Për shkak të pasigurisë rreth përhapjes së COVID-19, DokuFesti ka përshtatur programin e tij të gjerë me masat shëndetësore dhe ato të sigurisë të rekomanduara nga qeveria. Këtë vit, DokuFesti do të organizohet përmes hapësirës digjitale. Premierën virtuale do ta ketë më 7 gusht, me një program që do të zgjasë deri më 25 gusht.
Si mund një festival që për dy dekada ka organizuar edicione fizike të përshtatet në botën virtuale? Për çfarë do të entuziazmohen shikuesit dhe cilat ngazëllime duhet të shtyhen deri në rikthimin e “kohëve normale”? Si po përballen punëtorët dhe qytetarët e Prizrenit me humbjen e mijëra vizitorëve që zakonisht rrisin ekonominë? Kosovo 2.0 bisedoi me ata që janë të përfshirë në mënyrë që t’u ofrojë pamjen prapa skenave.
Pikësëpari, tema
Përzgjedhja e temës për Dokufestin e sivjetëm ishte reaksionare, shpjegon drejtori artistik Veton Nurkollari. Ai shton se DokuFesti jeton nga temat e kuruara kujdesshëm që i japin festivalit ngjyrat e tij të vërteta. Tema zgjidhet nga organizatorët në një takim të përvitshëm, pas përfundimit të festivalit. Zakonisht, planifikimi për festivalin e ardhshëm fillon menjëherë pas përfundimit të atij të mëparshmit. Por këtë vit, me kufizimet e reja të miratuara në mars, ekipi hezitoi të merrte vendime të prera.
Edicioni i këtij viti mban emrin “Transmission” (“Transmetim”) duke aluduar në transformimin e kohëve tona, dhe thjesht në mënyrën se si DokuFesti po funksionon këtë vit duke transmetuar filmat në ekranet e shikuesve të tij besnikë.
Kjo temë po ashtu pasqyron atmosferën e punës gjatë muajve të kaluar, e cila ka qenë në ndryshim dhe përshtatje të vazhdueshme. Duke ditur se ky vit nuk do të ishte “normal”, organizatorët fillimisht kuruan një festival “hibrid” që do të ishte pjesërisht onllajn, me disa shfaqje fizike në ndonjërën nga kinematë e shumta të hapura që ofron Prizreni. Por kjo u pamundësua për shkak të ndalimit të të gjitha aktiviteteve dhe tubimeve kulturore më 19 korrik.
“Kishte një mori sfidash, por kryesorja ishte se si të transformohet dhe transmetohet fryma dhe vizioni artistik i programit brenda hapësirës virtuale”, thotë Nurkollari.
Përveç ndryshimit të temës, hyrja në sferën digjitale nënkuptoi po ashtu zvogëlimin e numrit të filmave nga 250 në 150 dhe zhvillimin e garës në shtatë kategori. Filmat e festivalit fillojnë të shfaqen onllajn nga 7 gushti. Çdo film është i qasshëm për t’u marrë me qira me një çmim prej dy eurosh apo në pako speciale me çmime nga pesë deri në shtatë euro.
“Sistemi funksionon sikurse në ambientet e kinemasë fizike; jo të gjithë filmat mund të shihen në të njëjtën kohë, do të ketë një orar, një afat kohor kur transmetimet bëhen të qasshme dhe më pas mund të shikohen brenda 30 orëve”, thotë producentja e DokuFestit Alba Cakalli. Ajo shton se numri maksimal i shikuesve është 500, andaj ata që dëshirojnë të shohin një film duhet t’i blejnë biletat herët.
DokuFestit iu desh të gjente zgjidhje se si ta zhvendoste festivalin e mirënjohur krejtësisht onllajn, thotë drejtori artistik Veton Nurkollari. Foto nga Elmedina Arapi.
Për t’u hedhur ledh rregullava të panjohura për një organizim të panjohur të festivalit, ekipi ka krijuar një udhëzues dhe sesion me pyetje dhe përgjigje për të ndihmuar në përdorimin e platformës.
Platforma onllajn u krijua në bashkëpunim me Festivalin Scope dhe Shift 27.
Ky vit gjithashtu përmban programin e ri garues “E vërteta” që shfaq dokumentarë të gazetarisë hulumtuese që synojnë të zbulojnë të vërtetën dhe faktet rreth çështjeve.
Përveç filmave, do të jenë edhe tetë sesione panelesh të quajura DokuTalks që do të mbahen përmes Zoom-it, të qasshme për çdokënd në të gjithë botën. Për më tepër, do të mbahen tetë performanca muzikore, duke filluar me reperen dhe këngëtaren e re Rinescane dhe DJ nga Berghain Berlin. Gjithashtu, do të organizohen programet si DokuTech dhe DokuKids që përmbajnë punëtori rreth teknologjisë dhe programimit për fëmijë, por të zhvendosura në hapësirën online.
Transmetimi përkundër Gjeobllokimit
Programi u tkurr për shkak të vështirësive me të drejtat e filmave dhe ofruesit e serverëve. Përkundër ngurrimeve fillestare, Nurkollari shpjegon se shumica e filmbërësve dhe producentëve treguan solidaritet dhe bënë kompromise duke i dhënë të drejtat e tyre të filmit. Sidoqoftë, sfidë e madhe ishte të kuptuarit se Kosova nuk ka IP adresë kombëtare, duke e bërë të vështirë menaxhimin me procedurat e transmetimit.
Filmbërësit ndërkombëtarë u tronditën kur dëgjuan se Kosova nuk ka IP adresë.
“Deri tani nuk e dija se ende ishim kaq të izoluar… e kuptova sërish se për shumëkënd në pushtet, kufijtë tanë janë vetëm vija të holla letre”, tha Nurkollari.
Kush do të mendonte se Kosova do të bëhej e dukshme në botën e transmetimit për shkak të një pandemie? Përballja me këto çështje ishte një përvojë krejtësisht e re për organizatorët e festivalit.
DokuFest punoi me IPKO-n që ka serverë në Shqipëri dhe Valën që ka serverë në Malin e Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në disa pjesë të Serbisë. Të gjithë këtë u desh ta negocionin me filmbërësit dhe distributorët pjesëmarrës. Përderisa disa treguan solidaritet, të tjerët nuk i dhanë të drejtat. Tekefundit, filmi është biznes.
“Nuk e kemi të drejtën të shfaqim të gjithë filmat virtualisht kudo, kjo është e pamundur. Largimi i filmave ishte i dhimbshëm, pasi programi ishte përzgjedhur me kujdes gjatë vitit të kaluar”, thotë Nurkollari.
Për Cakallin dhe Nurkollarin ishte sfidë e madhe t’u shpjegohej filmbërësve ndërkombëtarë një realitet absurd për të cilin fillimisht disa menduan se ishte shaka e keqe. Ishte vështirë t’i bindnin që të lejonin shfaqjen e filmave kur Kosova nuk ekziston në hapësirën digjitale. Kjo gjë ka ndikuar shumë në orarin e filmave, varësisht se cili distributor ka bllokuar cilin vend.
Organizatorët e kuptuan se Kosova nuk pranohej fare në botën virtuale por megjithatë arritën të sjellin 150 filma — të transmetuar online — në Kosovë, në Shqipëri, në Serbi, në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Pamje nga “The Metamorphosis of Birds” (Metamorfoza e Zogjve).
Për pasojë, 150 filmat mund të shihen në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Si përgjegjësi ndaj audiencës së madhe të diasporës kosovare në Gjermani dhe Zvicër, filmat nën kategorinë e filmave kombëtarë nga Kosova mund të shikohen po ashtu në Gjermani dhe në Zvicër.
“Sa i përket drejtimit artistik, për mua sfida më e madhe ishte se si të transformohej dhe të transmetohej fryma dhe vizioni i një programi në sferën virtuale. Isha disi i frikësuar se do të përfundonte vetëm si listë filmash, por jam krenar dhe i kënaqur me rezultatet përfundimtare”, thotë Nurkollari.
Bota fizike, e lënë prapa
Përkundër frikës fillestare disa muaj më parë, ndikimi financiar për prodhimin e festivalit ishte më i ulët se sa pritej nga ekipi i DokuFestit. Për shkak se nuk kishte të përfshira shpenzime për akomodim, udhëtim dhe performanca, kostoja e këtij edicioni ishte më pak se gjysma e asaj që harxhohet normalisht.
Po ashtu, i gjithë festivali kishte nevojë për më pak punëtorë se zakonisht, duke e reduktuar stafin nga 80 në 25 njerëz në zyrat në Prizren. Megjithatë, në një periudhë afatgjatë organizata do të përballet me probleme të mëdha.
DokuFesti është duke llogaritur në një pjesë të fondit emergjent prej pesë milion eurosh të premtuar nga qeveria për organizatat kulturore që ende nuk është shpërndarë, thotë me shqetësim Nurkollari për vitin e ardhshëm.
“Me ardhjen e dimrit, do të jetë vështirë të mbahet ekipi. Ka disa shenja nga ana e qeverisë, por e di se do të jetë vit i vështirë”.
Pas bizneseve të vogla dhe restoranteve, turizmi dhe biznesi i festivaleve është sektori i dytë më i prekur nga kufizimet.
Duke reflektuar mbi pasojat ekonomike për qytetin e tij, Prizrenin, vullnetari Dana përmend dobësinë kyçe të DokuFestit onllajn, “nga DokuFesti nuk përfitojnë vetëm të rinjtë por edhe gjeneratat më të moshuara që drejtojnë biznese të vogla dhe restorante… ata janë të varur financiarisht nga fluksi i njerëzve”, thotë ai.
Një nga pronarët e bareve dhe kafeneve në Prizren është Alban Asllani. Bari i tij, Qarshia, është një pikë e frekuentuar nga shumë vizitorë të DokuFestit ku takohen për një, dy apo më shumë birra para performancave muzikore të DokuNights. Për dhjetë vite, Asllani ka mirëpritur qindra mysafirë nga e gjithë bota: Australia, Amerika, si dhe nga diaspora kosovare prej tërë Evropës. Për Asllanin, humbja financiare është e madhe dhe me gjasë nuk do të jetë e rikuperueshme.
“Nuk ka dyshim se jemi të humbur, apo me fjalë të tjera të falimentuar”, thotë Asllani.
Por ajo çfarë e zemëron më shumë është mungesa e mbështetjes nga autoritetet, të cilat nuk tregojnë aspak përkushtim ndaj bizneseve të vogla. Ata i ndryshojnë orët e punës dhe i lënë pronarët e bizneseve të vogla në dorë të një të ardhmeje të pasigurt.
Filmat mund të huazohen për dy euro apo në pako prej pesë deri në shtatë euro. Pamje nga “65 Roses” (65 Trëndafilat).
“Nuk është vetëm mbështetja financiare që na mungon, por edhe ajo morale”, thotë Asllani, duke përmendur pasojat e rënda në shëndetin mendor të stafit dhe kolegëve të tij.
Asllani iu bashkua një grupi pronarësh të gastronomisë në Prizren, të cilët u mblodhën për të bërë presion mbi qeverinë për masa mbështetëse. Robi Delhysaj, i cili ka menaxhuar barin Destill për katër vitet e fundit, është po ashtu në këtë grup.
“Gjatë dy muajve të kaluar kemi pasur disa takime me pronarë restorantesh dhe të hotelerisë ku kemi diskutuar rreth asaj se si mund ta tejkalojmë këtë sfidë, duke artikuluar disa kërkesa ndaj qeverisë. Disa nga to ishin rishikimi i kushteve për kredi, sigurimi i qirasë së paku për tre muaj, zvogëlimi i taksës VAT së paku për 3%, shtyrja e deklarimit të tatimit së paku për tre muaj, si dhe mbështetja për shpenzimet e rrymës elektrike dhe ujit”, thotë Delhysaj.
As Komuna e Prizrenit e as ndonjë autoritet tjetër publik nuk i është përgjigjur kësaj letre. Shumë restorante, kafene dhe bare në Prizren kanë shpenzime rrjedhëse me javë të tëra pa fitime, duke humbur çdo ditë. “Shumica nuk janë mbyllur ende, përkundër humbjeve dhe grumbullimit të shumë borxheve çdo ditë, sepse po presin për subvencionet e premtuara nga qeveria”, thotë Delhysaj, i cili këtë vit bëri një investim shtesë në barin e tij, në përgatitje për DokuFestin.
Masat për COVID-19 të shpallura në mes të marsit kanë ndikuar rëndë në sektorin e turizmit të Kosovës, në veçanti në hoteleri dhe gastronomi.
Në prill, Shoqata e Gastronomëve realizoi një studim me Institutin për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) për të vlerësuar ndikimin e pandemisë në bizneset e hoteleve, restoranteve dhe kafeneve (HoReCa) në Kosovë. Gjetjet e tyre fillestare tregojnë se 76% e biznesit të hotelerisë, restoranteve dhe shërbimeve ushqimore do të falimentonte nëse situata me COVID-19 do të vazhdonte deri në qershor.
Në fillim të prillit, Ministria e Financave dhe Transfereve (MFT) aprovoi dhe publikoi Pakon Fiskale Emergjente duke përfshirë një plan operacional që parashihte subvencionimin e pjesshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për shembull përmes mbulimit të pagave.
Nuk ka nevojë për dhoma
Ndihma e qeverisë po ashtu nuk ka arritur te njerëzit si Bahrije Bytyqi.
Para 14 viteve, Bahrije Bytyqi e humbi burrin e saj, një biznesmen në Prizren. Ishte para 12 viteve kur ajo vendosi që për shkak të nevojës ta meremetonte dhe ta lëshonte me qira shtëpinë e saj afër sheshit të Shatërvanit, në qendër të Prizrenit.
Zhvendosja e detyruar e DokuFestit në botën virtuale ka lënë shumë njerëz në Prizren pa të ardhurat që zakonisht i marrin në këtë kohë të vitit. Foto nga Elmedina Arapi.
Që atëherë, Bytyqi ka jetuar nga të ardhurat e marra prej pagesës së qerasë nga studentët dhe turistët që e vizitojnë Prizrenin përgjatë vitit. Një kontribut i madh ishin të ardhurat prej organizimit të akomodimit nga DokuFesti. Festivali planifikonte dhoma në shtëpi private në lagjet e Prizrenit, për mijëra vizitorë çdo vit.
“Natyrisht, në këto 12 ditë [të DokuFestit] kishte shumë punë fizike, duke rregulluar shtretërit, duke bërë gjithçka të përshtatshme për mysafirët ndërkombëtarë, por ishte kontribut i madh në të ardhurat e mia; mund të jetoja për muaj me to dhe ta kaloja vjeshtën e dimrin,” thotë Bytyqi. Tani, për muaj të tërë dy katet e sipërme të saj kanë qenë të zbrazëta.
Këtë muaj, Bytyqi u desh të pyeste kunatin që t’i paguante shpenzimet e saj të ujit dhe të rrymës; diçka me të cilën nuk ndihet rehat por që është zgjidhja e vetme. Përndryshe do të qëndronte në një shtëpi pa drita dhe pa ujë të rrjedhshëm.
Bytyqi ka aplikuar për pension për të veja dhe jetimë, por asnjëherë nuk ka marrë para nga shteti. Si shumë pronarë të shtëpive mikpritëse, Bytyqi është regjistruar në listën e bizneseve HoReCa.
Ajo ka aplikuar për fondin ndihmës për bizneset HoReCa, duke pritur të marr së paku 100 euro në muaj. Kur shkoi të merrte paratë, autritetet i thanë se buxheti ishte harxhuar. Tani Bytyqi nuk ka ide se si do të mbijetojë.
Për të huajt, të menduarit për DokuFestin përtej argëtimit por në aspektin e fluksit të turistëve dhe konsumatorëve nuk vjen në radhë të parë. Një studim nga Instituti GAP që mat ndikimin ekonomik të DokuFestit ka treguar se mesatarisht festivali e rrit aktivitetin ekonomik për mbi 4.7 milion euro në vit.
Bizneset lokale në Prizren, si qiramarrësit, kafenetë dhe baret përfitojnë rreth gjysmë milioni euro çdo vit për shkak të festivalit. Duke reaguar ndaj mundësisë për të mos pranuar mbështetje për DokuFestin, Nurkollari shpreson se qeveria do ta kuptojë rëndësinë kulturore por edhe atë ekonomike të festivalit.
Festivali vazhdon
DokuFesti do të vazhdojë pa ndonjë dilemë, mirëpo pyetja se si do të vijojë pas këtij edicioni mbetet pa përgjigje për sa kohë pandemisë s’i shihet fundi.
“Ishte edicioni më sfidues për t’u organizuar, por kemi mësuar shumë si ekip; duke gërmuar në çështjet e botës digjitale, pamë se është e mundur të përcillet një frymë përmes internetit”, thotë Nurkollari. Ai shpreson t’i kthehen gjallërimit të qytetit të Prizrenit me edicionin e 20-të.
Por, derisa pandemia mund ta ketë ndryshuar botën në forma që ende janë të paimagjinueshme për ne, ajo po ashtu na ka dhënë mundësinë të zbulojmë mënyra të reja për të vepruar dhe sfiduar perceptimet tona. Megjithatë, ka edhe shumë rrugë për tu bërë në mënyrë që të gjithë të përfitojnë në botën e re. K
Imazhi i ballinës: Emedina Arapi