Në verën e vitit 2021, derisa shqetësimet natyrore si reshjet ekstreme të shiut, breshëri dhe përmbytjet po shkatërronin Kroacinë Veriore, jugu i vendit luftoi me zjarret që lanë pas vete skena shqetësuese të pemëve të djegura, gëmushave të rralluara dhe peisazheve të shkreta. Kroacia tashmë kishte humbur 62,008 hektarë pyje në zjarre të ngjashme midis viteve 2017 dhe 2019.
Megjithatë, kërcënimi më i madh për pyjet kroate nuk janë zjarret, por shpyllëzimi i tepërt me qëllim të fitimit.
“Të paktën 1.000 hektarë pyje janë prerë gjatë dhjetë viteve të fundit”, tha Vesna Grgić përmes telefonit. Ajo ka vite që lufton për ruajtjen e pyjeve.
Me flokë të shkurtër, me zë të ngjirur dhe gjeste vendimtare, vitin e kaluar Grgić u bë fytyra e luftës kundër shpyllëzimit në Kroaci. Veterani ushtarak udhëheq Zeleni Odred (Skuadra e Gjelbër), një forum i Shoqatës së Veteranëve ViDrA – Veterani i društvena akcija (VVS – Veteranët dhe Veprimi Social), e cila u themelua në vitin 2017 me iniciativën e veteranëve antifashistë me orientim nga Lufta Kroate për Pavarësi.
Zeleni Odred u përfshi rastësisht në aktivizmin për ruajtje; anëtarët e saj kishin filluar të dallonin një numër gjithnjë e më të madh të shpateve të zhveshura dhe djerrinave në udhëtimet e tyre në pyje. Me kalimin e kohës, ata u lidhën me ekspertë dhe qytetarë të tjerë të shqetësuar të cilët filluan t’u dërgojnë fotografi të pyjeve lokale të shkatërruara.
Vesna Grgić dhe aktivistë të tjerë nga Zeleni Odred reagojnë kundër prerjeve ilegale dhe shkatërrimit të mjedisit natyror. Foto: Zeleni Odred.
“Nuk mund të themi se një pjesë e veçantë e Kroacisë e ka më së keqi… shkatërrimi është gjithkund”, tha Grgić i hidhëruar.
Shkatërrimi i financuar nga shteti
Sipas Zeleni Odred, fajtori kryesor për shkatërrimin e pyjeve në Kroaci është kompania publike Hrvatske Šume (Pyjet Kroate), e cila merret me menaxhimin e pyjeve. Pyjet shtetërore përbëjnë pjesën më të madhe të pyjeve në Kroaci; nga 2,759,039 hektarë sipërfaqe pyjore, 2,097,318 janë pronë shtetërore. Grgić dhe Zeleni Odred pohojnë se Hrvatske Šume nuk i menaxhon pyjet në përputhje me interesat publike. Për t’i mbështetur pretendimet e tyre, ata kanë mbledhur prova për vite me radhë.
Në vitin 2018 Zeleni Odred paraqiti një raport prej 700 faqesh mbi korrupsionin në Prokurorinë e Shtetit dhe Zyrën Kundër Korrupsionit. Ata besojnë se kanë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se arsyeja e shpyllëzimit të tepërt është rishitja e lëndës së drurit, e cila favorizon sipërmarrësit privatë. Shoqata gjithashtu dyshon se disa zyrtarë të pozitave të larta janë të përfshirë në akte korruptive.
“Çmimi i lëndës së drurit në Kroaci është jashtëzakonisht i ulët për shkak të stimulimeve shtetërore dhe kjo shkon në favor të industrisë së përpunimit të drurit. Ajo që kemi në dispozicion është një çmim nxitës që synon zhvillimin e industrisë së drurit”, shpjegoi Grgić, duke shtuar se lënda e drurit shitet për fare pak para.
Në fillim të këtij viti, Zeleni Odred i dërgoi dokumentim Komisionit Evropian duke identifikuar një keqpërdorim të fondeve evropiane të rezervuara për restaurimin e pyjeve, si dhe disa mospërputhje në mbrojtjen e pyjeve.
"Pyjet mund të shfrytëzohen, por kjo duhet të bëhet në mënyrë të qëndrueshme në mënyrë që të mbrohet habitati dhe biodiversiteti",
tha euro-deputeti Thomas Waitz nga Partia e Gjelbër Austriake.
Bashkimi Evropian — të paktën në parim — nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve anëtare, por 36.67% e sipërfaqes tokësore të Kroacisë dhe 16.26% të ujërave të saj territoriale dhe të brendshme mbulohen nga rrjeti Natura 2000. Ky rrjet përbëhet nga “zona të rëndësishme për ruajtjen e specieve dhe llojeve të habitateve të rrezikuara në Bashkimin Evropian”, dhe qëllimi i tij është të “ruajë ose rikthejë në një gjendje të favorshme më shumë se 1.000 specie të rrezikuara ose të rralla, si dhe rreth 230 habitate natyrore ose gjysmë-natyrore”.
Që nga viti 2015, Kroacia ishte vendi i BE-së me përqindjen e dytë më të lartë të territorit të mbuluar nga Natura 2000.
Zonat që i përkasin Natura 2000 nuk përjashtohen plotësisht nga shfrytëzimi ekonomik. Sidoqoftë, prerjet vijnë me detyrimin për ripyllëzim.
“Pyjet mund të shfrytëzohen, por kjo duhet të bëhet në mënyrë të qëndrueshme në mënyrë që të mbrohet habitati dhe biodiversiteti”, tha euro-deputeti Thomas Waitz nga Partia e Gjelbër Austriake.
Njerëzit bëjnë fotografi të vendeve të prekura nga prerjet ilegale dhe i dërgojnë rregullisht tek shoqata Zeleni Odred. Foto: Zeleni Odred.
Në fund të korrikut, Waitz bëri një vizitë zyrtare në Kroaci në emër të Komisionit Evropian. Ai vizitoi dhe dokumentoi pyjet e degraduara me qëllim që të paraqiste një raport.
“Shkeljet kundër rrjetit Natura 2000 po ndodhin në të gjithë Evropën; ky nuk është “privilegj” i Kroacisë apo rajonit”, tha ai, duke shtuar se shtrirja e shkatërrimit është jashtëzakonisht e madhe në vende të tilla si Kroacia, Rumania, Sllovakia dhe Polonia.
“Duket se lidhja midis Kroacisë dhe Rumanisë është se kompanitë shtetërore të pyjeve janë të përfshira në një shfrytëzim të tepruar të pyjeve”, theksoi Waitz, që është pylltar me profesion.
Një rajon i shkretë
Veprimet e Zeleni Odred i lidhin njerëzit nga i gjithë rajoni. Përpos tjerash, ato shërbyen si frymëzim për Dragana Arsić, një ish-nëpunëse bankash dhe dashamirëse e natyrës që jeton në Serbi.
Arsić filloi aktivizmin duke iu bashkuar lëvizjes “Odbranimo reke Stare Planine” (Le t’i Mbrojmë Lumenjtë e Stara Planinas), e cila avokon për ndalimin e digave mini-hidroelektrike në zonën malore të Stara Planinas. Pastaj, gjersa ishte duke ecur për t’u ngjitur tek një kasolle lokale, ajo pa çeltira malore që mbulonin zonën dikur të mbuluar me pemë.
“E kuptova që një pyll po më zhdukej para syve, derisa po luftoja për lumenjtë 600 kilometra larg”, tha Arsić.
Në fund të vitit 2018, ajo krijoi “Odbranimo šume Fruške gore” (Le t’i Mbrojmë Pyjet e Fruška Gora), një grup në Facebook dhe nismë qytetare që vendosi të nisë luftën kundër shpyllëzimit të tepërt.
Nuk ka kufij për ekologët rajonalë, kështu që Zeleni Odred iu bashkua protestave në Fruška Gora. Foto: Zeleni Odred.
Ndonëse Fruška Gora është parku më i vjetër kombëtar në Serbi, prerjet me me qëllim të fitimit janë të lejuara.
“Në fillim e kuptuam se një model i tillë menaxhimi nuk ishte i qëndrueshëm. Pyjet menaxhohen në mënyrë që të korrin fitim komercial, i cili më pas përdoret për të financuar vetë kompaninë [Parkun Kombëtar Fruška Gora]”, shpjegoi Arsić. Ajo shtoi se Parku Kombëtar, si një kompani publike që punëson 135 njerëz, financohet kryesisht nga prerjet e drunjve — që përbëjnë më shumë se 60% të buxhetit të kompanisë.
“Pyjet menaxhohen sikur të ishin pronë private dhe vetë menaxhimi dominohet nga funksioni ekonomik i tij, ndërsa ai mjedisor fshihet plotësisht”, këmbënguli Arsić.
Gjithashtu, tha se ajo dhe aktivistët e tjerë përballen me reagime të shpeshta për shkak të angazhimit të tyre publik, sepse informojnë rregullisht inspektorët përkatës për shpyllëzimin ilegal dhe të tepruar.
“Ne konsiderohemi ambientalistë të rremë dhe mercenarë të paguar nga aktorë të huaj. Që nga fillimi, një lajtmotiv tjetër ka qenë që ne e sfidojmë pylltarinë si profesion duke e kritikuar mënyrën se si menaxhohen pyjet aktualisht, ndërsa kinse nuk jemi kompetentë të kujdesemi siç duhet për pyjet”, theksoi Arsić.
Totali i ripyllëzimit ra nga 992 hektarë në vitin 2015 në 614 hektarë në vitin 2019.
Nga ana tjetër, Raporti i Auditimit Shtetëror 2010-2020 i publikuar në janar të vitit 2021 tregon se gjendja aktuale është shqetësuese.
Vojvodina — ku ndodhet Parku Kombëtar Fruška Gora — është një nga zonat më pak të pyllëzuara në Serbi dhe Evropë, me më pak se 7% të sipërfaqes të mbuluar me pyje. Auditimi Shtetëror thekson se pyjet përfaqësojnë rreth 30% të sipërfaqes totale të Serbisë, derisa mbulesa optimale e pemëve do të ishte 41.4%, sipas objektivave të përcaktuara në Planin Hapësinor të Republikës së Serbisë 2010-2020. Në të kundërt, mesatarja e BE-së është 39%.
Auditimi shtetëror përcaktoi gjithashtu se përpjekjet për ripyllëzim patën një rënie mes viteve 2015 dhe 2019. Totali i ripyllëzimit ra nga 992 hektarë në vitin 2015 në 614 hektarë në vitin 2019.
Sipas Zyrës serbe të Statistikave, pyjet mbulojnë një sipërfaqe prej 2,237,511 hektarë. 57% e kësaj është pronë private, ndërsa 43% është pronë shtetërore.
Një numër i madh njerëzish nga i gjithë rajoni janë bashkuar me aktivistët që protestojnë në mbrojtje të Fruška Gorës. Foto: Odbranimo šume Fruške gore.
“Pyjet private gjithashtu duhet të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme, por kjo lihet në lirinë e pronarëve dhe është mjaft e paorganizuar”, tha Goran Sekulić nga WWF Adria (World Wide Fund for Nature Adria), dega rajonale e Fondit Botëror për Natyrën.
“Kjo duhet të mbahet nën kontroll nga inspektimet, por ndonjëherë bëhet paksa në mënyrë josistematike. Parcelat e tokës janë të vogla në Ballkan; një parcelë shpesh ka dhjetëra pronarë, dhe zakonisht del se askush nuk e di kush çka zotëron”, tha Sekulić.
Xhungla administrative dhe prerja ilegale
Në Bosnjë dhe Hercegovinë — ku sipërfaqja e përgjithshme e pyllëzuar arrin një 53% të lakmueshëm të territorit të vendit — menaxhimi josistematik i pyjeve është i pranishëm edhe në nivel kombëtar. Tri njësitë që përbëjnë shtetin (Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, Distrikti Brčko dhe Republika Srpska) menaxhojnë pyjet përmes ministrive të tyre përkatëse. Në Federatë, disa kompetenca të menaxhimit të pyjeve i janë kaluar ministrive të nivelit kantonal përgjegjës për pylltarinë.
“Në përgjithësi, pyjet janë lloj i burimeve për të cilat është logjike të menaxhohen në mënyrë integrale”, tha Sekulić.
“Çdo fragmentim i mëtejshëm administrativ vetëm do ta zvogëlonte efikasitetin dhe do të krijonte hapësirë për korrupsion dhe disa interesa të veçanta të shtyhen përpara. Nëse i jepni disa kompetenca nivelit kantonal, një strategji pyjore nuk do të funksionojë në tërësi”, përfundoi ai.
Mungesa e një strategjie të përshtatshme pyjore është tokë pjellore për prerjet ilegale.
Në përmbledhjen e saj të statusit pyjor të vitit 2000 për BiH, OKB-ja thotë se “afërsisht 1.2 milion metra kub lëndë druri të paligjshëm ose të dyshimtë” importohet çdo vit nga Bosnja në BE. Të dhënat e fundit nuk janë të disponueshme.
Ministria Federale e Bujqësisë, Menaxhimit të Ujërave dhe Pyjeve raportoi se “nuk posedon asnjë informacion mbi sasinë totale të lëndës së drurit të paligjshëm nëpër kantone”. Sidoqoftë, raporti i fundit mbi menaxhimin e pyjeve tregon se tetë kantonet që kanë siguruar të dhënat përkatëse regjistruan 2,995 kallëzime kundërvajtëse dhe penale në lidhje me vjedhjen e drurit vetëm në vitin 2019.
Në Kosovë, ku 45% e territorit është e mbuluar me pyje, prerjet ilegale janë një nga çështjet më të mëdha që pllakosin mbrojtjen e burimeve pyjore.
Në fund të vitit 2019, Bosnja bëri të mundur marrjen e një certifikate të lëshuar nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Pyjeve (KMP), një organizatë ndërkombëtare që merret me menaxhimin përgjegjës të pyjeve. Certifikata KMP është menduar kryesisht për konsumatorët dhe garanton që produktet e certifikuara nga KMP nuk janë bërë nga lënda drusore ilegale, por burojnë nga pyjet që menaxhohen në mënyrë transparente dhe në përputhje me rregulloret kryesore ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor.
“Është mekanizëm i mirë në teori, por nuk do të thotë shumë në vetvete për sa kohë që nuk pranohet nga të gjithë në industri”, paralajmëroi Sekulić.
Në Kosovë, ku 45% e territorit është e mbuluar me pyje, prerjet ilegale janë një nga çështjet më të mëdha që pllakosin mbrojtjen e burimeve pyjore.
“Pyjet tona japin çdo vit rreth 1.6 milion metra kub lëndë drusore, ndërsa nevojat e kosovarëve shtohen në rreth 1 milion metra kub”, shpjegoi Adrian Emini nga KOSID, Konsorciumi i Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm. “Të nxitur nga rrethanat e pafavorshme sociale dhe ekonomike, shumë familje i shohin prerjet e paligjshme dhe shitjen e lëndës drusore si burimin e tyre të vetëm të të ardhurave”.
Sipas një studimi të fundit të KOSID, zjarret, gjuetia e paligjshme dhe prerjet ilegale janë kërcënimet kryesore për burimet pyjore të Kosovës, dhe veçanërisht të prekshëm janë Mali Sharr dhe Parqet Kombëtare Bjeshkët e Nemuna.
“Qeveria nuk është në gjendje të sigurojë një numër të mjaftueshëm të rojeve të parkut për shkak të mungesës së fondeve, ndër arsye të tjera”, theksoi Emini, duke shtuar se zyrtarët për mbrojtjen e pyjeve kanë gjetur se prerjet ilegale në Kosovë udhëhiqen nga grupe të organizuara kriminale. Ai gjithashtu vuri në dukje se janë ngritur 500 padi kundër prerësve ilegalë në dekadën e fundit.
Raporti i Zeleni Odred i paraqitur në Komisionin Evropian dhe vizita e euro-deputetit Waitz janë vetëm hapat e parë në mbrojtjen e pyjeve. Waitz shpjegoi se në raste të ngjashme, pas një analize të dokumentacionit, gjëja e parë është të arrihet një konsensus dhe kompromis me shtetin në mënyrë që të ndalet procesin e shpyllëzimit.
“Por nëse shteti nuk respekton rregullat dhe/ose nëse vazhdon shkatërrimi i pyjeve, mund të vendosen ndonjë sanksion”, theksoi Waitz.
Kroacia nuk është i vetmi vend i BE-së që po e humb me shpejtësi hapsirën pyjore. Dekada e fundit ka parë një rritje kaq të madhe të shkatërrimit të pyjeve saqë pyjet tani thithin gjithnjë e më pak dioksid karboni, gjë që ka nxitur një numër paralajmërimesh.
Reduktimi i mbulimit të pyjeve mund, përveç që ka pasoja katastrofike për biodiversitetin, ta pengojë zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, në përputhje me të cilën një kufizim i emetimeve do të ishte në gjendje ta ulte ngrohjen globale në 1.5 ° C.
Më 14 korrik Komisioni Evropian paraqiti një paketë prej 13 propozimesh legjislative të quajtur “I përshtatshëm për 55”, e cila do të ishte vendimtare për arritjen e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050. Një nga projektligjet i përket ripyllëzimit, duke synuar që tre miliardë pemë të mbillen në të gjithë BE-në deri në vitin 2030.
Vendet e Ballkanit nuk kanë ndonjë plan gjithëpërfshirës në lidhje me mbrojtjen e pyjeve. Megjithatë, ka disa nisma individuale, shumica prej të cilave vijnë nga sektori civil dhe njerëz si Vesna Grgić, Dragana Arsić, apo aktivistë të tjerë. Një nismë e tillë është ngritur nga festivali muzikor Exit me qendër në Novi Sad me synimin që të mbjellë një miliardë pemë deri në vitin 2050. Megjithatë, është e paqartë se kush do t’i organizojë veprimet e tilla dhe kush do t’i monitorojë ato.
Imazhi i ballinës: Arkivi i Zeleni Odred.