Lufta e Izraelit që po vazhdon në Gaza ka vrarë mbi 38,000 palestinezë. Lufta po zhvillohet si përgjigje ndaj sulmit të Hamas më 7 tetor 2023, që vrau rreth 1,200 izraelitë dhe shtetas të huaj dhe mori peng 250 të tjerë. Në kohën kur u botua ky artikull, OKB vlerësoi se 1.9 milion njerëz — 90% e popullsisë së Gazës — janë zhvendosur përbrenda vendit.
Bllokimet e shpeshtuara nga Izraeli të ushqimit, ujit, karburantit, energjisë elektrike dhe furnizimeve mjekësore në Gaza, kanë bërë që 100% e banorëve të Gazës të përballen me pasiguri akute ushqimore dhe kanë çuar drejt kolapsit të sistemit shëndetësor në Gaza. Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit ka paralajmëruar shpërthimin e pritshëm të sëmundjeve infektive. Më 15 tetor 2023, gjatë sulmeve fillestare ajrore të Izraelit, para pushtimit në shkallë të plotë, një raport i Ministrisë së Shëndetësisë palestineze deklaroi se 47 familje, që përfshinin mbi 500 civilë, u fshinë plotësisht nga regjistri civil, që do të thotë se secili/a anëtar/e i/e atyre familjeve ishte vrarë.
Më 29 dhjetor 2023, Afrika e Jugut akuzoi Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND). Më 29 janar 2024, GjND vendosi se “faktet dhe rrethanat e përmendura më sipër janë të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se të paktën disa nga të drejtat e pretenduara nga Afrika e Jugut dhe për të cilat ajo kërkon mbrojtje janë të besueshme”.
Në mars 2024, raportuesi i posaçëm i OKB për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze e publikoi një raport ku thuhej se “ka bazë të arsyeshme për të besuar se pragu që tregon kryerjen e gjenocidit nga Izraeli është përmbushur”. Po ashtu, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka kërkuar të lëshohet urdhër-arrest për zyrtarët e lartë izraelitë dhe të Hamasit për krime të dyshuara të luftës dhe kundër njerëzimit.
Shkalla e qartë dhe e gjerë e dhunës, bashkë me zemërimin për mbulim jo-objektiv medial rreth Izraelit nga mediet kryesore perëndimore dhe mosgatishmërinë e dukshme të fuqive perëndimore për të ndaluar financimin dhe armatosjen e Izraelit, kanë ndezur një valë protestash në mbarë botën në mbështetje të Palestinës.
Pas pushtimit të Gazës, protesta me thirrje për armëpushim u mbajtën gjithashtu në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Teksa disa udhëheqës/e rajonalë/e ishin të ngadaltë ose hezitues në reagimet e tyre, kryetarja e Sarajevës, Benjamina Karić u shpreh se “Sarajeva ka qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë dhe ka luftuar për drejtësinë dhe të vërtetën” në një protestë, më 25 tetor 2023.
Në Prishtinë, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me Hapësinën Shoqnore për Dekonstruksion, kanë qenë forca shtytëse pas kësaj vale të fundit të aktivizmit. Së bashku ata/o kanë organizuar protesta, shfaqje filmash, diskutime dhe një shfaqje të Monologëve të Gazës në qendrën komunitare “Termokiss”. Ata varën flamurin palestinez në qendër të qytetit, në bashkëpunim me “Dylberizm”, të cilin Policia e Kosovës e hoqi shpejt. Në Tiranë, kolektivi “Palestina e lirë”, ka organizuar aksione publike dhe tubime në solidaritet me Palestinën. Kolektivi nisi një letër të hapur për ta anuluar javën kulturore izraelite në Tiranë dhe e shpalli qershorin si muaj kulturor të Palestinës.
Mes protestave të vazhdueshme, tenda janë ngritur në kampuset universitare në vende të ndryshme. Këto protesta kanë kërkuar tërheqjen e investimeve nga burimet financiare të institucioneve arsimore dhe kompanive që pretendohet se përfitojnë nga lufta dhe kanë bërë thirrje për bojkot akademik, ndër të tjera.
K2.0 foli me lexues/e dhe kontribuues/e nga komunitetet e diasporës së rajonit anembanë botës — studentë/e, avokatë/e, aktivistë/e — të cilët/at po mbrojnë të drejtat e palestinezëve/eve. Deshëm të mësojmë më shumë për atë se çka e shtyn aktivizmin e tyre, si u përfshinë në të dhe nëse lidhjet me Kosovën dhe rajonin e gjerë kanë ndikuar në përfshirjen e tyre.
Hana Marku, 36-vjeçare, avokate e migirimit, Toronto, Kanada
Unë dhe dy avokatë/e tjerë/a të migrimit dhe refugjatëve në Toronto, Damey Lee dhe Debbie Rachlis, po padisim qeverinë kanadeze për trajtim të ngadaltë dhe jo transparent të aplikimeve për migrim të qytetarëve nga Gaza. Grupi ynë po e bën këtë punë pro-bono, në emër të rreth 40 familjeve palestineze në Gaza.
Në dhjetor 2023, Kanadaja prezantoi një metodë të veçantë migrimi për kanadezët/et që kishin anëtarë/e të afërt të familjes në Gaza. Një i/e afërm/e kanadez/e pranues/e, në këtë metodë mund t’i dërgojë shprehje interesi qeverisë për t’i sjellë të afërmit nga Gaza. Atëherë qeveria kanadeze, teorikisht, duhet t’i japë çdo anëtari/eje të familjes në Gaza një kod unik reference. Anëtarët/et e familjes në Gaza pastaj mund të aplikojnë për një vizë si vizitorë me kodin e tyre unik të referencës. Ata/o duhet të ofrojnë të gjitha formularët dhe dokumentet e kërkuara dhe të paguajnë tarifat e aplikimit për vizë. Duhet të ndodhen në Gaza kur aplikojnë për vizë.
Kjo metodë nisi në janar të vitit 2024. Ka qenë një dështim. Janë rreth 40 palestinezë që erdhën në Kanada përmes kësaj metode. Ka rreth 45,000 palestinezo-kanadezë, gjë që mund t’ju ndihmojë ta kuptoni shkallën e dështimit për të cilën bëhet fjalë. Disa familje kanë pranuar kode të veçanta dhe disa jo. Qeveria kanadeze ka thënë se kodet do të lëshohen sipas modelit kush vjen i pari, shërbehet i pari, por kjo nuk ka ndodhur për klientët/et tanë/ona.
Metoda e veçantë e qeverisë kanadeze për qytetarët e Gazas është metoda më cenuese dhe degraduese e migrimit që kam hasur ndonjëherë.
Të gjithë aplikuesit/et për vizë në këtë metodë u kërkohet t’i ndajnë të gjithë numrat e telefonit që kanë pasur ndonjëherë, të gjitha email-adresat që kanë pasur ndonjëherë, të gjitha llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, si dhe përshkrimet rreth plagëve në trupat e tyre dhe se si janë plagosur. Kanadaja nuk e fsheh faktin se ndan informacione rreth aplikuesve me qeverinë e Izraelit dhe atë të Egjiptit. Kolegët/et e mi/a më kanë thënë se profesionistët/et mjekësorë/e, në këtë metodë janë pyetur nëse kanë trajtuar ndonjëherë ndonjë anëtar/e të Hamasit. Kam dëgjuar gjithashtu për aplikues/e, të cilëve/ave u kërkohet të dërgojnë fotografi të plagëve të tyre tek zyrtarët kanadezë të migrimit. Metoda e veçantë e qeverisë kanadeze për qytetarët e Gazës është metoda më cenuese dhe degraduese e migrimit që kam hasur ndonjëherë.
Kufijtë e Gazës janë të mbyllur. Edhe në kohë paqeje, marrja e një vize me pasaportë të Autoritetit Palestinez është tepër e vështirë. Përpara pushtimit të Rafah [më 6 maj 2024], ishte e mundur t’u jepje ryshfete të mëdha kompanive egjiptiane të udhëtimit për të dalë nga Gaza për Egjipt. Këto ryshfete zakonisht shkonin në rreth 5,000 dollarë për individ për të kaluar nga Gaza në Egjipt. Tash që Izraeli ka nën kontroll kalimin në Rafah, mendoj se kësaj praktike i ka ardhur fundi. Bazuar në informacionet që kam, edhe kur qeveria e Kanadasë dërgon emrat e qytetarëve të Gazës që janë ftuar ta vazhdojnë përpunimin e vizave në Egjipt, COGAT — një agjenci izraelite që administron çështjet e sigurisë dhe civile në Gaza dhe Bregun Perëndimor — nuk autorizon daljet e tyre. S’ka rrugëdalje. Tani Gaza është një burg dhe një fushë vrasjesh.
Në çështjen gjyqësore, po i kërkojmë Gjykatës Federale të Kanadasë të urdhërojë qeverinë të nxjerrë kode dhe t’i përfundojë vendimet për aplikimet për viza. Gjithashtu kërkojmë nga gjykata që t’i anashkalojë refuzimet e parregullta të kërkesave. Procedurat gjyqësore ecin ngadalë dhe kam frikë se çfarë do të ndodhë me klientët tanë, ndërkohë që kjo gjë zvarritet nëpër gjykatë.
Gaza është një rrip i vogël toke me dy milionë njerëz që jetojnë në të. Kosova është një vend i vogël me dy milionë banorë. Përpiqem ta paramendoj se si do të dukej lufta e Kosovës nëse do të mbylleshin kufijtë. Të gjitha familjet që ne përfaqësojmë janë njerëz të zakonshëm. Shumë prej tyre kanë fëmijë shumë të vegjël dhe prindër shumë të moshuar. Kishin shtëpi e punë dhe shkonin në shkollë e martoheshin, në një vend që nuk ka pasur zgjedhje të lira për gati njëzet vjet dhe që është quajtur vazhdimisht burg në ajër të hapur. Klientët tanë kanë humbur gjithçka dhe janë fajësuar për krime në të cilat nuk janë përfshirë fare. Kjo është e padurueshme.
Njomza Dragusha, 31-vjeçare, edukatore dhe organizatore e komunitetit, Cyrih, Zvicër
Në Cyrih, reagimi fillestar nga institucionet ishte mjaft i fortë. Shumë lëvizje për Palestinën u përballën me kundër-reagime, me akuza për antisemitizëm. Diskutimet publike shpesh shënjestronin grupet pro-palestineze si antisemite dhe “të dhunshme”. Kohët e fundit, mobilizimi i studentëve/eve dhe akademikëve/eve brenda institucioneve arsimore ka nxjerrë në pah shumë më shumë rreth asaj se si kanë reaguar këto institucione.
Kam pasur përvoja të tjera gjatë punës në një restorant kolektiv në Cyrih, ku mbajtëm një qëndrim anti-zionist, duke bojkotuar produktet izraelite. Ky vendim çoi në konflikt të madh mes anëtarëve/eve të ekipit, disa prej të cilëve e shihnin veprimin si antisemitik. Pasi iu bashkuam një zinxhiri restorantesh në të gjithë Zvicrën, që bojkotuan produktet izraelite, restoranti ynë mori shumë kërcënime dhe hapësira jonë u vandalizua.
Njerëzit në kontekstet perëndimore shpesh nuk mund të reflektojnë mbi situatën në Palestinë pa marrë për bazë historinë e tyre të antisemitizmit në Evropë. Kjo nënkupton se ata e kanë të vështirë ta bëjnë dallimin midis antisemitizmit dhe anti-zionizmit. Edhe nëse mund ta bëjnë këtë dallim, ata/o ndihen të kërcënuar ta hapin atë kuti dhe ta bëjnë një diskutim të sinqertë. Nuk ka pasur kurrë një reflektim të njëmendtë në Evropë rreth krijimit të Izraelit si projekt kolonial.
Azra Muftić, 31-vjeçare, e diplomuar në Santa Barbara, Universitetin e Kalifornisë, Kaliforni, ShBA
Kampi për Palestinën e Lirë i Universitetit të Kalifornisë(UC), në Berkeley u çmontua pas tri javësh pasi u arrit një marrëveshje me kancelaren. Fotografia nga Mx. Granger via CC.
U ktheva në ShBA për disa muaj këtë pranverë dhe gjatë kësaj kohe mora pjesë në disa protesta dhe marshime të mëdha të organizuara në Bay Area, kryesisht në San Francisco. Policia ishte përherë e pranishme në secilën ngjarje që merrja pjesë dhe përdori sprej piper, shkopinj gome dhe gaz lotsjellës gjatë marshimit dhe protestës. Fillova gjithashtu të shkoja në vendosjet e kampeve më rregullisht në UC Berkeley [në Universitetin e Kalifornisë, në Berkeley]. E shihja se si studentët/et definitivisht eksperimentonin me strukturat horizontale të organizimit; [ata po] përpiqeshin ta bënin më të mirën për t’i mbajtur gjërat mirë të organizuara dhe funksionale dhe qëllimet e kampit të qarta dhe koncize, si forca kryesore lëvizëse. Kisha shumë shpresë në lëvizjen studentore, sepse dukej si lëvizje e brendshme jashtëzakonisht e prekshme në ShBA, e cila përfundimisht do ta shpërfaqte brutalitetin e policisë dhe të shtetit dhe do ta shpërfaqte nivelin e dhunës që shteti është i gatshëm ta tregonte kundrejt vetë popullit të vet, studentëve madje, vetëm për ta mbrojtur dhe promovuar fushatën fashiste dhe gjenocidale të Izraelit.
Dhuna shpaloset çdo ditë në telefonat e secilit tani dhe brutaliteti nuk mund të fshihet.
Rrjetet sociale dhe mënyra se si funksionon interneti, për aq sa mund të na mbikëqyrë dhe kontrollojë, po ashtu ua kanë shpërfaqur në kohë reale njerëzve se si duket gjenocidi — se nuk është diçka konceptuale, teorike për të cilën lexojmë në librat e historisë. Dhuna shpaloset çdo ditë në telefonat e secilit tani dhe brutaliteti nuk mund të fshihet. Çka është parë s’mund të mos shihet më dhe ka fuqi serioze në këtë gjë dhe nuk ka kthim në mënyrën se si funksionojnë gjërat sot falë lidhjes masive dhe përparimeve teknologjike të qasshme për publikun. Do të shohim se çka do të thonë qytetarët/et amerikanë/e për të gjitha këto në vitet e ardhshme dhe çka do të thotë Gaza për politikën e brendshme dhe ndërkombëtare të ShBA.
Ervina Bajrami, 27-vjeçare, studente, Lund, Suedi
“Studentët/et e Lundit për Palestinën” organizuan më shumë se katër aktivitete në ditë, duke filluar nga ligjëratat tek diskutimet, punëtoritë deri te shfaqjet e filmave. Fotografia: Ervina Bajrami.
“Studentët/et e Lundit për Palestinën” është lëvizja studentore anti-gjenocidale pro-palestineze në Universitetin e Lundit, e cila ka protestuar pothuajse çdo javë dhe ka shkruar peticione dhe dërguar emaile që nga tetori 2023, por pa sukses. Kjo lëvizje nuk ka udhëheqës/e dhe funksionon me vendime demokratike të marra nga studentët/et që duan të marrin pjesë në aktivitete dhe protesta.
Shqetësimi im dhe njohuritë e mia për Palestinën janë rritur që nga viti 2021, me bombardimet që i përjetuan gjatë asaj kohe dhe veçanërisht me mizoritë e “Sheikh Jarrah” [në vitin 2021, Gjykata e Lartë e Izraelit urdhëroi familjet palestineze të largoheshin nga shtëpitë e tyre në lagjen “Sheikh Jarrah” në Jerusalemin Lindor për t’u hapur rrugën kolonëve hebrenj]. Edhe pse nuk protestova atëherë, njohuritë që fitoja filluan të më ndryshonin dhe u përgatita kur erdhi ky tetor. Mjaft është mjaft! Nuk dua ta shoh dhe as ta shpërfilli më këtë gjakderdhje.
Jam zemërthyer me atë që po ndodh në Palestinë dhe veçanërisht në Gaza tani; Jam zemërthyer kur shoh se sa të këqij mund të jenë njerëzit dhe sa njerëz fisnikë në zemër mund të vuajnë nga çmenduria, në këtë rast, e shtetit izraelit. Më thyhet zemra edhe nga elita akademike, e cila ka një autoritet të rremë të dijes. Kur bëhet fjalë për dhembshurinë dhe vlerat njerëzore, ata shprehin mungesë të tyre. Për këtë arsye protestoj.
Është kaq absurde kur duhet të argumentosh se gjenocidi është gabim dhe se duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta ndaluar atë.
Gresa Rrahmani, 29-vjeçare, studente, Lund, Suedi
Studentët e Lundit për Palestinën e riemëruan Lundagård në Palestinagård. Fotografia: Gresa Rrahmani.
Që nga tetori i vitit 2023, kam qenë aktive në Kolektivin Kosovar në Solidaritet për Palestinën, i cili përbëhet nga persona të pavarur dhe anëtarë të Kolektivit Feminist dhe Hapësinës Shoqnore për Dekonstruksion. Kështu, kur u ktheva në Lund, në shkurt të vitit 2024, për ta përfunduar tezën time të magjistraturës, natyrisht iu bashkova protestave në Suedi dhe më vonë edhe kampit. Aty takova edhe Ervinën [Bajrami] dhe si dy shqiptare të Kosovës filluam së bashku këtë rrugë të rezistencës dhe solidaritetit. Ngritja e tendave në Lund filloi nga Studentët/et e Lundit për Palestinën duke iu bashkuar thirrjes botërore të studentëve në solidaritet me Palestinën.
Pas tetorit, kuptova se sa injorante kisha qenë dhe se kjo ishte thjesht maja e një akullnaje gjigante të shtypjes, poshtërimit dhe padrejtësisë sistematike të shkaktuar mbi popullin indigjen palestinez. Pas tetorit, pamjet dhe videot e palestinezëve të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në jug të Gazës vërshuan rrjetet sociale. Pamjet e grave dhe burrave palestinezë, të rinjve e të moshuarve tek iknin nga shtëpitë e tyre me shumë pak gjëra personale, rikthyen te unë kujtimet dhe përvojat e mia të luftës. Kujtimet e mia të para të jetës janë nga lufta, kur u detyruam të largoheshim nga shtëpia jonë në Prishtinë nga forcat serbe dhe më pas u bëmë refugjatë, fillimisht në Bllacë dhe pastaj në Shqipëri [gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë]. Në njërën prej këtyre kujtimeve, mbylli sytë dhe shoh babain tim duke lënë shishe me ujë para shtëpisë sonë, për atë që dukej si një rrjedhë e pafundme e atyre që shpejt do të bëheshin refugjatë.
Tani si person i rritur, duke parë transmetime të drejtpërdrejta të gjenocidit në rrjetet tona sociale, gjithçka merr një këndvështrim të ri. Më ka bërë gjithashtu të kem shumë më shumë dhembshuri për prindërit e mi dhe për të gjithë kosovarët me të vërtetë, t’i rishqyrtoj përvojat e tyre përmes pikëpamjes së njeriut të rritur, tmerri dhe frika duhet të kenë qenë të paimagjinueshme. Askush nuk duhet ta përjetojë këtë; Palestinezët nuk duhet ta përjetojnë këtë. Është kaq absurde kur duhet të argumentosh se gjenocidi është gabim dhe se duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta ndaluar atë.
Arbër Gashi, 27-vjeçar, shkrimtar dhe kurator, Londër, Mbretëri e Bashkuar.
Që nga tetori 2023, protestuesit/et në Londër kanë përsëritur kërkesat për armëpushim. Fotografia: Jago Lynch.
Kam marrë pjesë në ngjarjet lokale në zonën time, në Londrën Lindore dhe aktivitete më të mëdha të organizuara nga grupe si “Fushata e Solidaritetit Palestinez”. Jam organizuar në mënyrën time për të treguar mbështetjen time për popullin palestinez. Bashkëthemelova një kolektiv që bazohet në ngjarje, i njohur si “Kolektivi i Londrës Ballkanike” në vitin 2023; përqendrohet kryesisht në organizimin e ngjarjeve që synojnë ta shfaqin harenë e diasporës së Ballkanit. Në fund të vitit 2023, organizuam një ngjarje për mbledhjen e fondeve për palestinezët dhe mblodhëm mbi 400 paund për organizatën bamirëse “Ndihmë mjekësore për palestinezët”.
Vendimi im për t’u përfshirë ishte kryesisht i nxitur nga njerëzia që e ndaj me popullin palestinez. Shoh po ashtu copëza të historisë sime ndër breza, në gjendjen e vështirë të palestinezëve. Vij nga një familje që ka përjetuar raste të shumta të shpërnguljes, shpronësimit dhe shtypjes. E përmenda këtë jo për ta larguar përqendrimin nga populli palestinez, por për t’i nxitur ata që vijnë nga komunitetet që janë përballur historikisht me ideologji shtypëse, të mendojnë në mënyrë më kritike për pozicionin që mbajnë.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Bisedat u zhvilluan në gjuhën angleze.
Fotografia: Ervina Bajrami.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.