S`fundmi | K2.0

Dafina Halili fituese e çmimit “Rexhai Surroi”

Nga - 21.12.2018

Gazetarja e K2.0 merr çmimim për gazetari për artikullin që trajton temën e drejtësisë tranzicionale dhe të drejtave të njeriut.

 

Jemi jashtëzakonisht krenarë që gazetarja e Kosovo 2.0, Dafina Halili, fitoi çmimin ‘’Rexhai Surroi’’ për gazetari me tregimin ‘’Të marrësh udhën e gjatë drejt drejtësisë’’ të publikuar në shtator të këtij viti në Kosovo 2.0. Ky artikull tregon për rrugëtimin e gjatë të kosovarit Bekim Gashit për të gjetur drejtësi për nënën dhe katër motrat e tij, të cilat janë vrarë gjatë luftës 1999 në Kosovë. Gati 20 vite pas vdekjes së tyre gjykimi rreth rastit ende po vazhdon në Gjykatën për Krimet e Luftës në Serbi, derisa Gashi vazhdon të pres që t’i kthehen trupat e familjareve të tij.

Gjithashtu në fillim të këtij muaji, Dafina Halili fitoi ‘’Çmim Gazetarie për Barazi Gjinore’’ e ndarë nga Democracy for Development (D4D), për artikujt serikë “Vështirësitë e të qenit nënë e punësuar në Kosovë” dhe “Dispozitat e pushimit të atësisë po i përjashtojnë baballarët kosovarë” të vitit 2016, të cilët trajtojnë dispozitat e lehonisë dhe atësisë në Ligjin e Punës, që diskriminojnë baballarët duke i përjashtuar prej ligjit e njëherit përforcojnë rolet tradicionale gjinore, duke rritur hendekun e pabarazisë gjinore në tregun e punës.

Ndërkohë, në fund të vitit 2017, gazetarja Halili po ashtu fitoi dy çmime për artikullin “Përtej përhapjes së fruthit” ku ajo trajtoi atë se si komunitetet pakicë nuk kanë qasje të duhur në shërbime shëndetësore dhe përballen me varfëri të skajshme. Ky artikull u punua mbase që një foshnje humbi jetën si rezultat i mungesës së vaksinimit për fruthin, përkundër rasteve të shumta të lajmëruara nga ky komunitet.

Për këtë artikull, në dhjetor 2017 Halili e fitoi çmimin e Gazetarisë për të Drejtat e Njeriut nga BIRN dhe atë për gazetari në fushën e të drejtave të fëmijëve nga Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), për artikullin e njëjtë.K

Burimi i fotografisë: KTV