Blogbox | COVID-19

Ca çarje në retë e vitit 2020

Nga - 21.12.2020

Të rinjtë ofrojnë shenja drite në mes të errësirës.

(Pa)punësia! Misteri i pazgjidhur ekonomik që i ka ndjekur të rinjtë e Kosovës me vite. Është një sfidë e pamohueshme që politikanët tanë premtojnë ta zgjidhin para secilave zgjedhje. Këto premtime duken bindëse, por pak — ose aspak  — ndodh në këtë drejtim kur ata zënë pozitat. 

Cikli i zhgënjimit vazhdon ta përsërisë veten. Le të themi, “Fjalët pa veprime nuk kanë vlerë” dhe të vazhdojmë ta themi këtë kur të vijnë zgjedhjet e ardhshme.

Në pjesën e parë të 2020-tës, shkalla e papunësisë u rrit në 29.1% nga 25.9% që veç ishte numër i paqëndrueshëm — papunësia e të rinjve është rreth 50%. Si pasojë e problemit tonë të vazhdueshëm të papunësisë i shohim të rinjtë e Kosovës duke kaluar shumë kohë nëpër kafene. Megjithatë, të dalësh për kafe nuk është thjesht një mënyrë për ta kaluar kohën për të rinjtë e Kosovës.

Në fakt, ne kemi një marrëdhënie të veçantë me kafenetë. Nëse kërkon në internet këshilla rreth ndonjë udhëtimi në Kosovë, një ndër këshillat kryesore është të bashkëngjitesh në atmosferën e ngrohtë të kafeneve tona. Është pjesë e rutinës sonë ditore, një histori e bukur e dashurisë, një lidhje e pathyeshme. 

Gjithmonë mundohem ta kthej çdo fatkeqësi në një mundësi.

Janë bisedat që zhvillohen duke u njoftuar rreth më të rejave gjatë kafes së mëngjesit, një kafe e pasdites në lagje dhe një kafe e mbrëmjes (apo një birrë menjëherë pas punës) duke ngrënë kikirika me shoqërinë e ngushtë e duke diskutuar debatin e mbrëmshëm politik apo ndeshjen e boksit, gomat e makinës, Hallën Selvije, apo ushqimin e ftohtë të servuar në dasmën e shokut. Thashethemet janë në gjakun tonë, por rrallë mund ta dëgjosh ndokë duke folur për diçka produktive. E di që jemi më të mirë se kaq. 

Gjatë pandemisë kafenetë janë mbyllur për plot muaj dhe bashkë me to arratisja jonë nga realiteti, dollapi ynë i sigurtë, Narnia jonë.

Gjithmonë mundohem ta kthej çdo fatkeqësi në një mundësi dhe prandaj kam filluar të hulumtoj për ta shkruar këtë blog, me qëllimin që të sugjeroj se çfarë mund të mësojmë nga kjo krizë dhe si mund ta vlerësojmë më mirë botën rreth nesh.

Nëse nisemi me definicionin ekonomik të papunësisë, mund të konsiderohet dallimi mes ofertës së punës dhe kërkesës së punës por nëse e përkthejmë në shqip kjo do të thotë, “Humbi 17 vite duke studiuar dhe dy vite punë praktike dhe dy vite trajnim dhe një vit duke pritur për dajën që t’ia gjejë një punë në qeveri — e gjitha kjo për të përfunduar duke punuar në një kafene”.

Ju thashë që e kemi një lidhje të veçantë.

Kriza e shëndetësisë e shkaktuar nga pandemia COVID-19 ka ndikuar rëndë në tregun e punës. Ndalimet në lëvizje kanë shkaktuar rënie drastike në aktivitetet e bizneseve në njërën anë, përderisa mbyllja e industrive ka bërë që shumë punëtorë të pushohen nga puna. 

Shkalla e pasivitetit ekonomik dhe shkalla e papunësisë në Kosovë ishin të larta edhe para pandemisë, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe të diplomuarit. Gjatë vetëm katër muajve të parë të 2020-tës, Kosova ka shënuar mbi 37,000 persona të papunë

Dhe atëherë të rinjtë e kuptuan që kanë nevojë të punojnë, pasi kemi qenë duke u munduar të prekim qiellin nga fundi i oqeanit.

Pa një plan gjithpërfshirës për rimëkëmbje ekonomike, numri i të papunëve mund të rritet edhe më shumë gjatë muajve në vijim. Kjo duhet ta sinjalizojë një thirrje të përbashkët për veprim që ta zëmë kohën e humbur. 

Sheh diçka, dëgjon, lexon dhe para se të arrish ta kuptosh, mbulohesh nga edhe më shumë informata. Të gjithë jemi duke përjetuar nivele të shumta të panikut, paranojës, frikës, pasigurisë dhe mosbesimit, apo edhe mohimit. “Si mund të ndodhë kjo?” apo, “Kjo kurrë nuk do të mund të më ndodhte mua!” Kjo është duke na ndodhur neve — të gjithë neve — dhe të gjithëve së bashku. Por më së shumti është duke iu përngjitur të ardhmes veçse të pasigurt me të cilën përballen të rinjtë.

Të dhënat nga Agjencia e Punësimit tregojnë që numri i punëkërkuesve është rritur për 40 faktorë vetëm në prill.

Rritja në shkallën e papunësisë ka hapur sytë e shumë të rinjve. Të rinjtë në Kosovë filluan ta shohin papunësinë nga një perspektivë e re — puna në Gjermani apo në ShBA gjatë verës ka ikur, Plani B i tezes Selvije nga Zvicra që sjell të holla ka ikur, babi që na jep të holla të blejmë brende luksoze ka ikur, dhe kështu çdo plan nga A deri në Zh është zhdukur.

Dhe atëherë të rinjtë e kuptuan që kanë nevojë të punojnë, pasi kemi qenë duke u munduar ta prekim qiellin nga fundi i oqeanit. 

Sa herë që ke hapur Facebook-un ke parë mundësi për të marrë pjesë në trajnime online, të punosh nga shtëpia apo të mësosh një aftësi të re dhe të jem e sinqertë, portalet e punës kanë qenë të mbushura me mundësi. Ishim të fokusuar për të qenë në distancë fizike dhe t’u shmangemi të gjitha mbledhive shoqërore por kemi gjetur mënyra për të mbetur në lidhje virtuale dhe të shfrytëzojmë kohën tonë në izolim.

COVID-19 na ka treguar se sa e brishtë është ekonomia dhe shoqëria jonë. Kur i kemi ngritur gotat për vitin e ri, kemi shpresuar që 2020 do të ishte viti gjatë të cilit do të merrnim të gjitha gjërat që i duam por tani e dimë që 2020-ta ishte viti për të vlerësuar të gjitha ato që i kemi.

Prapë do të shkojmë në kafene. Por bisedat që do t'i bëjmë nuk do të jenë vetëm për thashetheme të lagjes.

Prandaj le ta vlerësojmë popullsinë  tonë të re dhe të investojmë në rini. Përderisa të rinjtë i hapin sytë për një të ardhme më të mirë për Kosovën për të cilën ata duhet të punojë, ne duhet të përdorim politikat publike për t’u siguruar atyre punë të denja dhe të qëndrueshme.

Në një kuptim, pandemia ka qenë një mundësi që të shohim sa prapa ka rënë ekonomia jonë dhe sa e rëndësishme dhe kritike është që të veprojmë për ta rregulluar. 

Mund t’i kemi marrë  daljet për kafe si të mirëqena. Tash kur bisedojmë me miqtë përmes video-thirrjeve, sado e pabesueshme që tingëllon, u referohemi daljeve për pije me “pasha ato ditë” sepse nuk e dimë se kur do të mund t’i kthehemi atij realiteti.

Por si shoqëri jemi të mësuar të ngritemi e të rrëzohemi. Jam optimiste që do të ngritemi sërish.

Do të shkojmë prapë në kafene. Do të bisedojmë për më të rejat me miqtë prap. Por bisedat që do t’i bëjmë nuk do të jenë vetëm për thashetheme të lagjes.

Duke shikuar para, do të diskutojmë tema më produktive — ta mbajmë shoqërinë e bashkuar, ta ndreqim ekonominë dhe të rindërtojmë së bashku.

Imazhi i ballinës: K2.0.