Dita e 13 marsit do të duhej të ishte e zakonshme për Albert Ibriqin. Si çdo ditë pune, ai do të zgjohej pak pas orës 6, do të bëhej gati shpejt e shpejt, e nga Komorani do të nisej në drejtim të Prishtinës për të mbërritur në punë në orën 8. Tash e gati një vit, 25-vjeçari punon si kamarier në një restorant në lagjen Bregu i Diellit, dhe shumica e ditëve gjatë muajit i fillojnë pak a shumë kështu. Ama 13 marsi s’do të ishte ditë e zakonshme pune.
Me t’u futur në restorant, Alberti pa se kish më pak myshterinj se zakonisht, si dhe plot dezinfektues ishin lënë te dera e hyrjes e nëpër tavolina. E zakonshmja e vetme e atij mëngjesi ishte biseda rreth Coronavirusit, i cili prej një jave po ua diktonte llafet.
“Veç u pat ba ajo panika — si te stafi, si te shefat, si te myshteritë”, e kujton atë javë Alberti.
Në javën e dytë të marsit ishin bërë të zakonshme edhe konferencat e qeverisë (tash në detyrë, qëkur Kuvendi e rrëzoi më 25 mars) me thirrjet që të mos përhapet panik rreth koronavirusit dhe të bëhet kujdes. Por të premten pasdite, në të 13-tin, Kryeministri Albin Kurti përkrah me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia e mbajtën një konferencë që s’ishte si ato parapraket. Aty njoftuan se dy persona kishin dalë pozitivë me COVID-19, duke shënuar të prekurit e parë në Kosovë.
Po atë mbrëmje, si kundërpërgjigje ndaj përhapjes së virusit, qeveria u mblodh dhe mori një varg vendimesh — ndër dhjetë masat që vendosën ishte mbyllja e kafeterive, pijetoreve, bareve e restoranteve.
Edhe para këtij vendimi, Berat Rexhepi veçse kish filluar të mendonte për ta mbyllur lokalin e tij. 36-vjeçari, pronar i një kafeterie në Skënderaj, ditë më parë kish bërë llaf me pronarë të kafeterive tjera për këtë ide; gjithë për çfarë ishin pajtuar ishte të dezinfektonin lokalet e tyre.
Pasi u publikua lajmi për vendimin e qeverisë, Berati u tha dy punëtorëve që ishin në ndërrim atë natë se “prej sonte p’e mbyllim lokalin”.
“Menojsha ma s’pari për veten, punëtorët e mi, familjet tona, e tani myshteritë”, thotë ai, dhe çuditet se si vendimi i qeverisë nuk erdhi para se të shpalleshin dy rastet e para të të prekurve me virus. “Ka qarkullim aty [në kafeteri], ne ishim të rrezikuar të parët”, thotë ai.
Brenga e tij për rrezikun nga COVID-19 ishte rritur edhe nga bisedat e përjavshme me prindërit e familjarët tjerë me banim në Itali, të cilët i tregonin për dëmet që veç ishte duke i bërë atje kjo pandemi. “Qef s’kishim me e mshelë pasi është burimi i të ardhurave për neve, ama kur preket shëndeti, atëherë kjo është primare”, thotë ai.
Pasi u publikua lajmi për vendimin e qeverisë, kah ora 8 në mbrëmje, Berati u tha dy punëtorëve që ishin në ndërrim atë natë se “prej sonte p’e mbyllim lokalin”, kumt të cilin do t’ua jepte me telefon edhe dy punëtorëve të tjerë që kishin qenë në ndërrimin e paradites.
Ndërsa Alberti atë të premte e kishte orarin deri në 4 pasdite, por qëndroi pak më gjatë në punë. Në restorantin ku ai punon, si shpeshherë, edhe atë ditë ishte planifikuar një ndejë. Por sapo u krye ndërrimi i paradites e erdhën punëtorët e pasdites, punëdhënësit e Albertit i mblodhën të gjithë për t’u thënë se gjasat ishin që ndeja të mos mbahej.
Pak e hiq myshterinj ishin dukur gjatë ditës, dhe ai thotë se ngaqë ishin të frikësuar pas shfaqjes së rasteve të para me virus, pronarët arritën t’i bindnin edhe muzikantët që do të performonin atë natë për të mos e mbajtur ndejën. Ata po ashtu u thanë punëtorëve që prej asaj nate nuk do të punonin më, pasi po e mbyllnin lokalin.
Me t’u vendosur kjo, Alberti u nis për në shtëpi.
E nesërmja e gjatë
Berati veçse e kish mbyllur kafeterinë, ndërsa Alberti do të duhej që edhe të shtunën të shkonte në punë, ama jo për të shërbyer. Ai dhe kolegët e tij do t’i pastronin ambientet e restaurantit, do t’i largonin produktet ushqimore që mund të prisheshin, e do ta dezinfektonin edhe njëherë lokalin para se ta mbyllnin.
Pas disa orëve punë atë ditë, ai udhëtoi për në Komoran ku po qëndron edhe momentalisht në vetizolim, duke i përcjellur rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe masat kufizuese të qeverisë. Ama pushimi “me zor” që po e bën tash e dy javë është duke e brengosur goxha. “Në njëfarë mënyre unë jam ai që e mbaj familjen”, thotë ai.
Albert Ibriqi, i cili tash e 11 vjet punon si kamarier, e kryen pazarin ushqimor për familjen. Foto: Cristina Marí / K2.0.
Që disa vite i riu kujdeset ta sjellë shportën ushqimore në vatrën e familjes me shtatë anëtarë. Shportën e siguroi edhe për mars, pasi të shtunën kur e mbyllën lokalin e mori rrogën mujore. “Unë ia kom fillu punës kah 20 qershori i vitit të kaluar, e prej atëherë rrogën e marr në këtë datë”, tregon ai.
Edhe ato gjashtë ditë që i mbetën jashtë muajit të punës iu paguan. Por ai s’e di a do të vazhdojë ta marrë rrogën e përmuajshme prej 350 eurosh, e kështu të blejë ushqim për familjen edhe në muajt që vijnë.
“S’po guxoj as me menu se çka ka me ndodhë nesër”, thotë Alberti.
Pasigurinë e Albertit e ndajnë edhe shumë të tjerë — sipas Anketës së Fuqisë Punëtore, në tremujorin e fundit të vitit që shkoi shumica e të punësuarve në Kosovë kishin pozita pune në shërbime dhe shitje në dyqane e tregje; prej tyre, shumica ishin burra.
Punëtorët pa kontrata pune nuk i mbron ligji dhe zor se shteti mund të garantojë që do të kompenzohen.
Përveç punëtorëve të regjistruar formalisht, ka edhe shumë të tjerë që nuk hyjnë në numrat zyrtarë sepse nuk kanë kontrata pune. Sipas një hulumtimi të Bankës Botërore, në Kosovë, punëtorët me pagë në biznese të vogla — më të prekurit në këtë kohë krize — kanë më pak gjasa të kenë kontrata sesa ata në biznese të mëdha. Duke qenë kështu, këta punëtorë nuk “i kap” ligji dhe zor se shteti mund t’i mbrojë duke garantuar që do të kompenzohen.
K2.0 e ka pyetur qeverinë se çka do të ndodhë me Albertin e të tjerët si ai pas vendimit për mbylljen e lokaleve ku ata punojnë. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se për këtë muaj ata duhet të paguhen nga punëdhënësit e tyre.
“Rikujtojmë se punëdhënësit, sidomos ata të regjistruar, kanë obligim ligjor, sipas Ligjit të Punës, neni 61, që të kompenzojnë punëtorët e tyre të paktën për muajin mars 2020”, është përgjigja e Kryeziut.
E kjo pasi mungesa e punëtorëve në punë është e arsyeshme, për shkak se, sipas nenit 61 të Ligjit të Punës, “me vendim të organit të autorizuar shtetëror, për shkak të pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë, i/e punësuari/ja (punëtori/ja) ka të drejtën e mungesës me arsye nga puna”, vazhdon përgjigja e tij. Sipas Kryeziut, kjo mungesë është e arsyeshme vetëm për 45 ditë gjatë vitit, duke u bazuar tek i njëjti ligj e po tek i njëjti nen.
Më 13 mars, në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e COVID-19, qeveria vendosi për mbylljen e kafeterive, pijetoreve, bareve e restoranteve. Foto nga Zyra e Kryeministrit.
Ndërkaq më 27 mars Ministri në detyrë i Financave dhe Trasfereve Besnik Bislimi e prezentoi pakon emergjente të qeverisë për të ndihmuar përballimin e krizës ekonomike si pasojë e pandemisë. Në të parashihet që për dy muajt e ardhshëm qeveria ta mbulojë pagën minimale prej 170 euro dhe kontributet pensionale për punëtorët e kompanive që kanë shënuar rënie të veprimtarisë ose “janë detyruar ta mbajnë stafin në shtëpi” për shkak të masave kufizuese të qeverisë.
Përpjekja “për të qarkulluar”
Për muajin mars Berati thotë se do t’i paguajë punëtorët.
Që nga hapja e biznesit në vitin 2011, tregon ai, i ka paguar punëtorët në fund të çdo muaji, e kështu do të veprojë edhe kësaj here. “Dy punëtorëve që mbajnë edhe familjet me këtë rrogë iu kam dhanë parapagim rrogat e këtij muaji”, thotë ai.
Qarkullimi ditor, sipas tij, siguron të ardhurat e rrjedhimisht pagat e punëtorëve në këtë sektor. “Vetëm këto javë jemi dëmtuar boll financiarisht”, aludon ai për mungeses së të ardhurave nga myshterinjtë si pasojë e mbylljes së kafeterisë.
Të vetëdijshëm se u rrezikoheshin pagat e muajve të ardhshëm, punëtorët i kishin sugjeruar Beratit që të shikojë ndonjë mundësi “për të qarkulluar diçka”. I propozuan që së paku të punonin “take-away”. “Nuk disha me interpretu ligjin [vendimin e qeverisë], prandaj nuk veprova kurgjo”, thotë Berati, edhe pse i kishte pyetur disa të njohur komunarë.
Atij e shumë pronarëve të tjerë të kafeterive, pijetoreve, bareve e restauranteve ua sqaroi vendimin njëherë e mirë urdhëresa e datës 23 mars, e shpallur nga Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari. Përpos që potenconte mbylljen e veprimtarive gastronomike, urdhëresa u tregonte pronarëve të lokaleve se çka munden e çka s’munden të bëjnë gjatë pandemisë.
“Duhet t’i demobilizojnë tavolinat e karriget që përdoren për shërbim brenda lokaleve të tyre dhe duhet t’i mbyllin dyert për klientët vizitues; Nuk u lejohet shërbimi marrje me vete (take-away); Por u lejohet që produktet/shërbimet t’i shpërndajnë me porosi (delivery), si dhe; Brenda lokaleve të tyre nuk lejohet të qëndrojë asnjë person, përveç personelit’’, thotë, ndër tjera, urdhëresa.
"Po punohet edhe në një mbështetje fiskale, menjëherë pas përfundimit të situatës, në mënyrë që sa më shpejt të ringjallet ekonomia."
Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë
E ndërsa Berati i vëzhgon vendimet e deritashme të qeverisë, të cilat thotë se i mirëkupton për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia, insiston se ajo e komunat duhet të marrin hapa tjerë përcjellës për t’i ndihmuar bizneset, sidomos ato të voglat. Sipas tij, kriza ekonomike që po e përcjellë pandeminë do të shkaktojë vështirësi të mëdha dhe do të falimentojë shumë biznese, megjithëse thotë se nuk do ta mbyllë biznesin e tij.
“Bizneset [deri] me nga 10 punëtorë preken, se bankat s’kanë me pasë këtë problem”, thotë ai. “Bankave u shtyhen kreditë për nja dy muaj, ama prapë i marrin”.
Lehtësimi i barrës
Në pakon emergjente të shpalosur më 27 mars nga Ministria e Financave dhe Transfereve (MFT), parashihet që për dy muajt e ardhshëm qeveria t’ua subvencionojë qiranë deri në 50% ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që për shkak të humbjeve ekonomike gjatë kësaj kohe nuk kanë mundësi t’i paguajnë qiratë.
Kryeziu thotë se në qeveri janë të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ballafaqohet sektori në të cilin punojnë Alberti e Berati, dhe se kanë plane edhe për kur të përfundojë periudha e pandemisë: ‘‘Njëkohësisht, po punohet edhe në një mbështetje fiskale, menjëherë pas përfundimit të situatës, në mënyrë që sa më shpejt të ringjallet ekonomia”.
Ndërsa, odat ekonomike në vend kanë kërkuar nga qeveria që pakoja financiare në ndihmesë të bizneseve të kapë vlerën prej 5% të bruto produktit vendor. Ata po ashtu e kanë konsideruar të nevojshëm krijimin e një portali për publikim të “vendimeve dhe njoftimeve që lidhen me masat parandaluese kundër COVID-19”, me qëllim të informimit gjithëpërfshirës.
Për Beratin më të rëndësishmit janë dy-tre muajt e ardhshëm, pasi thotë se gjatë asaj kohe shumë njerëz mund ta humbin punën e të përfundojnë në listat e asistencës sociale, apo edhe të largohen nga vendi. Për të kjo është çështje e afërt personale pasi të gjithë punëtorët e kafeterisë së tij, pos njërit, janë të njëjtit që nga hapja e saj para nëntë vjetësh.
Berat Rexhepi thotë se për muajin mars do t’i paguajë punëtorët në kafeterinë e tij në Skënderaj. Foto nga Berat Rexhepi.
“Unë e shoh si biznes familjar, pos punëtorëve edhe myshteritë i kemi ata të njëjtit”, tregon ai.
Nga të gjithë të punësuarit e regjistruar në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2019, thuajse 20% prej tyre i përkisnin kategorisë së punësimit “të paqëndrueshëm”, që do të thotë se janë të punësuar në biznesin e vet ose kontribojnë në një biznes familjar. Po sipas Anketës, ka më shumë gjasa që personat në punësim të paqëndrueshëm të mos kenë kontrata pune dhe kushte të përshtatshme të punës.
Në një krizë ekonomike si kjo, të njëjtëve u vështirësohet situata e punësimit edhe më tej.
Zor se mjaftojnë kursimet
Mbyllja e përkohshme e restorantit ku punon Alberti ia ka ndalur edhe një burim të të ardhurave: bakshishet. ‘‘Mesatarisht në ditë 8-10 euro dalin bakshish’’, thotë ai, e me një buzagaz të lehtë e përmend edhe një shujtë në ditë që e ha pa pagesë në vendin e punës.
Këtij të riu — i cili që 11 vjet punon si kamarier — brengat i shtohen edhe më kur kujton mungesën e kursimeve. ‘‘Me qeto çmime që janë te na, nashta kursime kam edhe për 10 apo 15 ditët e ardhshme’’, thotë ai, pa e llogaritur këtu këstin e tij të kredisë prej 51 eurove në muaj.
“Unë jam kthy në Kosovë nga Italia e rri këtu veç për shkak të këtij biznesi."
Berat Rexhepi, pronar i një kafeterie
As Berati nuk i ka punët mirë me kursime. Vitin e kaluar ai me gruan dhe vajzën u shpërngulën nga Mitrovica në Skënderaj. Bashkë me gruan, e cila punon si mësimdhënëse, e morën një kredi dhe e blenë një banesë. “T’gjitha kursimet i kam shti aty”, rrëfen ai.
E duke i parë rrethanat, Berati ka aplikuar që t’i shtyhet afati i pagesës së kredisë, pasi mori vesh për vendimin e Bankës Qendrore që t’ua mundësojë bizneseve dhe individëve që kanë hasur në vështirësi gjatë kësaj kohe t’i pezullojnë këstet e kredive deri më 30 prill.
Thotë se po e konsideron të futet prapë në kredi në mënyrë që të mos e mbyllë biznesin. “Unë jam kthy në Kosovë nga Italia e rri këtu veç për shkak të këtij biznesi”, rrëfen ai.
Zëdhënësi i qeverisë, Kryeziu, thotë se po shqyrtohen disa masa: “Është mundësia e kredive të subvencionuara — pa kamatë — për biznese të cilat kanë nevojë për kredi shtesë”. Ama kjo vlen vetëm për bizneset që kanë nevojë për blerje të lëndës së parë, ku nuk hyn biznesi i Beratit.
Të gjitha mundësitë po shqyrtohen brenda qeverisë, sipas Kryeziut, dhe asgjë nuk është e vendosur derisa qeveritarët t’i nënshkruajnë ato për t’i bërë vendime. Ndërkohë, Alberti e Berati, e shumë të tjerë si ata, ditë pas dite i çajnë hallet me të afërmit dhe mbesin në pritje të masave të reja që do t’ua lehtësonin barrën e rimëkëmbjes.
“Mjerë na që punojmë në sektorin privat”, psherëtin Alberti.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Ky artikull është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) nëpërmjet Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).