Blogbox | Femicid

Burrëria shqiptare po i bën burrat të dobët

Nga - 08.09.2021

Dhe po i vret gratë.

Shumë gra shqiptare e kalojnë jetën me një konstante: frikën. Disa rriten të frikësuara nga baballarët e tyre, pastaj jetojnë me frikën nga burrat e tyre dhe në fund nga djemtë e tyre. Në shoqërinë shqiptare, pavarësisht nga mosha dhe rolet e familjes, figura mashkullore ka më shumë fuqi sesa ajo femërore.

Pasojat negative të këtij dallimi në fuqi janë të shumta. Një prej tyre është femicidi, si në rastin e fundit me Marigonën e gjorë. Dhe nëse vrasja e kësaj vajze 18 vjeçare — aq e dhunshme sa që ishte pothuajse e pamundur për të afërmit e saj që ta njohin —  është pasoja më brutale dhe e dukshme, ka të tjera raste që ndodhin në jetën e përditshme dhe që tani më konsiderohen normale.

Konsiderohet normale që një vajzë ta kalojë jetën duke qenë së pari pronë e babait të saj për t’u bërë më vonë pronë e burrit të saj.

Konsiderohet normale që lindja e një vajze sjell më pak lumturi në familje sesa lindja e një djali.

Konsiderohet normale të ndodhin praktika të papërshkrueshme si abortet selektive.

Konsiderohet normale që një vajzë të rritet duke u mësuar t’i bëjë punët e shtëpisë për t’u përgatitur për kohën kur të shkojë te burri i saj.

Jetojmë në një shoqëri që i konsideron gratë si objekte, asgjë më shumë.

Foto: Arrita Katona / K2.0.

Faji kryesor qëndron tek ne burrat. Po dështojmë në të qenit djem, vëllezër, të dashur, burra dhe gjyshër. Nëse kjo normë ekziston në vitin 2021 është sepse ne po e lejojmë atë të ndodhë dhe, edhe më keq, e pranojmë dhe nuk interesohemi ta ndryshojmë atë.

Për një burrë mesatar shqiptar, pushteti mbi një grua është prova e parë e të qenit burrë, kaq mjafton, domethënë kjo të bën burrë. Fjala burrë supozohet ta reflektojë figurën e përsosur mashkullore, por që në fakt s’do të thotë gjë. Për burrin mesatar shqiptar kjo fjalë është aspiruese apo vetë-përshkruese, por me të vetëm fsheh dobësitë e tij.

Ai burrë që ka nevojë të vrasë një grua është i dobët. Ai burrë që dëshpërimisht ka nevojë ta tregojë fuqinë e tij mbi gratë është i dobët. Ai burrë që nuk është në gjendje të kujdeset për punët e shtëpisë është i dobët. Ai burrë që vazhdimisht i nevojitet nëna ose gruaja e tij në shtëpi është i dobët.

Kjo ndodh sepse forca e dikujt nuk demonstrohet duke bërë punë me dorë, duke qenë i dhunshëm, duke drejtuar makina të fuqishme apo duke qenë diktatorë ndaj anëtareve të familjes. E dimë shumë mirë se sa ndryshe është kur një familje humbet një grua në krahasim me një burrë. Shtëpia me një grua vetëm vazhdon si zakonisht, ndërsa në rastin tjetër, epo, ju priftë fati.

Foto: Arrita Katona / K2.0.

Kur flasim dhe diskutojmë se si ta zgjidhim këtë problem, duket se gratë janë të vetmet që duhet dhe mund të bëjnë diçka. Ne, burrat, harrojmë se jemi ne ata që i vrasim, i dhunojmë dhe e kufizojmë lirinë e grave.

Është shumë e lehtë ta vendosësh gjithë përgjegjësinë për këtë situatë mbi gratë. Është shumë e lehtë t’u thuash të dalin dhe të protestojnë, të ndahen me djemtë që i rrahin, të mos i pranojnë urdhërat e babait. Thjesht, kjo tregon edhe një herë dobësinë dhe papërgjegjshmërinë tonë.

Por është gjithashtu e vërtetë që kjo situatë mbahet pjesërisht dhe nga gratë që nuk bëjnë gjë tjetër pos u japin më shumë fuqi burrave — gratë të brezit të nënës sime dhe gjyshes që i rrisin djemtë e tyre si perëndi, të cilët reagojnë ndryshe kur kanë një nip dhe ndryshe kur kanë një mbesë, gra që i rrisin vajzat e tyre vetëm për t’i përgatitur ato për t’i kaluar nga një pronar tek tjetri.

Për fat të mirë, ky brez është i kundërpeshuar nga gjenerata e vajzave që dalin në rrugë për të protestuar, të cilat studiojnë dhe arrijnë rezultate të mrekullueshme dhe janë në gjendje ta nisin jetën e tyre të përditshme vetëm — gra që sjellin medalje olimpike në Kosovë dhe na bëjnë krenarë.

Foto: Arrita Katona / K2.0.

Nëse këto vajza kanë qenë në gjendje ta ndërtojnë një të ardhme ndryshe për veten e tyre nga ajo që e parashikon shoqëria, merita është padyshim e tyre, por gjithashtu tregon një edukim të ndryshëm. Parapëlqej të mendoj se figura e babait është gjithashtu e ndryshme në këto familje.

Kështu që, nuk mund të kërkojmë më shumë nga gratë; jemi ne, burrat, që duhet të ndryshojmë. Sepse në protestat në rrugë dëgjojmë dhe lexojmë togëfjalësh si “as edhe një”, dhe megjithatë pas disa muajsh e gjejmë veten në të njëjtën pikë, që një tjetër është vrarë ose sulmuar.

Veprimet si protestat janë të dobishme, ligjet e reja janë të nevojshme, por ndryshimi duhet të fillojë nga jeta e përditshme. Është nevoja për të pasur pushtet mbi gratë ajo që na bën të dobët, sepse duke vepruar kësisoj dëshmojmë se jemi një hiç — një hiç që fshihet pas fjalës burrë.

Ndoshta kurrë nuk do të bëhemi burra të duhur, por është koha të fillojmë t’i trajtojmë gratë tona siç duhet. Sepse pa to ne nuk jemi gjë dhe nuk do të jemi kurrë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • 24 Dec 2021 - 21:24 | Aferdita:

    Pothuajse 80% e femrave shqiptare jan te dhunuara mls te them fozikisht por psiqikisht nga burrat sepse mentalitetin e kan qe femra nuk eshte e lir te dal kur ka nevojat e veta personale ose per qef se edhe nese del duhet te jet e kufizuar dhe te dal me stres se do ta gjykoj kur te kthehet se e ka kalu limitin e ores e shume gjana tjera qe skan perfumdim!

KOMENTO