Pikëpamje | Media

Çfarë debatesh po ofrojnë televizionet në Kosovë?

Nga - 08.06.2023

Mungesë të kompetencës.

Analistë e gazetarë, pothuajse të njëjtë, shfaqen në debate televizive në Kosovë së paku tri herë në javë, anipse temat ndryshojnë në çdo debat dhe pavarësisht ekspertizës që mund (mos) ta kenë. Në mungesë të përdorimit të kompetencës si standard për dhënien e platformës televizive, këta analistë e gazetarë ftohen kryesisht për të ofruar “analiza” për fusha të ndryshme meqë janë më afër zhvillimeve aktuale. 

Kjo rezulton në diskutime jocilësore dhe të varfëra për nga përmbajtja. Si rezultat i kësaj dukurie, termi “analist” apo “opinionist” është deformuar dhe sot kuptohet më shumë me ngjyrim negativ e përçmues sesa në kuptimin real të tij. 

Një analisti/eje apo opinionisti/eje, që i ofrohet hapësira televizive për të shprehur mendimet e tij/saj, duhet të ketë përgatitje e njohuri për temën që diskutohet, pra ta shtojë vlerën në diskutim publik, përtej asaj që lexohet në lajme ditore. E jo të njëjtit të ofrojnë analiza për ekonomi, shëndetësi, siguri e për të drejtën kushtetuese.

Të gjithë e “njohin” të drejtën kushtetuese

Kohë pas kohe, në Kosovë shkaktohen kriza politike apo krijohen rrethana juridike, të cilat përfshijnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Analistët, komentatorët politikë dhe gazetarët që as karriera dhe as shkollimi i tyre nuk lidhet me të drejtën, e hiç se hiç me të drejtën kushtetuese, marrin kompetencë t’i interpretojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe implikimet që mund t’i kenë ato. 

Ndonëse kjo dukuri nuk është e re, mua më shtyu pikërisht një debat i tillë para disa muajsh që ta them zëshëm këtë kritikë. Në mbrëmjen e 29 marsit, në televizionin “Kanal 10”, në emisionin “Politiko” ishin mbledhur pesë panelistë, Arben Ahmeti, Halil Matoshi, Adrian Çollaku, Krenar Shala dhe Blerim Gashi; dhe moderatori Kushtrim Sadiku, për ta diskutuar artikullin “ekskluziv” të Gazeta10 , të titulluar “Dridhjet Kushtetuese dhe Politike”.

Ky emision vinte pasi po atë ditë, Gazeta10 kishte publikuar një artikull me titull “EKSKLUZIVE: Skena politike në ethe, vendimi i Kushtetueses mund ta rrëzojë presidenten”.

Artikulli trajtonte kërkesën e ish-deputetit Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinollit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt 2021. Berisha dhe Kinolli kërkuan nga Gjykata vlerësim të kushtetushmërisë së votave të partisë rome “Romani Iniciativa” në vendbanimet e komunitetit me shumicë serbe. Sipas Berishës, në zgjedhjet e fundit nacionale ka pasur orkestrim të votave midis “Romani Iniciativa” dhe partisë “Lista Serbe”, ku, sipas tyre, kjo e fundit i kishte obliguar qytetarët e komunitetit serb të votojnë për kandidatë basnikë ndaj tyre brenda listave të komuniteteve tjera pakicë.

Pretendimet e tyre që ka pasur orkestrim të votave dhe si pasojë e kësaj të njëjtit nuk arritën që të fitojnë mandatin e deputetit, u konstatuan pjesërisht edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ashtu edhe Gjykata Supreme, se subjekti “Romani Iniciativa” kishte marrë vota më shumë sesa që ka votues potencialë të komunitetit rom në lokalitete serbe “andaj kjo e shkëput lidhjen mes qytetarit dhe përfaqësuesit real të tyre në Kuvend”.

Sipas thelbit të opinionit juridik të transmetuar nga “Gazeta10”, si rrjedhojë e kësaj, në Kuvend të Kosovës janë dy deputetë jolegjitimë nga radhët e minoriteteve, të cilët e kishin votuar Vjosa Osmanin si presidente më 4 prill 2021. Artikulli parashihte se konstatimet e PZAP dhe Supremes do të përdoreshin në vendimin e Kushtetueses për ta shpallur mandatin e dy deputetëve nga minoritetet joligjor dhe t’u kthehej mandati Berishës dhe kandidatit tjetër Albert Kinolli. Kjo do të rrezikonte, sipas artikullit, që Osmani të rrëzohej nga posti i presidentes. Si rezultat, Kuvendi do të duhej të votonte president të ri ose vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje.

Ky “ekskluzivitet” u shpërnda edhe në shumë medie tjera, gjë që nxiti pasiguri te publiku rreth asaj se çka do të bëhej. Debati i mbrëmjes në “Politiko” me panelistët jo-juristë u kujdes që të trajtonte këtë ekskluzivitet.

Ahmeti, Matoshi, Çollaku, Shala dhe Gashi, analistët dhe gazetarët e zakonshëm të emisionit “Politiko” për një orë e gjysmë diskutuan dhe “analizuan” për çështje juridiko-kushtetuese –– tema jo bash të thjeshta. 

“Rasti i Avdullah Hotit”, “Rasti Pacolli” ,“Zgjedhja e presidentes -kundërkushtetuese”, “Do të përsëritet votimi për zgjedhjen e presidentit”, “Me rrëzimin e presidentes bie dhe qeveria” “Zgjedhje të reja nacionale dhe zgjedhje për president”, këto ishin disa nga fjalët dhe fjalitë kyçe për të cilat u përplasën fort analistët, duke iu referuar edhe rasteve të mëhershme kur vendimet e Kushtetueses kishin luajtur rol kyç në skenën politike në Kosovë. 

Por, mbizotëronte zëri i lartë, fjala “Gjykata Kushtetuese”, imagjinimi i dramave politike nga mosdija. Mungonin vetëm njohuritë mbi çështjen dhe kompetenca. 

Keqanaliza e tyre “shkarkoi presidenten”, duke e marrë si fakt të kryer skenarin e mësipërm, për të kapërcyer tek implikimet politike me pyetjen e “artë”: A i ka Qeveria Kurti 81 vota për zgjedhjen e presidentit të ri? 

Analistët e shkarkuan qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, “pasi që kur të rrëzohet presidenti bie qeveriaA e ke lexu Kushtetutën najherë, qysh nuk po e din?”  i drejtohej njëri analist tjetrit.

Kjo qasje më bëri të kuptoj se analistët besonin që me leximin e Kushtetuetës do të mund ta interpretonin atë, ta njohin të drejtën kushtetuese dhe të përplasen me panelistët tjerë për analiza juridike të sferës kushtetuese.

Por, interpretimi kushtetues nuk është një gjë e thjeshtë. Ekspertiza është e domosdoshme.

Fatkeqësia ishte se asnjëri nga ta nuk është jurist e as nuk e kanë këtë ekspertizë që të mund të bënin parashikime se si do të zhvillohej situata. Andaj, pyes: A ishte debat cilësor? Cilat ishin përfundimet e debatit? Çka po i servohet publikut nga televizionet tona?

Publikut iu ofrua një debat pa përmbajtje, ku pallavra ishte në qendër. 

Sikur të konsultonin juristë të fushës, që monitorojnë sistemin e drejtësisë, ndoshta nuk do të kishte vend as për “ekskluzivitet” dhe as do mbahej emisioni i mbrëmjes me këtë tematikë.

Gjykata Kushtetuese për më pak se një muaj nga koha kur doli ky “ekskluzivitet” i “Kanal10”, pra më 20.04.2023, publikoi vendimin dhe rrëzoi pretendimet e dy deputetëve në fjalë, duke bërë të qartë se “Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”. Ky vendim sqaroi situatën dhe shuajti gjithashtu edhe gjithë amullinë që u shkaktua në opinionin publik lidhur me implikimet që mund të shkaktojë ky vendim në institucione.

Por edhe sikur Gjykata Kushtetuese t’u jepte të drejtë kandidatëve për deputetë (Veton Berishës dhe Albert Kinollit) dhe dy deputetëve t’u merrej mandati, prapëseprapë kjo nuk do të krijonte pasoja juridike për vendimet që ka marrë Kuvendi ku kanë votuar ata deputetë (duke zgjedhur qeverinë dhe presidenten), për shkak të sigurisë juridike si parim kushtetues dhe ndërkombëtar — i cili në rastin konkret nënkupton garancë për ligjshmërinë e vendimeve të mëhershme.

Arsyeja më e rëndësishme se pse mandati i presidentit dhe vendimet tjera të Kuvendit nuk do të cenoheshin, edhe nëse ankesa do të ishte e suksesshme, është se ankesa ishte individuale dhe ishte drejtuar pranë Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetëve në fjalë dhe jo për implikimet në zgjedhjen e presidentes. Andaj duke u bazuar në parimin juridik non ultra petita (“jo përtej kërkesës”), Gjykata Kushtetuese është e kufizuar vetëm në kërkesën e palës dhe nuk ofron asnjë argument juridik, përtej kërkesës.

Andaj, përveç huqjes në përmbajtje nga ky medium në artikullin “ekskluziv” dhe analistëve në debatin “Politiko”, huqje e madhe ishte edhe ndërlidhja e këtij rasti me “shkarkimin e presidentes, rrëzimin e qeverisë” etj.

Në debate të tilla ku trajtohet një temë profesionale (siç është aspekti kushtetues) do të duhej të dominonin juristët por edhe gazetarë e analistë që e monitorojnë sistemin e drejtësisë. Nga persona të tillë do të dëgjoheshin analiza të mirëfillta me logjikë juridike dhe kompetencë për temën, që do t’i shërbente audiencës (qytetarëve) por edhe televizionit gjithashtu, për imazh, kredibilitet dhe profesionalizëm. Fundja, do të kishte cilësi të emisionit për nga përmbajtja e tij. 

Qytetarëve të Kosovës u duhen diskutime që nuk karakterizohen me ngritje të zërit, fyerje ndaj njëri-tjetrit, e skenarë të bazuar në injorancë. Shikuesit e debateve televizive, në fund të diskutimit duhet të ndahen më të informuar dhe jo më të irrituar.

Liria për të shprehur e shkëmbyer mendimet rreth çështjeve politike, juridike e sociale është e drejtë e secilit dhe vlerë e shtuar, pavarësisht cilësisë së këtyre mendimeve. Por, në debate të tilla, liria ndërlidhet me kompetencë.


Ilustrimi: Atdhe Mulla via MidJourney.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.