Pikëpamje | Pajtimi

Bisedimet me bazë në Bruksel janë ‘Dialog i të Shurdhërve’

Nga - 23.02.2017

Negociatat e ndërmjetësuara nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar. Si mund të ketë progres në vitin 2017?

‘Normalizimi i marrëdhënieve’ në mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë dhe vazhdon të jetë, pas më shumë se tri viteve, proces i vështirë. Në mesin e ekspertëve, ekziston një perceptim dominues që Marrëveshja e Brukselit nuk ka zgjidhur disa çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin, shtetësinë, e më me rëndësi, integrimin e serbëve vendas në shoqërinë kosovare dhe establishmentin politik.

Ky shqetësimi i fundit ilustrohet nga dështimet e lidhura me themelimin e një Asociacioni të Komunave Serbe. Një marrëveshje për parimet e përgjithshme për një Asociacion u arrit me 25 gusht, 2015, pas një vere të tensionuar me negociata të ngadalshme. Megjithatë, marrëveshja nuk u ratifikua kurrë nga parlamenti kosovar, për shkak të kundërshtimit intensiv publik e politik.

Rezultatet e marrëveshjeve, që u arritën para gati 18 muajve, u prit që do të ishin të zbatuara deri më tani. Ishte e qartë që negociatat për Asociacionin kishin peshë të veçantë politike për të gjitha palët, por i gjithë procesi ka arritur në një ndalesë shqetësuese.

Palët e interesit në dialog si duket nuk po i dëgjojnë nevojat dhe pritjet e njëra tjetrës, dhe bisedimet e bazuara në Bruksel si duket janë shndërruar në një ‘dialog i të shurdhërve’, pjesërisht për shkak të disa keqkuptimeve në mes të ndërmjetësuesit (BE) dhe dy palëve të negociatave. Sa i përket statusit të ‘normalizimit të marrëdhënieve’, sot obstrukcionizmi është bërë ‘rregulla kryesore e lojës’.

Trena e ura që nuk lidhin, por ndajnë

Fillimi i vitit 2017 solli një keqësim të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, kryesisht për shkak të asaj që është etiketuar shpeshherë si ‘çështja e trenit’. Ky incident, që përfshiu një tren që po udhëtonte nga Beogradi për në Mitrovicë, e që ishte dekoruar me mesazhin  ‘Kosova është Serbi’ të përkthyer në 21 gjuhë të ndryshme, krijoi një platformë të re për ringjallje të tensioneve etnike nëm es të Kosovës dhe Serbisë, duke e kthyer një gjest ‘patriotik’ në diçka që i ngjanë më shumë një kërcënimit ushtarak.

Ironia e gjithë kësaj situate është se në esencë e tyre, urat, sikurse trenet, janë simbole të komunikimit.

Pas këtij incidenti, që tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, rrjedhën shqetësime për mundësinë e stagnimit të dialogut në Bruksel. Megjithatë, kjo ngjarje nuk erdhi krejtësisht papritmas. Procesi i normalizimit veç se ishte përkeqësuar për shkak të episodeve të ngjashme më parë dhe kjo lloj retorike nxitëse nuk ka qenë krejtësisht e pazakonshme.

Incidenti me tren ndodhi vetëm një muaj pas një gjesti tjetër simbolik që promovoi obstrukcionizëm në dialog: U ngrit muri në brigjet e lumit Ibër në Mitrovicë, me 8 dhjetor, 2016. Ndërtimi i këti muri e trazoi debatin, që veç se ishte i tensionuar, për hollësi në planin e negociuar në Bruksel për t’i larguar pengesat e lëvizjes së lirë në urën e Mitrovicës. Pas incidentit me ‘murin’ në Mitrovicë, çështja e trenit ishte thjeshtë ‘qershia mbi tortë’ pas shumë rasteve të sjelljeve provokuese, që janë në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Brukselit.

Ironia e gjithë kësaj situate është se në thelb, urat e trenat, janë simbole të komunikimit, meqë funksioni themelor i tyre është për të lidhur dhe për të shkurtuar e eliminuar distanca në mes të njerëzve. Në këtë situatë, gjesti provokues i Serbisë nuk shfaqi asnjë qëllim të lidhjes së komuniteteve të ndara të shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri të Mitrovicës.  Njëlloj nuk shfaqi as reagimi i Kosovës, me përdorim të forcave speciale të sigurisë, e me dërgim të automjeteve të blinduara; për shumë shikues neutral u duk sikur do të ketë veprime ushtarake.

Në vend se të lidh, ky tren u bë e kundërta – simbol i ndarjes, që gati shkaktoi një ‘incident diplomatik’ dhe ringjalli retorikë të luftës. Shumë shikues neutral me të drejtë e pyetën vetën se si është e mundur kjo pas gjashtë viteve të ndërmjetësimit dhe ‘marrëdhënieve të normalizuara’.

A mund të jenë të kota të gjitha përpjekjet diplomatike të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (European External Action Service – EEAS), vetëm e vetëm për shkak të një treni të stërdekoruar ‘patriotik? Ky incident që në dukje ishte i ‘vogël’ shtroi dyshime për atë se a kanë dy qeveritë qëllime për ‘normalizim’ të qasjeve të tyre, veçanërisht sa i përket situatës së serbëve të Kosovës.

Evolucione të së ardhmës për vitin 2017 – pajtohemi që të mos pajtohemi

Përpjekjet diplomatike të ndërmjetësimit nga BE kishin për qëllim reduktimin e tensioneve pas incidentit me tren, dhe retorikës agresive që pasoi. Tani sfida e madhe për Brukselin është kjo: Çfarë duhet të bëjë BE në vitin 2017 për ta tejkaluar këtë fazë të bllokuar të procesit të ndërmjetësimit?

Me 24 janar, 2017, një takim i nivelit të lartë në mes të presidentëve dhe kryeministrave përkatës të Kosovës dhe Serbisë u mbajt në Bruksel, nën strukturën e dialogut të Brukselit. Një takim tjetër i nivelit të lartë u mbajt me 1 shkurt, por asnjëri takim nuk u duk se solli diçka të re, përveç ‘shtrëngimeve formale të duarve’, që duken mirë në foto.

deklaratën zyrtare (dhe shumë eliptike) për shtyp që u dha nga EEAS pas takimeve, Federica Mogherini raportoi se pjesëmarrësit “e konfirmuan përsëri përkushtimin e plotë të tyre” ndaj vazhdimit të dialogut, dhe shtoi se ndihet e “inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i shfaqur nga të dy palët”.

Për ata që i lexojnë gazetat e përditshme ose artikujt opinionist të Serbisë dhe Kosovës, këto tingëllojnë si të pakuptimta, madje edhe irrituese. Në këto takime të nivelit të lartë si duket mbretëron një atmosferë jopraktike dhe ka mungesë të interesit për probleme urgjente – bisedime të fshehta në mes të politikanëve që i përsërisin të njejtat qëndrime, prej vitit 2013 kur u vendosën parimet e para: “I përkushtohemi procesit, por…”

Injorimi i problemeve reale në terren mund të minojë rolin e Brukselit në procesin e negociatave.

BE është akteri që pritet ta përdorë instrumentin e kushtëzimit, që është shtylla e Strategjisë së Zgjerimit. Sistemi i ofrimit të një kombinimi të shpërblimeve dhe dënimeve ka për qëllim promovimin e sjelljes konsensuale, që i angazhon dy ish ‘kundërshtarë’ në një qasje dobiprurëse për normalizim funksional.

Por, në realitet, mund të shohim që në shtatë vitet prej kur dy partitë e nisën gjithë këtë proces (pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, në të cilin u tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar), edhe Serbia e edhe Kosova i kanë promovuar instrumentet e tyre të kushtëzimit. I tërë procesi është bërë lojë egosh, në të cilën të tri palët përcaktojnë kushte, por asnjëra nuk i dëgjon kushtet e tjetrës.

Në këtë kuptim, besoj se politika e ashtuquajtur e ‘dykuptimësisë konstruktive’ që përdoret nga BE është dëshmuar të jetë e dëmshme për këtë proces. Ndërtohet më shumë me shpresa dhe me pritje joreale; shpresohet që kushtëzimi i tyre, me sistemin e vet të shpërblimeve dhe dënimeve, do t’i çmontojë automatikisht dy sistemet paralele të kushtëzimit.

Injorimi i realiteteve të hidhura mund ta dëmtojë rolin e Brukselit në procesin e negocimit, dhe mund t’i shtojë traditës veç se të fuqishme të tensioneve në mes të Serbisë dhe Kosovës. BE duhet ta ndryshojë modelin tre vjeçar shpresues sa i përket negociatave (që e kanë trajtuar Marrëveshjen e Brukselit si ‘profeci vetë-përmbushëse’, në vend se si lojë fuqie realpolitike).

Secili akterë e di se pasi u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, BE, Serbia dhe Kosova në fakt kryesisht vetëm janë pajtuar që të mos pajtohen. Dhe për çdo takim të nivelit të lartë që erdhi më pas, pa marrë parasysh temën (tabela të veturave, kadastër, diploma universitare ose Asociacioni), ata e miratuan përsëri përfundimin e njejtë – pajtohemi që të mos pajtohemi.

Lidhja e dallimeve

Qyteti i ndarë i Mitrovicës mbetet si simbol i të gjitha ‘çështjeve të pazgjidhura’ dhe tensioneve etnike në mes të Serbisë dhe Kosovës. Mitrovica e Veriut, dhe ura e çeliktë mbi lumin Ibër, për një kohë të gjatë kanë qenë pikë e shqetësimit e nervozës sa i përket përpjekjeve të Prishtinës, që tani ndërmjetësohen nga Brukseli, për ta mbajtur nën jurisdiksionin e vet tërë territorin e Kosovës – dhe për të zbërthyer strukturat e paligjshme dhe paralele; proces ky që për një kohë të gjatë është rezistuar nga shumica e banorëve në anën veriore të Ibrit.

Strategjia e ndërmjesimit e BE-së me paqartësi konstruktive është duke në vetvete se ka efekte destruktive.

Kur i analizojmë ngjarjet e fundit me murin dhe trenin, del se është edhe si një lloj barometri për atë që unë iu referova si “dialogu i të shurdhërve’. Fakti që lëvizshmëria e qytetarëve në të dy anët është ende e kufizuar prej objekteve të ndryshme (qoftë prej ‘parqeve të paqës’, gurëve ose mureve) e përçon të njejtin mesazh të paqartë – pajtohemi që nuk duhet ta ndajmë qytetin në dy enklava etnike, por nuk pajtohemi që njerëzit të lëvizin lirshëm prej njërës anë në tjetrën.

Burimi i kësaj paqartësie mund të gjindet te qëndrimi i ‘vendimeve prapa dyerve të mbyllura’ që është promovuar nga vet formati i dialogut të Brukselit. Strategjia e ndërmjetësimit të dykuptimësisë konstruktive që po përdoret nga BE po e dëshmohet të ketë efekte shkatërruese.

Jam e bindur që të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces, burokratët, diplomatët, politikanët e madje edhe grupet e shpërfillura të qytetarëve të zakonshëm, janë të vetëdijshëm për faktin se procesi i ‘normalizimit’ në mes të Serbisë dhe Kosovës vjen me disa kosto. Por secili prej tyre dëshiron që të merr çmim më të mirë.

Strategjia e BE-së për përjetësim të dykuptimësisë dhe mungesa e transparencës në dialog i përjetëson qëndrimet e pazarllëkut të vijës së ashpër të lidershipeve përkatëse serbe dhe kosovare, të cilët vazhdojnë që t’i përziejnë aferat e vendit dhe mesazhet zgjedhore me ‘përkushtimin’ e tyre hipokritik ndaj kushtëzimit të BE.

Problemi kryesor është ajo se si perceptohen këto kosto nga secila palë – qoftë në aspektin material (humbje ekonomike, papunësi etj), ose në atë politik (humbja e një pjese të elektoratit që vlerëson më shumë mesazhe nacionaliste se sa qasje dobiprurëse e progresive).

E ardhmja e dialogut

Edhe në kontekstin aktual, që është i njollosur me shijet e hidhura të çështjeve të murit dhe trenit, prapë se prapë nuk e ndajë tonin alarmant që e kanë shprehur disa analistë së fundmi për “një luftë të re në Ballkan”.

Sidoqoftë, duhet të jemi realistë – viti 2017 ka potencial për t’i sjellur më shumë obstrukcionizëm procesit të normalizimit. Në këtë kontekst, sfida më e madhe për zbatimin e marrëveshjes së 25 gushtit të vitit 2015 për Asociacion është akomodimi i kësaj përzierje të interpretimeve që i ka penguar rezultatet e pritura të Marrëveshjes së Brukselit. Por me zgjedhjet presidenciale që së shpejti do të mbahen në Serbi (saktësisht në prill), mendoj se ka pak mundësi që Asociacioni të themelohet sivjet.

Pas incidenteve me mur dhe me tren, Asociacioni do të vazhdojë të jetë burim i politizimit dhe ndarjes. Për ta tejkaluar atë, mendoj se dy qeveritë duhet të tregojnë më shumë vendosmëri politike për t’iu përkushtuar dialogut, për hir të përmirësimit të kushteve të jetesës për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Elementet konkrete dhe mekanizmat për zgjidhje të problemeve për të cilat janë marrë vesh të dy palët duhet të jenë fokus i këtij procesi, në vend të pritjeve ‘abstrakte’ ose oportuniste që dialogu do të ketë sukses vetëm për shkak të premtimit për anëtarësim në BE.

Ky artikull është pjesë e hulumtimeve më të gjëra të mbështetura nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, si pjesë e projektit “Ndërtimi i Diturisë për Shtetësi të Re në Evropën Juglindore: Kuptimi i Konsiderimeve të Politikës Vendore dhe Ndërkombëtare të Kosovës”, gjetjet e së cilit do të publikohen së shpejti.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • PËR AUTORIN/EN Miruna Troncota
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO