Me gjithë këto shfaqje, ekspozita, diskutime, koncerte, master klasa, DJ sete e punëtori, vështirë është t’i zësh të gjitha që i ofron DokuFest. Meqë këtë vit programin e kanë më të ngjeshur se kurrë më parë, K2.0 kërkoi prej disa pjesëtarëve të ekipit të DokuFest që të na i tregojnë ngjarjet më interesante, e të na i japin rekomandimet e tyre personale për këtë fundjavë.
E premtë (4 gusht)
Për natën e hapjes, drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, u sugjeron që të shkoni në zemër të qytetit, në DokuKino, për një dozë të dyfishtë të aktores australianefituesen e shumë çmimeve, Cate Blanchett. Në shfaqjen e orës 20:00, Blanchett i luan 13 karaktere të ndryshëme në punimin eksperimental të Julian Rosefeldt, “Manifesto”, i cili është adaptuar për film prej formës origjinale që e kishte si instalacion arti. Më vonë, në 22:00, Blanchett e rrëfen “Voyage of Time: Life’s Journey” të Terrence Malick, dokumentar ky që eksploron konceptin e universit siç e njohim ne, dhe atë se kush e çfarë jemi ne si njerëz.
Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani, i zgjodhi disa prej përbërësve më të pazakontë nga programi i sivjetëm. Për në orën 20:00, Bilibani sugjeron që të shkoni në një aventurë pranë lumit në Kino Andrra prapa kalasë për ta parë “Liberation Day”, që dokumenton misionin e bendit industrial avan gard slloven, Laibach, për t’u bërë rok bendi i parë që performon në Korenë Veriore.
Për në orën 22:00 Bilibani rekomandon që ta përcjellni lumin deri te Kino N’Lum ku mund të jeni dëshmitarë të ndodhive të çuditshme të shoqërisë ruse nëpërmjet inçizimeve të xhiruara me kamerë të veturës që i ofron “The Road Movie” i Dmitrii Kalashnikov.
E shtunë (5 gusht)
Të shtunën ekspozitat dhe punëtoritë e DokuPhoto nisin me 100 vjet histori shqiptare të ofruar prej Muzeut Kombëtar Marubi në Shkodër. Si pjesë e aktiviteteve të tyre në festival, ky Muze do të organizojë një punëtori për art rrugor, e cila do ta krijojë një ekspozitë të hapur që do të mbetet më pas në qytet. Drejtoresha e Festivalit, Nita Deda, po e pret me shumë ëndje këtë ngjarje. “Është dhuratë për qytetin dhe për mua është shumë e veçantë”, thotë ajo për K2.0.
Deda gjithashtu u rekomandon që të shkoni në kalanë e kohës së mesjetës gjatë perendimit të diellit për një “projekt interesant bashkëpunues” në mes të Robert Bishës dhe Korit Izo-Polifonik Shqiptar, gjatë së cilës qasja më bashkëkohore ndaj muzikës klasike që e ofron Bisha do të ndeshet me polifoninë shqiptare, që është përshkruar nga UNESCO si ‘Kryevepër e Trashëgimisë së Paprekshme të Njerëzimit’.
Programi filmik fillon të shtunën me 44 filma. Nurkollari e Bilibani e lëvduan shumë “Death in a Terminal” të Tali Shemesh dhe Asaf Sudry, film ky që dokumenton ngjarjet tragjike të pushkatimit terrorist që ndodhi në Izrael gjatë vitit 2015. Prej orës 12:00 në DokuKino do të shfaqet ky film dhe dy tjerë të cilët bashkë me të garojnë në kategorinë International Dox.
Dy drejtorët e festivalit gjithashtu rekomandojnë dy filma që do të shfaqen në DokuKino. Në 18:00 “Brexitannia” j’u jep mundësi që “të shihni një portret të pamundur, madhështor e të shëmtuar të demokracisë”. Më pas në 20:00 shfaqet “Last Man in Aleppo”, ose siç e quan Bilibani “një prej filmave më të fuqishëm të vitit 2017”. Ky film i përcjellë një grup të vendasve të cilët qëndruan në Alepon e shkatërruar prej luftës për t’u ndihmuar civilëve, edhe pse shumë kanë thënë se për këtë qytet nuk ka më shpëtim.
Bilibani gjithashtu i nxitë vizitorët që të mos e lënë pa marrë pjesë në bisedën që do të mbahet me producentët e projektit britanez-kosovar “Home”, film ky që e fitoi çmimin BAFTA. Kjo ngjarje do të mbahet nga ora 14:00 në Kino Klubi.
Të shtunën prej orës 16:00 do të mbahet edhe festivali brenda festivalit, DokuTech, në kinemanë në ambient të mbyllur që sapo është rinovuar, Lumbardhi. Bilibani thekson rëndësinë e këti lokacioni për gjithë festivalin dhe i nxitë vizitorët që ta shohin këtë vend simbolik për DokuFest-in e për vetën. “Salla e rindërtuar është simbol i rezistencës civile në Prizren, dhe është arsyeja pse ekziston DokuFest”, tha ai për K2.0.
Sivjet në DokuTech do të marrin pjesë shumë ndërmarrës të rinj të cilët e kanë shfrytëzuar platformën online për të ndërtuar biznese të suksesshme, si Susan Gregg dhe Eric Koger nga ModCloth. Kjo ngjarje që zgjatë për gjysmë dite do të jetë e mbushur me master klasa dhe seanca pyetësore, e do të mbyllet me shfaqjen e “A Life in Waves”, film që eksploron jetën e Suzanne Ciani, kompozitores dhe pionieres së muzikës elektronike.
E dielë (6 gusht)
Të dielën prej orës 14:00 në Shtëpinë e Kulturës do të mbahet Programi Retrospektiv Travis Wilkerson, që i përfshinë dy filma të Wilkerson. Në këtë program që është rekomanduar shumë nga Nurkollari dhe Bilibani, mund të jeni dëshmitarë të formave të shprehjes që i përdorë ky filmbërës, të cilat janë, siç thotë Bilibani “radikale e të papërkulura, si qëndrimet e tij politike”. Emrin Wilkerson do ta shihni plot herë në edicionin e sivjetëm të festivalit.
Një ngjarje tjetër retrospektive për filmbërësin dhe kinematofrafin avan gard që ka fituar shumë çmime, John Smith, do të mbahet gjithashtu në Kino Lumi nga ora 20:00. Kuratori i Programit të Filmave të Shkurtër, Samir Karahoda, e etiketoi këtë program si “një prej programeve më të rëndësishme”. Smith njihet për përdorimin e humorit gjatë eksplorimit të temave që shpeshherë “i prekin supozimet e kushtëzuara të audiencës për mediumin”.
Në 22:00 Karahoda e kuron programin special “The World Never Stops” që i përfshinë plot nëntë filma të shkurtër, e mbahet në Kino Plato. “Unë e kuroj këtë program special veçanërisht për audiencën. Përbëhet prej filmave komik që kanë të bëjnë me të ardhmën”, thotë Karahoda për K2.0.K
Foto kryesore: Mrinë Godanca.