Pikëpamje | Aktivizmi

Disiplinimi i aktivizmit feminist përmes gjobitjes

Nga - 21.09.2022

Përndjekja e aktivisteve e aktivistëve po e cenon lirinë e organizimit politik. 

Policia e Kosovës më thirrën në telefon më 7 shtator 2022 për të më njoftuar që m’i kishin shqiptuar dy gjoba. Përveç meje, i kishin gjobitur edhe gjashtë aktiviste e aktivistë tjera/ë. Lëndët tona i kishin hapur nën arsyetimin se kemi prishur rendin dhe qetësinë publike, kemi ofenduar institucionet shtetërore dhe i kemi shpërfillur urdhërat e zyrtarëve. Këto veprime, sipas gjobave, i kemi bërë në dy protesta, të 31 gushtit dhe 5 shtatorit, të cilat i organizuam si revoltë ndaj rastit të dhunimit seksual të një vajze 11-vjeçare. 

Ky rast u bë publik më 29 gusht kur mediet raportuan se dy ditë më parë, pesë djem e burra e kishin përdhunuar një vajzë 11-vjeçare për shtatë orë në një park publik të Prishtinës. Ky lajm përveç që tronditi popullatën, brenda ditës zgjoi mobilizim dhe reagim kolektiv. Menjëherë pas lajmit aktiviste, grupe feministe dhe organizata të shoqërisë civile thirrën protestë mbarëqytetare më 31 gusht 2022. 

Si vatër ku villet i gjithë mllefi kolektiv ndaj dhunës institucionale ndaj grave, më 31 gusht rrugët e sheshet e Prishtinës u vërshuan nga mijëra njerëz. Mes brohoritjeve e thirrjeve për drejtësi, aksioneve simbolike dhe qëndrimit ulur për orë të tëra para dyerve të Qeverisë së Kosovës, protestueset e protestuesit thirrën për çlirim nga dhuna patriarkale e institucionalizuar dhe kërkuan llogari nga institucionet publike. Protesta e parë pati në fokus Qeverinë, prej së cilës kërkuam shkarkime të zyrtarëve përgjegjës në dështimin për mbrojtje të së miturës dhe ndryshime ligjore, që do ua lejonin grave përdorimin e sprejit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Pas rreth gjashtë orë qëndrimi ulur pranë dyerve të Qeverisë, zyrtarë të Zyrës së Kryeministrit, në krye me Luan Dalipin, shef i Kabinetit të kryeministrit, dolën për t’i dëgjuar kërkesat tona. Ne si grup organizativ i dhamë Qeverisë tri ditë afat për t’iu përgjigjur kërkesave tona. Kryeministri Kurti, në përgjigjen më 2 shtator e tij përmendi dorëheqjet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë e më pas të Drejtorit i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve. Megjithkëtë, nuk paraqiti hapa konkretë drejt përmbushjes së thirrjeve e kërkesave tona. Si përgjigje, thirrëm protestë tjetër për datën 5 shtator. 

Atë javë, vëmendja e shtuar e mediave bëri ditë pas dite të dalin në pah detaje të reja që veç sa e thelluan dështimin e shtetit. Doli se rasti i përdhunimit të vajzës 11-vjeçare ishte më i vjetër. Në qershor 2022 ishte raportuar se të njëjtën të mitur e kishin përdhunuar gjashtë burra tjerë, të cilët u arrestuan tek pas përdhunimit të dytë të 11-vjeçares dhe tek pasi rasti mori vëmendje publike. Deri atëherë, asnjëri i arrestuar.

Prokurori i rastit në qershor ishte Ruhan Salihu –– i njëjti prokuror, që e kishte pasur në dorë rastin e Kujtim Veselit, 11-vjeçarit ashkali, të cilin e kishte përdhunuar e më pas vrarë 19-vjeçari Sefedin Osmani, anipse rastin e kishte raportuar në polici babai i abuzuesit, muaj para se Kujtimin ta vrisnin. Përkundër mos-punës të prokurorit Salihu që çoi në vazhdimin e përdhunimit e më pas vrasjen e Kujtimit e më pas në përdhunimin e dyfishtë të së miturës, ai sot vazhdon të punojë si prokuror, pa çarë kokën për dështimet e tij. 

Me 5 shtator dolëm prapë në rrugë. Përveç protestës në rrugë, bashkë me dy aktivistë tjerë ndërhymë në konferencën e thirrur për të folur për rastin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK). Edhe këtu duke kërkuar përgjegjësi dhe përmes fishkëllimave, ia ndërpremë fjalën kryesuesit të Këshillit, Albert Zogaj. Këtë formë të protestës, Policia e cilësoi si “mospërfillje e urdhërave të ligjshëm”, duke u thirrur në nenin 16 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike

Protestat në rrugë dhe në zyret e Këshillit Gjyqësor, Policisë dhe Prokurorisë iu dukën të paligjshme. Për t’ua treguar vendin aktivisteve/ëve që denjojnë t’ua prishin rehatinë institucioneve e zyrtarëve që bëjnë hajgare me trupat e vajzave dhe grave, Policia shqiptoi gjithsej tetë gjoba.

Kë e ofenduam dhe kujt ia prishëm qetësinë “publike”?

Pra, përgjigja që morëm nga Policia dhe Prokuroria, kur ua drejtuam gishtin për llogaridhënie për përdhunimin e vazhdueshëm të një vajze 11-vjeçare, ishte gjoba. Edhe këtë herë, ngjashëm me organizimet e mëhershme publike feministe, aparati represiv i shtetit u funksionalizua shumë shpejt për të na identifikuar dhe ndëshkuar. Ky mobilizim kaq i shpejtë nuk mund të lexohet ndryshe pos si një tentativë e radhës për të na disiplinuar.

“…ka përdorur fjalë ofenduese me qëllim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike” përsërisin një-nga-një gjobat që na u shqiptuan. Me kaq mjaftohet Policia. Duke qenë që Policia nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë në citimin e fjalëve që kanë pasur përmbajtje ofenduese, na duhet t’i referohemi precedentëve të mëhershëm për t’i rënë në fije se çka e cilëson Policia si “ofendim”.

Një precedent i mëhershëm i gjobitjes së aktivisteve dhe aktivistëve në një aksion të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist në Mitrovicë, në vitin 2021, na tregon që konceptimi i ofendimit nga institucionet publike është jashtëzakonisht problematik sepse funksionon në terma kryekput moraliste dhe seksiste. Për ilustrim, grafitet “Gruaja nuk o rob i burrit”, “Virgjiniteti është shpikje e burrave”, “Trupi jem, e drejta jem” etj; të shkruara në muret e hapësirave publike në Mitrovicë në prill të vitit të kaluar janë cilësuar nga Policia si tekste me përmbajtje të “turpshme dhe ofenduese”. Pra, për Policinë, sajesat shoqërore si “virgjëria”, trupi i gruas dhe autonomia janë marre. Për këto akte, që sulmojnë moralin kolektiv, Gjykata Themelore ka shqiptuar katër gjoba në vlerë prej 100 eurosh për aktivistet/ët. Ndaj rastit, avokatja e aktivisteve/ëve, Rina Kika, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe lënda është kthyer në rivendosje dhe është e hapur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. 

Po ashtu, padia e dy gjyqtarëve ndaj dy organizatave të shoqërisë civile për shpifje tregon edhe më tej për angazhimin institucional në përndjekje të aktivizmit. Në vitin 2021, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi hulumtimin “Arsyetimi seksist i vendimit të Gjykatës së Gjilanit”. Në këtë aktgjykim, lirimi i pesë të akuzuar për dhunimin e një gruaje arsyetohet duke thënë, ndër tjera se viktima ka “bredhur” me meshkuj dhe ka pasur “shprehi jo të mira morale”. Si rrjedhojë, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) denoncoi seksizmin e gjyqtarëve të rastit dhe kërkoi llogari duke realizuar aksion simbolik para KGjK me parulla si: “Vizita në banesë nuk është leje për dhunim”. Për këtë, dy gjyqtarët e rastit në vend të dorëhiqeshin apo të shkarkoheshin, iu kundërvunë me padi këtyre dy organizatave.

Kurdo që shteti e ndien që po "i dalim nga duart", na shenjon si cak të vëzhgimit e kur mundet edhe të ndëshkimit, deri në lodhje.

Pra, ofendimi për institucionet është një gjykim moralist e seksist, i cili ndërtohet mbi idenë e një “respekti” për mashkulloren plot autoritet që shpesh gjen materializim në institucione shtypëse. Në rastet e protestave të fundit, sipas Policisë ne do duhej të ishim më të sjellshme ndaj institucioneve që janë gjetur si bashkëfajtore në dhunime e vrasje të vajzave e grave. 

Praktika e përndjekjes së aktivisteve feministe mbi bazën e “ofendimit” po bëhet e rrezikshme.

Në mesin e gjobitjeve erdhi edhe “përndjekja e shtrigave” nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Në një kumtesë të lëshuar me 14 shtator, KPK-ja shënjestroi aktivistet pas një aksioni pranë KPK-së ku kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Kujtim Munishi dhe prokurorit Ruhan Salihu. Në kumtesë, aktivistet dhe veprimi i tyre etiketohen si “veprim publik joracional, i devijuar dhe me agjenda të caktuara politike”. Ky qëndrim, përveç që jo racional, është jashtëzakonisht shqetësues për lirinë e të bërit aktivizëm politik.

Tashmë haptazi edhe KPK-ja ka hyrë në vallen e sulmeve seksiste ndaj aktivisteve feministe. Kështu edhe KPK-ja po i përsërit mitet e vjetra, që i shohin gratë si të paafta për t’u artikuluar drejt, “për t’i rënë në shenjë” çështjeve dhe rrjedhimisht shpejt të devijueshme.

Çka sinjalizojnë gjobat për aktivizmin feminist?

Për shtetin, aktivizmi feminist është i padëshirueshëm. Duke qenë se ai prek telat e patriarkatit, lëviz terrene dhe sulmon supremacinë mashkullore, këto ndërhyrje duhet disiplinuar për t’u bërë të tolerueshme. Dhuna ekonomike përmes gjobave dhe dhuna diskursive përmes deklaratave janë mjetet më të vjetra që ka shpikur patriarkati për t’i mbajtur gratë lehtësisht të cenueshme.

Këto mjete disiplinimi aktivizohen shpejt kurdo që aktivizmi i kalon kufijtë e “së pëlqyeshmes” nga shteti. Kurdo që aktivistet nuk tregohen “vajza të mira”, ai nxjerr kamxhikun. Pra, kështu ai sikur na thotë që ne edhe revoltën tonë duhet të bëjmë në terma të tyre. Kuftijt e politikës tonë veç se janë të paracaktuar nga vetë shteti, të cilit i kundërvihemi.

Kur nuk bindemi, atëherë shteti na ngjitet në palcë duke shtrirë patrullën kudo. Në gusht të vitit të kaluar, teksa bashkë me të rinj e të reja tjerë/a, po e lexonim dhe diskutonim librin “Gratë, raca dhe klasa” të Angela Davis në hapësirat e oborrit të Fakultetit Filozofik, na shfaqet Policia e Kosovës. Sipas policëve në terren, ata kishin marrë udhër nga eprorët e tyre për të patrulluar aktivitetin. Me gjasë në kërkim të diçkaje kriminale edhe në lexim.

Kështu, shteti na identifikon, tenton të na kontrollojë. Kurdo që e ndien që po “i dalim nga duart” na shenjon si cak të vëzhgimit e kur mundet edhe të ndëshkimit, deri në lodhje.

Është interesante të vërehet se si shteti e riprodhon familjen në mënyrën se si ushtron dhunë, pra larg syve të publikut. Asnjë masë kundër protestave apo aksioneve tona nuk është ndërmarrë nga Policia përpara se këto aksione a protesta të ndodhnin. Të gjitha masat ndëshkuese merren zakonisht pasi të kalojë “tre-ditëshi i shokut publik”. Kështu në syrin e popullit, institucionet e tregojnë fytyrën “pro të drejtave të grave”. Ngjashëm me dhunën në familje ndaj grave që është mbajtur gjithë “larg syve të hallkut” edhe dhunën ndaj aktivisteve feministe shteti e mbanë larg syve të publikut. 

Përfundimisht, marrëdhënia jonë me shtetin nuk mund të jetë e qetë. Nuk mund të pritet nga ne që dhunës, poshtërimit e dominimit t’i përgjigjemi me mirësjellje. Protestat tona do të bëhen në terma tanë dhe jo sipas qejfeve të këtij apo atij institucioni.

Historia e rezistencave dhe mosbindjes së grave na ka sjellë këtu. Janë dashur gjenerata të tëra të grave për t’i shtyer kufijt e për ta zaptuar publiken, për ta trazuar atë me privaten e lënë pas pragut të shtëpisë e në qoshe të ligjërimit kolektiv. E në këtë pikë ku jemi, ne nuk zmbrapsemi. 

Nuk mund t’i dorëzohemi tentativave për ta policuar aktivizmin tonë politik. Frytet e kësaj pune e rezistence të qetë a të zhurmshme, paqësore a jo paqësore janë duke e siguruar një minimum të sigurisë për vajzat dhe gratë. As gjobat, as patrullimet e as etiketimet seksiste nuk na frikësojnë a zmbrapsin.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0 

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.