Pikëpamje | Dezinformimi

Dezinformim, gjithkund?

Nga - 07.11.2022

Nga Ukraina e veriu i Kosovës te rritja e çmimeve dhe liberalizimi i vizave.

Deri tash, viti 2022 tregoi se keqinformimi e dezinformimi nuk janë fenomene në rënie. Përkundrazi, çrregullimi informativ po shtrihet duke ndryshuar formë, varësisht nga ngjarjet dhe zhvillimet që janë më të aktualizuara duke përvetësuar vegla, aplikacione e platforma të reja digjitale.

Teksa dezinformatat e keqinformatat rreth fushës së shëndetit e Covid-19 mbizotëruan vitet 2020 e 2021, këtë vit, përmbajtjet keqinformuese vazhdojnë, por tash për fushën e sigurisë botërore. 

Për dallim me përmbajtjen dezinformuese rreth Covid-19 që në shumë raste nuk u dihej saktë gjeneza dhe qëllimi, këto të sigurisë, kryesisht patën një burim të përbashkët — aparatin shtetëror propagandues. Kur Rusia pushtoi ushtarakisht Ukrainën në shkurt të këtij viti, propaganda shtetërore, si një fushatë e koordinuar për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje keqinformuese, u bë më e pranishme dhe më e shpeshtë. 

Materiale dezinformuese rreth ngjarjeve që i paraprinë dhe që e pasuan këtë zhvillim e dominuan hapësirën digjitale botërisht, përfshirë edhe atë në shqip.

Përveç ngjarjeve të ndërlidhura me Ukrainën, hapësirën digjitale në Kosovë e përshkuan edhe dezinformatat rreth temave të tjera, kryesisht rreth tensioneve në veri të Kosovës, dialogut Kosovë-Serbi apo inflacionit.

Ndikimi i zhvillimeve në Ukrainë 

Lufta në Ukrainë, përpos që ndryshoi rrjedhën gjeopolitike botërore, ndryshoi edhe interesimin e audiencave. Ngjarjet rreth Ukrainës u shndërruan në epiqendër të zhvillimeve. Kjo për faktin se gati çdo zhvillim tjetër me përmasa botërore ndërlidhej me këtë luftë, nga frika për nisjen e një lufte të tretë botërore e deri te rritja e çmimeve të produkteve lokale. Kjo u pa edhe gjatë punës sonë të përditshme në platformën të verifikimit të fakteve — Hibrid.info, të cilën e udhëheqi. 

Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrolluesve të Fakteve (IFCN), krijoi një bazë të dhënave në nivel botëror, ku u grumbulluan verifikime faktesh rreth lajmeve keqinformuese që ndërlidheshin me ngjarjet në Ukrainë. Hibrid.info, si anëtar i këtij rrjeti, përdori të dhënat e grumbulluara për të hartuar raportin e parë në atë kohë rreth këtyre përmbajtjeve dezinformuese e keqinformuese që po krijoheshin e shpërndaheshin në hapësirën digjitale, me theks të veçantë në gjuhën shqipe.

Gjatë trajtimit të këtyre përmbajtjeve, hulumtuesit identifikuan tendencën e krijuesve dhe shpërndarësve të përmbajtjeve keqinformuese për t’i krahasuar ngjarjet në Ukrainë me ato në Ballkan, veçanërisht në Kosovë.

Sipas gjetjeve, përjashtuar periudhën fillestare (disa ditore) të pushtimit rus në Ukrainë, dezinformatat pro-ruse dhe pro-ukrainase u konsoliduan duke pasur një përhapje relativisht të barabartë gjatë muajit të parë. Përmbajtjet propaganduese pro-ruse kryesisht përmbanin etiketime fyese ndaj qeverisë ukrainase, duke i quajtur “nazistë” si dhe duke i akuzuar për dhunë ndaj qytetarëve të komunitetit rus në Ukrainë. Përmbajtjet propaganduese pati edhe nga kanale të institucioneve shtetërore në media sociale të Ukrainës, të cilët publikonin materiale të paverifikuara për sukseset e ushtrisë së Ukrainës në frontet e luftës.

Propaganda ruse e solli edhe një narrativë tjetër gjatë kësaj kohe. Pjesë e kësaj narrative ishin edhe përpjekjet e udhëheqësve politikë e institucionalë të Rusisë, përfshirë edhe vetë presidentin Vladimir Putin, për t’i vënë në kontekst të njëjtë vendimin e tyre për pushtim, fillimisht të rajoneve separatiste Doneck e Luhanks në Ukrainë dhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë, megjithëse një paralele e tillë nuk qëndron pasi intervenimi i NATO-s në Kosovë ndodhi për ta ndalë spastrimin etnik në Kosovë.

Të njëjtat përmbajtje, në masë të madhe, i publikuan edhe mediet online e publikues tjerë të përmbajtjeve në gjuhën shqipe.

Ngjarjet e brendshme të sigurisë

Keqinformatat e dezinformatat në këtë fushë nisën me paralelet e tërhequra mes ngjarjeve në Ukrainë dhe atyre në Ballkan e Kosovë në tre-mujorin e parë. Ato vazhduan në gjysmën e dytë të vitit me temat rreth dialogut Kosovë – Serbi, disa incidenteve në rajonet e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe kulmoi me ngjarjet e fundit, që ndërlidheshin me vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë në lirinë e lëvizjes. 

Dezinformimi, duke përdorur këto ngjarje të ndjeshme, ndodhi kryesisht përmes ndërtimit të narrativave politike nga përfaqësuesit e lartë institucionalë e politikë në Serbi.   

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë për dokumentet e udhëtimit dhe largimin e targave të lëshuara nga Serbia, i paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht të këtij viti, u përcoll me tensione në veri të vendit. Më 31 korrik, një ditë para datës kur planifikohej të hynte në fuqi ky vendim, grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët që lidhin dy pikat kufitare Kosovë-Serbi. Edhe gjatë kësaj periudhe pati produkte mediatike keqinformuese.

Tensionimi i situatës rrodhi edhe si pasojë e dezinformatave, që burim kryesor kishin medie dhe grupe të caktuara të platformave të rrjeteve sociale ruse dhe serbe. Përkundër paralajmërimeve të bëra nga institucionet e Kosovës për kujdes në konsumimin e informatave nga burimet e dyshimta, këto kanale u vunë në funksion të dezinformimit me përmbajtjet e postuara dhe shpërndara në media sociale.

Narrativa dezinformuese që dukej të ishte e koordinuar mes institucioneve shtetërore serbe dhe mediave të afërta me pushtetin në Serbi u përcoll me disa lajme tjera të fabrikuara. Lajme të bazuara në disa reagime institucionale serbe, që u publikuan gjatë muajit gusht e shtator, me pretendimin se po koordinoheshin veprime për dëbimin e serbëve lokalë nga vendbanimet e tyre në Kosovë nga institucionet e Prishtinës, ishin pjesë e narrativës së radhës. Baza e këtyre pretendimeve ishin komunikatat jo të pakta që i publikonte Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë në këtë periudhë.

Dezinformimi nuk do të zhduket  

Nuk mund të thuhet ende nëse 2022 do të shquhet si viti brenda të cilit u përhapen dukshëm më së shumti përmbajtje dezinformuese e keqinformuese deri tash pasi pritet të ndodhin edhe ngjarje tjera, si në vend ashtu edhe në botë që do të frymëzojnë përmbajtje tjera të pasakta. 

Në Kosovë, temat rreth sigurisë, politikës e çështjeve sociale rikthehen hovshëm herë-pas-here.

Tashmë është ri-aktualizuar tema e liberalizimit të vizave. Zhvillimet politike, takimet e zyrtarëve të lartë politikë të Bashkimit Evropian nga Komisioni, Parlamenti e Këshilli Evropian gjatë muajve qershor e tetor, bënë që shumë media të Kosovës të raportonin për mundësitë e liberalizimit të vizave. Gjithashtu, portale të dyshimta e krijues e shpërndarës tjerë të përmbajtjeve të tilla, publikuan artikuj e postime që pretendonin rrejshëm për zhvillime pozitive në këtë drejtim, e të tjera përdorën deklarata të vjetra të zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve institucionalë në Kosovë për këtë çështje, me përpjekjen që t’i paraqesin ato si lajme e zhvillime të reja.

Ndërkohë, edhe rritja e çmimeve të produkteve bazë, ishte temë që u keqpërdor nga krijues të keqinformimit duke pretenduar rrejshëm për rritje të çmimeve të produkte bazike si buka, vaji e qumështi. Vendimet e mëhershme të institucioneve të Kosovës për ndihma për kategoritë e ndryshme shoqërore, u ripublikuan duke synuar të paraqiten si lajme aktuale, si për shembull, ndarja e mjeteve financiare për kategori të caktuara. 

Të rejat rreth mungesës dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike, të përcaktuara në masë të madhe nga rrjedha e ngjarjeve në Ukrainë, do vazhdojnë të jenë frymëzim për keqinformuesit. 

Kjo na tregon se dezinformimi e keqinformimi vështirë se mund të largohet. Në fakt, ky fenomen po shtrihet, për të përfshirë pothuajse çdo fushë të jetës, që konsiderohet me interes jetësor për njerëzit. Teksa në baza ditore, verifikuesit e fakteve e luftojnë këtë fenomen, një gjë dihet — çrregullimi informativ nuk do të zhduket, veç duhet të mësohemi të jetojmë me të.

Fotografia e ballinës: Majlindë Hoxha/K2.0
Autorja e gjeneroi këtë fotografi pjesërisht me GPT-3, model i OpenAI për gjenerimin e gjuhës.

Ky artikull është i pari në serinë e artikujve nga platformat e verifikimit të fakteve në vendet e Ballkanit. Përmes kësaj serie, verifikuesit e fakteve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut shtjellojnë trendet e përbashkëta të dezinformimit e keqinformimit.

Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të ZiInstituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?