Atë ditë, Lisa* pak si me hile e kreu më herët orarin e paradites në punë. Rastësisht rrugës takoi një shok me të cilin kishte ca kohë që s’fliste — biseda e fundit mes tyre s’kishte qenë aspak e këndshme. Ama atë ditë ajo u ndal për t’i ndërruar dy-tri fjalë, të cilat përfunduan me ftesë për drekë nga ana e tij.
Disa mendime e shtynë ta pranonte ftesën: besonte se kishte kaluar mjaft kohë sa të mos hapeshin llafet e moçme mes tyre, kishte dëshirë të rrinte me të, donte të largohej nga zyra, por ndoshta arsyeja vendimtare ishte që qëlloi koha e drekës dhe i duhej të hante.
Shkuan në një lounge bar aty pranë vendit të saj të punës dhe u ulën në tarracën e gjerë ku tavolinat ishin të vendosura larg njëra-tjetrës. Ajo u çudit kur pa plot njerëz edhepse për atë vend, e sidomos për atë orë, s’ishte e pazakonshme. Filloi ta ndiente njëfarë sikleti që do t’i vërtetohej në pak orë të asaj dite të 13 marsit 2020.
Tash e disa ditë po qarkullonin llafe për rrezikun e përhapjes së virusit COVID-19. Kina veçse ishte përthekuar nga pandemia, ndërsa nga Italia vinin lajme për pasojat e frikshme që shkaktonte infektimi me virusin.
Lisa po e mendonte se me qarkullimin e shpeshtë të njerëzve mes Italisë e Shqipërisë dhe mes Shqipërisë e Kosovës, me gjasë virusi kishte mbërritur edhe në Kosovë. Në mes të këtyre llogaritjeve, ajo s’donte të rrinte më në lokal, por kamarieri po i rrinte mbi krye kështu që e bëri porosinë për ushqim sa për ta hequr qafe. Pastaj porositi edhe shoku i saj, Kela*, por pasi nuk ua merrte mendja të hanin aty, kur iu erdhi ushqimi u çuan dhe e morën me vete.
Në ulëse të një parku aty afër i hëngrën si përgjysmë shujtat ndërkohë që bisedonin për pasojat eventuale të virusit. Pastaj vendosën të ktheheshin nëpër puna, ajo në zyrë e ai në një kafeteri aty afër nga ku po punonte atë ditë.
Kur u kthye në zyrë, ajo pa që kolegët kishin filluar të diskutonin plot panik rreth pandemisë. Duke shfrytëzuar rrëmujën, vendosi të dilte nga zyra dhe ta takonte prapë Kelën, por i tha atij se s’kishte ndërmend të rrinte brenda në lokal. Kështu, ata blejtën birra në një shitore të vogël dhe nisën të pinin në oborrin e një prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa bënin muhabet të relaksuar përgjatë disa orëve.
Atë pasdite, kabineti qeveritar po mbante mbledhje të jashtëzakonshme. Pak pas orës 17 kryeministri i atëhershëm njoftoi në konferencë për media se dy persona kishin dalë pozitivë me COVID-19, çka shënonte të prekurit e parë në Kosovë. Ai gjithashtu njoftoi se në një mbledhje të mëvonshme qeveria do të vendoste për masat e mëtejme kundër përhapjes së virusit.
Pasi po e kontrollonte më shpesh telefonin, Lisa e pa lajmin e para. Mes shumë të panjohurave, ajo dhe Kela vendosën të ktheheshin nëpër banesat e veta në lagjen Bregu i Diellit, e për ta vazhduar bisedën online.
Muajt e karantinës
Atë të premte të 13 marsit qeveria filloi të merrte një varg masash si kundërpërgjigje ndaj shpërndarjes së virusit. Shumica e bizneseve u mbyllën dhe në pak ditë vendi u fut në izolim; qytetarët lejoheshin të dilnin nga shtëpitë vetëm brenda një hapësire të caktuar kohore gjatë ditës.
Përgjatë muajit të parë të masave ndaluese, lejohej lëvizja për katër orë gjatë ditës. Por me t’u rritur numri i të prekurve me COVID-19 u shtrënguan ndalimet: lëvizja lejohej për 90 minuta gjatë ditës si dhe shumë komuna u futën në karantimin të plotë, hyrje-daljet kontrolloheshin nga policia e s’lejohej qarkullimi.
Gjithë këto ndërrime çuan në një mënyrë të çuditshme të jetesës. Shumëkush shumëkë s’do ta takonte me muaj dhe qëndrimet e gjata në shtëpi krijuan distancim fizik, por në plot raste — sidomos mes të rinjve — bënë që të shtohej komunikimi online përmes rrjeteve sociale. Edhe “takimet” detyrimisht filluan të mbaheshin virtualisht.
Pak a shumë kështu ndodhi edhe për Therandën*, e cila më se gjysmën e marsit e kaloi vetëm me macen e saj. Daljet nga banesa në lagjen Tophane në Prishtinë i kishte të rralla. As vizitorë e kontakte me njerëz s’kishte — vetëm në rastet kur furnizohej me ushqime apo kur ia sillnin me porosi te hyrja e ndërtesës.
Ajo kishte filluar t’i respektonte masat mbrojtëse edhe pa nisur ato zyrtarisht. Por kah fundi i marsit, pasi postoi një fotografi të maces së saj në Instagram, një koment do ta niste një bisedë e cila do ta nxjerrte nga banesa. Loriku*, të cilin e njihte vetëm përmes shkëmbimeve zyrtare përmes email-it, ia lavdëroi macen dhe kështu hynë në bisedë, të cilën e vazhduan edhe përgjatë gjithë ditës së nesërme.
“Ma vonë m’ka tregu që macen e ka pasë veç me hi n’fore”, thotë duke qeshur Theranda, dhe e pranon se ia merrte mendja prej fillimit që ishte ashtu.
Për pak minuta arriti në banesën e Lorikut, ku ai jetonte vetëm.
Biseda do të vazhdonte edhe mbrëmjen e nesërme, kur nisën të flisnin për t’u takuar. Ajo ishte në dyshime — jo që s’donte, por tash e dy javë po ndiente simptoma të COVID-19. Këto shqetësime ia tha Lorikut, por e siguroi edhe se donte ta shihte.
“Jo bre, s’e ki”, ishte përgjigja e tij. “Hajde, hajde”.
Dikur pas orës 22 Theranda e bindi veten të shkonte. Banesat i kishin në dy skaje të kundërta të Prishtinës dhe asaj i duhej të gjente zgjidhje si ta bënte rrugën deri atje gjatë orës policore dhe me kompanitë e taksive të mbyllura.
Më në fund arriti ta bindte një të njohur taksist që punonte ilegalisht ta dërgonte në Lagje të Spitalit, dhe mori me vete lejen e qarkullimit që ia kishte lëshuar puna në rast se i ndalonte policia. Për pak minuta arriti në banesën e Lorikut, ku ai jetonte vetëm.
“Pas takimit të parë ai nuk e ka taku familjen e vet disa ditë, edhe pse më ka thënë që ka besu se s’kam Covid”, tregon Theranda. “Domethënë ka bërë sakrificë për seks”.
Që nga ajo natë ata u morën vesh që në rast se bëjnë seks me persona të tjerë, për siguri t’i tregojnë njëri-tjetrit, meqë po mendonin t’i vazhdojnë takimet edhe për disa muaj. “Bile ka pasë raste kur ia nisa me bujtë nga dy netë”, thotë Theranda duke qeshur.
Takimet virtuale
Përderisa Theranda dhe Loriku vazhdonin të shiheshin në banesat e njëri-tjetrit, Lisa dhe Kela të vetmet mundësi për t’u parë i kishin përmes thirrjeve telefonike me kamerë.
Që më 15 mars Kela ishte kthyer në Ferizaj për të jetuar me prindërit, ndërsa Lisa banonte në Prishtinë. Tashmë të dy qytetet i kishin hyrjet-daljet të kontrolluara nga policia, por, përtej kësaj, asnjëri s’donte të rrezikonte. Veç ishin shënuar viktimat e para në vend, e numri i të infektuarve po rritej — meqenëse të dy jetonin me prindërit, donin t’i kursenin ata.
Në këto kushte nisën të flisnin në telefon. “Ka ndodhë [të flasim] edhe nga 12 orë gjatë ditës”, kujton Lisa.
Ajo e dinte që ai e pëlqente. Njiheshin tash e një kohë, e në fillim të vitit flirtet e tyre ishin bërë “ashiqare”, bile për pak javë i kishin pasur edhe disa dalje romantike. Por e gjitha u ndal nga mesi i shkurtit, kur ai nisi të insistonte të shiheshin më shpesh dhe e ftonte Lisën për ta kaluar natën te ai. Bisedën e fundit e kishin përfunduar me bërtima. “U bë i tepërt”, siç thotë ajo, dhe prej atëherë nuk kishin folur më deri atë ditë marsi kur u panë rastësisht.
Në fillim të karantinës bisedat e tyre telefonike dominoheshin nga zhvillimet politike në Kosovë. “U pat bërë pak militant, por tani u zbut”, thotë ajo për periudhën deri në rrëzimin e qeverisë së asaj kohe. Por politikën vazhdonin ta përcjellnin, pasi ua impononte edhe profesioni i tyre si gazetarë.
"Një, dy, tre — lëshoje" dhe fillonte filmi.
E në javët në vazhdim, pak nga pak filluan ta rrallonin përmendjen e politikës gjatë bisedave. Çdo herë e më shumë diskutimet rreth filmave e muzikës po e zinin kryevendin në telefonatat e tyre të rregullta. Bile panë se kanë shije “fort të ngjashme” në filma, e “për muzikë ai më old-school”, siç e cilëson ajo.
Nisën të shikojnë filma së bashku nga largësia duke u sinkronizuar për ta lëshuar të dy të njëjtin film në të njëjtën kohë. “Një, dy, tre — lëshoje” dhe fillonte filmi, por sipas saj gati kurrë nuk ia qëllonin saktësisht, “qoftë për shkak të rrjetit, apo se u ngutke ai”.
Gati për çdo ditë e shikonin nga një film. “Gadjo dilo” është filmi që Lisa e shtyu Kelën ta shihte dikur në fillim të prillit. Ndërsa ai ishte çuditur kur e kishte marrë vesh që ajo s’e kishte parë Matrix-in, kështu që e panë së bashku po atë javë. Pas pak kohësh nisën edhe të pinë ndërsa flisnin në telefon, e muajt e ardhshëm ky iu bë një zakon i përbashkët.
“Një gotë verë unë, një ai, edhe llaf. Dikur edhe nisëm t’bëjmë seks virtual, si te filmi ‘Her'”, thotë ajo.
Nga virtualja në reale
Me karantinë a pa karantinë, Anita* dhe Benjamini* e kishin të pamundur të takoheshin. Ai jeton në Sarajevë ndërsa ajo në Prishtinë, e Bosnja dhe Kosova vazhdojnë të mbajnë regjime rigoroze vizash kundrejt njëra-tjetrës.
Ata të dy njiheshin prej më herët, dhe një ditë ajo deshi t’i kërkonte atij një shërbim përkthimi por s’donte të tingëllonte “shumë për interes” kështu që njëherë ia shtroi muhabetin e krejt në fund ia kërkoi favorin. Pos që e mori pjesën e përkthyer, fitoi edhe përshtypje të mirë nga biseda.
Komunikimi mes tyre nisi një muaj pas fillimit të izolimit, dhe pas një kohe Anita po i shkruante edhe për qejf dhe po merrte përgjigje e biseda që i pëlqenin. Bisedat mes tyre u bënë edhe më të hapura, madje diskutonin për lidhjet që sapo kishin përfunduar. “Pak si ngjashëm ishin [ndarjet], jo aq mirë [të përfunduara]”, thotë Anita.
“Veç në fund të prillit e di që i kam thënë një shoqes: ‘S’po di veç mas dy jave isha martu me qëto'”, vazhdon të kujtojë përshtypjet e atyre ditëve ndërsa qeshet.
Përgjatë prillit e majit kishin folur ndërmjet vete gati për secilin shok e shoqe të tyre: “Ma njeh gati secilin shok e shoqe, bile i ka edhe të preferuarit e tij”, thotë Anita. Dikur nisën të flisnin edhe për familjarët e tyre, të cilët po ashtu nisën t’i njohin sikurse t’i kishin takuar. Por, gjatë gjithë kohës Anita përballej me vështirësi “për me folë shlirë”, pasi jetonte me prindërit.
Për pak javë e pas shumë bisedave donin gjithsesi të takoheshin posa të sqarohej paksa situata e pandemisë e të hapeshin kufijtë.
Të takoheshin donin edhe Lisa e Kela.
Për t’u parë përgjatë karantinës Theranda s’e kishte aq problem, pasi shpesh e më shpesh po rrinte në banesën e Lorikut. Me raste edhe shkonte pa e lajmëruar. Në ditë tjera punonte nga banesa e tij deri vonë, e pastaj vendoste të flinte aty. Por kishte raste edhe kur udhëtonte natën, bile njëherë e kishin ndalur policia por për shkak të lejes së punës s’i kishin bërë problem.
Të takoheshin donin edhe Lisa e Kela. Duke qenë se nëpër komuna të vendit ndodhnin qarkullime e arrestime të qytetarëve herë pas here, ajo u propozoi redaktorëve në punë që ajo të shkonte në Ferizaj e Gjakovë për të parë “se sa po respektohet ndalim-qarkullimi”. Së pari do të shkonte në Ferizaj — këtë e dinte sa ishte duke e sajuar planin.
Me veturën dhe me lejen e qarkullimit u nis për atje, ku e priste Kela. E dinte se do t’i dështonte tema e raportit, pasi në plan e kishin të shkonin në parkun mbi qytetin e Ferizajt dhe të pinin birra. Bile e dinin edhe çka do t’i thonin policisë në rast se do t’i takonin: “Jemi gazetarë e po kqyrim a po frekuentohen parqet gjatë pandemisë”.
Në fillim të asaj dite, afërsia më e madhe e Lisës me Kelën ishte në veturë, pasi ishin marrë vesh ta “ruajnë distancën”. “Birrat i stërpikëm me sprej, me dorëza rrishim disa metra larg njani-tjetrit”.
Asaj i kujtohet se dikur atij iu prish shkrepësja dhe për disa orë s’kaloi askush atypari. Dikur pas disa birrave ata nisën të afroheshin, por edhe të lëviznin nëpër park për të lypur shkrepëse, të cilën e gjetën te një familje që po shëtiste aty pari. “Dikur edhe u puthëm”, por para kësaj “mezi i hekëm dorëzat, ishin pas’ ngjitë”.
Ndejtën në park deri rreth orës 21 kur Lisa duhej të kthehej në Prishtinë, e të nesërmen t’u tregonte kolegëve se tema kishte dështuar pasi njerëzit nuk ndaleshin të flisnin.
Në Gjakovë e lanë të shkonin bashkë kah mesi i majit, një të shtunë, pasi leje të qarkullimit kishin të dytë. “I pashë do foto të Shpellës së Kusarit, u dukke mirë dhe shkum. Kurgjo hiç do shkallë qaty ishin kanë”, kujton vizitën Lisa, por thotë se përkundër përshtypjeve të dobëta për shpellën, i shfrytëzuan skutat e malin për seks.
Përgjatë majit, edhe Kela shkoi disa herë të takohej me Lizën në Prishtinë, ku takimet i mbanin në oborrin e njërit prej fakulteteve të universitetit publik.
Epilog pandemik
Nga fundi i majit, masat qeveritare kundër koronavirusit veç kishin filluar të lehtësoheshin. Qytetarët lejoheshin të lëviznin lirshëm deri në orën 21, u hapën parqet, u hapën edhe kafeteritë, baret e pijetoret, si dhe u hoqën ndalim-hyrjet nëpër komunat që ishin në karantinë. Ditët e para të qershorit, kur u votua një tjetër qeveri e re, masat u lehtësuan edhe më tej.
Kela e filloi punën prej qershorit dhe nisi të shihej më shpesh me Lisën. Takimet virtuale dhe bisedat e gjata në telefon i zëvendësuan me daljet e shpeshta nëpër kafeteri. Shpeshherë rrinin edhe pas orës policore — bashkë me shoqërinë i shfrytëzonin skutat e parqeve, me raste deri në orët e mëngjesit. Por më të shpeshta i kishin takimet nëpër motele, apo Airbnb, të cilat përgjatë verës i frekuentonin vazhdimisht.
Por pas ca kohësh gjërat ndryshuan. “Sikur u kalua ajo koha kur të gjithë jetonim njëjtë. Tash kishim edhe zgjedhje — kjo vinte në pah dallimet”, shpjegon ajo se si kthimi deri diku në normalitet gjatë verës i largoi shumë mes vete, madje kishte javë kur nuk flisnin.
Shiheshin herë pas here pasi kishin shoqërinë e përbashkët, por vendosën të mbesin vetëm shokë.
Ndërsa Theranda e Loriku po bënin plane për të shkuar bashkë në pushime. Kah fundi i korrikut u nisën për në Shqipëri, ku ndejtën për një javë së bashku. Ata vazhduan të shiheshin edhe përgjatë dy apo tre muajve të ardhshëm, por më rrallë, dhe me më pak interesim për njëri-tjetrin. Edhe vizitat në banesë u rralluan.
“Në korrik nisëm të bëheshim t’vetëdijshëm se çka po ndodh — [kishim] interesa shumë ndryshe [prej njëri-tjetrit]”, thotë Theranda.
Për dallim prej tyre, Anita dhe Benjamini ende nuk ishin parë dhe vendosën që në mes të gushtit të takoheshin në Beograd. Ajo mori me vete dy shokë, të cilët ndejtën ditën e parë e pastaj u kthyen e i lanë ata të dy vetë.
“Kemi ndejtë pesë ditë bashkë”, thotë ajo, “dhe kur u ktheva s’mundesha të flej vetë”.
Por bisedat online i vazhduan gati sikurse gjatë karantinës.
Ndërsa për Therandën, hapja që u bë në Kosovë do të thoshte më shumë mundësi për të gjetur punë. Ajo nisi të fokusohej gjithnjë e më shumë në aspektin profesional, si dhe pikëpamjet e ndryshme që kishin me Lorikun e larguan përfundimisht nga ai. “Në nëntor veç vendosëm mos të shihemi më, kujton ajo.
Lisa e Kela veçse kishin nisur të dilnin me njerëz të tjerë. Ata shiheshin herë pas here pasi kishin shoqërinë e përbashkët, por në fillim të dimrit vendosën të mbesin vetëm shokë. Madje nisën të flisnin edhe për njerëzit që po i takonin, por që me raste kishte edhe biseda “të pakëndshme”, që i largonin edhe më shumë nga njëri-tjetri.
Në fillim të këtij viti nisën prapë të shkëmbejnë mesazhe telefonike, që do t’i çonin edhe në një takim tjetër. “Ditën e zgjedhjeve kemi ndejtë bashkë në banesën e tij”, thotë ajo, por tashmë nuk beson se mund të vazhdojë ta shohë Kelën si diçka më shumë se shok.
Ndryshe duket për Anitën. Ajo dhe Benjamini në fillim të vitit i i sqaruan disa mosmarrëveshje që i kishin dhe nisën të bënin plane për t’u parë sërish. Vazhdonte problemi i vizave, kështu që kësaj here u takuan në Tiranë, ku qëndruan për disa ditë. “Mbas një muaji e kemi plan me u pa prapë diku në Shqipëri, Mal të Zi a në Beograd”, thotë ajo me shpresë.K
*Emrat janë pseudonime për ta mbrojtur identitetin e personave, të cilët kanë folur me kusht të anonimitetit.
Ilustrimet: Arrita Katona / K2.0.