Pikëpamje | Media

Dhuna s’është spektakël mediatik

Nga - 22.01.2024

Qëndrim i redaksisë së K2.0 rreth mbulimit mediatik të ngjarjeve të fundit.

Më 20 janar u raportua se 18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e plagëve të marra pasi dy djem e kishin goditur me veturë dhe rrahur brutalisht. Me të raportuar të kësaj ngjarjeje, disa medie në Kosovë nxitimthi shpalosën hollësi rreth rastit, përfshirë të dhëna për familjen e Fejzullahut, lagjen, si dhe emrat, mbiemrat, prapavijën e dy të dyshuarve, të cilët, sipas raportimeve, janë të mitur. 

Kjo shpalosje mediale kulmoi me publikimin e videos së kryerjes së vrasjes — në disa medie online, televizione kombëtare e rrjete sociale.  

Vërshimi i këtyre lajmeve, që u përpoqën ta sensacionalizojnë vrasjen e të riut Fejzullahu na ktheu te një ngjarje e fundme, ajo e vrasjes së Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023, vrasje për të cilën një prej të dyshuarve është bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli. Edhe atëherë mbulimi ishte problematik — dolën intervista jorelevante, komente nga njerëz jorelevantë për rastin, video nga dasma e saj, video-montazha me fotografitë e viktimës e teori konspirative rreth ngjarjes.

Mbulimi medial i rastit të Ademajt dhe tash, ky i rastit të Fejzullahut i ngjau më shumë një gare për klikime e shikueshmëri sesa gazetarisë. Teksa shumë medie u kapluan nga ngutia për të qenë të parat që skandalizojnë lexuesit e shikuesit me tituj, hamendësime e hollësira private që veç kënaqnin kurreshtjen e lexuesve — ato u larguan prej qëllimit themelor të ekzistimit të profesionit të gazetarisë — shërbimi ndaj interesit publik. 

Raportimet mediale të këtilla, jo vetëm që s’janë në përputhshmëri me Kodin e Etikës, ato i shndërruan këto ngjarje tragjike në spektakël, duke mos nderuar as privatësinë e familjeve e as integritetin e viktimave. 

Kodi i Etikës, i cili përbën bazën e profesionit të gazetarisë dhe të cilit vullnetarisht i nënshtrohen të gjitha mediet që janë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), qartazi thotë se duhet respektuar privatësia e të miturve, rastet tragjike të trajtohen me kujdes të shtuar dhe të tregojnë mirëkuptim dhe empati ndaj familjarëve të viktimave. Shumë nga mediet që e publikuan videon e aktit të vrasjes së Fejzullahut janë anëtare të KMShK.

Pos që cenon gazetarinë e mirëfilltë, mbi të gjitha, kjo shkoqitje prej interesit publik pengon shoqërinë prej diskutimeve të domosdoshme përpara akteve të dhunës, që janë bërë jo të rralla. Sensacionalizimi i dhunës e ekspozon shoqërinë më shumë ndaj dhunës dhe, qoftë drejtpërsëdrejti a tërthorazi, i bën vend përsëritjes së dhunës. 

Mbulimi medial i vrasjes e Fejzullahu dhe Ademajt nuk janë raste të izoluara. Spektakli medial që bazën e ka në dhunë, është ftesë për reflektim për mënyrën se si ne si gazetarë po tregohemi kaq të gatshëm të shpërfillim dinjitetin njerëzor veç për t’u klikuar, lexuar a shikuar. Për më shumë, e normalizojmë këtë lloj mbulimi tek lexuesit e shikuesit dhe e cenojmë besimin e tyre tek ne.

Kur mediet sensacionalizojnë, ato e largojnë shoqërinë prej kërkimit të përgjegjësisë nga institucionet që janë të thirrura ta ndalojnë, reduktojnë, adresojnë këtë dhunë — duke i ftuar qytetarët ta marrin rolin e tyre. Pos kësaj, ky lloj i mbulimit i largon edhe viktimat prej drejtësisë. 

Publikimi i videove të tilla si në rastin e Fejzullahut nuk i ndihmon drejtësisë, krejt e kundërta, e pengon atë. Vëmendja dhe kurreshtja gazetareske duhet të jetë në mbikëqyrjen e institucioneve gjegjëse dhe në dekonstruktimin e faktorëve që çojnë te dhuna, ashtu që edhe gazetaria të jetë pjesë e këputjes së ciklit të dhunës e jo ndihmëse e saj.

Imazhi i ballinës: K2.0

  • 16 Feb 2024 - 21:11 | Dean Phillips:

    What i do not understood is in truth how you are not actually a lot more smartlyliked than you may be now You are very intelligent You realize therefore significantly in the case of this topic produced me individually imagine it from numerous numerous angles Its like men and women dont seem to be fascinated until it is one thing to do with Woman gaga Your own stuffs nice All the time care for it up

KOMENTO