Duke pasur parasysh mbështetjen e Joe Biden ndaj Kosovës prej kohësh, shumica e shqiptarëve të Kosovës festuan fitoren e tij në fushatën presidenciale të vitit 2020 me shpresën se ai do ta rriste presionin ndaj Serbisë dhe do të ofronte më shumë mbështetje për sovranitetin dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Këto shpresa janë shembur.
Zyrtarët amerikanë në Kosovë dhe në përgjithësi në rajon, kanë nxitur zemërim duke lavdëruar qeverinë serbe dhe duke pozuar të buzëqeshur me zyrtarët e përfshirë në shtypjen e shqiptarëve në Kosovë në kohën e Milošević. Në të njëjtën kohë, ata po kërkojnë nga qeveria e Kosovës ta pranojë një marrëveshje me Beogradin që komprometon sovranitetin e brendshëm të Kosovës.
Situata arriti kulmin e saj në fund të janarit kur i dërguari special i ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i irrituar nga qëndrimi i qeverisë së Kosovës ndaj Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), deklaroi se “një person dhe një parti” nuk do të lejohen ta pengojnë e zbatimin e tij, duke premtuar se “do ta bëjmë dhe do ta bëj duke gjetur partnerë”.
Kërcënimi ishte i qartë. Qeveria e Kosovës duhet të bëjë siç thonë ShBA ose të përballet me përmbysjen. Sipas çdo standardi, ishte mënyrë jashtëzakonisht e pasjellshme për të folur për qeverinë e zgjedhur të aleatit tuaj.
Pse AKS po konsiderohet kaq thelbësor është në vetvete e paqartë; Kushtetuta e Kosovës i siguron komunitetit serb të drejta të gjera në lidhje me gjuhën, arsimin dhe përfaqësimin politik. Në të vërtetë, privilegjet e garantuara me kushtetutë — vetë të hartuara në thelb nga ShBA dhe Bashkimi Evropian (BE) — janë padyshim më të gjera se dispozitat që u jepen cilësdo pakicë tjetër në Evropë. Kësisoj, vendosmëria për ta shtyrë tutje AKS nuk buron nga një dëshirë parimore për t’i siguruar një pakice të drejta që aktualisht nuk i gëzon.
Qëndrimi i ShBA duket edhe më i padrejtë dhe shkurtpamës duke pasur parasysh se që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe të Vučić në vitin 2012, Serbia është bërë më autoritare, ka përjetuar kufizime në lirinë e shtypit, ka forcuar lidhjet me Rusinë, të gjitha duke nxitur trazira në vendet nëpër rajon.
Kosova tani përballet me një dilemë të madhe për shkak të pozicionit të ShBA. Mbështetja e ShBA ka qenë jetike gjatë 25 viteve të fundit — ndërhyrja ushtarake në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008 do të ishin të pamundura pa të. Prandaj, ekziston një mosgatishmëri e kuptueshme për ta rrezikuar këtë marrëdhënie — është e qartë se do të ishte e pamend t’ia refuzosh kërkesat mbështetësit tuaj kryesor (dhe vendit më të fuqishëm në botë).
A u bënë përpjekjet dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës vetëm që Kosova të bëhet shtet që i përgjërohet ShBA?
Megjithatë, duhet të ketë edhe disa vija të kuqe — pranimi i kërkesave të ShBA për ta zbatuar marrëveshjen, që në mënyrë efektive do ta rrezikonte sovranitetin e Kosovës, sigurisht duhet të jetë njëra prej tyre. Në fund të fundit, bashkëpunimi me ShBA ka kuptim vetëm nëse forcon statusin ndërkombëtar të Kosovës. A u bënë përpjekjet dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës vetëm që Kosova të bëhet shtet që i përgjërohet ShBA?
Duke i rezistuar regresit
ShBA e ka bërë të qartë për të paktën një dekadë se kërkon “stabilitet” në rajon. Si rezultat, Bosnja u bë një entitet i ngrirë ku mbretëron një paqe e ftohtë dhe Kosova u bë një shtet fantazmë — pjesërisht i njohur, i pafuqishëm për t’u anëtarësuar në BE, OKB apo NATO, por “stabil”. Për sa i përket Serbisë, u bënë përpjekje për ta tërhequr kah Perëndimi duke i ofruar një sërë koncesionesh. Këto përfshinin mbylljen e syve ndaj erozionit të lirisë së shtypit dhe praktikave demokratike brenda Serbisë dhe gatishmërinë për ta toleruar që Serbia ta rriste ndërhyrjen e saj destabilizuese në Bosnjë dhe Kosovë.
Preferenca e ShBA për stabilitet u lehtësua nga qeveritë në Kosovë, që pranuan kërkesat e ShBA, gjë që rezultoi në nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh thellësisht të papëlqyera, që degraduan sovranitetin e Kosovës, si AKS, marrëveshja për kufirin me Malin e Zi dhe krijimi i Gjykatës së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Kjo ishte pjesë e një strategjie për ta fituar mbështetjen e ShBA — Hashim Thaçi përfitoi dhe u vlerësua si “George Washington i Kosovës” në vitin 2010 — dhe në këmbim u lejuan në heshtje të përfshiheshin në korrupsion të përhapur. Kështu, Kosova u la të lëngonte në apatinë ndërkombëtare, duke u bërë një shembull tipik i kapjes së shtetit.
Shumë nga elita e vjetër, që përfituan nga përvetësimi i një qëndrimi servil ndaj ShBA, po e qortojnë qeverinë për qëndrimin ndaj ShBA.
Populli i Kosovës nuk e toleronte dot këtë. Deri në vitin 2016, shumë hoqën dorë nga shpresa dhe thjesht ikën nga vendi, por ata që qëndruan, votuan për ta dëbuar nga pushteti elitën e korruptuar dhe të nënshtruar, prandaj edhe u ngrit shpejt Vetëvendosje. Suksesi i tyre elektoral në vitin 2019 e bëri më të vështirë zbatimin e qasjes së orientuar kah stabiliteti, pasi partia dhe mbështetësit e saj kërkonin përparim dhe jo ngecje. Prandaj kemi ngërçin me AKS sot.
Natyrisht, shumë nga elita e vjetër, që përfituan nga përvetësimi i një qëndrimi servil ndaj ShBA, sot po e qortojnë qeverinë për qëndrim kundër ndaj ShBA. Kur ata ishin në pushtet, Kosova pësoi migrim masiv, korrupsion kronik dhe ngecje në arenën ndërkombëtare. Si i tillë, argumenti se Kosova duhet, edhe një herë, thjesht të bëjë siç i thotë ShBA, nuk ka bazë të qëndrueshme.
Çka mund të bëhet?
Mes thirrjesh se “ka ardhur koha” për ta nënshkruar një marrëveshje, çdo marrëveshje, me Serbinë, qeveria e Kosovës duhet ta përvetësojë një qasje durimtare dhe të bazuar në vlera. Negociatat aktuale po zhvillohen gjatë një faze të trazuar në politikën botërore, jo më pak për shkak të luftës në Ukrainë.
ShBA duhet ta rimendojë shpejt qasjen e politikës së saj të jashtme duke qenë se po bëhet gjithnjë e më e qartë se demokracia po përballet me një kërcënim ekzistencial; kjo me siguri do të nxisë një grup të ri prioritetesh të politikës së jashtme, që përfshin ofrimin e mbështetjes më të madhe për ata që mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, veçanërisht në rajone të tilla si Ballkani, ku ata përballen me një kërcënim të menjëhershëm nga autoritarët agresivë. Si e tillë, ka arsye për të shpresuar se gjykimi i shëndoshë do të mbizotërojë dhe ShBA do të miratojnë një qasje të re ndaj Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht pasi kjo e fundit ka vazhduar të rreshtohet krah Moskës.
Politika e jashtme e qeverisë serbe nuk është në harmoni me vlerat demokratike.
Kërcënimi që përbën Serbia nuk është i imagjinuar; dëshmi se qeveria aktuale mbështet një sërë vlerash të lidhura ngushtë me Vladimir Putin, janë shfaqur vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare dhe grupet për të drejtat e njeriut brenda Serbisë. Me pak fjalë, politika e jashtme e qeverisë serbe nuk është në harmoni me vlerat demokratike dhe vetë parimin e barazisë sovrane dhe si e tillë është kërcënim për paqen në Evropë. Kjo do të bëhet më e qartë vitet e ardhshme pasi përpjekjet e Vučić për t’i mbajtur lidhjet me Perëndimin dhe Moskën pashmangshëm do të dalin në sipërfaqe.
Njësoj si Milošević në fund të viteve të ’80-ta, Vučić ka lëshuar forca nacionaliste në të gjithë rajonin që do ta ketë të vështirë t’i kufizojë. Teksa duart e zgjatura të tij në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi promovojnë paqëndrueshmëri të dhunshme, veprimet e tyre do të nxjerrin në pah kërcënimin e paraqitur nga ata që janë të vendosur ta ri-krijojnë “Serbinë e Madhe”. Me pak fjalë, politika aktuale e ShBA për ta qetësuar Serbinë është e destinuar të zhvlerësohet shumë shpejt.
Në ndërkohë, Kosova duhet të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj vlerave liberale duke forcuar institucionet e saj demokratike dhe gjyqësore, duke promovuar lirinë e shtypit, duke luftuar korrupsionin, duke siguruar respektim të të drejtave të pakicave dhe duke promovuar marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj. Më shumë përpjekje duhet bërë gjithashtu në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera të fuqishme, mbështetja e të cilëve do ta kompensonte çdo reduktim afatshkurtër të mbështetjes nga Uashingtoni.
Përveç kësaj, Kosova duhet të bëjë atë që kanë bërë shumë shtete të ngjashme të vogla: të përqendrohet në përdorimin e fuqisë kulturore. Figura të njohura ndërkombëtarisht si Dua Lipa, Majlinda Kelmendi apo Jeton Neziraj kanë bërë ndoshta më shumë për ta konsoliduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës sesa qindra takime jo frytdhënëse me zyrtarë të BE në Bruksel. Kosova mundet dhe duhet të bëjë më shumë për ta shfrytëzuar suksesin e sportistëve, shkrimtarëve, artistëve, sipërmarrësve të saj — dhe ta shfrytëzojë fuqinë e diasporës së madhe shqiptare për ta bërë këtë — për të ndihmuar që të vendoset si anëtare që njihet në bashkësinë ndërkombëtare.
Përfundimisht, mes zhurmës për “kompromis” dhe thirrjeve për “respektim të Uashingtonit”, është e rëndësishme ta kujtojmë se shqiptarët e Kosovës do të jetojnë gjithmonë në Kosovë, ndërkohë që politika e tanishme e administratës amerikane ndaj Kosovës është në thelb kalimtare. Do të ishte marrëzi të miratonin kërkesa sot, që shkaktojnë dëm afatgjatë; më mirë të presin që këto kërkesa të anulohen.
Në fund të fundit, kush e mban mend Richard Grenell?
Imazhi i ballinës : Besnik Bajrami / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.