të qenit ‘qengj’ është gjithashtu mendësi që përcjellet nga lidershipi politk i vendit që e merr përsipër këtë rol sepse i përshtatet interesave personale të elitave politike ose nuk kanë vetëbesim të mjaftueshëm për të qenë ‘luanë’.

Gatishmëria për t’u pajtuar me ndarjen e reflekton mendësinë e ‘qengjit’. Por Kosova nuk ka nevojë për ‘qengja’, por për ‘luanë’, të cilët janë të gatshëm t’i mbrojnë interesat e Kosovës dhe kanë vullnet për t’i paguar kostot e nevojshme për ta ruajtur Kosovën nga Serbia revizioniste. Sfidë e vërtetë është t’i vendosim ‘luanët’ në krye të Kosovës dhe negociatave dhe t’i heqim ‘qengjat’.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.