S`fundmi | Pavarësia

Ceci n’est pas une PAVARËSIA

Nga - 16.02.2022

Data & Koha:  më 21 shkurt 2022 në ora 17:30

Për çdo 17 shkurt kur e shënojmë Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e festojmë pavarësinë e shtetit. Por nëse i qasemi konceptit të pavarësisë përmes syve të qytetarëve, a do të marrë kuptim tjetër fjala “pavarësi”? Çfarë do të bëhej nëse vëmendja zhvendoset nga pavarësia e Kosovës, tek pavarësia e kosovarëve — a do të merrte ngjyrime tjera kuptimi i pavarësisë dhe lirisë?

Në vitin 1994, UNDP e shpjegoi konceptin e sigurisë njerëzore si “liria nga frika dhe liria nga mungesa”. Frika dhe mungesa lidhen me mënyrën se si shoqëria jonë është e strukturuar, kulturalisht dhe ekonomikisht. Ato ekzistojnë si pengesa midis njerëzve dhe lirive që u takojnë.

Ka njerëz në Kosovë, të cilët — çdo shkurt — nuk mund ta konsiderojnë veten si vërtetë të pavarur. Nuk janë të lirë ta ndjekin atë që e duan nga jeta. Çfarë kuptimi ka pavarësia për një grua kur patriarkati dhe dhuna me bazë gjinore ia ndrydhin vazhdimisht mundësinë për të qenë?

Ka po ashtu qytetarë në Kosovë, të cilët — çdo shkurt — thjesht nuk kanë me çka ta përjetojnë lirinë. Duke jetuar prej borxhit në borxh, të dërmuar prej nevojës për mbijetesë, të varfërve u lihet shumë pak vend që të bëjnë jetë të pavarur. Çka mund të themi për nivelin e pavarësisë që u jepet atyre që jetojnë në varfëri?

Na pëlqen edhe të flasim për artin si shprehja më e lartë e pavarësisë, avangarda e përparimit dhe ndryshimit që ekziston përtej frikës dhe mungesës. Por si lidhen aktorët kulturorë me lirinë e tyre kur marrin kaq pak mbështetje për rolin e tyre në shoqëri?

Së bashku, do t’i shtjellojmë kuptimet e reja të fjalës “pavarësi”, duke vënë në pikëpyetje se çfarë mundet dhe duhet të nënkuptojë pavarësia për jetën e qytetarëve.

Bisedës sonë do t’i bashkohen:

  • Leonida Molliqaj, Drejtore Ekzekutive e QIKA
  • Artan Mustafa, hulumtues/ligjerues i politikës sociale, UBT
  • Donjeta Murati, hulumtuese dhe bashkëthemeluese e PART

Biseda do të moderohet nga gazetarja e K2.0 Lirika Demiri.

Diskutimi do të mbahet në Dit’ e Nat’ cafe më 21 shkurt duke filluar nga ora 17:30. Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe.

Të pranishmit duhet të mbajnë maska ​​dhe ta respektojnë distancimin social gjatë ngjarjes.

Ky diskutim është pjesë e projektit “Inovacioni për media të qëndrueshme dhe angazhim qytetar” i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe i implementuar nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP.