Blogbox | Art

Drejt një arkitekture social-demokrate

Nga - 29.03.2019

Për një arkitekturë në shërbim të popullit dhe të sferës sociale.

Projektet ndërtimore janë të gjithëpranishme në Prishtinë. Vështirë është të ecësh në qytet për më shumë se disa minuta pa kaluar blloqe të reja dhe moderne të apartamenteve apo lokacione të ndërtimit me billborde që premtojnë hapësira luksoze të jetesës.

Megjithatë, ndonëse zhvillimi duhet të inkurajohet, nëse ndodh pa ndjekur një filozofi sociale që shërben si themel mbi të cilin mund të zhvillohen projektet arkitekturore dhe planet urbane, përpjekjet tona për të krijuar kanë më shumë potencial ta shkatërrojnë se ta përmirësojnë jetesën tonë.

Në të gjitha periudhat e mëdha kreative, arkitektura, në mishërimin e saj më të lartë ka qenë nëna e të gjitha arteve, ka qenë art social.

Në periudhat e arta historike arkitektët/et ishin “kryemjeshtër/re” që luanin rolin kryesor gjatë tërë procesit prodhues. Por nga shoqëria e zanatit tek ajo industriale, nuk janë më në pozicion qeverisës. Sot, arkitektët/et nuk janë “kryemjeshtër/re”, janë në rrezik ta humbin garën me inxhinierë/e, shkencëtarë/e e ndërtues/e nëse nuk e ndërrojnë qasjen dhe të fokusohen tek situata e re.

Arkitektët/et e së ardhmes me punën e tyre, duhet të shprehin nevojat shpirtërore e materiale të jetës njerëzore. Duhet të veprojnë si koordinatorë/e dhe organizatorë/e të një eksperience të gjerë, duke filluar nga konceptet sociale të jetës, suksesshëm të integrojnë mendimin me ndjenjën, duke sjellë qëllim dhe formë tek harmonia hapësinore.

Ndarja mes projektimit dhe ndërtimit është artificiale në suaza të konceptimit dhe realizimit të objektit, që dikur ishin një proces i pandarë ku arkitekti dhe ndërtuesi ishin një person.

Arkitektët/et e së ardhmes duhet t’i qasen më afër produktit ndërtimor. Duhet të ndërtojnë një relacion mes inxhinierëve, shkencëtarëve dhe ndërtuesve, atëherë, konstruksioni, ekonomia dhe projektimi do të bëhen një entitet — fusion i artit, shkencës dhe biznesit.

Diversiteti është burim i demokracisë. Por faktorët e presionit në konsum, ngarendja e çmendur pas bërjes së parave si një qëllim në vete, padyshim e kanë dobësuar kapacitetin e individit që të kërkojë dhe kuptojë potencialitetet më të thella të jetës.

Ambienti i sëmurë e kaotik i yni ka rezultuar si pasojë e dështimit tonë që t’i vëmë nevojat bazike humane mbi kërkesat ekonomike e industriale. Qenia njerëzore ka degraduar duke u përdorë si mjet profiti. Shkatërrimi i lidhjeve komunitare erdhi për shkak të luftës mes kapitalit dhe punës. S’mund ta mohojmë që arti i arkitekturës është bërë i fundëm, estetik, sepse e ka humbur prekjen me komunitetin dhe me njerëzit që prej revolucionit industrial e këtej.

Vetëm harmonia perfekte në gjitha funksionet e saja teknike, si dhe në proporcionet, mund të rezultojë në bukuri. Kjo e bën punën tonë komplekse dhe të thellë. Arkitektura e mirë duhet të jetë projeksion i vetë jetës dhe kjo ngërthen dije të brendshme në problemet biologjike, teknike e artistike.

Por, kjo prapë nuk mjafton. Të bësh unitet të të gjitha fushave të aktivitetit njerëzor kërkohet karakter i fortë. Duhet të jetë qëllimi ynë që të prodhojmë karaktere të tilla, të aftë të vizualizojnë një entitet e jo të lejojnë veten që të thithen shumë shpejtë në këndet e ngushta të specializimit e sub-specializimit.

Si flet me neve ambienti me të cilin ndërveprojmë çdo ditë? Nëse mund të kuptojmë natyrën e asaj që shohim dhe mënyrën sesi e shohim, atëherë do të dijmë më shumë për ndikimet potenciale të krjimeve njerëzore në ndjenjën dhe mendimin. Sepse syri nuk di, reagon automatikisht, pra si pavetëdije.

Rëndësia e edukimit estetik mbështetet në konfiguracionin e shqisave tona, që rrjedhimisht ndikojnë në perceptimin njerëzor të hapësirave urbane.

Për një gjuhë të re hapësinore

Nëse projektimi është gjuhë specifike e komunikimit për shprehjen e ndijimeve të pavetëdijshme, atëherë duhet të ketë kodet elementare të shkallës, formës dhe ngjyrës. I duhet gramatika e kompozimit që t’i integrojë këto kode elementare në mesazhe të cilat, të shprehura përmes shqisave, lidhin njeriun me njeriun më afër se fjalët.

Sa më shumë që përhapet kjo gjuhë komunikimi, aq më i mirë do të jetë kuptimi i përbashkët i hapësirës. Kjo është detyra e edukimit arkitektonik: të mësojë çka e ndikon psikën njerëzore në termat e dritës, shkallës, hapësirës, formës e ngjyrës.

Tradita e vërtetë është rezultat i rritjes së vazhdueshme; kualiteti duhet të jetë dinamik e jo statik, ai duhet të shërbejë si stimul i palodhshëm për njeriun.

Nëse hetojmë ndjenjat e personit mesatar karshi arteve, zbulojmë që ka zhvilluar një bindje që arti është diçka i zbuluar shekuj më herët në vendet si Egjipti, Iliria, Greqia e Italia dhe krejt çka mund të bëjmë është të studiojmë me kujdes dhe ta aplikojmë.

Ne kemi qenë të suksesshëm për t’ua mësuar të rinjëve tonë arritjet e së shkuarës, po nuk jemi aq të suksesshëm që t’i stimulojmë që të dalin në pah me idetë e tyre. Kaq shumë e ka studiuar gjenerata e re e Kosovës historinë e artit, saqë s’iu ka mbet kohë që të shprehin idetë e tyre origjinale. E Kanë humbur shtysën e kënaqësisë, sprovës e të kurreshtjes rinore e vitale formuese dhe janë bërë të “vetëkontrolluar”. Ky megjithatë nuk është faji i individit, por është shkaktuar nga ndryshimet sociale të jetës.

Ne i shohim të rinjtë tonë duke mos iu besuar instinkteve të tyre. Ata/ato duhet të inkurajohen t’i përdorin në mënyrë konstruktive emocionet e tyre, në vend se t’i shtypin ato. Atyre iu duhet përballje shpirtërore përtej praktikës profesionale që të zhvillojnë substancën e tyre kreative, jo vetëm intelektin.

Sa më të mëdha qëllimet ideore, aq më mirë i riu do të përballojë vështirësitë materiale me të cilat ballafaqohemi. Kur intuita ka gjetë ushqimin e saj, aftësitë rriten shpejtë, e rutina vet nuk mund ta kalojë vizionin kreativ. Realiteti më i lartë formësohet vetëm nëse qenia ka krahasuar jo-realitetin më sublim.

Në muzikë kompozitorët përdorin çelësin muzikor që ta bëjnë të kuptueshëm kompozimin. Me shpërndarjen e vetëm 12 notave, muzikë e madhërishme është krijuar. Limitimi e bën mendjen kreative shpikëse.

Në arkitekturë ‘’prerja e artë’’, ‘’modulet’’ japin prova të ekzistimit të çelësave optik, që kanë shërbyer si udhërrëfyes për ndërtuesit. Ne jemi në gjendje të ushqejmë instinktin kreativ të arkitektit/es me fakte vizuale, si fenomenet e iluzioneve optike, relacionet e dritës dhe hijeve, ngjyrës dhe përpjesës;

Arkitektura duhet të jetë pasqyrë e jetës dhe sjelljeve të një epoke. Nëse është e vërtetë, e padyshim që është, atëherë ne duhet të aftësohemi t’i lexojmë tiparet e tanishme, forcat shtytëse të kohës sonë. Ҫka na duhet pra është një kod i ri i vlerave vizuale që reflekton dhe përmirëson realitetin që e përjetojmë në Kosovën e sotme.

Është anakronike të shprehësh funksionin me të rejat teknike, e bashkë me to edhe një mburojë shpirtërore të së shkuarës. Ky qëndrim e ngatërron arkitekturën me arkeologjinë.

Tradita e vërtetë është rezultat i rritjes së vazhdueshme; kualiteti duhet të jetë dinamik e jo statik, ai duhet të shërbejë si stimul i palodhshëm për njeriun. Ndërtesat e reja duhet të zbulohen, jo të kopjohen. S’ka finalitet në arkitekturë — vetëm ndryshim të vazhdueshëm.

Kodifikimi hapësinor

Krijimi i bukurisë dhe formimi i vlerave e standardeve është dëshira më e thellë njerëzore, kjo e realizon njeriun më thelbësisht sesa kënaqësitë e komforit e rehatisë.

Është e kjartë, që e kemi të pamundur të kënaqim kërkesat banimore të masave në rrjetin e ekonomisë së lirë të tregut. Ndërtimi i banesave të përballueshme ofron pak mundësi fitimi për industrinë dhe bankat, shtysa kryesore e të cilave është maksimizimi i profitit. Pra, kushtet urbane dhe hapësinore janë përgjegjësi e qeverisë së shtetit.

Duke pasur parasysh këtë, qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë këta hapa: ta ndalë humbjen e fondeve publike me shpenzime më të mëdha koti; ta financojë ndërtimin e apartamenteve të përballueshme; ta reduktojë çmimin fillestar të rrugëve (asfaltit) dhe infrastrukturës teknike; t’i mbrojë nga keqpërdorimi lokacionet e favorshme për ndërtim; të zhvillojë dhe respektojë planet hapësinore dhe urbane, si dhe plane rregullative dhe zonale, e kode të ndërtimit.

Për më tepër duhet të krijohen apartamente speciale për rini me çmime të përballueshme, të cilat janë të rezervuara për çifte dhe familje të reja — niveli i lartë i varfërisë në Kosovë e obligon qeverinë dhe shoqërinë të gjejnë zgjidhje më të përballueshme për akomodim dhe strehim.

Gjithashtu, nga perspektiva e planifikimit urban, kur projektohen pronat rezidenciale duhet të merren parasysh edhe disa faktorë të tjerë — si nevoja biologjike dhe psikologjike për dritë të diellit. Qielli duhet të shihet nga kati përdhesë; në raste të ndërtesave 10-12 katëshe, për shembull, distanca ndërmjet ndërtesave duhet të jetë rreth 53 metra.

Një peisazh me parqe e lisa të mëdhenjë duhet të krijohet për ta ndihmuar pasurimin e ajrit dhe për të ofruar hapësirë të mjaftueshme loje për fëmijët — kjo duhet të shihet nga apartamentet. Në këtë mënyrë, natyra depërton në qytet dhe ofron sharm urban; dhe nëse kulmet bëhen të gjelbra, atëherë është arritur rikthimi i tokës së humbur.

Qyteti duhet të zhvillohet në frymën e vet specifike, një tip ndërtimi i adoptuar për ritmin jetësor të tij, i cili ofron maksimizimin e ajrit, dritës së diellit, vegjetacionit dhe rregullimin e trafikut dhe mirëmbajtjes teknike infrastrukturore.

Organizimi komunitar

Banimi, njëra prej funksioneve komunitare, nuk mund të menaxhohet pa e kontrolluar bashkëpunimin komunitar të rrethinës përkatëse për absorbim të zonave të reja, me qëllim të sigurojë relacion të duhur mes ndërtesave, vendeve të punës dhe rekreimit (fjetje, punë, rekreim). Përndryshe qyteti do të ngulfatet.

Konsideratë e plotë për planet organike komunitare, kjo na duhet. Njësia më e vogël e komuniteteve të vetëqeverisura duhet të jetë ‘’mëhalla’’ — lagjja me 5,000 – 8,000 banorë, me shkollën fillore efikase në të, ndërsa njësia më e madhe duhet të jetë i tërë qyteti.

Koha e shpenzuar për transport nuk duhet të kalojë 30-40min. Të gjitha pikat e aktivitetit brenda njësisë duhet të mbërrihen për 10-15min. ecje në këmbë. Që të jetë e balancuar njësia bazike kërkon që vendet e punës, administrata lokale, qendra tregtare, edukimi, shëndetësia, rekreimi duhet të inkuadrohen në të.

Duhet ta ngrisim një model të ri të vlerave, të bazuar në faktorët e qëndrueshëm dhe duke gjeneruar shprehjen e integruar të mendimeve dhe ndjenjave të kohës sonë.

Kështu jeta urbane humanizohet — planifikimi fillon dhe mbaron tek njeriu dhe stimulohen raportet brenda komunitetit. Ҫdo lagjeje duhet t’i ofrohet edhe qendra e komunitetit. Sipërfaqet e lira do të përdoren për nevojat komunitare: parqe lidhëse dhe rrjetin e trafikut që lidhin lagjet mes vete dhe me qendrën.

Është e nevojshme të krijohen shtigje të ndara këmbësorike, të cilat fillojnë nga lagjet e mbarojnë në sheshet kryesore, tek zemra e bashkësisë, tek organi më vital i pulsimit të qytetit. Në hapësirën publike komunitare duhet të garantohen zonat e lira të gjelbra pa trafik, ku shpirti i komunitetit mund ta gjejë shprehjen e vet publike.

Për ta mundësuar organizimin e tillë të hapësirës që fokusohet tek komuniteti nevojitet planifikim i mirë urban dhe qeveri të fuqishme dhe të përkushtuara në nivel qendror dhe lokal.

Praktika e ndërtimit të lartë në Kosovën e pasluftës ka rezultuar me humbje enorme të materialit, kohës dhe fuqisë punëtore, për shkak të ndërtimit të shtrenjtë individual në vend të prodhimit në masë të standardizuar me ofrim planesh fleksibile.

“Institucioni i Integrimit Ndërtimor” duhet të themelohet, në të cilin arkitektët/et nga qeveria dhe komunat bashkëpunojnë me arkitektët/et, inxhinierët/et, kontraktuesit/et, prodhuesit/et, bankierët/et, që të prodhojnë zgjidhje finale për akomodim të popullit.

Dashuria dhe krijimi i të bukurës janë qenësore për përjetimin e lumturisë. Një epokë që nuk e njeh këtë të vërtetë bazike si të tillë dhe nuk artikulon në kuptimin vizual do të prodhojë një imazh të paqartë dhe manifestimet e tij nuk do të shkëlqejnë.

Praktika e krijimit të disa blloqeve të apartamenteve të reja në mënyrë arbitrare aty këtu, pa kurrëfarë plani, është totalisht joadekuate. Duhet ta ngrisim një model të ri të vlerave, të bazuar në faktorët e qëndrueshëm dhe duke gjeneruar shprehjen e integruar të mendimeve dhe ndjenjave të kohës sonë.

Njerëzit në ambientin e tyre natyror duhet të jenë fokus i gjithë planifikimit. Patjetër në çdo akt planifikimi e ndërtimi duhet të aplikohet paradigma antropocentrike me njeriun në qendër. Qëllimi strategjik i planifikimit; destinimi i tokës, pyjet, uji, qytetet dhe fshatrat, s’duhet të jenë asgjë tjetër veçse dije e njeriut për biologjinë, sociologjinë dhe psikologjinë; ligjin, qeverinë dhe ekonominë; artin arkitekturën dhe inxhinierinë.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

  • 09 Apr 2019 - 13:09 | Pellumb:

    Aktualiteti eshte i shprehun n'menyre briliante. N'kete tekst munden me u qase shume arkitekte qe jane n'medyshje se cfare do t'jete roli i tyre ne t'ardhmen pasi qe inxhinieret me t'vertete po i zevendesojne per nga ndertimi. Si edhe po shihet n'Prishtine, ato ndertime po rezultojne me shume ne lindjen e problemeve te reja sesa zgjidhjen e atyre ekzistuese. Pershtypje m'boni edhe ajo qe u tha per gjeneraten e re e cila krejt e pafajshme po humbe artin e krijimit. Ideal kish me qene intervenimi i menjehershem ne programet shkollore ku nxenesit do t'ishin pjese e proceseve te krijimit. Rezultati kish me qene nje gjenerate kurioze e cila shtron pyetje para se te marre veprim dhe nuk pelqen shabllone.

KOMENTO