Blogbox | luftë

Dhjetë rrëfime dhe një poezi për luftën

Nga - 04.03.2022

Lufta në Ukrainë i shkundi kujtimet e atyre që më shumë se dy dekada më parë i mbijetuan një tjetër lufte.

Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt. Tash e disa ditë, populli ukrainas po përjeton gjithçka që vjen prej luftës –– vdekjet e të dashurve, detyrimin për t’i lënë shtëpitë, krismat dhe flakët e kudondodhshme, frikën se çfarë do të ndodhë më pas, revoltën e fuqishme kundër pushtuesit e shpresën se ditë më të mira do të çelin. 

Ndërkohë, jo shumë vjet më parë, një luftë ndodhi në Kosovë. Lufta në Ukrainë edhe një herë tregoi se edhe nëse lufta në vetvete mbaron, kujtimet mbesin. Këto kujtime, për shumë njerëz në Kosovë, shërbyen si pikënisje për të treguar solidaritet me njerëzit në Ukrainë. Edhe një herë e pamë se realitetet tona në të mirë e në të keq, janë të pashkëputshme prej njëri-tjetrit.

Për këtë, në K2.0, i pyetëm disa njerëz që i mbijetuan luftës në Kosovë, se çfarë ndien e menduan kur një luftë tjetër u nis. 

Këto janë rrëfimet e tyre.

Sadete Tërnava-Osmani
“Këtyre ditëve, kur lufta në Ukrainë po vret njerëz, pak na duhet neve në Kosovë që ndjenjat e pasigurisë e të frikës t’i rikthejmë, ngase ato na rrinë afër njëra-tjetrës, si stinët.

Gjatë këtyre ditëve, çdo lajm nga Ukraina, pjesës dërrmuese të kohës më ndërlidh me kujtimet e 23 viteve më parë të luftës sonë. Vjen sakaq, se me gjasë rri i fjetur në ne. Është përvoja traumatike, forca inerte dhe shpresa që si trinom përbëjnë aktet kryesore të dramës individuale, familjare dhe grupore te vendit tonë. Sigurisht, edhe shfaqet përsëri, sado që ti i thua vetes se nuk janë të një natyre e të një kohe. Dhe e shoh se këto kujtime e kthejnë të paharrueshmen më fort dhe na e rikujtojnë se nuk jemi auditorë të thjeshtë. Jemi përjetues”.

Verona Selimi
“Luftën e vitit ’99 në Kosovë vetë nuk e kam përjetu. Po kurioziteti si fëmijë më ka shty me kërku tregime për të. Krejt turbullt, luftën e pata konceptu si diçka të ashpër, të përcjellur me frikë e terror. Me kalimin e viteve, definicionin për luftën e kom qartësu, po tregimet për të, kom mendu që vështirë se kanë me m’u personifiku me një luftë gjetkë. Konflikti në Ukrainë e ndryshoi këtë. Përpos që ka ndryshu rutinën time, më ka bo me kriju skenarë potencialë të post-konfliktit, më boni me kuptu vetëm gjysmën e terrorit që populli jonë e ka kalu para dy dekadave. Po të njëjtën kohë, Ukraina na e ringjalli kujtesën e zbehur kolektive për luftën në Kosovë”.

Violeta Hyseni Kelmendi
“Lufta në Ukrainë më solli në kujtime ditë të errëta të historisë sonë, ditë kur Kosova ishte në flakë dhe jeta e secilit prej nesh rrezikohej çdo moment. Të dëbuar nga shtëpitë tona, pleq, gra e fëmijë të frikësuar, po bredhnim rrugëve në frikë e ankth, duke kërkuar një vend të sigurt për strehim.

Kur lëshuam Kosovën, pasi i kishim përjetuar për dhjetëra ditë sulmet ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe dhe krimet e këtyre të fundit ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, për herë të parë e kuptoja çka nënkuptonte të qenit refugjat.

Sot, kur shoh pamjet shkatërruese në Ukrainë, vrasjet e njerëzve, njerëzit e armatosur e tanket në rrugë, shtëpitë e ndërtesat në flakë, nuk mund të mos e kujtoj kohën kur krismat e armëve dhe granatave po na terrorizonin, teksa e frikësuar, nga dritarja e katit të shtatë në banesën time, po shihja policë e ushtarë serbë duke u vënë zjarrin shtëpive përreth lagjes sonë. Kur shoh njerëzit duke ikur në drejtim të vendeve fqinje, ma kujtojnë kohën kur tërë familja ishim dëbuar masovisht nga Mitrovica dhe ishim nisur në këmbë drejt Shqipërisë, duke kaluar para paramilitarëve serbë. 

Bashkëndiej thellë me qytetarët e Ukrainës dhe lutem shumë që kjo luftë të mbarojë sa më parë, me sa më pak pasoja. Më dhemb zemra kur shoh gra e fëmijë të vegjël refugjatë, të cilët kanë lënë baballarët, vëllezërit apo burrat e tyre në luftë dhe nuk e dinë nëse do t’i shohin më. Lutem që kjo luftë të marrë fund sa më parë, me sa më pak viktima dhe që njerëzimi të mos përjetojë më luftëra të tilla”.

Ragip Luta
“Kur vendi yt ka kaluar nëpër luftë, të ngjashme sa i përket pabarazisë ushtarake mes palëve, pamjet që vijnë nga Ukraina të bartin menjëherë në ato ditë të vështira e të bëjnë të ndiesh sërish e edhe të ndash dhimbjen për vuajtjet e tmerrshme të popullatës absolutisht të pafajshme e të pafuqishme. Sulmet mbi caqe civile, kolonat e refugjatëve, fëmijët e repartit të onkologjisë të strehuar në bodrum në Chernihiv në pritje të raketave, më sjellin në mendje masakrën e Abrisë, të Reçakut, të Suharekës, Krushës, Podujevës. Në shekulllin XXI, kur ke menduar se, të paktën në Evropë, pas luftërave të fundit në Ballkan, nuk mund të ketë më ndonjë luftë të përmasave të këtilla, këto e bëjnë njeriun të ndihet i pashpresë.

Por nga ana tjetër, Ukraina po dëshmon se Putini –– edhe nëse e fiton përkohësisht këtë luftë dhe e pushton këtë vend –– nuk ka shansa ta nënshtrojë një popull që po ka aq guxim sa t’u dalë duarthatë tankeve përpara. Dhe mbase si mësim nga Lufta e Dytë Botërore, po edhe nga lufta në Kosovë, bota e qytetëruar po dëshmon se nuk do që të njolloset duke e marrë me të mirë një agresor. Madje, me masa të pashembullta ekonomike, praktikisht i ka shpallur luftë regjimit rus dhe nuk po kursen asgjë që ta izolojë një diktator të ligë që të mos e lejojë t’i realizojë ambiciet e tij të sëmura.

Nëse nuk vjen deri te më keqja, një luftë bërthamore që do të ishte katastrofike për mbarë njerëzimin, nga ajo nëpër të cilën kemi kaluar vetë këto 2-3 dekada të fundit, mund të imagjinojmë edhe fundin dhe pasojat e gjithë kësaj. Viktima të shumta, të pagjetur, jetë të shkatërruara përgjithmonë, ekonomi të gjunjëzuara, gjyqe për krime të luftës, një damkë që edhe një populli do t’i duhet kohë për ta hequr për shkak të një lideri të krisur. Një diktator tjetër, shkurtpamës sipas definicionit, që edhe nëse ka menduar fundin e të tjerëve, nuk e ka menduar fundin e vet e as pasojat për popullin e vet”.

Aurela Kadriu
“Në luftën e vitit ‘99 në Kosovë kam qenë shumë e vogël për të mbajtur në mend kujtime e përjetime. Prandaj, shumica e imazheve pamore që më krijohen në kokë kur mendoj për të, jam e vetëdijshme se janë të ndërtuara nga rrëfimet që më janë bartur nga familja, shkolla, shoqëria e më vonë puna hulumtuese. Me gjithë këtë distancë të krijuar nga mospërjetimi i drejtpërdrejtë i luftës, ajo ka qenë tepër shumë prezente sidomos në vitet e mia formuese dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot, 22 vjet pas përfundimit të saj. 

Gjithë çka po mendoj teksa përcjell luftën në Ukrainë është edhe sa gjenerata do të rriten në ‘paqe’ – atë paqen e brishtë të pasluftës së menjëhershme. A ka fund qarku – luftë e armatosur > paqe e brishtë > bartje e traumës > glorifikim i figurave të lëvizjes çlirimtare > mësime të misioneve ndërkombëtare humanitare e paqeruajtëse për paqen dhe marrëveshjet paqësore > moskokëçarje e po të njëjtave kur paqja kërcënohet haptazi > rikthim tek nevoja e imponuar për militarizim të popullatës civile > luftë. Përsërit. Shkurt e shqip, edhe sa fëmijë do ta përjetojnë luftën edhe pa e përjetuar”? 

Rrahman Paçarizi
“Sirenat për sulme ajrore në Kievin e 24 shkurtit më kthyen 23 vjet pas, në 24 marsin e Prishtinës. Vetëm kaq, pasi sulmet ajrore të NATO-s në Prishtinë paralajmëronin çlirimin, rikthimin e shpresës për liri, e sirenat e alarmit në Kiev paralajmëruan fillimin e ferrit. Gjithsesi, paralelja për paqartësinë se çka do të sillte e nesërmja ekziston, ashtu si dilemat për të ikur a qëndruar, familjet e ndara, përballja me armiq të fuqishëm dhe solidariteti ndërkombëtar. Ndryshimi është se Ukraina ka strukturat e veta civile-ushtarake, e Kosova ishte e pushtuar tashmë –– Kosova luftonte për lirinë, Ukraina mbron lirinë”.

Bekim Guri
“Ajo që po ndodh në Ukrainë, midis tjerash, ma solli ndërmend këtë kujtim. Makinat e  OSBE-së, ngjyrë portokalli kanë qenë më të fuqishme për mua, se sa ndërhyrja e NATO-s. Kur e kemi parë një makinë të atillë në fshat e ndienim veten të sigurt dhe flinim të qetë. Edhe pse kanë qenë UÇK-ja afër, duke na mbrojtur, ndër ta edhe dy vëllezërit e mi, me shumë bashkëfshatarë dhe të fshatrave tjerë, por me ndërkombëtarët, serbët nuk janë konfrontuar asnjëherë. Më kujtohet kur dikush ishte i sëmurë, përcillej me një makinë të OSBE për tek mjeku dhe ishe i sigurt. Kur donin të kalonin postblloqe serbe, nëse ishe nën shoqerinë e kësaj makine magjike portokalli, kaloje pa problem. Ishte diçka magjike kjo ngjyre (portokalli), për kohë lufte, ishte ngjyre mbrojtëse dhe sigurie ndaj vdekjes. Donim që lufta të mbaronte sa më parë dhe të sillte edhe ngjyra tjera, paqje. 

Momenti kur e morëm lajmim që OSBE do të largohej nga shërbimi në Kosove ka qenë ndër momentet më të rënda gjate luftes. Dolëm për ta parë konvoin e largimit të makinave portokalli nga Kosova. Magjistralja nga hyrja e fshatit tonë deri në hyrje të Kaçanikut (ku jetonim, në fshatin Nikaj) u bë e portokalltë, e tërë kjo shpresë makinash u bë si nje vagon i gjatë që po na e merrte me vete të vetmen shpresë që kishim. Edhe e vetmja ngjyrë portokalli u zhduk, e lëre më të vinin ngjyra tjera. 

Frika filloi të rritet, jo pse unë do të vdisja, sepse kurrë nuk i jam frikësuar vdekjes sime. Jam frikësuar se mos më vritet dikush nga familja. Filloi ndërhyrja e NATO-s.

Dardan Hoti
“Kjo situatë po më rrethon gjithë kohën. Sado që po mundohem me i anashkalu lajmet për luftën në Ukrainë, është e pamundur. Është dikush në zyrë që e përmend, kur flas me prindërit, ata veç janë para televizorit dhe gjithë kohën e kanë temë diskutimi, në shtëpi kur kthehem është njëjtë. Secilin/en është duke e prekë. Pos kësaj, ka dy-tri ditë që edhe ëndrra po shoh duke qenë në luftë, me shumë policë përreth dhe situata të trazuara. Madje ditët e para kur veç filluan sulmet ruse ndaj Ukrainës edhe produktiviteti në punë më humbi. Në fakt njëherë nuk e kuptova se pse po ndihesha ashtu. 

E përpos kësaj, unë kam një shok nga Ukraina dhe po ndihem shumë keq dhe i frustruar kur po i shoh storiet e tij në rrjetet sociale. Ai është aty, duke u munduar të fshihet dhe të gjejë strehim. Në njërën prej ditëve i shkrova, duke i treguar që po e kuptoj gjendjen e tij dhe situatën nëpër të cilën është duke kaluar. E ai vetëm ma ktheu një mesazh duke me thënë: ”Vetëm lutu për ne”. Huh, u ndieva shumë keq edhe nuk dita as çka t’i shkruaj më mbrapa. E kjo veç se më shtyni edhe më shumë me u kthy në ato çka kam pa dhe nëpër çfarë kemi kaluar në vitin 1999 ne në Kosovë”.

Krenare Buzhala
“Gjithmonë ditëlindja më asht lidhë me luftën, jam njoftë edhe nga njerëzt si “çika e luftës”, e sado që jam mundu me i ikë luftës edhe ngjarjeve të lidhuna me ta, lufta m’ka ndjekë në një formë a një tjetër. E rritun me rrëfimet e njerëzve të afërm për përvojat e tyre gjatë luftës, asnjëherë s’e kam pasë të lehtë ta kuptoj në thelb atë. Unë nuk e di ndjenjën me e lanë shtëpinë, kujtimet, njerëzit, jetën e mëparshme mbrapa, rrugës për me shpëtu të gjallë. Këtë përjetim ma kanë përjcellë njerëzit që e kanë përjetu luftën e fundit në Kosovë.

Disa thonë se nuk mundesh me u mërzitë për diçka që s’ke pasë asnjëherë, sepse nuk e din se qysh asht me pasë. Edhe unë, s’e kam ndie të njëjtën mërzi, ndoshta edhe urrejte, apo krejt ato ndjenja që ua kanë përçu trupin familjarëve të mi, njerëzve të afërm, e atyre të panjohurve që ma kanë rrëfy përjetmin e luftës.

Diçka që më ka dhënë shijen e reales, e që për disa sekonda e kam paramenduar të njëjtë me luftën në Kosovë, ishin pamjet e ndërtesave në Ukrainë, gjysmë të shaktërruara prej sulmeve ruse. Duke i parë refugjatët ukrainas, e kam ndier një ngjashmëri me vendin tim, në kohën kur unë isha veç një foshnje. Përvoja e shkurtër me ngjarjet e luftës më ka lënë të kuptoj se ende ndër ne ka ngjarje të patreguara që jetojnë e vdesin me njerëzit që i kanë përjetuar ato. Askush s’dëshiron të kthehet pas në kohë, 23 vite, e ta kujtojë luftën, por lufta sikur erdhi vetë, pa pasur nevojë të shkojmë prapa në kohë, me kujtime. Mirëpo, në Kosovë, njerëzit e kanë përdorur këtë kohë për t’a shprehur veten, mërzinë, e mbështetjen ndaj Ukrainës, sepse kush e përjeton të njejtën dhimbje, ta din hallin më së miri”.

Bashkim Fazliu
“Tërë kohën, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë gjëja të cilës më së shumti i gëzohem dhe për të cilën shpresoj të vazhdojë por edhe të forcohet është vendosmëria e Perëndimit për tʼi qëndruar pranë popullit të terrorizuar të këtij vendi. Sa më e madhe përkrahja për njerëzit në Ukrainë aq më e madhe shpresa ime për vendosjen e drejtësisë kozmike. Situata është e qartë, kurse reagimi duhet të jetë i plotë. Mungesa e dënimit dhe ofrimit të ndihmës pa asnjë kusht është me siguri një prej traumave më të mëdha menjëherë pas traumës së tmerrit të sulmit të agresorit. 

Shumë mirë i kujtoj ndjenjat kur gjatë agresionit ndaj Kosovës kishte të tillë që ftonin “të gjitha palët të qetësohen”, kurse “mendimtarët” e skajeve ekstreme të djathta dhe të majta filozofonin mbi të drejtën që dhunuesit tʼi vlerësohet nevoja për të marrë “garanci të sigurisë” apo bëheshin sikur janë duke tentuar të luftojnë imperializmin përendimor duke injoruar totalisht viktimat e gjakpirësit që sulmonte me synim shfarosjen totale të një grupi njerëzish. Jehona e fjalëve të kurajos për viktimën, empatisë pa kushte dhe të dënimit të dhunesit duhet të kumbojë në tërë globin dhe viktimës së shkatërruar tʼi mbetet ngushëllim, shpresë dhe tʼi japë forcë që, në këto momente fatkeqe, të rezistojë tutje. 

Këtë e them me siguri të plotë pasi çdo gjest që tregonte bashkëndjesi me ne gjatë tragjedisë së imponuar nga Serbia e Milošević ishte një dozë serumi që më bënte të mbijetoj edhe një ditë tjetër, kurse çdo veprim i kundërt i atyre që mendonin “që viktima e ka provokuar përdhunesin” më shtonte shokun dhe traumën. Paqe dhe dashuri për Ukrainën”!

 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.