Aktualisht janë mijëra refugjatë dhe emigrantë tjerë në Ballkan. Disa prej tyre janë të strehuar në qendra kolektive zyrtare, ndërsa shumë njerëz kanë mbetur jashtë sistemit, duke mbijetuar nëpërmjet ndihmës së popullsisë vendase dhe mbështetjes së dhënë nga vullnetarët anembanë rajonit.
Por me përhapjen e virusit COVID-19, rrethanat e tyre të rënda po vështirësohen edhe më, duke u lypsur veprime ugjente prej atyre që janë në pushtet — lokalëve dhe ndërkombëtarëve — dhe solidaritet prej të gjithë neve.
Gjendja e Jashtëzakonshme që aktualisht është në fuqi në shumë vende të rajonit është bazë për vazhdimin dhe përforcimin e pabrazive shoqërore dhe fatkeqësisht ende po shërben si arsyetim për shtypjen dhe stigmatizimin e mëtejmë të njerëzve më të pambrojtur në mesin tonë. Por kjo situatë e jashtëzakonshme nuk duhet të bëhet justifikim për politikat e vazhdueshme të përjashtimit, kufizimit dhe dëbimit, vuajtjes dhe ankthit.
Frika për jetët tona dhe të atyre rreth nesh me të cilën po ballafaqohemi aktualisht ka qenë realitet i përditshëm për shumëkënd për një kohë të gjatë. Këto pasiguri të ditëve të sotme na bëjnë që në mënyrë radikale ta vëmë në dyshim sistemin e hierarkive gjeopolitike, dallimet racore dhe klasore që na ndajnë dhe klasifikojnë, duke prodhuar një popullsi të njerëzve të padëshiruar dhe të mohuar, si anembanë botës, ashtu edhe në shtetet tona. Në këto kushte nuk na mbetet asgjë tjetër pos të punojmë për t’i eliminuar pabarazitë e imponuara në bazë të statusit shoqëror dhe kombëtar.
Prandaj ne bëjmë thirrje për t’u dhënë fund të gjitha praktikave zyrtare dhe jozyrtare të diskriminimit dhe çnjerëzimit, për legalizimin e ekzistencës së të gjithë njerëzve, për mbylljen e të gjitha formave të ndalimit dhe qendrave kolektive që kufizojnë lirinë e lëvizjes dhe nuk ofrojnë kushte të sigurta, njerëzore dhe higjienike. Si individë, ne bëjmë thirrje për afirmimin e vlerave të barazisë dhe lirisë, dhe bëjmë apel për veprime të kujdesit dhe solidaritetit.
Njëkohësisht, si formë e masave emergjente, kërkojmë nga qeveritë anëtare të Bashkimit Evropian, shtetet e rajonit, dhe të gjitha organizatat dhe institucionet relevate të sigurohen që të gjithë atyre që detyrohen të jetojnë në rrugë, në ndërtesa të braktisura pa kushte minimale sanitare, apo në qendra kolektive joadekuate, t’u sigurohet në mënyrë sistematike strehimi në kushte njerëzore, të sigurta dhe sanitare.
Bëjmë thirrje që të sigurohen kushte jetësore adekuate dhe të shëndetshme për të gjithë, që ndërtesat publike dhe ndërtesat tjera (të papërdorura, private), përfshirë këtu objektet e turizmit, të pëdoren për këtë qëllim. Në një pandemi të tillë, strehimi bazik për të gjithë njerëzit e prekshëm duhet të jetë prioritet i të gjitha shteteve të përgjegjshme dhe politikave publike.
Ju kujtojmë që Bashkimi Evropian dhe veçanërisht Komisioni Evropian bartin përgjegjësi të posaçme ndaj refugjatëve dhe emigrantëve tjerë që kanë “ngecur” në shtetet tona. Siç kanë treguar haptas me veprimet e tyre të fundit në kufirin greko-turk dhe në kufij tjerë, ata duan t’i mbajnë refugjatët dhe emigrantët jashtë territorit me çdo kusht dhe duke përdorur çfarëdo mjete, edhe nëse rezulton në vuajtje dhe dhunë të mëtejme.
Në atë strukturë të masave të parapara dhe zbatuara nga autoritetet lokale dhe shtetërore, si dhe nga organizatat ndërkombëtare si Organizata Ndërkombëtare për Migracion (ONM) dhe partnerët e tyre, të cilat në disa shtete të rajonit e kanë marrë përsipër rolin kryesor në punën me njerëzit që janë në lëvizje, ne kërkojmë formimin dhe aktivizimin e menjëhershëm të ekipeve të lëvizshme për të sjellë ujë dhe ushqim, si dhe produkte për pastrim dhe higjienë, për të gjithë ata që jetojnë jashtë kampeve dhe kanë nevojë për to.
Qytetarët duhet të përfshihen në këtë proces pa kufizime, në bazë vullnetare dhe në përputhje me rekomandimet e specialistëve të shëndetësisë dhe epidemiologjisë.
U bëjmë thirrje qytetarëve, vullnetarëve lokalë dhe ndërkombëtarë në rajon të cilët duan të ndihmojnë në çfarëdo mënyre, që t’i respektojnë udhëzimet e epidemiologëve dhe ekspertëve të shëndetësisë në mënyrë që të reduktohet mundësia e rrezikimit të vetes dhe atyre të cilëve u ndihmojnë. U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që të bashkëpunojnë dhe ta koordinojnë punën e tyre, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta mposhtim pandeminë e frikës dhe t’i reduktojmë rreziqet serioze me të cilat ballafaqohen më të pambrojturit në mesin tonë.
Gjithashtu, kërkojmë që njerëzve të cilët jetojnë aktualisht në qendra kolektive anembanë rajonit t’u ofrohet mbrojtje adekuate, ushqim kualitativ dhe kushte higjienike që mbështesin dinjitetin bazik njerëzor. Në mesin e tyre janë shumë që u përkasin kategorive të prekshme, si njerëz me sëmundje kronike apo njerëz me imunitet të dobët. Është e domosdoshme të përmirësohet kujdesi posaçërisht për këta njerëz.
Qendrat kolektive në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat menaxhohen nga ONM, janë me gjasë në gjendjen më të keqe dhe nën çdo nivel të dinjitetit. Shumica janë të stërmbushura, pa kushte adekuate për mirëmbajtjen e rregullt të higjienës, pa qasje të rregullt në ujë të ngrohtë për larje dhe ujë të pastër për pirje, dhe pa materiale bazike për higjienë personale dhe dezinfektim. Ata që janë përgjegjës duhet t’i sigurojnë këto burime themelore gjatë gjithë kohës, jo vetëm në kushte të pandemisë.
Kërkojmë angazhimin e të gjithë atyre që kanë kapacitet të veprojnë dhe e kanë për detyrë të veprojnë: agjencitë e OKB-së dhe partnerët e tyre, posaçërisht ONM-ja e cila ka jurisdiksionin më të madh, Mjekët Pa Kufij, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe degët lokale, Këshilli Danez për Refugjatë, Merhamet, Caritas, dhe të gjitha organizatat dhe grupet tjera që janë të përfshira në çfarëdo mënyre në kujdesin për njerëzit në lëvizje.
Për fund, kërkojmë që të gjithë njerëzve t’u sigurohet në mënyrë të barabartë qasja e pakufizuar në sistemin e shëndetësisë, që njerëzit në lëvizje të trajtohen pa diskriminim, dhe që masat konkrete për mbrojtjen e tyre të bëhen pjesë e të gjitha masave për mbrojtjen e popullsisë si tërësi.
Kërkojmë që njerëzve t’u sigurohet qasja në informata për virusin në gjuhët që ata i kuptojnë; për atë se si funksionon në mikro-kontekste lokale, si shpërndahet nga personi në person, dhe si duhet ta mbrojnë veten prej tij. Në betejën kundër kësaj pandemie, përjashtimi i një pjese të popullsisë nga masat mbrojtëse i dëmton të gjitha përpjekjet tjera për ta frenuar përhapjen e virusit.
Qeveritë tona janë të detyruara me ligj të garantojnë qasje në trajtim emergjent — për të cilin do të ketë nevojë shumëkush për shkak të COVID-19 — për të gjithë njerëzit pa marrë parasysh statusin. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje autoriteteve që t’i sigurojnë kësaj popullsie qasje të rregullt në trajtim mjekësor pa pagesë, posaçërisht atyre që janë të infektuar me virusin apo atyre për të cilët ka arsye për të dyshuar se mund të jenë të infektuar.
Njëkohësisht, kjo situatë kërkon të jemi të kujdesshëm dhe të hapur, të sigurojmë mbështetje të organizuar për refugjatët, emigrantët dhe grupet tjera të rrezikuara. Kjo kërkohet prej nesh nga humanizmi elementar, si dhe logjika bazike e shëndetësisë publike, sepse askush nuk është i sigurt nëse nuk jemi të gjithë të mbrojtur!
Foto kryesore: Foto nga arkiva (shkurt 2020). Ajdin Kamber / K2.0.