S`fundmi

Diskutim: A mund bojkoti t’i ulë çmimet?

Nga - 10.03.2025

Data: 13 mars 2025
Koha: 18:30
Vendi: Hub 2.0

Gjatë pesë viteve të fundit, rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë është bërë një shqetësim i madh për qytetarët/et. Por, reagimi i tyre ka qenë i kufizuar në ankesa nëpër rrjete sociale e nëpër medie. Por, kjo duket se po ndryshon. Një grup qytetarësh u mobilizuan përmes lëvizjes “Kosova Bojkoton”, që thërret për t’i bojkotuar zinxhirët e supermarketeve dhe për të ushtruar presion për uljen e çmimeve.

Kjo nismë u frymëzua nga Kroacia, ku së pari nisi ky mobilizm. Suksesi i lëvizjes në Kroaci frymëzoi veprime të ngjashme nëpër Ballkan, me qytetarë në shtete si Serbia, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina që organizuan bojkote të ngjashme për të protestuar kundër çmimeve të larta. 

Lëvizja “Kosova Bojkoton” organizoi bojkotin e parë me 10 shkurt, por mobilizimi s’ishte aq i lartë e rrjedhimisht, as ndikimi në ulje të qarkullimit për biznese. Për shembull, në ditën e bojkotit në Kroaci, qarkullimi i bizneseve ra për 44%, në Maqedoni të Veriut për 46% e në Kosovë s’mbërriti as në 1%. E derisa në këto dy shtete kanë reaguar edhe qeveritë, në Kosovë, institucionet s’janë dëgjuar. Përballë mobilizimit qytetar të ulët, nisma “Kosova Bojkoton” ka plane të reja për ta shtuar ndikimin e vet.

Megjithatë, marrë parsysh që ekonomia e Kosovës bazohet kryesisht në konsum e në import, shtrohen një varg pyetjesh rreth efektit të bojkotimit të gjerë, nëse ndodh:   Çfarë mund të bëjë Qeveria e Kosovës për t’i mbrojtur qytetarët nga kriza e çmimeve? Po, bizneset? A është bojkoti mjeti i fundit përmes të cilit qytetarët mund të ndikojnë në një treg të lirë ekonomik? E mbi të gjitha, pse qytetarët në vend nuk po e mbështesin gjerësisht bojkotin?

Për t’i diskutuar këto, ju ftojmë në diskutimin tonë me:

– Redon Kuçi, përfaqësues nga “Kosova Bojkoton” 

– Blend Hasaj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin GAP 

Diskutimi do të moderohet nga Uran Haxha, gazetar në Kosovo 2.0

Na u bashkoni në Hub 2.0 të mërkurën e ardhshme nga ora 18:30! 

Do të ofrohet përkthim në anglisht dhe serbisht.

Ju mirëpresim!

Imazhi i ballinës: Lum Hajrullahu / K2.0.