Në thelb | Ballkan

Dëshmi për rrahagjoks të rrezikshëm

Nga - 30.06.2021

Jehona kërcënuese e non-paperit slloven për të ardhmen e rajonit të Ballkanit vazhdon.

Kur Nikola Aleksiq përfundoi studimet tij themelore në Lubjanë, planifikoi të qëndronte në Slloveni dhe menjëherë u regjistrua për programin e studimeve pasuniversitare. Por, ndryshimet e reja në Aktin Slloven për të Huajt, në fillim të këtij viti, mund t’i pengojë studimet e qytetarëve serbë, si Aleksiq, dhe studentëve të tjerë që nuk vijnë nga BE-ja.

Së shpejti, të gjithë do të obligohen të paraqesin dëshmi se kanë para të mjaftueshme për jetesë gjatë studimeve një shumë prej së paku 5,000 eurosh në vit. Qeveria sllovene do të ketë të drejtë t’i kontrollojë llogaritë bankare të njerëzve.

Disa në Slloveni i shohin ndryshimet e reja si veprim ksenofobik të një shoqërie të mbyllur. Filantropia Sllovene, OJQ në Lubjanë, reagoi përmes një letre të hapur drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme, duke theksuar se nuk do të dëmtohen vetëm studentët e huaj por edhe pozicionit ndërkombëtar të Sllovenisë.

Për Aleksiqin, politika sllovene e kohëve të fundit i ngjan Serbisë së vitit 2012, atëherë kur ultranacionalistët i fituan zgjedhjet duke i dhënë fund ëndrrës së shumë qytetarëve se ndryshimi i vërtetë mund të ndodhte. Megjithatë, duke qenë se ka përcjellë vendimet dhe retorikën e qeverisë nacionaliste të Janez Janshas, Aleksiq thotë se nuk u befasua nga vendimi i fundit.

“Çdo regjim fashist i godet ata të cilët mund të ofrojnë mendim kritik dhe çdo qeveri autoritare i shënjestron të huajt,” tha Aleksiq. “Ata e duan një shoqëri etno-religjioze – dhe në të gjitha aspektet e tjera – homogjene, që mund ta nxisë më tutje etno-nacionalizmin dhe tradicionalizmin konzervativ.”

Për Aleksiqin, dhe analistët e tjerë me të cilët K2.0 bisedoi, ajo çfarë po ndodh në Slloveni mund të jetë e rrezikshme, dhe ka ndikim shqetësues në të gjithë rajonin dhe në procesin e zgjerimit të BE-së për Ballkanin.

“Pres se në muajt që vijnë, do të dëgjojmë më shumë për Slloveninë si një nga delet e zeza të BE-së, së bashku me Hungarinë, Poloninë, dhe çdo herë e më shumë Kroacinë,” tha analisti politik, Jasmin Mujanoviq.

Vizioni i Janshas për të ardhmen

Këtë pranverë, i gjithë rajoni po fliste për non-paperin, që u dërgua nga zyra e Kryeministrit Jansha drejt në Bruksel. Non-paperi, term i BE-së për një sërë pikash diskutimi jozyrtare të ndara në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive apo insitucioneve, rrodhi në faqen sllovene të lajmeve, necenzurirano.si.    

Sipas dokumentit të shpërndarë, Slovenia propozoi ndryshimin e kufijve në Ballkan me Slloveninë, Kroacinë dhe Shqipërinë që do të merrin shumicën e Bosnjë e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe të gjithë Kosovën.

Në maj të këtij viti, pasi nisi furia mediale, Jansha deklaroi se meqenëse ishte “non-paper”, në fakt, nuk ekzistonte.

Stuhia mediale rreth non-paperit slloven filloi pas raportimeve për një takim ndërmjet presidentit, Borut Pahor, dhe anëtarëve të Presidencës tripjesshe të Bosnjë e Hercegovinës. Në një konferencë për media si përgjigje ndaj raportimeve mediale, presidenti Pahor tha se në takim kishte pyetur nëse kufijtë e Bosnjë e Hercegovinës do të mund të ndryshoheshin pa dhunë, por edhe se ishte pajtuar me qëndrimet mizotëruese se një ndryshim i tillë nuk mund të ndodh.

Kjo sipërmarrje e pamençur nxori në dritë atë që duket se ishte veprim solo i Janshas; pjesa tjetër e qeverisë mohoi se kishte ndonjë lidhje me non-paperin.

Në maj të këtij viti, pasi nisi furia mediale, Jansha deklaroi se meqenëse ishte “non-paper”, në fakt, nuk ekzistonte.

Në fund të qershorit, para se Sllovenia ta merrte Presidencën e BE-së, Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian, vizitoi Lubjanën. Foto: Këshilli i Evropës.

Ndërkohë, Ministria e Sllovenisë për Punë të Jashtme, tërthorazi, konfirmoi se nuk ishte autore e dokumentit, teksa Ministri i Jashtëm tërhoqi vërejtjen se diskutimet e mëtutjeshme do të dëmtonin interesat sllovene.

Reagimet nga e gjithë bota ishin kryesisht negative, ashtu edhe ato në Slloveni.

“Njerëzit janë të shokuar,” tha Alenka Bartuloviq, antropologe dhe profesoreshë asistente në Universitetin e Lubjanës.

Bartuloviq erdhi në Slloveni nga qyteti i saj i lindjes, Sarajeva, gjatë luftrave të viteve 1990. Për të, non-paperi reflekton vizionin e qeverisë së tanishme për të ardhmen e vendit dhe Evropës: “shtete të krishtera me kufij etnikë.”

“Po e shtyjnë Slloveninë në anën e gabuar të historisë duke i mohuar parimet themelore të të drejtave të njeriut dhe duke i shpërblyer politikat e spastrimit etnik. Kjo është shqetësuese.” tha Bartuloviq.

Jasmin Mujanoviq, beson se propozimi slloven është shumë i rrezikshëm, pasi nuk mund të realizohet “pa një seri tjetër luftrash dhe krimesh kundër njerëzimit.”

Muaj pas rrjedhjes së dokumentit, askush brenda qeverisë sllovene nuk ka treguar gatishmëri për të folur haptas për të.

Pozicioni zyrtar i Sllovenisë në politikë të jashtme është se vendi mbështet integrimin e mëtutjeshëm të rajonit në BE.

Kur K2.0 e pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme për pasojat e raportimeve mediale për non-paperin, dhe se si ato janë adresuar dhe do të adresohen gjatë kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së nga Sllovenia, që fillon në korrik, ministria tha se pozicioni zyrtar i Sllovenisë në politikë të jashtme është se vendi mbështet integrimin e mëtutjeshëm të rajonit në BE. Me të vërtetë, kjo përmendet si një nga prioritetet gjatë presidencës së BE-së.  

“Politikat e besueshme të zgjerimit janë të një rëndësie të veçantë për të shmangur ngecjet në proceset reformuese në vendet e rajonit dhe për të parandaluar nxitjen e nacionalizmit, pakënaqësisë së përgjithshme dhe konsiderimin e alternativave të tjera.” tha ministria në emailin e tyre.

“Qëllimi ynë kryesor është që BE-ja të fillojë ta shohë Ballkanin Perëndimor nga një pozicion gjeo-strategjik dhe ta gjejë vullnetin e nevojshëm politik për ta vazhduar strategjinë e zgjerimit.” shtuan ata.

Çfarë po ndodh me Slloveninë?

Sipas Tanja Fajon, anëtare sllovene e Parlamentit Evropian, reputacioni i Sllovenisë tashmë është njollosur. Ajo tërheq vërejtjen jo vetëm për deklaratat zyrtare, por edhe për postimet në Twitter të Janez Janshas, të cilat, sipas Fajon, “shpeshherë janë në kundërshtim me interesat kombëtare sllovene.”

“Tashmë i është bërë mjaftueshëm dëm diplomacisë sllovene, ndërsa disa nga gabimet historike të bëra nuk do të harrohen lehtë.” shkroi ajo në një email për K2.0.

Veprimet e tanishme të qeverisë së Janshas, non-paperi dhe toni gjithnjë e më ksenofob e urrejtës i disa zyrtarëve, po ngrisin shqetësime.

Fajon shtoi se Sllovenia “duhet të angazhohet më aktivisht që me respekt dhe profesionalizëm t’u ofrojë mbështetje vendeve në rajon në përpjekjet e tyre për anëtarësim,” duke iu referuar gjithashtu mosmarrëveshjes së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për gjuhën, historinë, dhe kulturën.

Sllovenia mbetet vend i rëndësishëm në rajon. Historikisht, dhe posaçërisht pas pavarësisë së saj nga Jugosllavia në vitin 1991, ekonomia sllovene është mbështetur kryesisht në punëtorë nga pjesët e tjera të federatës së shkatërruar. Njëlloj, edhe lidhjet kulturore janë me bollëk.

Veprimet e tanishme të qeverisë së Janshas, non-paperi dhe toni gjithnjë e më ksenofob e urrejtës i disa zyrtarëve, po ngrisin shqetësime. 

“Isha në Pulë për pesë ditët e fundit. Gjatë çdo bisede bëhej pyetja – ‘Çfarë po ndodh me Slloveninë?’,” tha Irena Urbiq, bashkëthemeluese e festivalit letrar ndërkufitar, Forum Tomizza.

Urbiq shtoi se non-paperi ishte gjëja e parë e përmendur në shumë nga bisedat e saj me të ftuarit e festivalit.

“Ende nuk e kemi kuptuar plotësisht që në muajt e fundit e kemi shfrytëzuar pikën e fundit të dashamirësisë joracionale që kemi gëzuar në rajon. Dhe kur e humb, nuk ka më kthim prapa.”

Ubriq shkon aq larg sa e thërret non-paperin slloven “tradhti prej mikut”, duke iu referuar marrëdhënieve të gjata me pjesën tjetër të rajonit.

Si vendi i parë që u shkëput nga Jugosllavia dhe iu bashkua BE-së, Ubriq mendon se Sllovenia ka bërë punë të dobët sa i përket angazhimit politik në rajon. Por përkundër kësaj, “kultura dhe arti kanë ushqyer një vizion dhe përvojë tjetër. Realiteti i bashkëpunimit dhe ndjenjës së komunitetit ekziston dhe dëshmon se politika aktuale sllovene mund të mposhtet”, tha Urbiq.

Jo më iluzione

Për dallim nga fusha e kulturës, ku punonjësit kulturorë janë në kërkim të mënyrave për tejkalimin e polemikave të krijuara nga vendimi i qeverisë, për punonjësit në fushat e tjera është shumë më e vështirë.

“Qeveria aktuale e ka bërë të qartë pozicionin e vet, dhe punëtorët janë të zemëruar; ndihen të tradhëtuar.”

Goran Lukiq, udhëheqësi i Zyrës së Punëtorëve.

Zyra Këshilluese për Punëtorë në Lubjanë merret me shkeljen e të drejtave të punëtorëve dhe shfrytëzimin sistemik. Ndryshimet nga qeveria e Janshas në Aktin për të Huajt në prill, e kanë bërë më të vështirë për punëtorët e huaj të aplikojnë për bashkim familjar, duke e zgjatur periudhën e qëndrimit nga një në dy vite, duke shtrënguar kërkesat financiare dhe kufizuar të drejtat sociale për familjet e ribashkuara.

Udhëheqësi i Zyrës së Punëtorëve, Goran Lukiq, tha se “urrejtja e heshtur politike” ndiehet nga shumë qytetarë sot.

“Që prej disa vitesh, punëtorët kanë më pak iluzione,” tha ai, duke shpjeguar se në Slloveni praktikat ilegale dhe shkeljet e të drejtave të punëtorëve të huaj nuk kanë ndryshuar apo tkurrur, por janë normalizuar.

Pandemia nuk i ndaloi protestat në Slloveni, e as qeverinë të festonte 30 vjetorin e pavarësisë së vendit, më 25 qershor. Foto: Këshilli i Evropës.

“Qeveria aktuale e ka bërë të qartë pozicionin e vet, dhe punëtorët janë të zemëruar; ndihen të tradhëtuar.” tha Lukiq. “Kanë ardhur të përgatitur të punojnë edhe në kushte shfrytëzuese, por tani janë zënë në intolerancën në rritje të mesazheve politike që i paraqesin — të huajt — si problem, si ata që e shfrytëzojnë sistemin.”

Më 1 korrik, Sllovenia do ta marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Qeveria ka gjithnjë e më pak mbështetje nga qytetarët, të cilët po protestojnë çdo javë, për më se një vit.

Një nga protestat e fundit të mëdha u mbajt në qershor, kundër vendimit për ndërprerjen e mbështetjes financiare shtetërore për Radion Studenti, të njohur për punën gazetareske dhe zërin e saj kritik. Ky ishte vetëm manifestimi i fundit i përpjekjeve të qeverisë së Janshas për ta gjunjëzuar median.

Ka pak shpresë në rajon se gjashtë muajt e ardhshëm do të sjellin ndryshime pozitive kuptimplota sa i përket procesit të zgjerimit të BE-së.

Imazhi i ballinës: Radio Studenti, Lubjana dhe Anti Koglot.

KOMENTO