Blogbox | Aktivizmi

Çka kishe ndërru në Kosovë? Na shkruaj.

Nga - 24.01.2022

Lexues e lexuese të K2.0, e kemi një pyetje, për të cilën nuk është se presim përgjigje të lehtë: Nëse do të mund ta ndërroje veç një gjë në Kosovë, çka do ishte ajo? E mira nuk ka fund, e dimë. Ashtu siç nuk ka fund kërkimi për të. Por ama, na e merr mendja se sapo e shihni këtë pyetje, ju kujtohet diçka menjëherë. 

Prandaj, do donim që me pak fjalë, më saktë me diku 800 fjalë, të na tregoni se çfarë është një hall me të cilin përballeni përditë e do donit ta largonit. Çkadoqoftë. Ndani me ne edhe idetë tuaja se si ajo gjë do të mund të ndryshohej, apo se sa mirë do t’ju bënte ky ndryshim qoftë juve apo atyre përreth jush. Kush do të mund ta ndryshonte atë gjë dhe si? Përse nuk ka ndodh ndryshimi deri tash?

Për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, dëshirojmë t’i botojmë disa prej letrave tuaja, si thirrje e përbashkët për ndryshim dhe përgjegjësi prej atyre që i kanë në duar zgjidhjet e halleve tona të përditshme. 

Derisa shënimi i përvjetorit të pavarësisë së Kosovës përcillet me festë, gëzim e entuziazëm, para dhe pas kësaj dite përballemi me probleme, të cilat nuk është se kërkojnë një shkop magjik për t’u zgjidhur. Shpesh, ato kërkojnë thjesht vëmendje e përkushtim. Prandaj, duam t’i bëjmë të dukshme sfidat tuaja të përditshme, t’u japim zë atyre. 

Nuk ka lidhje se ku ndodhesh për momentin, në Kosovë apo jashtë saj, në fshat apo qytet, në fakultet apo në punë, në shtëpi a banesë, e rëndësishme është që të kesh diçka për të ndarë me ne.

Mos u brengosni shumë për strukturën e letrës suaj  – redaktorët/et e K2.0 do të punojnë me ju, që së bashku ta shtjellojmë sa më mirë atë që ju doni ta ndërroni. 

Na shkruani kudo që e keni më lehtë, qoftë në email: [email protected], apo në mesazh në Facebook, deri më 3 shkurt 2022. Me pjesën tjetër, merremi ne.

Mezi po presim t’ju lexojmë.

  • 26 Jan 2022 - 12:53 | Arber:

    E kisha ndërru Kosoven

  • 24 Jan 2022 - 13:36 | Eljesa Beka:

    Ma se shumeti me pengon qe posta nuk funksionon. Kosova nuk eshte ne shume lista. Kisha pase qejf me mujte me porosite dicka prej kudo e mos me u brengose se kur ka me mbrri, ose ma e keqja se a ka me mbrri.

KOMENTO