Në thelb | COVID-19

Deri t’vjen koha me kcy bashkë prapë

Nga - 31.12.2020

Pas shumë muajsh larg nga pista e kërcimit, çfarë kemi humbur?

Që prej ardhjes së COVID-19 në Kosovë në mars, klubet kanë qenë të mbyllura dhe ndejat janë anuluar; ndërveprimi me DJ kryesisht është kufizuar në paraqitje online, ahengje të vogla me pak njerëz — dhe në altoparlantët në dhomën e ndejës, nëse keni bërë festë në shtëpi.

Nuk është njësoj, por na ka mundësuar të vazhdojmë tutje që prej marsit, teksa luftohet beteja kundër COVID-19 dhe klubet konsiderohen zona me shkallë të lartë infektimi.

Pasi shkuarja në klube, kërcimi, shoqërimi dhe argëtimi për çdo fundjavë janë pamundësuar, pyesim se çfarë na ka munguar më së shumti gjatë këtyre muajve që shkuan? Kur ishte hera e fundit që keni qenë në klub, duke kërcyer krah për krah me shokë e shoqe dhe të panjohur, nën ritmin që jehon anë për anë?

Shumë prej neve na mungon kërcimi, të qenët sy më sy me një DJ, përjetimi i melodive që na bëjnë të mos mendojmë për problemet tona dhe se çfarë do të sjellë e nesërmja. Kërcimi është më shumë se thjesht lëvizje këmbësh — na mban gjallë, na ndihmon me shëndetin tonë mendor dhe është gjithashtu portë përmes së cilës takojmë njerëz të rinj dhe e lirojmë energjinë e keqe.

Ky vit ka qenë shumë i rëndë edhe për punëtorët e natës, të cilët nuk kanë fituar fare të ardhura nga ajo çfarë dinë të bëjnë më së miri. Ata u detyruan të gjejnë çfarë të bëjnë në një vit kur organizimet dhe investimet duhej të anuloheshin.

Ne biseduam me disa prej njerëzve që e mundësojnë skenën e klubeve dhe kërcimit, përfshirë ata që edhe vetë i pëlqejnë ndejat. Ka qenë një vit i vështirë, dhe po presim për ardhjen e vaksinave, zbrazjen e spitaleve, kthimin e bizneseve në punë, dhe përfundimin e kësaj pandemie.

Ne e dimë se kjo është e përkohshme. Dhe ndërsa shërbeheni me altoparlantët e dhomës së ndejës, shpresojmë t’ju shohim së shpejti në pistën e kërcimit — kur të kërcejmë sërish së bashku. K

Ky publikim është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) nëpërmjet Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).