Blogbox | Palestina

Dita kur e gjeta kushëririn tim gjashtë-vjeçar në Instagram

Nga - 14.03.2024

Duke parë shkatërrimin e Gazës prej Kosovës.

Shtatë tetori i vitit 2023 nisi si ditë e mirë. Fillimisht, shqetësimi im i vetëm ishte se si ta zija autobusin e duhur, në vendin ku sapo isha zhvendosur, në Kosovë.

Erdha në Kosovë në shtator, si vullnetare ndërkombëtare nga Gjermania, për të punuar me një organizatë jo-qeveritare. Javët e para këtu i kalova duke bërë gjëra elementare, duke mësuar linjat e autobusëve dhe duke takuar njerëz të rinj.

Pastaj pashë fotografitë e para të ditës në Instagram. Barku filloi të më rrotullohej menjëherë.

Duke shikuar nga larg

Jam lindur në Gjermani. Babai është palestinez dhe nëna jordaneze. Më kujtohen herët e panumërta gjatë fëmijërisë sime kur shihja babanë tejet të shqetësuar, derisa shikonte lajmet. Më thoshte se familja jonë ndodhej atje. Ndërkohë, krejt çka doja të bëja ishte të luaja me lodrat e mia. Gjithçka më dukej kaq joreale atëherë.

Gjatë jetës, kam parë nga larg familjen time teksa i ka mbijetuar katër luftërave. Por kësaj radhe ishte ndryshe. E dija që në fillim se do të përfundonte me brutalitet. Megjithatë, kurrë nuk do të mund të imagjinoja se do të shkonte kaq larg. Edhe pse besimin në standardet perëndimore të njerëzisë e kam humbur vite më parë, prapë, nuk doja të besoja se qenia njerëzore, njerëzit mund të bënin gjëra kaq të liga. Më dukej sikur po çmendesha.

Prej kur masakra brutale në Gaza filloi, ka qenë një radhë e gjatë ditësh që s’mbaronin kurrë, duke u zgjuar çdo mëngjes dhe duke menduar nëse anëtarët e familjes sime janë ende gjallë. Ditë kur s’guxoja t’i dërgoja mesazh ndonjë anëtari të familjes, nga frika se mos do të më duhej t’i tregoja babait përsëri se dikush ka vdekur. E gjithë kjo është diçka e re për mua dhe diçka që do të doja të mos më kishte rënë ta bëja asnjëherë.

Në fillim, s’e dija nëse të hiqja dorë dhe të kthehesha për ta mbështetur babanë do të ishte vendimi i duhur apo nëse do të ishte më mirë të qëndroja dhe t’i bëja krejt gjërat që ende doja t’i bëja në Kosovë. Më 25 tetor u ktheva në Gjermani për dy javë, për t’iu qëndruar afër prindërve. Pas kësaj, ndoshta se thjesht doja të ikja nga një vend që e mbështeste kaq haptaz Izraelin, ndieva se më duhej të kthehesha në Kosovë.

Gjatë rritjes kam pasur pak kontakte me familjen time. Asnjëherë nuk jam ndier e lidhur me njerëz, të cilët nuk i kam takuar kurrë në jetën reale. Telefonatat thjesht nuk mjaftojnë për mua dhe ndoshta nuk doja kurrë të lidhesha njëmend me ta nga frika se mund t’i humbja. Tani jam pishman për secilin çast që vendosa të mos flisja me ta. Me disa, nuk do ta kem kurrë më atë mundësi. 

Babai nuk u kthye kurrë në Gazë pas arratisjes në Egjipt si fëmijë, për shkak të frikës nga sulmet ushtarake apo nga një tjetër intifada (fjalë në arabisht, që do të thotë “kryengritje”). Duke parë se si kanë rrjedhur gjërat në Gaza ndër vite, e kuptoj babanë. E di çfarë u ndodhi xhaxhallarëve dhe hallave të mia kur vizituan vendlindjen e tyre, por pastaj iu refuzua leja për t’u larguar nga Gaza dhe kështu, ngecën atje.

Duke parë se si kanë rrjedhur gjërat në Gaza ndër vite, e kuptoj babanë.

Babai ishte pesë vjeç kur familja e tij u largua nga Gaza. Vëllai i tij i madh, xhaxhai im, mbeti atje. Ai është atje. Halla ime kishte jetuar në Arabinë Saudite, por u kthye në Gaza kur u pensionua, duke mos dashur të jetonte më në një vend të huaj. Ajo është atje. Halla ime tjetër jetonte në Emiratet e Bashkuara Arabe kur shkoi për t’i vizituar vëllezërit e saj në Gaza para 20 vitesh. Autoritetet izraelite ia anuluan lejen e udhëtimit gjatë qëndrimit të saj dhe ajo nuk u lejua të largohej nga Gaza. Ajo është atje. Që atëherë nuk i ka parë fëmijët e saj, të cilët janë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në vitin 2000, pasi filloi Intifada e Dytë, Izraeli anuloi shumë nga lejet e udhëtimit, duke përdorur metoda burokratike për ta kufizuar mundësinë time për ta vizituar familjen ndonjëherë.

Gjithmonë jam frikësuar se bombat izraelite do të ma mohonin këtë mundësi një herë e përgjithmonë, nëpërmjet metodave shumë më të dhunshme. Mundësinë për t’i njohur rrënjët e mia. Për të parë plazhin e bukur që babai ende e sheh në ëndërr. Tash, kjo po ndodh.

Kanë kaluar pesë muaj dhe pothuajse gjithçka është shkatërruar.

Njerëzimi po dështon

Më 6 nëntor mësova se ishin vrarë 15 anëtarë të familjes sime. Ishte hera e parë që shihja fotografitë e kushëririt të babait. Deri te nipërit, të gjithë anëtarët e asaj dege të familjes u vranë. Njëri prej tyre ishte Youssef, kushëriri im 6-vjeçar, i cili, sipas njerëzve që e njihnin, ishte plot jetë. Në njoftimin fillestar, pashë një fotografi të tij dhe të disa fëmijëve të tjerë të vrarë.

Më 20 nëntor, ndoqa një faqe në Instagram ku shfaqeshin dëshmorët e Gazës, kur papritmas më doli një fotografi e Youssef 6-vjeçar.

Nuk e kam menduar kurrë se do ta shihja familjen time në këtë faqe. Thjesht shpresoja për atë realitetin alternativ. Për një fat tjetër për Youssef, Abdullah, Hanan, Isra dhe shumë të tjerë.

Nuk e kam menduar kurrë se do ta shihja familjen time në këtë faqe.

Në dhjetor vdiq edhe bashkëshortja e xhaxhait, por asaj, jetën s’ia mori ndonjë raketë. Ishte mungesa e insulinës. Izraeli ka kufizuar çdo formë ndihme që hyn në Gazë: ushqime, ilaçe, ujë dhe madje edhe pelena. Një sasi e kufizuar ndihmash që arriti të hynte në Gazë, kryesisht nuk ia kanë dalë të arrijnë deri në veri, ku ndodhej ajo. Mizorisht, disa nga kamionët e ndihmave u goditën nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (FMI/IDF).

Bashkëshortja e xhaxhait s’ishte e vetmja në familje që u prek nga mungesa e ilaçeve. Kushëriri im vuan nga sëmundja Crohn, një inflamacion kronik i traktit tretës. Atij i është dashur të udhëtonte nga Gazë më 12 tetor për trajtim në Ramallah, në Bregun Perëndimor, por nuk ka mundur të shkojë. Shëndeti i tij tani po përkeqësohet me ritëm të shpejtë, mungesa e ushqimit vetëm se po e përkeqëson gjendjen e tij.

Mjerisht, Perëndimit nuk i ka mjaftuar fakti që palestinezët po i shfaqin dëshmorët tanë. Nuk kanë mjaftuar pamjet e njerëzve që pas shpërthimeve, mbanin mbetjet e trupave të fëmijëve të tyre në qese të shumta plastike. Nuk ka mjaftuar pamja e trupit të pajetë të një fëmije të varur vetëm me pjesën e trunkut, në një ndërtesë. As të vdekurit nuk i lanë të qetë, u gërmuan nga IDF, me trupat e tyre të lënë copë më copë pastaj.

Mjerisht, Perëndimit nuk i ka mjaftuar fakti që palestinezët po i shfaqin dëshmorët tanë.

Duke parë nga Kosova

Kam hasur në reagime të ndryshme në Kosovë. Shumica e njerëzve kanë qenë mirëkuptues dhe ma kanë treguar dhimbjen e pashuar të luftës në 1998-99 në Kosovë. Megjithatë, ka pasur disa që ishin kundër kauzës palestineze, me arsyetimin se Palestina e kundërshtoi pavarësinë e Kosovës dhe sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë mbështetëse e fortë e Izraelit.

Shumë mund ta harrojnë se për palestinezët, kur një vend i ri krijohet, kjo lë shije shumë të keqe, derisa vetëvendosja palestineze është shpërfillur për kaq shumë kohë, veçanërisht nga vendet që e kanë mbështetur Kosovën kaq fuqishëm. E kuptoj pse kosovarët/et janë mirënjohës/e ndaj ShBA, duke pasur parasysh rolin qendror që ShBA luajti në përfundimin e luftës në 1998-99 në Kosovë. Megjithatë, nuk e kuptoj se si, për disa, kjo besnikëri ka më shumë vlerë se njerëzia jonë kolektive.

Njerëzimi ka dështuar më parë në Srebrenicë, në Ruandë, Drenicë, Xinjiang dhe tragjedi të tjera të pafundme. Tash, po dështon në Gaza.

Kur vendet dhe institucionet thonë “Kurrë më”, çka nënkuptojnë? Për çka thonë ata “Kurrë më?” Sa “Kurrë më” do të duhen derisa kjo të mos ndodhë kurrë më?

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.