Blogbox | BlogCall

Duam të dëgjojmë për aktivizmin tënd. Na shkruaj.

Nga - 15.01.2024

Aktivizmi i përditshëm për jetë më të mirë duhet të dëgjohet.

Shkruaje rrëfimin tënd. Botoje në K2.0.

Nganjëherë, jetesa në kontekste të vështira sociale, ekonomike e bën të vështirë të flasësh e lexosh për gjëra të mira. Zgjohesh në mëngjes, nuk ke ujë me i la sytë. E planifikon ditën, por rryma ka plane tjera. Halle me mbeturinat në lagje, që nuk të lënë të dalësh prej shtëpisë. Qytet a fshat pa trotuare. S’ke shumë vende ku me e kalu kohën. Rrugë t’pandrequra. Çmimet e larta e shporta bosh. Një lajm në televizor, që feston dhunën ndaj të tjerëve. Një rast i dhunës ndaj dikujt, veç pse ai dikush sfidon normat, që rrethi i ka vendos. Kyçesh n’rrjete sociale, gjen gjuhë t’urrejtjes. 

Radha është e gjatë. Por, a flasim për diçka tjetër pak?

Sa është e gjatë radha e problemeve me të cilat mund të përballemi përditë, aq e gjatë e edhe më e gjatë, besojmë është radha e njerëzve, të cilët/at janë angazhuar për ndryshim, janë angazhuar që t’i kundërshtojnë vështirësitë, qoftë ato me të cilat përballen vetë përditë, qoftë ato me të cilat përballet komuniteti, shoqëria. 

Duam të dëgjojmë për këto nisma, së pari, që ato të zënë vendin e tyre në kaosin informativ e së dyti, që të frymëzohemi prej teje, prej shoqërisë tënde, prej nismave tuaja. Duam të dëgjojmë nga të rinj e të reja që përditë kërkojnë ndryshim prej qeverive qendrore e lokale, për çështje që lidhen, ndër tjera, me politikat sociale, drejtësinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, mjedisin.

Dua të të dëgjojmë ty, që je bërë i pashpërfillshëm me aktivizmin tënd. Shkruaj një blog 800 deri 1,000 fjalë për ndryshimin që ti ose dikush rreth teje e ka bërë. Për të parë se si duken shkrimet blog, lexo këtu shkrimet e qindra njerëzve tjerë, që kanë ndarë rrëfimet e tyre me K2.0.

Përpiqu t’u përgjigjesh pyetjeve: Kur ishte hera e parë që vendose të bësh diçka për komunitetin, shoqërinë? Çka t’u bë halë në sy, problemi që doje ta adresoje? Çka të shtyri të qëndrosh kundër padrejtësive? Kur vendose ta thyesh ciklin e dhunës? Qysh ia nise? Cilat ishin veprimet e para? Me çka u përballe kur nise të shkundësh rehatinë? A hase në rezistencë? Si reaguan t’shpisë e shoqëria, institucionet? A pate përkrahje? Çfarë ndryshimi ka sjellë aktivizmi yt në ty e në shoqëri?

Na e dërgo blog tënd në email: info@ktwopointzero.com deri më 15 shkurt 2024. Autorët/et, rrëfimet e të cilëve/ave zgjedhen për botim do të pranojnë një pagesë për punën e tyre, si dhe do të kenë mundësinë të punojnë për së afërmi me ekipin e redaksisë së K2.0.

 

Imazhi i ballinës: Dion Krasniqi / K2.0

Ky aktivitet mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Pikëpamjet e prezantuara gjatë aktivitetit nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës.

  • 22 Jan 2024 - 18:40 | Rasim:

    Un jom tu mendu per gjith kto krime te ndryshme te cilat çdo dit e më shum jon tu u perhap në Kosov.Mendimi jem osht drejt parandalimit te ketyre veprave penale te cilat po organizohen nga grupe te rinjesh.idea ime esht te formojm sa me shum organizata vetdisimi per te rinjet e vendit ton te cilet dit e me shum po shpeshtohen problemet e medha.

  • 22 Jan 2024 - 18:39 | Blend Krasniqi:

    Problemi kyç ne shoqerine Kosovare , eshte se realisht nuk e kuptojme termin " SHKOLLË " - " SHKOLLIM " Te gjitha kaoset , parregullsit apo qdo mangesi e shperfaqje negative , burimin kryesorë , kane arsimimin e dobët , dhe se te rinjet nuk motivohen te punojne mbi ket drejtim , nuk iu jepet e drejta te shprehin opinionin e tyre mbi terme shum serioze dhe te medha , mendimi kritik ju shtypet ,ku deshtimi pastaj eshte pjese reale dhe se nuk mund se si te jete ndryshe! Qdo profesion , qdo pasion , niveli i nje personi , edukata e kultura , oratoria e ndergjegjsha e nje qytetari te denje , zanafilla e tij eshte edukimi , ku ne kete drejtim , fatëkeqësisht , po deshtojmë ne hapa te shpejt dhe te pa shmangshem! Shkollohu , Edukohu edhe ti , pasi qe jeta te tjerve dhe femijeve te tu n'varet pikerisht nga ti!

KOMENTO