Një lexim i programeve të kandidatëve/eve për kryetar/e.
Në fushatën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, secili kandidat/e ka shpalosur vizionin e vet për Prishtinën, disa me plane shumëvjeçare e disa me zgjidhje të shpejta për probleme kronike. Programet që kandidatët/et kanë prezantuar para qytetarëve shfaqin mënyrën se si ata e imagjinojnë të ardhmen e kryeqytetit dhe rolin e tij si metropol i Kosovës.
Programet e tyre lidhen ngushtë me përditshmërinë e qytetarëve. Nëse do të arrijnë ta zgjidhin kaosin e trafikut ku qytetarët humbin kohë të konsiderueshme nëpër kolona, nëse do t’i lirojnë trotuaret për këmbësorë nga veturat e nëse do të punojnë që rrugët të jenë të ndriçuara, nëse do të arrijnë ta vendosin në binarë kaosin e ndërtimeve e nëse do të kenë një plan konkret për çmimet e larta të banesave që ua marrin shumicën e të hyrave mujore banorëve.
Disa nga pikat e programeve të kandidatëve/eve kanë përcaktues të përbashkët: lirimin e hapësirave publike përmes parkingjeve jashtë qendrës së qytetit, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, shtrirjen e linjave të transportit publik dhe zgjerimin e korsive për biçikleta, si dhe vendosjen nën kontroll të planifikimit urban.
Si kryetari aktual Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ashtu edhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e pozicionojnë vizionin e tyre si zgjidhje ndaj tranzicionit të pafund të Prishtinës, duke premtuar qeverisje që do t’i japin fund këtij tranzicioni dhe do ta kthejnë kryeqytetin në një qytet funksional. Por, në thelb, programet e tyre dëshmojnë të kundërtën: se Prishtina ende mbetet në një fazë tranzicioni ku në çdo palë zgjedhje zënë vend po të njëjtat probleme si për shembull: menaxhimi i mbeturinave, shtimi i numrit të autobësve të rinj, e menaxhimi i problemit të qenve endacakë.
Ndërkohë, programi i Besa Shahinit nga Partia Socialdemokrate (PSD), ndryshe nga rivalët e saj politikë, kursehet nga premtimi për projekte të mëdha që prekin secilin problem të mundshëm të kryeqytetit, duke e vendosur në qendër lagjen dhe shtëpinë dhe duke e shndërruar në kauzë përballueshmërinë e banimit.
Ndonëse secili/ai kandidat/e përpiqet ta shesë programin e vet si më të përsosurin, më të zbatueshmin, por edhe më vizionarin në raport me sfidat që kryeqyteti i ka trashëguar prej dekadash, programet e tyre flasin më shumë për qasjen e tyre ndaj problemeve të kryeqytetit sesa për zbatueshmërinë e projekteve të tyre.
Rama kërkon një mandat të dytë për ta vazhduar vizionin e tij të nisur në vitin 2021, Çeku ofron një plan menaxherial të hollësishëm deri në vitin 2035, Ismaili e sheh zgjidhjen e problemeve dekadëshe me veprime të shpejta, Shahini vendos në qendër nevojat e komunitetit, ndërsa Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) prezanton veten si kandidati i pragmatizmit.
K2.0 shpalos pikat kryesore të programeve zgjedhore të kandidatëve/eve kryesorë/e për Prishtinën, që i kanë publikuar në uebfaqet e tyre. Ndërkohë, kandidati i partisë Alternativa, Merkur Beqiri dhe kandidati i pavarur, Fatmir Selimi, nuk kanë publikuar programe.

Në kërkim të një mandati të dytë, Rama hyri në garën për kryeqytetin me vizionin e tij “Prishtina Përtej”, që sipas chatbotit që shfaqet në platformën e krijuar për t’i shfaqur projektet gjatë mandatit të tij të parë, nënkupton një vizion “që shkon përtej kufijve të zakonshëm dhe të pritshëm për zhvillimin e një qyteti”. Bazuar në fushatën e tij, Rama sheh veten si arkitektin që e formëson qytetin dhe këtë herë kërkon ta përfundojë vizatimin që e ka nisur në mandatin e parë. Gjysma e programit të tij zgjedhor përbëhet prej projekteve që, sipas tij, i ka zbatuar në mandatin e parë.
Programi për mobilitetin parasheh pozicionimin e transportit publik si alternativën më tërheqëse për qytetarë deri në vitin 2030. Rama premton përfundimin e unazës së jashtme të kryeqytetit me shtatë hyrje-dalje, duke shmangur qarkullimin tranzit dhe duke ndërlidhur lagjet pa e ngarkuar qendrën. Në qendër të programit është “TRIP” (Transporti i Ri i Prishtinës), që Rama premton se në vitin 2026 do të ofrojë një flotë moderne të autobusëve tërësisht elektrikë për çdo gjashtë minuta në linjat kryesore. Ky sistem premton të plotësohet nga “TRIM” (Transporti i Ri Metropolitan), një autoritet ndërkomunal që do ta lidhë Prishtinën me Podujevën, Obiliqin, Lipjanin e Graçanicën, duke ofruar biletë të veçantë, bileta në bazë të zonave dhe flotë të autobusëve elektrikë. Po ashtu, Rama premton funksionalizimin e tramit elektrik Prishtinë–Fushë Kosovë.
Për shëndetësinë, Rama premton një transformim rrënjësor të shërbimeve publike, duke ndërtuar dhe rinovuar infrastrukturë moderne dhe duke zgjeruar gamën e shërbimeve. Parashihet gjithashtu edhe ndërtimi i spitalit të kryeqytetit me 200 shtretër, i dedikuar vetëm për banorët e Prishtinës, që do të ofrojë shërbime specialistike dhe do ta ulë mbingarkesën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Plani për arsimin vendos theksin tek mësimi tërëditor, që për momentin zbatohet në 12 shkolla me rreth 5.000 nxënës, duke ofruar ushqim të ngrohtë e falas, aktivitete jashtëkurrikulare dhe një mjedis të sigurt. Në katër vitet e ardhshme synohet që ky standard të shtrihet në të gjitha shkollat fillore të kryeqytetit. Rama premton se Prishtina do të ketë për herë të parë një lice artistik, që ofron arsim të specializuar në artin dramatik, muzikë dhe arte pamore për fëmijët e talentuar.
Për kulturën, rininë dhe sportin, Rama premton ta kthejë Prishtinën në një qendër dinamike e kreative. Ai premton rikonstruktimin e plotë të infrastrukturës kulturore, përfshirë Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, Teatrin “Dodona” dhe Kinemanë “ABC”, si dhe transformimin e Tulltores në një qendër Art-Tech. Programi parasheh krijimin e qendrave të reja kulturore në lagjet si “Dardani”, “Llukar” e “Ulpianë”. Rama premton mbështetje për skenën e pavarur përmes fondeve për artistë dhe festivale, duke garantuar organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare si Sunny Hill Festival dhe Ramë Lahaj International Opera Festival, që do ta pozicionojnë Prishtinën në hartën botërore të kulturës. Në sport, programi përfshin ndërtimin e stadiumit të ri në Hajvali, tribuna të reja për klubet e futbollit si “Flamurtari” dhe “Ramiz Sadiku”, si dhe rinovimin e 22 terreneve sportive nëpër shkolla e lagje, duke siguruar që secila shkollë të ketë hapësirë për aktivitete fizike.
Në fund, programi i Ramës premton një kryeqytet vizionar, dinamik, digjital, të ndërlidhur mirë me fshatrat përreth, me komunat përreth, përmes ndërtimit të një unaze të brendshme për qarkullimin urban dhe një unaze të madhe për trafikun tranzit.

Çeku hyri në garë për të parin e Prishtinës me një program dy mandatësh, “Prishtina 2035”, që përshkruhet si vizion dhjetëvjeçar. Programi parasheh planet për katër vitet e para në secilin sektor, për të vazhduar tutje me vizionin dhjetëvjeçar. Kjo strukturë e programit tenton ta krijojë idenë se Prishtina e Çekut nuk është një projekt i improvizuar, por një qytet që duhet të planifikohet me faza, duke filluar nga nevojat më urgjente e deri te vizioni strategjik dhjetëvjeçar.
Në programin e tij për Prishtinën, Çeku ka përcaktuar se cilat janë çështjet që nuk presin, duke pasë si synim barazinë e qytetarëve: depolitizimin e ndërmarrjeve publike, që sipas tij, shkaktojnë keqmenaxhimin e problemeve kryesore; zgjidhjen e kaosit të trafikut përmes krijimit të një transporti publik të qasshëm dhe gjithëpërfshirës; reforma në menaxhimin e mbeturinave përmes digjitalizimit dhe riciklimit; zgjerimin e hapësirave të gjelbra; kthimin e qeverisjes komunitare duke përfshirë qytetarët në vendimmarrje përmes këshillave të lagjeve; dhe digjitalizimin e shërbimeve komunale.
Në fushën e urbanizmit, Çeku premton përfundimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe vendosjen e planeve rregulluese zonale si mënyrë për t’i dhënë fund kaosit urban. Brenda katër viteve të para ai synon finalizimin e hartës kadastrale dhe krijimin e një baze digjitale për çdo pronë, si garanci për dhënien fund të ndërtimeve pa leje.
Sa i përket mobilitetit, Çeku premton zgjerimin e flotës së autobusëve, me fokus ata elektrikë, krijimin e korsive të dedikuara për autobusë dhe ndërtimin e katër parkimeve periferike të konceptuar si “Parko & Udhëto”, për ta shkarkuar qendrën nga veturat. Në katër vitet e para synohet edhe menaxhimi i arterieve kryesore të trafikut me semaforë inteligjentë dhe sisteme të avancuara kontrolli. Në vizionin e vitit 2035, Prishtina shihet si qytet ku transporti publik është opsioni kryesor, ku biçikletat janë pjesë e infrastrukturës së rregullt dhe lëvizja e lirë nuk varet më nga bllokimet e trafikut.
Mjedisi dhe menaxhimi i mbeturinave janë pjesë qendrore e programit. Çeku propozon reforma në ndërmarrjen “Pastrimi”, përfshirë blerjen e 1.500 kontenierëve të rinj dhe vendosjen e stacioneve transferi brenda katër viteve të para, si dhe futjen e faturimit digjital. Deri në vitin 2035, plani i tij është që kryeqyteti të ketë impiante të riciklimit dhe trajtimit të mbeturinave ndërtimore, duke e shndërruar sektorin e mbeturinave në një zinxhir ekonomik që krijon vende pune.
Sa i përket përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, Çeku synon të ndërtojë mekanizma pjesëmarrës për komunitetet. Ai premton themelimin e këshillave të lagjeve, të cilët do të kenë rol të drejtpërdrejtë në përcaktimin e prioriteteve të komuniteteve. Në katër vitet e para, do të nisë buxhetimi pjesëmarrës dhe publikimi i kontratave komunale, ndërsa deri më 2035 vizioni është që komuna të funksionojë si një institucion i hapur, ku qytetari ka qasje jo vetëm në të dhëna, por edhe në procese të vendimmarrjes.
Në arsim e shëndetësi programi premton investime në kopshte të reja dhe modernizim të shkollave në katër vitet e para, ndërsa planifikohet edhe pajisja e qendrave të mjekësisë familjare me aparatura moderne dhe zgjerim të shërbimeve diagnostike. Edhe Çeku, si kandidatët/et e tjerë/a, parasheh ndërtimin e Spitalit Rajonal të Prishtinës. Deri në vitin 2035 planifikohet që Prishtina të ketë rrjet të barabartë shkollash dhe qendrash shëndetësore në çdo lagje, duke ofruar qasje të barabartë shërbimesh për fëmijët dhe të moshuarit.
Ekonomia dhe kultura janë përfshirë përmes projekteve si Parku Industrial në Bërnicë dhe Kulla TIK, të menduara për katër vitet e para, që synojnë krijimin e hapësirave për inovacion dhe start-up. Në vizionin e vitit 2035, Prishtina shihet si qendër rajonale e teknologjisë dhe kulturës, me turizëm të zhvilluar përmes brendimit të qytetit, Qendrës së Vizitorëve dhe infrastrukturës sportive.

Ismaili për herë të dytë ia ka mësyrë garës për kryetar të Prishtinës me një program që e quan “Platforma e Zgjidhjeve”, të cilin ai e përshkruan si diçka që parasheh hapa të matshëm për ta kthyer Prishtinën në një qytet funksional. Sipas tij, programi bazohet në përvojën personale: bllokimet e pafundme të trafikut, rrugët pa ndriçim, lagje të mbushura me pluhur e beton dhe mbeturinat të kudondodhura.
Në vend të vizioneve shumëvjeçare, Ismaili premton zgjidhje të menjëhershme të problemeve që sipas tij kërkojnë urgjencë. Ai i ndan premtimet në pesë prioritete: rihapjen e rrugës “Xhorxh Bush” në javën e parë të mandatit, zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajve, ndriçimin e rrugëve dhe menaxhimin human të qenve endacakë, pastrimin e lagjeve 24/7 dhe kthimin e hapësirave publike të betonizuara tek komuniteti. Këto masa i quan themel i mandatit të parë, duke vendosur standardin se qytetarët do ta masin punën e tij me ndryshime të prekshme brenda muajve të parë.
Në fushën e mobilitetit, Ismaili premton brenda katër viteve blerjen e 100 autobusëve të rinj me emetime të ulëta që do të qarkullojnë çdo shtatë minuta në linjat kryesore përmes korsive të veçanta. Deri në fund të mandatit, shërbimi i transportit publik premton të jetë falas. Përveç kësaj, ai parashikon 60 semaforë të rinj, pesë parkingje të tipit “Parko & Udhëto” në hyrjet e qytetit dhe një qendër digjitale për menaxhimin e trafikut. Këto hapa, sipas tij, do ta shkarkojnë kryeqytetin nga kaosi dhe do të krijojnë lëvizje të lirë për këmbësorët, përdoruesit e autobusëve dhe biçiklistët.
Sa i përket sigurisë publike, ai premton ndriçimin e 1.000 rrugëve, ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja, trajtim njerëzor të 5.000 qenve endacakë dhe vendosjen e 200 zyrtarëve të sigurisë në shkolla e lagje. Këto masa ai i sheh si themel për një qytet ku qytetarët nuk frikësohen të ecin lirshëm natën dhe ku fëmijët mund të shkojnë në shkollë të sigurt.
Tutje, Ismaili premton 60 kamionë të rinj të pastrimit, 2.100 kontejnerë inteligjentë dhe depo të veçanta për mbeturinat ndërtimore e të dendura. Po ashtu, programi parashikon edhe një fabrikë moderne për prodhimin e energjisë nga mbeturinat përmes riciklimit.
Në kapitullin që e quan “Prej betonit te komuniteti”, ai premton pezullimin e lejeve të reja të ndërtimit për gjashtë muaj, si mënyrë për ta ndalur hovin e pakontrolluar të ndërtimeve. Paralelisht, synon mbjelljen e 100.000 drunjve brenda katër viteve, krijimin e parqeve jo më larg se 300 metra nga çdo shtëpi dhe organizimin e lagjeve qendrore në pesë “Superblloqe”, që eliminojnë trafikun transit, zgjerojnë hapësirat për këmbësorë dhe krijojnë korridore të gjelbra për banorët. Ai po ashtu premton zbatimin e sistemit të “Votimit në lagje”, ku banorët çdo vit mund të zgjedhin nga një projekt lokal që kërkon përmirësim në lagjen e tyre.
Në fund, programi i tij e përqendron të ardhmen e Prishtinës tek inovacioni dhe kultura. Ai premton që 10 ndërtesa publike të shndërrohen në qendra inovacioni “Future Hubs” për të rinj, Pallati i Rinisë të shërbejë 24 orë si kampus për teknologji dhe kulturë për ta; përfundimin e ndërtimit të stadiumeve sportive dhe pishinave olimpike, një sallë koncertesh në Gërmi dhe qendra të reja kulturore për fëmijë.
Gjatë fushatës, ai publikoi 10 vendimet e para që do t’i nënshkruajë nëse merr mandatin e kryetarit të Prishtinës. Përveç pesë prioriteteve kryesore të programit, aty përfshihen edhe: nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara dhe krijimi i taskforcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

Shahini, e cila u rikthye rishtazi në politikë, iu fut garës për Prishtinën me banimin si problem qendror. Banimin e sheh si çështjen më urgjente për një qytet ku jetesa është bërë gjithnjë e më e papërballueshme.
Për të, Prishtina është kthyer në një treg të betonizuar ku banorët e zakonshëm luftojnë për gjetjen e një banese të denjë dhe ku çmimet janë larg mundësive reale të shumicës. Duke e vendosur këtë problem në epiqendër, fushatën e saj po e zhvillon nga një banesë që e ka marrë me qira dhe po numëron shpenzimet që një familje me të ardhura mesatare shpenzon përgjatë një muaji. Shahini premton ta kthejë lagjen dhe shtëpinë në qendër të politikave komunale, duke nënkuptuar se mandati i saj do të matet bazuar në cilësinë e jetesës brenda komuniteteve dhe jo në projektet spektakolare.
Në këtë vizion, banimi nuk shihet vetëm si çështje e ndërtimit të banesave të reja, por si një kombinim i hapësirave të përballueshme, sigurisë juridike dhe infrastrukturës përcjellëse. Shahini premton themelimin e Fondit të Banesave, një mekanizëm për të subvencionuar qiranë dhe për të garantuar strehim për familjet që përballen me krizë financiare. Gjithashtu, ajo propozon taksa të reja për banesat e pashfrytëzuara dhe të pabanuara, duke i detyruar pronarët t’i hedhin ato në treg, në vend që të mbesin si kapital i ngrirë që ndikon çmimin e tregut. Për më tepër, premton që çdo projekt ndërtimor të kalojë përmes mekanizmit “Urbanika”, një korporatë zhvillimore publike që do të ndërtojë, menaxhojë dhe aktivizojë pronën komunale me mision social dhe urban. Ky mekanizëm për shembull do të lidhte ndërtimin e lagjeve të integruara me investime në shërbime, infrastrukturë dhe hapësira të gjelbra.
Qasja e saj është e lidhur ngushtë me urbanistikën dhe drejtësinë sociale. Ajo propozon që lagjet e reja të zhvillohen vetëm kur infrastruktura përcjellëse si rrugët, kanalizimet, shkollat dhe kopshtet janë të garantuara. Përndryshe, ndërtimet që sjellin vetëm beton do të ndalohen. Ky vizion, sipas programit të Shahinit, nuk është kundër zhvillimit, por për zhvillim të drejtë dhe të barabartë, ku komunitetet nuk shndërrohen në lagje geto pa shërbime bazike.
Programi për mobilitetin premton një sërë masash të menjëhershme dhe afatshkurtra që synojnë të lehtësojnë qarkullimin dhe të përmirësojnë jetën urbane. Shahini premton kufizimin e orareve e ngarkim-shkarkimit të mallrave dhe qarkullimit të makinerive të rënda vetëm gjatë orëve të qeta, ndërsa në hyrjet e qytetit krijimin e parkingjeve me rotacion të shpejtë dhe në lagje si “Bregu i Diellit”, “Ulpiana” e “Dardania” do të ndërtohen parkingje me kate për të liruar hapësirat publike për këmbësorë dhe gjelbërim. Për nxënësit parashihet një flotë prej 50 minibusësh për transport të sigurt drejt shkollave, ndërsa zgjerimi i transportit publik me 40 autobusë të rinj dhe një flotë prej 40 minibusësh për rrugët e ngushta.
Në shëndetësi, programi i saj përqendrohet në kujdesin e afërt dhe parandalues. Ajo premton riorganizimin e qendrave të mjekësisë familjare për t’iu përshtatur nevojave të lagjeve, laboratorë funksionalë dhe zvogëlimin e përdorimit të panevojshëm të antibiotikëve. Rëndësi i kushton edhe kujdesit për nënat dhe bebet, me mbështetje që nis nga shtatzënia e deri pas lindjes, duke përfshirë trajnime për mamitë dhe infermieret. Gjithashtu, Shahini premton skrining falas për kancerin e qafës së mitrës, edukim shëndetësor në shkolla dhe vizita të rregullta nga dentisti dhe okulisti, duke e vendosur shëndetin publik në qendër të politikave.
Mjedisi është një tjetër shtyllë. Ajo premton mbjelljen e 100.000 drunjve, krijimin e parqeve brenda çdo lagjeje dhe rikthimin e hapësirave publike të gjelbra, të zëna nga parkingjet dhe ndërtesa.
Në fushën e arsimit, ku Shahini edhe njihet për ekspertizën e saj, ajo premton ndërtimin e 10 shkollave të reja, për ta ulur numrin e nxënësve për klasë dhe për ta bërë arsimin më gjithëpërfshirës. Bashkë me këtë, synon të integrojë edukimin kulturor nëpër shkolla dhe të zhvillojë programe që krijojnë hapësira për art, muzikë dhe lexim për fëmijët, në mënyrë që e tërë energjia e tyre të mos përqendrohet vetëm te lëndët akademike.
Shahini, ndryshe nga shumica e kandidatëve të tjerë, paraqet një plan të hollësishëm për pensionistët. Ajo premton shndërrimin e pesë objekteve në qendra komunitare në disa lagje, ku të moshuarit do të kenë mbikëqyrje shëndetësore bazike dhe mundësi për aktivitete sociale që nxisin “plakjen aktive”. Programi parasheh gjithashtu zgjerimin e vizitave shëndetësore në shtëpi për të moshuarit me sëmundje kronike, përmes trajnimeve të posaçme për infermierë dhe punëtorë socialë, si dhe angazhimin e pensionistëve në programin e vullnetarëve ndërbrezorë, ku ata do të kontribuojnë në komunitet me ligjërata në shkolla, projekte agroturizmi, si dhe aktivitete të tjera që shfrytëzojnë përvojën e tyre profesionale.
Në programin e Shahinit vëmendje i kushtohet edhe kulturës dhe jetës së natës. Ajo premton grante transparente për organizata e artistë të pavarur, ripërtëritje të hapësirave kulturore, muze të Prishtinës që e tregon historinë e qytetit dhe një qasje që e sheh kulturën si të decentralizuar dhe jo të përqendruar vetëm në qendër. Për jetën e natës, ajo premton hapësira të sigurta, bashkëpunim me bizneset dhe krijimin e zonave ku rinia dhe artistët e rinj mund të performojnë, duke e parë këtë si potencial ekonomik dhe kulturor për kryeqytetin.
Në përmbyllje, programi i Besa Shahinit ndërtohet duke u bazuar në idenë se çdo politikë fillon nga shtëpia dhe lagjja. Për të, banimi është nyja që lidhet me transportin, shëndetësinë, arsimin dhe kulturën. Premtimi i saj është i thjeshtë: një Prishtinë ku askush nuk mbetet pa banim të denjë dhe ku çdo lagje është e jetueshme, e gjelbër dhe me shërbime cilësore.

Katër vjet pas pjesëmarrjes në garën për të parin e Istogut, kësaj radhe në garën për Prishtinën Berisha shpalosi një program që ai e quan “kontratë me qytetarët” dhe që përmbledh shtatë prioritete, nisur nga arsimi e shëndetësia, infrastruktura, ekonomia, siguria, kultura dhe mjedisi.
Berisha i ka hyrë garës për kryeqytetin me një fushatë që ka për qëllim të dallojë nga tri programet e tre kandidatëve të tjerë, Ramës, Çekut e Ismailit, të cilët sipas Berishës, përmbajnë projekte megalomane për një qytet që vuan nga probleme bazike.
Për dallim nga gjuha retorike e përgjithshme, programi i tij karakterizohet nga një ton praktik: zgjidhje të menjëhershme për problemet bazike si uji i pijshëm, kanalizimi, ndriçimi dhe mbeturinat, duke i përjashtuar nga lista e premtimeve sepse, pasi, siç e thekson, ato janë detyrim që duhet të realizohen brenda vitit të parë.
Në arsim dhe rini, Berisha premton transformim të shkollave në hapësira moderne, me klasa digjitale, transport me autobusë të dedikuar për nxënësit, tualete të pastra dhe oborre të sigurta. Gjithashtu parashihet ndërtimi i një kampusi të ri me pesë shkolla të mesme dhe rinovim i 15 shkollave ekzistuese, shoqëruar me 15 çerdhe të reja dhe programe pas orarit mësimor. Për të rinjtë, parashikohet hapja e shkollave profesionale për IT dhe zanate praktike, bursa për nxënësit e dalluar, mbështetje psikologjike dhe qendra rinore me studio muzikore, palestra shumëfunksionale, kinema artistike dhe hapësira për kreativitet.
Në shëndetësi, programi përqendrohet në parandalim. Ndërtimi i një qendre të re të mjekësisë familjare dhe modernizim i qendrave ekzistuese do të shoqërohen me kartela shëndetësore digjitale dhe aplikacione online për termine. Berisha premton se për çdo qytetar do të ofrohen kontrolle falas vjetore, fushata vetëdijësuese për zemrën, diabetin dhe shëndetin mendor, si dhe telemjekësi për konsultime online. Familjet e reja do të përfitojnë subvencione për lindje dhe ushqim të shëndetshëm në shkolla, ndërsa të moshuarit shtëpi moderne me kujdes dinjitoz. Në planprogramin e Berishës parashihet edhe ndërtimi i një qendre për rehabilitimin e të varurve nga substancat narkotike e alkooli, si dhe një program për kujdes ndaj qenve endacakë përmes sterilizimit, vaksinimit dhe adoptimit.
Në infrastrukturë dhe transport, Berisha propozon legalizim të shpejtë të pronave dhe urbanizim të planifikuar deri në vitin 2030, me lagje që plotësojnë kushtet për shërbime bazike. Berisha premton 20 kilometra trotuare të reja, ndriçim diellor, dy sheshe të reja, nënkalime dhe rrugë të ngadalshme për këmbësorët. Transporti publik do të pajiset me 50 autobusë elektrikë, linja të rregullta për çdo lagje e fshat, aplikacion për oraret e biletat, si dhe zbritje në çmimet e biletave për pensionistët e studentët. Përveç kësaj, planifikohet dy parkingje të mëdha nëntokësore, me sistem “Park & Ride”, njësoj si kandidatët/et e tjerë/a, që tashmë është e njohur dhe ka filluar të zbatohet.
Në siguri dhe administratë, Berisha premton vendosjen e zyrtarëve policorë pranë shkollave dhe lagjeve, 1.000 kamera sigurie, 100 radarë modernë dhe aplikacion për raportim të dhunës. Ai propozon legalizim të mbi 46.000 ndërtimeve pa leje me procedurë digjitale brenda 6-12 muajve, 100% shërbime komunale online, publikim në kohë reale të çdo euroje të shpenzuar dhe buxhetim pjesëmarrës për qytetarët.
Në kulturë, Berisha parasheh dyfishim të buxhetit, krijimin e një kalendari festivalesh për muzikë, film e gastronomi, dhe se 1% nga çdo projekt i madh do të dedikohet për artin publik. Pallati i Rinisë do të rikthehet si qendër multifunksionale me pishinë olimpike, kinema artistike, hapësira muzikore e laboratorë kreativë.
Berisha e përmbyll programin e tij me mjedisin, ku parashihet vizioni për një Prishtinë të pastër e të gjelbër: mbjelljen e 40.000 pemë të reja, programe “Adopto një Pemë”, korridore të gjelbra që lidhin parqet kryesore dhe një sistem modern ujitjeje me ujë të ricikluar. Çdo lagje do të ketë ekip pastrimi dhe kontejnerë modernë, ndërsa do të zhvillohen aplikacione që do ta monitorojnë ndotjen dhe, përfshirë edhe gjobat digjitale.
Imazhi i ballinës: K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.
Nga Uran Haxha - 05.03.2025
Nga Arianna Previtera - 02.04.2025
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.