Më 5 qershor 2021, kisha gjithë rrugën Pejë – Prishtinë dhe mendoja se me diçka nuk ia dola, jo, nuk ia dola. Nuk ia dola të motivoja shokun tim të ngushtë që të qëndronte në Kosovë.
Kur flisja për Kosovën e dashurinë ndaj vendlindjes, merrja përgjigje refuzuese nga miku im, i cili m’i përmendte gjithë njerëzit, që sipas tij, u pasuruan nga nepotizmi, korrupsioni, hajnia. Më kthehej duke më thënë se si për të nuk mbetën shembuj për t’u ndjekur; nuk mbetën arsye për ta vazhduar sakrificën për këtë vend.
“Ardit, mu nuk je tu mujtë me më bindë me nejtë në Kosovë, e le ma rininë”, më tha miku im.
Më dhimbte shpirti ta shihja duke lënë familjen, miqtë dhe plot 25 vjet mbrapa, në kërkim të një jetë më të mirë.
Kur mendoj për obligimin që e ndiej të qëndroj në Kosovë, më kujtohen dy shoqe të klasës. Sa herë përmendej lufta, ato qanin e mërziteshin sepse lufta ua kishte marrë babain. Ishin rritur pa e njohur atë, pa e puthur atë, pa luajtur e pa u llastuar asnjëherë nga ai.
Më kujtohet gjithnjë edhe gjyshja ime që përcjellë te dera gjashtë fëmijët e saj, që jetojnë në gurbet. Sa herë ata marrin udhën për atje, në sytë e saj shoh dhimbje, të cilën e përjetojnë shumë tjerë si ajo. Dhimbje për ndarjen prej më të dashurve, të cilët nuk e dinë në do ta gjejnë gjyshen të gjallë herën tjetër kur të kthehen.
Këto kujtime më bëjnë të mendoj për njerëzit që u përpoqën që unë, bashkë me shoqet e mia të klasës, të kemi mundësi të ulemi në bankat shkollore. Më bën të mendoj për njerëzit që u përpoqen që unë sot të kem ku të rri. Për ëndrrën e vjetër për ta ndërtuar këtë shtet –– ëndërr që dua të vazhdoj ta ndjek, duke qëndruar këtu.
“U kthyet nga Gjermania, ja kjo është Kosova”
Unë jam lindur në Gjermani në vitin 1996. Pasi u krye lufta në vitin 99’ babai im kishte vendosur që të ktheheshim në Kosovë dhe ashtu ndodhi. U kthyem dhe si shumica, pas lufte, po përballeshim me jetën e vështirë dhe varfërinë. Disa na qeshnin e na thonin “U kthyet nga Gjermania, ja kjo është Kosova”.
Por, përkundër kësaj, sidomos tash që babai im nuk jeton më, përmes këtij shkrimi dua ta falënderoj me gjithë zemër që e ka marrë këtë vendim, sepse ky është vendi ku unë do të duhej të rritesha, të shkollohesha dhe të punoja.
Ky është vendi që dua ta bëj më të jetueshëm –– një vend ku ku liritë dhe të drejtat e njeriut respektohen, ku dinjiteti i secilit ka rëndësi dhe se gjithsecili respektohet për atë që është, atë që bën e punon.
Dhe e di se ka shumë punë. Po të ishte gjithçka mirë, miku im s’do të largohej. Mbase, po të kisha çka t’i them, do ta bindja të rrijë. Ose, do ta bindja mikun tim tjetër, që para disa muajsh më tha se do të kthehej, nëse ky vend i garanton një pagë dinjitoze.
Ky është misioni im: të ndihmoj në rrugën e këtij shteti që të garantojë vende pune, që ata që shkuan, të gjejnë arsyen për t’u kthyer e për t’u bashkuar në përpjekjen që Kosovën ta lëmë më mirë se ç’e kemi gjetur.
Dua të punoj për një vend ku të rinjt/rejat punësohen, jo duke falënderuar individë të ndryshëm, por duke falënderuar dijen e tyre. Të punoj për një vend ku të rinjt/rejat vlerësohen për potencialin e tyre për ndryshim e jo të shfrytëzohen si figurantë për fushata zgjedhore e në fund të gjuhen si mbetje. Për një vend ku punëtorët trajtohen me dinjitet e puna e tyre respektohet.
Unë rri që të punoj për një vend, i cili na ofron arsye për të qëndruar.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla përmes MidJourney