Strategjia në teorinë e shkencave politike është një ide që eksplorohet deri në majë. Ndër të parët që e kuptuan se njerëzit mendojnë në mënyra specifike, shkencëtarët politikë janë munduar të kuptojnë (dhe parashikojnë) se si akterët e caktuar do të vepronin në teatrin politik dhe si t’i parashikojnë këto veprime. Ky artikull i ndjek hapat e njëjtë dhe do të mundohet të tregojë se si një ide që duket e parëndësishme mund të ndikojë në pothuajse secilin fraksion të politikës kosovare, e më me rëndësi, se sa e lehtë është të bëhet.
Më 8 prill, Presidenti Hashim Thaçi lajmëroi se zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovica Veriore, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Potoku) do të mbaheshin më 19 maj. Arsyeja veçse dihet dhe nuk do të ju lodhi me detaje që i dini, por versioni më i shkurtër i mundshëm është që taksa 100 përqindëshe në mallra serbe, që u prezantua nga qeveria e Kosovës në nëntor, e krijoi një ngërç me partinë serbe që e qeverisë veriun (Lista Serbe), dhe bëri që kjo parti të heq dorë nga të gjitha pozitat e saj brenda qeverisë (lokale dhe qendrore).
Kjo nuk është asgjë e re për Kosovën. Paqëndrueshmëria është pothuajse një normë këtu. Por shqisat e mia politike filluan të më ngacmonin kur lexova një deklaratë që e dha President Vučić më 10 prill, ku tha se dëshiron që serbët (e përafruar): “…të marrin pjesë në zgjedhje dhe kur të fitojnë dhe t’u tregojnë fuqinë e tyre shqiptarëve, të japin dorëheqje përsëri”.
Nuk ke nevojë të jesh strateg politik për të parë se ajo që e dëshiron qeveria serbe është heqja e taksës 100 përqindëshe të Kosovës ndaj mallrave serbe.
Idea mund të duket e thjeshtë në shikim të parë, por do të ju tregoj se si mund ta krijojë një pozitë fascionuese për Serbinë dhe një strategji që ua mundëson atyre (qeverisë serbe) ta fitojnë lojën pa luajtur fare — që në shkenca politike është një strategji e përkryer.
Pra, cila është idea këtu? E thjeshtë!
Duke parë se çfarë dëshiron pala serbe, mund ta shohim se si një ide e thjeshtë — të cilën do ta shtjelloj më vonë brenda këtij artikulli — i përmbush të gjitha nevojat e tyre.
Nuk ke nevojë të jesh strateg politik për të parë se ajo që e dëshiron qeveria serbe është heqja e taksës 100 përqindëshe të Kosovës ndaj mallrave serbe (si dhe ato të Bosnjes dhe Hercegovinës). Me gjasë mund të jetë një arsye tjetër e pashprehur, megjithatë shkaku i drejtpërdrejtë i kësaj arsye është taksa, prandaj mund ta thjeshtëzojmë teorizimin tonë strategjik duke supozuar se arsyeja e pashprehur (nëse ajo ekziston) është e bazuar në shkakun e drejtpërdrejtë — pra është taksa.
Për më tepër, Serbia është munduar ta zgjidhë problemin e taksës në disa mënyra. Ata janë munduar t’i bëjnë presion Kosovës nga të gjitha anët (politike dhe diplomatike) por përderisa nuk i kanë shteruar të gjitha mundësitë (siç e kam shpjeguar në një artikull tjetër), taksa ende qëndron! Qëllimi kryesor që çdo strategji duhet ta përmbushë për të qenë “produktive” në kuptimin serb është shtimi i presionit ndaj Kosovës në mënyrë që të ngritet taksa si rrjedhojë e tij.
Nëse e kuptojmë këtë pikë, vetëm edhe një send tjetër duhet ta kuptojmë para se të analizojmë çfarë mund të ndodhë. Është shqetësimi strategjik që mund ta ketë Serbia — çfarë nuk mund të bëjnë.
Presidenti Vučić është karakter fascionues i cili duhet të studiohet më tej për t’u kuptuar mirë, por një gjë është e përhershme sa i përket Kosovës dhe marrëdhënieve të tij me Kosovën në tërësi. Ai nuk po lejon asgjë — ama bash asgjë — të hyjë mes tij dhe qeverisë së tij, dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Aktualisht, Vučić nuk mund t’i ndalë apo bllokojë zgjedhjet në çfarëdo mënyre pa i penguar synimet strategjike të tij.
Kur e them këtë e kam fjalën se pothuajse i gjithë presioni që ai mund t’ia bëjë Kosovës mbështetet në premisën që Serbia është akter i sinqertë në këto dialogje dhe që Kosova nuk është. E vetmja mënyrë që ai mund ta ruajë atë koncept është duke theksuar dallimin në përmbushjen e asaj marrëveshje që ai dhe komuniteti ndërkombëtar e konsiderojnë si primare, që është pa dyshim marrëveshja e Brukselit që u nënshkrua në vitin 2013.
Niveli i përfshirjes së Presidentit Vučić është tepër i ndërlikuar, por mund të jemi të sigurt se çfarëdo që ndodh, ai do të mundohet ta mbrojë fasadën e tij të të qenit 100 përqind në përputhje me këtë marrëveshje, Neni 11 i së cilës thotë që Serbia do ta lejojë organizimin (dhe pjesëmarrjen) e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Kufizimet serbe janë të thjeshta: Ata nuk do ta ndalin (nëse është sadopak e mundshme) zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013, për shkak se kjo do ta kufizonte presionin e tyre mbi Kosovën. Mund të duket si kufizim i thjeshtë, por në realitet është shumë i ndërlikuar për t’u mbajtur, dhe është tepër i vështirë të zhvillohet një strategji rreth tij.
Tani mund ta kuptojmë pozitën strategjike të Serbisë përballë Kosovës, por si ndikon kjo në zgjedhje dhe në strategjinë Serbe?
Aktualisht, Vučić nuk mund t’i ndalë apo bllokojë zgjedhjet në çfarëdo mënyre pa i penguar synimet strategjike të tij. Ai nuk mund t’i bëjë presion të mëtejmë Kosovës me të njëjtat vegla me të cilat ka punuar deri më tani.
Çfarë mund të bëjë ai në vend të kësaj? E thjeshtë — ai mund t’i fitojë zgjedhjet lokale në veri (me partinë Lista Serbe e cila është dora e zgjatur e tij), pastaj të jep dorëheqje, t’i fitojë përsëri, e përsëri…
Kjo është një strategji e thjeshtë dhe e ligë që vjen pas deklaratës së tij, dhe është, për ta thënë në mënyrë të thjeshtë, e shkëlqyer.
Me gjasë mund të kemi zgjedhje çdo dy muaj nëse kryetarët e zgjedhur të komunave nuk i marrin pozitat e tyre pasi t’i fitojnë ato.
Sipas Nenit 4 të Ligjit për Zgjedhje Lokale në Republikën e Kosovës, presidenti duhet t’i lajmërojë zgjedhjet lokale brenda një periudhe të shkurtër kohore (prej pesë deri në dhjetë ditë) nga dorëheqja e kryetarit të një komune, në përputhje me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe akterët tjerë politikë.
Kjo me gjasë mund ta nisë gjithashtu një cikël që është magjepsës për t’u shpjeguar dhe është baza e planit potencial që mund ta përdorë qeveria serbe (po të ketë dëshirë). Sipas të njëjtit Ligj për Zgjedhje Lokale, zgjedhjet duhet të mbahen 30 deri në 45 ditë pas shpërbërjes së një qeverie lokale.
Një cikël zgjedhor mund të numërohet nga momenti kur dikush i fiton zgjedhjet, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme — ky është fakt i rëndësisë maksimale. Afati më i shkurtër kohor për një cikël të tillë (dhe llogaritja më e arsyeshme e tij) është 35 deri në 50 ditë. Kjo do të thotë se me gjasë mund të kemi zgjedhje çdo dy muaj nëse kryetarët e zgjedhur të komunave nuk i marrin pozitat e tyre pasi t’i fitojnë ato, pikërisht situata të cilën Vučić na paralajmëroi para disa javëve me deklaratën e tij se do të mundohet ta arrijë!
Zgjedhjet në komunat veriore nuk kanë konkurrencë. Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, kryeson bindshëm çdokund. Kjo parti fitoi me mazhoranca ekstreme në të gjitha këto komuna në zgjedhjet e fundit, pavarësisht faktit se kishte parti tjera serbe me të cilat ishte duke garuar. Kjo nuk vlen për këto zgjedhje lokale, për shkak se Lista Serbe është partia e vetme serbe që është regjistruar në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Kjo do të thotë se për zgjedhjet që nuk kishin konkurrencë herën e kaluar, këtë herë as që ka dyshime. Lista Serbe nuk ka kundërshtar serioz në veri të Kosovës dhe e vetmja pyetje është se me çfarë rezultati do të fitojnë, e jo se a do të fitojnë apo jo.
Pasi që fitorja nuk është e diskutueshme, mendimi strategjik na çon te idea gjeniale për t’i bërë presion Kosovës si rrjedhojë e fitoreve konstante dhe të njëpasnjëshme.
Shërben për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar që Serbia është duke e ndjekur marrëveshjen e vitit 2013 duke lejuar mbajtjen e zgjedhjeve.
Zgjedhjet janë të shtrenjta po ashtu. Këto zgjedhje lokale po i kushtojnë buxhetit të vogël të Kosovës gati gjysmë milion euro (475,000) sipas një deklarate të dhënë nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Kosto të madhe ka edhe sa i përket fuqisë punëtore dhe organizimit politik. Thjesht e largon vëmendjen nga qeverisja për një kohë të shkurtër.
Por në zgjedhje pa konkurrencë, kur strategjia është të bëhet sa më shumë presion ndaj Kosovës duke respektuar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit 2013, Serbia dhe aleatët e saj thjesht mund të vazhdojnë të fitojnë dhe të japin dorëheqje, duke e detyruar Kosovën të organizojë zgjedhje çdo dy muaj, dhe duke e shterur kështu buxhetin, fuqinë puntore dhe vullnetin e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Për më tepër, shërben për t’i treguar komunitetit ndërkombëtar që Serbia është duke e ndjekur marrëveshjen e vitit 2013 duke lejuar mbajtjen e zgjedhjeve, dhe njëkohësisht për të treguar që serbët në veri po refuzojnë të lëvizin dhe janë të gatshëm të bëjnë protesta të fuqishme politike për ta treguar pakënaqësinë e tyre me qeverinë kosovare.
Të gjithë e dimë se si shihen protestat politike në Ballkan dhe çfarë përfaqësojnë këtu, kështu që sigurisht përfaqësojnë një pikë tjetër të fuqishme të presionit kundër Kosovës, sepse e intensifikon presionin veçse ekzistues ndërkombëtar ndaj qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu do t’i bënte presion qeverisë që veçse është e dobët dhe e pakoordinuar, duke e shtyer atë që të mundohet të gjejë zgjidhje në mungesë të një rrugëdalje të mirë (dhe të ligjshme). Ata do të duhej të lajmëronin zgjedhje të reja për të qenë në përputhje me Kushtetutën, do të duhej ta përballonin koston e shtuar të mbajtjes së zgjedhjeve të vazhdueshme, dhe do të duhej ta gjenin një mënyrë për ta menaxhuar Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili aktualisht nuk është në pozitën më të mirë të mundshme (mezi po funksionon).
E thënë thjesht, kjo do t’i krijonte një mijë probleme të reja për një qeveri që nuk po arrin të ballafaqohet me ato që i ka tani. Mbase mund të jetë ky problem i fundit që e shkakton rrëzimin e qeverisë.
Kam frikë se nuk ka përgjigje të mirë (dhe të ligjshme) për këtë.
Kjo strategji e thjeshtë mund t’ia mundësojë Serbisë që ta vazhdojë presionin e saj ndaj Kosovës dhe t’ia shterë burimet e rëndësishme politike dhe financiare qeverisë kosovare, e njëkohësisht të mbetet brenda caqeve të vendosura nga marrëveshja e Brukselit. E gjithë kjo me një strategji të thjeshtë që është krejtësisht demokratike, pothuajse e pashmangshme dhe nuk mund të kundërshtohet lehtë nga qeveria kosovare.
Prandaj unë, si strateg dhe shkencëtar politik, e shoh këtë lëvizje të mundshme nga qeveria serbe si një lëvizje aq të ligë, dhe shpresoj që Kosova mund t’i shmanget disi. Megjithatë, siç do e shihni, kam frikë se nuk ka përgjigje të mirë (dhe të ligjshme) për këtë.
Për ta ilustruar këtë pikë, ta analizojmë këtë ide “gjysëm-ligjore” që po përmendet nga Lëvizja Vetëvendosje: të mos çertifikohen kandidatët e Listës Serbe për zgjedhje lokale. Madje ata e përmendin problemin që jam duke e analizuar këtu si një argument për atë se pse ata nuk duhet të çertifikohen (nëse kjo strategji dëshmohet të jetë e vërtetë).
Ata e kanë fuqinë e votës për ta bllokuar çertifikimin e Listës Serbe, meqë i kanë dy nga nëntë anëtarët aktualë (e tetë apo më shumë vota kërkohen për ta miratuar një vendim).
Pra, a u zgjidh problemi? Më vjen keq, por jo!
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, rregullorja 08/2013 (Nenet 4 dhe 6), nëse komisioni dështon në çertifikimin e një kandidati, kandidati i ka 24 orë për t’u ankuar te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e ka fjalën e fundit për këto çështje.
Pasi që ky do të ishte një vendim i qartë politik nga Komisioni Qendror Zgjedhor, PZAP nuk do të kishte zgjedhje tjetër përpos ta anulonte vendimin, që do të na kthente në pikën fillestare, një problem pa zgjidhje — e mbi të gjitha, do të mbeteshim me një precedent në favor të Listës Serbe!
Për më tepër, edhe nëse mrekullisht PZAP-ja do ta pranonte si valid vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, kundërplasja politike që do të lëshohej kundër Kosovës është e papërfytyrueshme.
Po të ia mohonin strukturat politike të shqiptarëve të Kosovës (siç është sigurisht Komisioni Qendror Zgjedhor) partisë së vetme serbe mundësinë për t’u regjistruar për zgjedhje në një pjesë të vendit që është e populluar nga një mazhorancë masive serbe, pasojat do të ishin të rënda dhe hakmarrja nga Serbia do të konsiderohej e drejtë nga standardet e komunitetit ndërkombëtar.
E kështu do të krijohej një pozitë edhe më e mirë për Serbinë dhe Beogradi do ta kishte mundësinë t’i bëjë edhe më shumë presion Kosovës, pa u konsideruar se është duke e tepruar.
Prandaj, edhe në kuptimin politik, nuk ka fitore. Nuk e shoh se si mund t’i shmangemi këtij problemi, sepse mënyra e vetme e propozuar për ta eliminuar atë po shihet se është më e keqe se vet problemi. Dhe nuk do ta shtjellojmë fare betejën ligjore që sigurisht do të nisej po të merrej një vendim i tillë. Është një rreth vicioz klasik dhe nuk shoh mënyrë të mirë për ta zgjidhur.
Mund të mos ketë fare zgjidhje. Dhe kjo e bën këtë strategji kaq të përkryer.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.