Në thelb | COVID-19

Brengat karshi pakos emergjente fiskale

Nga - 29.04.2020

Disa nga masat emergjente të qeverisë zbërthehen nga dy analistë.

Pak ditë pas masave fillestare të qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, i riu Albert Ibriqi brengosej për vështirësitë ekonomike që do të pasonin. Ai ka vite që me punën si kamarier siguron shportën e ushqimit për familjen, e restoranti ku punon u mbyll fill pasi u shfaqën rastet e para me COVID-19 në vend — bashkë me kafeteritë e hapësirat tjera publike.  

Ai u lehtësua paksa kur e mori rrogën e plotë të marsit, por sytë i mbante kah prilli. Sa për shportën ushqimore, aq edhe për këstin mujor të kredisë, atij i duheshin të hyra.   

“S’po guxoj as me menu se çka ka me ndodhë nesër”, thoshte 25-vjecari në fillim të përhapjes së pandemisë në Kosovë, teksa tregonte se ai dhe babai i tij janë të vetmit të punësuar në familjen e tyre 7-anëtarëshe. 

I rënduar ishte edhe Berat Rexhepaj, pronari i një kafeterie në Skënderaj. Ndonëse u lehtësua kur qeveria mori vendim t’i mbyllte kafeteritë, pasi u frikësohej pasojave të virusit — bashkë me lehtësimin i erdhën disa pikëpyetje: kur do t’mund ta hapte kafeterinë sërish, çka me shpenzimet e familjes, pagesat e kamarierëve, qiranë e lokalit e këstin e kredisë. 

Që të dy thonë se prej fillimit ua kishte marrë mendja që mund të ndodhte t’mos ishin në punë përgjatë gjithë prillit. Ama tash kur prillit po i vjen fundi, gjasat janë që edhe përgjatë majit s’do të shërbejnë kafe, e kështu s’do të kenë “qarkullim ditor” si zakonisht. 

Çka tash e tutje? 

Prej mbylljes së disa sektorëve ekonomikë, Albertit, Beratit e shumë të tjerëve që janë prekur ekonomikisht drejtpërdrejt nga kufizimet e aktiviteteve gjatë pandemisë, qeveria ua dha ngapak e ngapak disa përgjigje.

Me të nisur ngujimi, u bë e qartë nga vendimet e qeverisë dhe urdhëresat e ministrive se disa biznese — kryesisht të gastronomisë — s’do të hapen deri kur COVID-19 të mos ketë më konak te kosovarët. Zyra e Kryeministrit tha për K2.0 se bizneset duhet t’i paguajnë punëtorët edhe 45 ditë pas 13 marsit (data kur u mbyllën baret, restorantet e kafeteritë) pasi mungesat e punëtorëve në punë ishin “me arsye”. 

Pastaj, Banka Qendrore e Kosovës mori vendim që bankat komerciale t’ua pezullojnë pagesat e kredive të paktën deri në fund të prillit qytetarëve në vështirësi financiare si pasojë e kufizimeve të qeverisë — por bankat do ta kenë fjalën e fundit se kujt ia mundësojnë këtë e kujt jo.

Disa përgjigje më shumë për brengat e Albertit, Beratit, e mijërave kosovarë tjerë u dhanë me miratimin e Pakos Fiskale Emergjente.

Qeveria e Kosovës më 30 mars e miratoi pakon emergjente të propozuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve. Foto nga Zyra e Kryeministrit.

Kur kryeministri në detyrë Albin Kurti e prezantoi Pakon, ndër tjera tha se “jemi të bindur që krahas kujdesit për shëndetin publik, edhe për shëndetin e ekonomisë sonë do t’ia dalim me këtë pako emergjente”. Po ashtu, ai tha se kjo pako nuk ka për qëllim politika afatgjata dhe dikur më vonë do të dalë pakoja e dytë me synim “rimëkëmbjen ekonomike”.

E derisa të vijë pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, K2.0 ka biseduar për pakon emergjente me Artan Mustafën, hulumtues dhe ligjërues universitar i politikave sociale dhe sociologjisë politike, dhe me Ahmet Rushitin, menaxher i projektit për llogaridhënie politike në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). 

A po mbrohen qytetarët nga varfëria?

Me një buxhet pothuajse 180 milionë euro, 15 masa janë përbërësit e infuzionit të qeverisë, me të cilin do të trajtohet fillimisht shëndeti i ekonomisë së vendit.  

Si qëllime të Pakos Kurti përmendi ndihmën financiare ndaj shtresave të varfëra, ndihmën ndaj bizneseve ashtu që të mos lihen pa rroga punëtorët dhe që gjatë e pas pandemisë ta vazhdojnë aktivitetin ekonomik, e pastaj ndihmën ndaj komunave e ndërmarrjeve publike si dhe ndaj komuniteteve pakicë.

Në kuadër të këtyre masave, familjet që jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike dhe pranojnë ndihmë sociale nga shteti, për muajt mars, prill dhe maj do të pranojnë dyfishin e pagesës mujore. 

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për fundin e vitit 2019, në Kosovë janë mbi 24,000 familje me afër 99,000 anëtarë që pranojnë ndihmë sociale, pra afër 7% e popullsisë. Shuma e përmuajshme e ndihmës sillet mes 50 e 150 euro, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. Kështu, 150 euro mund t’i shtien në xhep vetëm ato familje që kanë 15 a më shumë anëtarë — kjo i bie që për secilin anëtar të ketë rreth 33 centë në ditë.

Sipas Mustafës, qeveritë në Kosovë vazhdimisht kanë dështuar t'i mbrojnë qytetarët nga varfëria.

Për ta rënduar situatën edhe më, është raportuar se në këto kohë kërkesa për ndihmë në ushqim është rritur. Vetëm gjatë prillit, në komunën më të madhe në vend, Prishtinën, rreth 500 familje kërkuan ndihmë për ushqim, duke e rritur kështu numrin zyrtar prej 1,600 familjeve “në nevojë për ushqim” që banojnë brenda këtij territori. 

Njerëzit me kushte të rënda që nuk janë përfitues të asnjë të hyre nga buxheti i shtetit dhe që janë të lajmëruar si të papunë, mund të përfitojnë nga masa e Pakos që për ta parasheh nga 130 euro për muajt prill, maj dhe qershor. Televizioni T7 ka raportuar se mbi 16,000 njerëz kanë aplikuar për të përfituar nga kjo masë. 

E sipas Mustafës, qeveritë në Kosovë vazhdimisht kanë dështuar t’i mbrojnë qytetarët nga varfëria, dhe e njëjta po ndodh me qeverinë e re edhe gjatë periudhës së pandemisë. Për të, si pikënisje e këtij dështimi është mënyra se si konceptohet varfëria dhe mbrojtja ndaj saj. 

Ai thotë se metoda me të cilën përcaktohet shkalla e varfërisë në Kosovë nuk përdoret më në asnjë prej shteteve evropiane. “Në shtete evropiane niveli i varfërisë bazohet në anketat mbi të hyrat në familje, ndërsa në Kosovë mbi çmimin e konsumit bazik për ushqim”, thotë ai. 

Kjo metodologji, sipas tij, është shtyrë përpara nga Banka Botërore dhe nuk ka për qëllim të mbrojë qytetarët nga varfëria, por ta ruajë buxhetin. E për Mustafën është e çuditshme se si qeveria e tanishme nuk ka bërë asnjë hap për ta ndryshuar këtë qasje, edhepse vazhdimisht ka pretenduar se do t’i shtyjë përpara politikat e majta që të garantojë mirëqenie për qytetarët, sidomos për më të ndjeshmit.

Ligjëruesi universitar Artan Mustafa thotë se shkalla e varfërisë në Kosovë përcaktohet me metoda që kanë për qëllim ta ruajnë buxhetin, jo t’u sigurojnë mirëqenie më të ndjeshmëve. Foto e arkivit: Atdhe Mulla / K2.0.

Ai thotë se po të përcaktohej shkalla e varfërisë nga të hyrat në familje, do të rritej pagesa e ndihmës pasi për pjesën tjetër të shoqërisë kosovare janë rritur të hyrat ndër vite. Kështu, pagesat e ndihmës sociale sipas tij do të duhej të ishin diku rreth 300 euro në muaj në situatë të zakonshme, pa emergjencë si kjo e pandemisë.

“Ashtu-kështu është përcaktuar një shumë e vogël e ndihmës sociale, por edhe nëse dyfishohet prapë është e pamjaftueshme”, thotë ai. “E pastaj mos të harrojmë se kriteret përcaktuese [për këtë skemë] përjashtojnë shumë familje, për shembull nëse e kanë një pulë më shumë, apo një televizor — por që realisht do të duhej të merrnin mbrojtje nga varfëria”.

Sipas tij, faktorë tjerë që e bëjnë të pamjaftueshëm dyfishimin e ndihmës sociale janë rritja e çmimeve të ushqimeve gjatë periudhës së pandemisë, kufizimi i disa shërbimeve publike, sikur ato shëndetësore e të transportit publik — kjo pasi konsideron se nga këto kufizime më së shumti preken familjet me ndihmë sociale.

Se nga shkurti në mars janë rritur çmimet e bukës e thonë edhe të dhënat e ASK-së; po ashtu është rritur çmimi i ujit, drithërave, djathit, kripës, mishit, pemëve, sheqerit, e ca produkteve tjera të shportës bazike. Rritje kanë pësuar edhe çmimet e produkteve mjekësore, të energjisë elektrike, të gazit e lëndëve djegëse, dhe të mallrave e shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake; ndërsa janë ulur çmimet për naftë e shërbime të transportit.

Sipas Ahmet Rushitit, në këtë aspekt edhe komunat mund t’i ndihmojnë qytetarët. “Disa prej tyre vetëm se kanë ndarë buxhet; apo edhe kjo shuma prej 10 milionë eurove [të ndara për komunat përmes Pakos] mund të jetë një ndihmesë e mirë”, thotë ai.

Çka parashihet për punëtorët? 

Në kuadër të Pakos është paraparë që të ndihmohen edhe të punësuarit sikurse Alberti — janë ndarë 41 milionë euro në mënyrë që për muajt prill dhe maj t’u sigurohet paga minimale prej 170 eurosh punëtorëve të atyre bizneseve që janë prekur drejtpërsëdrejti ekonomikisht si pasojë e pandemisë.

Ahmet Rushiti nga KDI thotë se e ka mirëpritur këtë vendim, por i ka edhe disa vërejtje. 

“Kriteret janë paska të komplikuara, mirëpo duhet ta kemi parasysh që edhe situata është e tillë”, thotë ai. Sidoqoftë, “institucionet do të duhej ta thjeshtëzonin procedurën e aplikimit”.

Sipas tij, jo vetëm masat e Pakos, por edhe vendimet e tjera të qeverisë në kohë të pandemisë kanë pasur shumë tekst e nuk kanë qenë mirë të sqaruara. “Do t’mundej që vizualisht të sqaroheshin këto masa. E pashë që komuna e Prizrenit dhe e Prishtinës e kishin bërë këtë dhe ke goxha mirë e sqaruar’’, thotë Rushiti.

Ahmet Rushiti, menaxher i projektit për llogaridhënie politike në KDI, thotë se institucionet do të duhej të gjenin mënyra për t’i thjeshtëzuar procedurat e aplikimit për masat e Pakos Fiskale Emergjente. Foto nga Ahmet Rushiti.

E sa i përket shumës së ndarë, për të është e rëndësishme që punëtorëve të prekur nga masat e emergjencës u është siguruar së paku paga minimale. “Kjo masë sado pak do t’i lehtësojë bizneset e punëtorët”, thotë ai. 

Por, nëse situata me pandeminë vazhdon edhe për disa muaj kështu, ai thotë se atëherë Pakoja si tërësi nuk do të jetë e mjaftueshme. “Do t’ishte ideale që shuma të ishte më e madhe, por e kemi të qartë se situata është emergjente dhe nuk do t’mund të kemi qind për qind mbulim të pagave [për këta punëtorë]”, thotë ai. 

Sipas tij, faktor ndikues që buxheti i ndarë nuk është më i madh se kaq mund të jetë edhe pamjaftueshmëria e fondeve shtetërore.

“Duhet ta kemi parasysh se masat ndaj pandemisë kanë ardhur në një periudhë kur arka e shtetit është dashur të mbushet”, thotë ai. “Shumica e tatimeve që i paguajnë bizneset për tre mujorin e parë të vitit është me 15 prill, mirëpo për shkak se është marrë vendimi që [afati i pagesës së tatimeve] të shtyhet, atëherë edhe arka e buxhetit është më pak [e mbushur]”. 

Kjo masë është e mirëseardhur edhe për Mustafën, e sidomos numri i punëtorëve që qeveria ka paraparë se mund të përfitojnë. “Deri në 120,000 punëtorë mund të përfitojnë nga kjo masë sipas llogaritjeve të qeverisë, dhe ky është një numër i mirë”, thotë ai. Sipas të dhënave të fundit, gati 63,000 punëtorë kanë aplikuar për të qenë përfitues.

Rushiti thotë se pagesa e kontributeve pensionale nga ana e qeverisë i liron bizneset nga disa shpenzime dhe ua garanton punëtorëve një të drejtë themelore.

Mirëpo, ai nuk mendon se paga minimale është e mjaftueshme. “Paga minimale në Kosovë është 170 euro. Duhet ta kemi parasysh se është miratuar në vitin 2011 dhe prej atëherë nuk ka lëvizur fare, ndërsa sot jetojmë në vitin 2020 dhe standardi i jetës është rritur — gjë që më bën të mendoj se kjo shumë është e vogël”, thotë ai.

Pos kësaj, ai shpreh dyshime lidhur me mënyrën se si duhet aplikuar për të përfituar nga kjo masë. Punëdhënësit duhet të aplikojnë për punëtorët, e po ashtu duhet të ofrojnë dëshmi se aktiviteti ekonomik i tyre është prekur nga masat kufizuese që qeveria i ka ndërmarrë për shkak të pandemisë. 

“Kriteret duket se janë aty për t’i përjashtuar njerëzit e jo për t’u dalë në ndihmë atyre”, thotë ai, ndërsa shpjegon se e sheh si të papranueshme që pagesat e punëtorëve janë lënë në vullnetin e punëdhënësve, “pasi ai duhet të hyjë e të deklarojë, e të japë të dhëna për punëtorët”, dhe kjo i komplikon aplikimet.

Ndërsa për Rushitin, kjo masë ka edhe një pikë tjetër të vlefshme — fakti që qeveria ka vendosur të paguajë kontributet pensionale, sepse konsideron se kështu bizneset lirohen nga disa shpenzime dhe, më e rëndësishmja, garantohet një e drejtë themelore e çdo punëtori.

Po punëtorët joformalë dhe ata që mbetën pa punë?

Pakoja parasheh që ata të cilët kanë humbur vendet e punës me të nisur kufizimet kundër përhapjes së pandemisë, mund të aplikojnë për të marrë nga 130 euro për muajt prill, maj e qershor.  Për të aplikuar, duhet të dëshmohet se largimi nga puna ka ndodhur “pas rënies së aktivitetit të ndërmarrjes për shkak të situatës së pandemisë”, dhe formulari i aplikimit duhet të dorëzohet në ATK nga ish-punëdhënësit.

Kjo e shqetëson Mustafën, pasi e konsideron këtë si “kriter të përjashtimit”. Kur dikush largohet nga puna, gjasat janë të mëdha që marrëdhëniet mes punëtorit e punëdhënësit të mos jenë të mira, thotë ai; kjo mund të krijojë situata ku shumë nga punëtorët që kanë humbur vendin e punës të mos i marrin paratë që u takojnë. 

Po ashtu, ai konsideron se dokumentacionet për të dëshmuar se largimi ka ndodhur për shkak të situatës së pandemisë është vështirë të mbushen, dhe nuk dihet nëse ish-punëdhënësit e kanë vullnetin për ta bërë këtë.

Ndërkaq një masë tjetër, e cila parasheh që në shoqëritë tregtare të cilat gjatë periudhës së pandemisë i regjistrojnë punëtorët me kontrata 1-vjeçare, ata punëtorë të përfitojnë nga 130 euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, sipas Mustafës është “shumë e mirë”. Ai konsideron se ky është hapi i parë i një qeverie që ka tentuar konkretisht ta formalizojë tregun e punës në vend. 

Mirëpo, te kjo pikë e kritikon qeverinë për buxhetin prej 6 milionë eurosh, të cilin e konsideron të pamjaftueshëm. “Sipas të dhënave, për shembull të Bankës Botërore, në Kosovë rreth 35% e tregut të punës është joformal, që në shifra të përgjithshme i bie mbi 150,000 punëtorë”, thotë ai, dhe ky buxhet e lë shumëkënd jashtë.

Mustafa e sheh Pakon si “dorështrënguar, me kritere të shumta që përjashtojnë shumë njerëz”.

Mustafa mendon se numër të vogël të përfituesve potencialë parasheh edhe masa përmes të cilës tentohet t’u sigurohet likuiditet financiar mikro-ndërmarrjeve dhe të vetëpunësuarve me anë të kredive. 

Është paraparë që në kuadër të kësaj mase të ndahen 15 milionë euro ashtu që përmes programeve të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, të vetëpunësuarit dhe ndërmarrjet me 10 punëtorë e më pak të mund të marrin kredi deri në 10,000 euro. Kjo i bie se mund të ketë rreth 1,500 përfitues në tërësi — sipas tij ky është numër shumë i vogël.

Në përgjithësi, Mustafa e sheh Pakon si “dorështrënguar, me kritere të shumta që përjashtojnë shumë njerëz”, pasi janë ndarë shuma të vogla financiare të cilat sipas tij më shumë përngjajnë me politika konservatore neo-liberale ku tentohet të ruhet buxheti, e jo të mbrohen qytetarët në kohë emergjente. 

E për Rushitin është e rëndësishme të kuptohet se jemi në situatë emergjente, dhe kjo mund ta ketë shtyrë qeverinë të limitohet vetëm në këto masa. Ai insiston se është e rëndësishme “të ruhet paksa edhe stabiliteti financiar i vendit, mos të ngarkohet shumë buxheti me shpenzime të pakontrolluara, sepse mund të vijmë në një moment kur edhe mund të bankrotojë shteti”.

K2.0 ka kontaktuar qeverinë për intervistë, por nuk ka marrë përgjigje para botimit të këtij artikulli.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) nëpërmjet Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.