Të shtunën më 1 prill 2020, Rijeka — qyteti i tretë për nga madhësia në Kroaci dhe porti më i madh detar në vend — u shpall Kryeqyteti Evropian i Kulturës (ECC) tok me qytetin Galway në Irlandë. Përgjatë vitit, në këtë qytet kroat ishte planifikuar të mbaheshin më se 600 ngjarje kulturore-artistike të cilat do të përfshinin artistë dhe institucione e organizata kulturore të shumta nga Kroacia e më tej.
Megjithatë, si rrjedhojë e pandemisë së COVID-19, programet për muajt mars dhe prill u desh të anuloheshin jo shumë vonë pas shpalljes. Më 17 prill u njoftua publikisht se 59 punëtorë ishin pezulluar nga puna, duke e lënë fatin e pjesës së mbetur të aktiviteteve të pasigurt. Pavarësisht nga kjo, programi është vendosur të vazhdojë në maj dhe në qershor.
K2.0 u ul me një ndër figurat kyçe të skenës kulturore të Rijekës, Davor Mishkoviq, për ta diskutuar ndikimin e pandemisë në ngjarjet e planifikuara dhe si ato veprojnë mbi kulturën e qytetit dhe të pjesës tjetër të vendit, përfshirë vetë gjendjen e kulturës lokale. Sociologu dhe presidenti i shoqatës Drugo More (“Deti Tjetër”) udhëheq një segment të rëndësishëm tematik brenda programit të ECC-së që quhet Dopolavoro (në italishte “Pas Punës”).
Foto nga arkivi privat i Davor Mishkoviqit.
K2.0: Kriza globale e koronavirusit goditi mu ndërsa programi i ECC-së po merrte hov. Si ua prishi planet?
Davor Mishkoviq: Anuluam çdo gjë që ishte planifikuar të mbahej në mars dhe në prill. Shtatë ekspozita personale, një ekspozitë e madhe grupore, vendosja e një instalacioni të madh, koncerte të ndryshme. I tërhoqëm shumë ngjarje. Prej fillimit shpresonim që situata do t’i kthehej normales, por në një mënyrë vetëm “i kalonim anash”.
Fatkeqësisht, shumica e këtyre ishin në fazat përfundimtare të zbatimit. Veprat ishin përgatitur, hapësirat ishin në pritje, PR-i ishte bërë.
Meqë situata në Kroaci është stabilizuar dhe disa masa janë lehtësuar, ne po planifikojmë të vazhdojmë me disa prodhime. Për shembull, në programin Dopolavoro, 19 maji do ta shënojë hapjen e “Yesterday Is Cancelled, Tomorrow Is Irreversible” (“E djeshmja është anuluar, e nesërmja është e pakthyeshme”), një ekspozitë e artistit të ngulur në Vjenë Oliver Ressler.
Nëse flasim për programin e përgjithshëm të Kryeqytetit Evropain të Kulturës, ai do të nisë në qeshor, në përputhje me masat e vendosura, natyrisht; kjo do të thotë që nuk do të ketë hapje të mëdha të ekspozitave, që vetëm një numër i kufizuar i njerëzve do të lejohen brenda hapësirave, dhe që vizituesit duhet t’u nënshtrohen procedurave të dezinfektimit.
Do të fillojmë me prodhimet që janë në fazat e fundit, të cilat përfshijnë artistë lokalë dhe ndërkombëtarë. Sigurisht, të gjithat janë të pasigurta sepse nuk e dimë se si do të duket situata epidemiologjike në të ardhmen.
Përgjatë tërë vitit ishin planifikuar më se 600 ngjarje në qytet, që do të thotë se hapësirat për ekspozita dhe për gjëra të tjera janë ngarkuar shumë. Pra do të jetë problem nëse të gjitha këto ndodhi duhet të “ngjeshen” në një periudhë prej gjashtë muajsh, ose mbase vetëm prej tre muajsh.
Një problem tjetër është se programi ynë, dhe sidomos segmenti Dopolavoro, planifikonte të sillte artistë ndërkombëtarë. Pra, ne varemi jo vetëm nga situata në Kroaci, por edhe përqark Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Japonisë, në shtetet nga ku vijnë artistët tanë.
Për më shumë, ky është një program që ndikon secilin prej nesh dhe prioritetet tona. Pyetja është se sa të interesuar do të jenë njerëzit për të marrë pjesë në këto ngjarje kulturure. Fokusi dhe interesi i tyre ka ndryshuar.
A jeni përpjekuar ta përshtatni programin me situatën e tanishme ose a keni zhvilluar tema të reja lidhur me krizën e tanishme?
Me ekipin e Dopolavoro jemi marrë me çështjen e punës si aktivitet vendimtar për njerëzit jo vetëm për prodhimin e gjësendeve të reja dhe për ofrimin e shërbimeve, por edhe për vetëpërmbushjen e rolit njerëzor në botë. Jemi të interesuar në mënyrën si rregullohen çështjet e punës, ngeja dhe tipet e punës. Dhe në çfarë mënyre shndërrohet roli i individit në procesin e punës nën ndikimin e teknologjive të reja.
Duke e zhvilluar programin erdhëm me disa ide të ndryshme, duke e rrokur problemin e shkallëve të larta të papunësisë dhe përpjekjet e shoqërisë për të kundërvepruar ndaj tyre. Në aspekte të tjera të programit, ne eksplorojmë infrastrukturën kritike, logjistikën dhe internetin. Pra, secila prej këtyre temave, në fakt, shihen si të nxehta për momentin!
Sidoqoftë, nuk është e thjeshtë ta ndryshosh fokusin brenda natës. Na u desh të përshtatemi me përmbajtje të caktuara mjaft shpejt — për shembull, projekti Pirate Care pak pak u “rivendos” dhe bllogu u përdor për të nxjerrë udhëzime të lidhura me koronavirusin: si të funksionojmë në këto rrethana, si të kujdesemi për të cenueshmit e të moshuarit. Njerëzve u është dhënë literaturë për epideminë dhe kundërpërgjigjen gjegjëse të shoqërisë. Ky është një nga segmentet e programit që funksionon mjaft mirë onllajn.
Në shkurt, Rijeka u shpall Kryeqyteti Evropian i Kulturës bashkë me qytetin irlandez Galway. Foto: Press EPK.
Veç kësaj, kemi bërë plan të krijojmë një uebaqe dhe një faqe në Facebook me ndihmën e Jennifer Lyn Morone, një artiste amerikane që hulumton profesionet e së ardhmes; përmes këtyre platformave, ne jemi munduar të mbledhim dije rreth profesioneve të sotme dhe se si njerëzit iu qasen këtyre çështjeve.
Meqenëse kufijtë tashmë po hapen, mendojmë që mund të bëjme paraqitje llajv të këtyre temave në gusht ose në shtator, nëse gjendja është e përshtatshme.
Kultura është në margjina, por bëhen shumë projektime për të, pritet shumë prej saj.
Po mendojmë se si një konferencë e madhe që e kemi planifikuar mund të mbahet onllajn. Mbase intervistat onllajn mund të bëhen në vend të prezentimeve. Meqë kemi parë përmbajtje jashtëzakonisht të gjerë onllajn, po përpiqemi të gjejmë një format që shkon përtej një bisede të rëndomtë në Skype, një format që mund ta kapë vëmendjen e njerëzve.
Mua më duket se është pritur shumë nga vetë programi ECC. A ishte e arsyeshme të pritej se ky program do ta “ringjallë” kulturën e një qyteti dhe të pjesës tjetër të Kroacisë?
Në Rijekë, kultura është pritur të jetë në qendër të vëmendjes gjatë vitit 2020, duke marrë parasysh se ky është projekti më i rëndësishëm kuluror në Kroaci.
Mendoj se është pozitive që kultura ka arritur të tërheqë kaq shumë vëmendje nga qytetarët e Rijekës këtë vit. Po, është e paqartë se në çfarë shkalle do të reflektohet në interesin e përhershëm për programet artistike. Kultura është në margjina, por bëhen shumë projektime për të, pritet shumë prej saj. Sikur ka shumë gjëra që kultura mund t’i zgjidhë!
Ka pasur dhe janë disa projektime për atë se çfarë do të ndodhë kur Rijeka të bëhet kryeqytet i kulturës — qyteti do të jetë i pastër, fasadat e ndërtesave do të ndreqen, do të ketë përkujdesje për infrastrukturën. Sidoqoftë, buxheti i ECC-së është rreth 30 milionë euro. Nuk e di si përkthehen ato në kilometra autostradash, gjashtë apo shtatë? A ndryshon jeta e ndokujt për të mirë me ndërtimin e gjashtë apo shtatë kilometrave të autostradës?
Nga pikëvështrimi i një organizate kulturore, një projekt i tillë ka buxhet bujar, por nga pikëvështrimi i një projekti infrastrukturor, ky s’është buxhet fare! Pritshmëritë e mëdha për kulturën, të presësh se politikat kulturore do ta ndryshojnë fytyrën e qytetit, kjo më duket disi e rrezikshme. Ka politika të tjera të panumërta përmes së cilave mund të zgjidhen këto çështje përvëluese.
Një ngjarje e tillë nuk mund ta ndryshojë trajektoren e zhvillimit të qytetit. Nuk besoj që është reale. Mund të kontribojë, mund të kryejë punë të mirë, mund të dëmtojë, por të jetë faktori kryesor, faktori i vetëm vendimtar, kjo s’është reale sipas meje.
Për më shumë, besoj se dimensioni “evropian” i kësaj ka shkaktuar hutim te disa qytetarë të Rijekës. Njerëzit këtu janë të fokusuar në faktin se Rijeka është bërë kryeqytet i kulturës, gjë që ka rezultuar në pritshmëri të mëdha nga artistët dhe punëtorët kulturorë lokalë për të marrë pjesë në projektet e organizuara në Rijekë.
Meqenëse është kryeqyteti evropian i kulturës, këto subjekte që do të duhej t’i diskutonim nuk është e thënë të lidhen vetëm me Rijekën, por të shkojnë përtej një kombi të vetëm, dhe kjo ka bërë që të punësohen punëtorë dhe kontraktorë nga e tërë Evropa. Sa i përket Dopolavoro-s, ne nuk kemi ngulur këmbë që të kemi tema që lidhen vetëm me qytetin, sepse besojmë që nëse e bëjmë një program që mëton ta hapë audiencën ndaj këndvështrimeve të reja, pjesëtarët e audiencës do të jenë ata që do ta bartin ndikimin e kësaj në qytet.
Rijeka njihet si qytet industrial dhe ishte një ndër qendrat industriale në ish-Jugosllavi. Meqenëse Dopolavoro eksploron punën e njeriut, a e keni konceptuar programin në mënyrë që ta rrokë në veçanti Rijekën si qytet industrial?
Më vjen vështirë të flas për Rijekën në veçanti sa i përket industrisë. Çfarë e bën një qytet të veçantë, pikësëpari, është përzierja e aktiviteteve të ndryshme që mban përbrenda. Asnjë aspekt industrial i saj nuk është specifik vetëm për Rijekën — anijet janë ndërtuar edhe në vende të tjera; të gjithë kantierët e anijeve janë dukur të ngjashëm, pa marrë parasysh se ku kanë qenë; letra është prodhuar në shumë vende të tjera.
Si qytet, Rijeka në fakt zhvillohej në përputhje me industritë e saj dhe me atë se çfarë mund t’iu ofronte industrive që gjendeshin aty.
Për mua, Rijeka dhe vendet e tjera në Kroaci dhe jashtë saj, e shohin historinë me romantizëm.
Porti u zhvillua sepse gjiri i qytetit ishte mjaft i thellë; fabrika e letrës u zhvillua në brigjet e lumit Rjeçina në qytet, sepse ishte vend i rëndomtë për ndërtimin e fabrikave, duke pasur parasysh se duhen sasi të mëdha uji për të prodhuar letër në këso fabrikash. Natyrisht, këto industri ia dhanë qytetit një “shenjë” të veçantë dhe e trajtësuan në një mënyrë që mund të shihet si e veçantë.
Një numër i vogël i qyteteve kanë diçka me të vërtetë unike, diçka që ekziston vetëm aty. Por, spikatshmëria dhe veçantia vjen si rrjedhojë e shkrirjes së të gjitha gjërave që kanë, si dhe konfiguracioni i terrenit dhe i njerëzive që jetojnë aty.
Në programin Dopolavoro, ne nuk kemi dashur të kthehemi mbrapa në kohë dhe të bëjmë krahasime mes qytetit të atëhershëm dhe atij të sotëm. Për mua, Rijeka dhe vendet e tjera në Kroaci dhe jashtë saj, e shohin historinë me romantizëm. E kaluara shihet si një lloj epoke e artë, një periudhë më e mirë sesa kjo e sotmja.
Natyrisht, është e mundshme, dhe mbase e sigurt, që në disa këndvështrime është vërtet ashtu, por kur flasim për punën, besoj që jo gjithçka është aq ideale sa njerëzit kanë dëshirë të mendojnë. Kujtimi i së kaluarës përmes krahasimit është një lloj shtegu i rrezikshëm sepse e kaluara mund të analizohet vetëm në kontekstin e një kohe të caktuar.
A e eksploroni kontekstin lokal duke i zbërthyer temat siç është automatizimi?
Automatizimi është temë shumë e rëndësishme për ne sepse është e pranishme në tërë botën, e kështu edhe në Rijekë. E vërteta është që një pjesë e madhe e industrisë në rajon është degjeneruar në vitet e 90-ta.
Ajo periudhë u shënua nga lufta, nga privatizimi dhe — me po aq rëndësi — nga plaçkitja e përhapur. Një sërë procesesh bëri që deti të jetë burimi i vetëm që kishin në dispozicion qytetet bregdetare. Kjo shkaktoi që turizmi dhe biznesi i ndërtimit të anijeve të jenë gjërat e vetme që mund t’i bënin. Po nëse diçka kishte mbetur nga sektori industrial, natyrisht që nuk do të punësoheshin një numër kaq i vogël i njerëzve.
Ndërsa prodhimtaria e punës ndryshon, ashtu bën edhe dukja e qytetit dhe demografia e tij. Sepse, numri i punëtorëve të punësuar në proceset e prodhimit po ulet teksa sektori i shërbimeve po rritet. Kjo po e ndryshon strukturën e vetë qytetit dhe përvojat brenda tij.
Porti i Rijekës është shembull i mirë për këtë. Sot, shpesh thuhet se porti nuk vepron më sepse njerëzit nuk mund t’i shohin anijet në dok qysh qëndronin në të kaluarën dhe sepse një numër i vogël njerëzish punojnë aty. Njerëzit e kujtojnë portin si ka qenë në vitet e 70-ta a të 80-ta. Sidoqoftë, nëse e krahasojmë shkallën e transportimit të kargos, nuk ka ndonjë mospërputhje të madhe mes kohës së tashme dhe të kaluar.
Çfarë ka ndryshuar është teknologjia. Anijet nuk rrijnë më në port për një kohë të gjatë, nuk qëndrojnë në dok për ditë me radhë. Porti tani është i automatizuar dhe terminali merret me sasi të njëjtë të kargos edhe pse porti punëson më pak njerëz sesa në të kaluarën.
Përmes programit, ne përpiqemi të tregojmë se ku gjendemi sot dhe çfarë vërtet po ndodh në botën e punës. Kemi dashur të përqendrohemi në zhvillimet e sotme në mënyrë që njerëzit të shohin se çfarë po ndodh dhe ta kenë një imazh më të qartë rreth asaj se si këto procese ndikojnë zhvillimin e qytetit dhe prospektet e përgjithshme të tij.
Megjithëkëtë, mendoj se njerëzit kanë tendencë ta harrojnë këtë: humbja e industrisë nuk shkakton vetëm humbjen e vendeve të punës, por edhe të dijes që grumbullohet përgjatë dekatave, dija që kalon nga brezi në brez. Dija që thotë se ka diçka që duhet të bëhet, qoftë një anije ose një fletë letre. Kjo është çfarë ka humbur në Rijekë dhe është mbas gjasash katastrofa më e madhe e çindustrializimit dhe tranzicionit.
Sektori i shërbimeve është sektori me prodhimtari të ulët që i kërkon një numri të madh të njerëzve të bëjnë punë pa nevojën e dijes së specializuar. Dhe kjo është njëra ndër çështjet që do t’i cekim në programin Dopolavoro. Por, ne nuk po merremi me krahasimin e dijes por me qëndrimin që kjo dije është e rëndësishme. Jo vetëm në kontekstin ekonomik.
Dija është një lloj përvoje që fitohet përmes punës, por ajo gjithashtu e shton prodhimtarinë e punës. Shumë risi teknologjike janë bërë ndërsa njerëzit kanë kryer detyra të punës të lidhura me procesin e prodhimit në një fabrikë apo në laborator. Kjo është bjerrë.
Në Kroaci dhe jashtë saj në rajon, Rijeka gëzon namin e të qenit e hapur dhe alternative. A mendoni se ky brend është i saktë (edhe sot)?
Paj, tipari i përgjithshëm i brendeve është se ka devijime nga to (qesh). Kur flas me njerëz që ia kanë sjellë Rijekës këtë reputacion kuptoj se situata atëherë ka qenë e ngjashme me përvojën sot i.e., që vendet ku shkonin dhe ngjarjet që i frekuentonin kanë qenë margjinale.
Nuk mendoj që imazhi i Rijekës si “Qytet i Rockenrollit” është tërësisht i sajuar. Në fakt, kanë qenë disa procese bashkëkohore që e kanë theksuar këtë, me gjasë për shkak se ka qenë një hap përpara krahasuar me vendet e tjera apo kohën kur kanë ndodhur.
Rijeka ishte në pozitën më të volitshme për ta ndërtuar këtë identitet të rokeres.
Në fund të viteve të 70-ta dhe të 80-ta ndodhnin procese të ngjashme në tërë Jugosllavinë, në të gjitha qytetet e mëdha.
Rijeka mbase është veçuar për shkak të afërsisë me “Perëndimin”, si dhe nga fakti se ishte port detar dhe kështu kishte privilegjin e transfereve kulturore nga jashtë prej viteve të 50-ta. Marinarët sillnin pllaka gramofoni nga vendet e jashtme dhe kështu shkonin krahas me trendet ndërkombëtare.
Rijeka ishte në pozitën më të volitshme për ta ndërtuar këtë identitet të rokeres. Në këto rrethana, shumica e vendeve nuk përshtaten me imazhin e një “Qyteti të Rokut”, por nuk do ta problematizoja shumë. Ishte e njëjtë në të kaluarën. Pyetja më e rëndësishme ëstë se sa ka pasur ndikim kjo kulturë në margjina, larg estradës.
Një grush bendesht nga Rijeka, sikur “Denis i Denis”, “Parfi”, “Let 3”, kanë pasur ndikim mjaft të madh në kulturë në atë kohë, jo vetëm në qytet por në gjithë Jugosllavinë. Në këtë mënyrë, imazhi i një vendi të përkryer për alternativen u mishërua shpejt!
Sot më duket se kultura është në përgjithësi e margjinalizuar, jo vetëm në Rijekë por edhe në tërë Kroacinë. Gjatë viteve të 90-ta, kultura kishte ndikim të madh, megjithëse mësynte plotësisht formimin e një identiteti kombëtar, pra po e shohim një kthim në të kaluarën, një ripërdorim të temave të së kaluarës.
Kjo (thuajse) u zhduk me ardhjen e shekullit të 21-të. Në 20 vitet e kaluara, kulturës i kanë munguar elementet që mund ta trazojnë publikun e gjerë ashtu si mund ta bëjë një lojë futbolli. Kultura është shtyrë në pozitën margjinale. Ndërkohë, kur i pyet njerëzit se sa rëndësi ka kultura për ta, del se e duan fort. Çfarë ka rëndësi për ta është që kultura të ekzistojë, edhe pse nuk zhyten brenda saj.
Hapja madhështore e mbajtur në portin e Rijekës në shkurt. Foto: Press EPK.
Kam përshtypjen se i gjithë imazhi i shoqërisë sonë ka ndryshuar në krahasim me vitet e 70-ta dhe 80-ta, kur kultura kishte shumë ndikim. Duhet ta kemi parasysh se klube të ndryshme rinore janë formuar në atë kohë. Ajo lloj kulture ishte e rëndësishme për liderët politikë të kohës, por asnjë investim për kulturën rinore nuk është bërë që nga shpallja e pavarësisë së Kroacisë. Meqë nuk ka pasur investime, kultura ka humbur shumë rëndësi dhe meqë ndikimi i saj po zbehet, investimet e mëtutjeshme janë zbehur po ashtu. Dhe gjendemi në një cikël vicioz.
Sa është i përligjshëm për Rijekën brendi i një “Qyteti të Hapur”, i cili përfshihet edhe në titullin e projektit të ECC-së: “Porti i Diversitetit”?
Njerëzit që vijnë në Rijekë për të marrë pjesë në ekspozitat dhe performancat këtë vit do ta shohin një imazh të Rijekës si qytet eksperimental apo qytet kulture dhe kjo s’do të përputhet me imazhin e vërtetë. Është vetëm një moment në kohë meqë mendoj se kultura në Rijekë është normalisht konservatore sikur gjithkund tjetër.
Në anën tjetër, duhet të thuhet se Rijeka ka bërë disa hapa të rëndësishëm që nuk janë parë diku tjetër. Për shembull, Oliver Fërliq ishte drejtori i HNK Rijeka (Teatri Kombëtar Kroat në Rijekë) dhe ishte tejet i mprehtë në udhëheqjen e teatrit dhe sfidimit të një shumëllojshmërie çështjesh [përfshirë trajtimin e minoritetit serb në Kroaci apo të komunitetit LGBTQ+]. Është me të vërtetë mahnitëse sepse kjo kishte ndodhur vetëm në disa qytete të pakta në Evropë, jo më shumë.
Sidoqoftë, çfarë ai ka bërë në Rijekë nuk vlerësohet këtu. Ato shkaktuan polemika; disa protesta kundër tij janë organizuar nga veteranët dhe nga dashamirët e futbollit. Ai hoqi dorë para përfundimit të mandatit. Prapëseprapë, pavarësisht nga fakti që reputacioni i qytetit të hapur është çështje komplekse, nuk e njoh ndonjë qytet tjetër në Kroaci apo jashtë saj ku Oliver Fërliq mund ta udhëhiqte një teatër kombëtar kroat dhe të angazhohej në këtë mënyrë. Ekziston një lloj hapjeje, një hapje per ndonjë formë eksperimentimi.K
Imazhi i ballinës nga akivi privat i Davor Mishkoviqit.