Përmbledhje e përmbajtjeve rreth dhunës ndaj grave.
Rasti i fundit i përdhunimit të një vajze 11-vjeçare nga pesë burra dhe djem nuk është rast i izoluar, por vazhdimësi e dhunës e shtypjes të vazhdueshme që gratë dhe vajzat në Kosovë e tjetërkund e përjetojnë. Sidomos rastet e fundit të kësaj dhune i ka bërë bashkë shpërfillja institucionale, duke vënë në pah që shtypja ndaj grave përpos që është sistematike, është mbi të gjitha sistemike.
Në K2.0 qëndrojmë për barazi dhe drejtësi e këtë e manifestojmë duke qenë gjithnjë të vëmendshëm dhe të zëshëm, veçanërisht kur padrejtësitë gjinore rrezikojnë të mbesin të pa thëna e të pa dokumentuara. Gazetaria jonë do të vazhdojë të sjellë në sipërfaqe mangësitë, boshllëqet institucionale që e ushqejnë patriarkinë, të vë në pah aktivizmin dhe përpjekjet për t’i kundërshtuar këto mangësi, të jetë hapësirë për reflektimet e rrëfimet e grave që kanë përjetuar a përjetojnë dhunë.
Prandaj, po ju sjellim një përmbledhje të gazetarisë sonë viteve të fundit –– të dokumentimit e shqyrtimit tonë për dhe ndaj rasteve të shumta të dhunës gjinore, femicidit, lëshimeve institucionale, normave shoqërore që mirëmbajnë patriarkinë e aktivizmit për drejtësi gjinore.
Ne besojmë se dokumentimi i mirëfilltë dhe zëri i vazhdueshëm kritik gazetaresk kanë fuqinë t’i ndërrojnë rrethanat e dinamikat që e mirëmbajnë dhunën ndaj grave.