Emina është kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku ajo punon, para nëntë muajsh dhe është ngujuar në qytetin e saj të lindjes për shkak të pandemisë.
“Të mbijetosh tërmete së bashku duket ngjashëm si të mbijetosh luftën. Shumë nga çka kemi përjetuar gjatë dy ditëve të kaluara ngjallin kujtime të kohërave kur frika dhe mbijetesa bazike ishin bërë identiteti parësor. Sot jemi ulur në livadhin prapa shtëpisë, të gjithë refugjatë. Edhe një herë. Refugjatë të përhershëm. Të traumatizuar dhe disi të qëndrueshëm,” shkruan ajo.
Një tërmet me magnitudë 6.2 ka goditur Kroacinë qendrore të hënën (28 dhjetor) dhe është ndier në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Slloveni dhe në pjesë të Italisë. Një vajzë 12-vjeçare ka vdekur si pasojë në Petrinja të Kroacisë, ndërsa pesë persona të tjerë janë zbuluar të vdekur në qytetin e afërt të Glinës dhe një tjetër është gjetur në rrënojat e një kishe në Zazinë. Kërkimi për të zhdukurit ende vazhdon.
Shumë persona frikohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe rrinë jashtë, në streha të improvizuara në ndërtesa publike, duke fjetur në makinat e tyre apo thjesht duke jetuar në zonën që është ndikuar më së shumti. Sipas mediave lokale, spitalet në Sisak dhe qytete tjera janë duke u munduar të përballen me rastet e personave të lënduar.