Kosovës së vogël e të bukur do ia ndryshoja mendësinë. Mendësinë që i abuzon e burgos gratë. Jo vetëm që do t’ia ndryshoja, por këtë mendësi, Kosovës, do t’ia këputja me rrënjë.
Kosova, tash 14-vjeçare, përballet më shumë probleme të natyrës ekonomike, politike, shëndetësore e arsimore, që lehtësisht, me angazhimin e duhur zgjidhen. Por, ajo që na gërryen më së shumti është mendësia patriarkale. E pikërisht për këtë duhet ta ndryshojmë nëse dëshirojmë që zinxhirët tjerë të këputen.
Për një gjë ose tjetrën, kjo shoqëri, me këtë mënyrë të të menduarit, nuk e ka as të qartë se në fakt, çfarë kërkon. Në njërën anë, mbështeten në Kanunin e Lekë Dukagjinit kur thonë: “Gruaja shqiptare farë trashëgimit s’ka tek prindja, as më plang, as në shpi- kanuja e xen gruen si një tepricë në shpi”, e në anën tjetër nga po e njëjta grua që nuk i përkitka shtëpisë, pritet që ta bartë mbi supe të gjithë ‘nderin’ e asaj shtëpie.
Nga gratë dhe vajzat pritet që të veprojnë si mjete robotike që operojnë vetëm brenda komandave të caktuara dhe të cilave nuk u lejohet të njohin ose nuk njohin veprime të tjera. Të lindesh vajzë, në këtë vend, do thotë të zhvillohesh me një barrë të madhe në shpinë dhe të veprosh brenda një liste të pritshmërive që duhet t’i përmbushësh gjatë jetës.
Shoqëria është duke të të shikuar dhe është me ty në zgjedhjen e garderobës tënde, në ecjen, në tonin e zërit, në dukjen, në vendin tënd të punës dhe në çfarëdo akti tjetër ditor.
Dhe besom –– kjo është e lodhshme.
‘Mbyll gojën se është marre, je femër’
Nëse dikush do të më pyeste: “A është më lehtë të shkosh në diell apo të jesh grua?”, përgjigja ime do të ishte “të shkosh në diell”.
Përditë dëgjojmë për raste të sulmeve seksuale dhe ngacmimeve seksuale ndaj vajzave dhe grave. E faji për të gjitha këto, sipas ‘shoqërisë gjyqtare’, u takon grave –– viktimave. Disa thonë se mënyra se si është veshur ajo është thirrje për ngacmim seksual e disa thonë që vajzat e meritojnë dhunën ndaj tyre sepse kanë filluar të flasin shumë.
Kjo retorikë ushqehet kudo, prej bisedave të zakonshme shoqërore, deri te mediat dhe institucionet. Shoqëria jonë nuk përton të reagojë në shenjë solidariteti kur një burrë bullizohet, por dështon t’i aplikojë të njëjtat standarde kur një grua bullizohet, ngacmohet, sulmohet e përdhunohet.
Përpos që nuk tregohet mbështetje apo solidaritet, në Kosovë shpesh bëhet e kundërta. Ndodh diskriminim ndaj viktimës, zhvendosje e fajit nga fajtori tek viktima, përçmim i viktimës, shkelje e dinjitetit të viktimës –– shkurt, ka përqendrim më të madh në fajsimin e viktimës sesa të fajtorit.
E këto, bashkë me dhunimet, abuzimet, përjashtimet u faturohen ‘mentalitetit të vjetër’ dhe kështu, disi pranohen si sjellje të pandryshueshme. Nuk është faji te një ‘mentalitet i vjetër’ i largët, por tek mentaliteti aktual, i cili ushqehet vazhdimisht përmes rregullave, komandave, kufizimeve për atë se si duhet të jetë një grua.
Fiksimi me këto rregulla ndikon në mënyrë zingjirore në marrëdhëniet që ndërtohen më pas, duke nisur në familje, shkolla, media, institucione e biznese.
Nëpër familje ende vajzat rriten duke iu thënë “mos fol shumë”, “mos dil shumë”, “mos i vesh ato rroba se nuk janë për ty”, “mos iu përkushto karrierës kaq shumë”. Kjo sepse zhvillimi dhe pavarësimi i grave e vajzave ende janë të padëshirueshme.
Shkollën fillore e kam kryer diku para 14 viteve, por e mbaj të freskët kujtimin se si në lëndën Punëdore, nga unë dhe shoqet e mia të klasës pritej të punonim me grep, ndërsa nga shokët e klasës, shtëpi kartoni. Teksa ka kaluar goxha kohë që prej atëherë, është dëshpëruese që edhe sot nëpër shkolla riprodhohen të njëjtat stereotipe gjinore dhe vajzave nuk i jepet hapësira të provojnë role të ndryshme prej atyre që shoqëria i sheh si role për vajzat.
“Pavarësi ekonomike e gruas bënë që lidhja bashkëshortore të konsiderohet jo aq e domosdoshme, siç ka qenë dikur. Kjo ndikon të shtohet numri i shkurorëzimit (divorcit)”, thuhej në librin e Edukatës Qytetare të klasës së nëntë.
Por, nuk e di nëse shkolla apo rrethi shoqëror është më i rrezikshëm. Pasi sado që ndryshon pikëpamje, nga presioni disa vjeçar, edhe kur bën të duhurën; veshë çfarë do, flet atë që ke në mendje, nuk martohesh, kthen fjalën kur dikush të ofendon, vazhdimisht të duket se je duke zhgënjyer dikë.
Të lindësh vajzë në Kosovë do thotë të mos jesh e lirë të dalësh kur duash, të ecësh ku duash, sepse dhuna fizike, seksuale e psikike ndodhet në çdo qoshe.
Të jesh vajzë i bie që të mos paguhesh njësoj si kolegu yt e të mos konsiderohesh si e denjë për të diskutuar ‘çështje politike’.
Të jesh vajzë do të thotë të të përdorin politikanët si term për të ofenduar kundërshtarin me fjalë si “je bërë si grua e keqe”.
Të jesh vajzë do të thotë që nëse arrin diçka, njerëzit përreth do të thonë se e ke arritur me favore seksuale apo me ndihmë nga familjaret –– kryesisht familjarët burra.
Të jesh vajzë do të thotë të mos të të pranojnë në punë apo të të largojnë nga puna pasiqë ti mund të kesh fëmijë. Do të thotë të të pyesin në intervistë pune: “A je e martuar?”
Të jesh vajzë i bie që shoqëria ta cakton vendin, në shtëpi, me përparëse, duke gatuar dhe duke bërë punë pa kurrfarë kompensimi.
Nuk mjaftojnë thjesht ligjet. Nevojitet ndërrim i mendësisë së gjyqësorit dhe institucioneve tjera që ende pengojnë zbatimin e ligjit.
Sa e lehtë do ishte për mua e për gjitha vajzat të qëndrojmë me familjarë, pa na pyetur se kur do të gjejmë një burrë, pa na pyetur për dukjen, pa na vënë epitete të ndryshme.
Andaj, Kosova ka nevojë për revolucion shoqëror, të ndryshojmë mendimet, kulturën dhe strukturat që mirëmbajnë diskriminimin gjinor. Kosova duhet që vajzat të mos t’i pengojë të jenë kushdo që ato duan të jenë.
Imazhi i ballinës : Arrita Katona / K2.0