Gjerë e gjatë | Të drejtat e punëtorëve

“Duhet me punu, t’del ku t’del”

Nga - 11.09.2023

Të drejtat e punëtorëve/eve në shpërndarjen e ushqimit larg radarit të institucioneve. 

Anesi dukej i mllefosur teksa priste ulur në motorin e tij pranë njërës prej shumë ndërtesave të ngritura gjithandej nëpër Fushë Kosovë. “T’thotë dal për pesë minuta e t’len me pritë gjysë ore n’këtë pikë zhegu”, sikur e arsyeton mllefin e vet 18-vjeçari, i cili tash e një vit shpërndan ushqime me motorin elektrik në qytetin e dendur prej restoranteve, kafiterive e rrokaqiejve.

Duke e ditur se, teksa atë e lënë të presë, ai nuk mund t’i lë të tjerët të presin, puna e tij përfshin urgjencë dhe stres. Për të riun, që punës ia ka nisur që në klasën XII të shkollës së mesme, rreziku bëhet më i frikshëm sepse rrugët e ngarkuara të Fushë Kosovës i merr përditë pa pasur kontratë a pajisje mbrojtëse. Gjithçka që ka është motori i tij dhe një marrëveshje verbale me pronarin se nëse i ndodh ndonjë aksident ai do ta marrë përgjegjësinë për t’i mbuluar shpenzimet. 

Shkollën e mesme e ka mbaruar së fundmi dhe mendon që me shkollën ta mbarojë këtu. Puna si shpërndarës i ushqimit nuk i i pëlqen aspak, por detyrohet të punojë për t’i dalë në ndihmë familjes pesë-antarëshe dhe për t’i mbuluar nevojat e veta. “Punojke veç babi edhe pak e vështirë me ia dalë”, thotë ai.

Nëpër rrugët e Kosovës e para ndërtesave të banimit janë bërë pamje e zakontë skuterët me logo të restoranteve të ndryshme, me kutinë ngjitur në pjesën e pasme të tyre, ku mbahet ngrohtë ushqimi për t’ua dërguar klientëve kudo që janë ata. Derisa para pak më shumë se një dekade, në Kosovë, mundësia e vetme për të ngrënë jashtë ishte nëse shkoje fizikisht aty ku bëhej ushqimi, sot, përmes shërbimeve të shpërndarjes, ushqimi shkon kudo që është klienti. 

Lulëzimi i shërbimit të shpërndarjes së ushqimit në Kosovë nisi kah viti 2010, por kjo praktikë në fakt ka histori të moçme. Në vitin 1889 në Itali, mbreti Umberto dhe mbretëresha Margherita morën dorëzimin e parë, nga pizzeria e famshme “di Pietro e Basta Così” në Napoli, duke u bërë klientët e parë të dërgesës së picave. Tash, nevojën për ta marrë ushqimin te “dera e shtëpisë” e ka përforcuar sistemi kapitalist e një treg i pasigurt i punës ku punëtorët/et shpesh detyrohen të rrisin orët e punës e zvogëlojnë kohën e pushimit. Kjo situatë e ka bërë marrjen e ushqimit jo thjesht zgjedhje, por për shumë punëtorë/e domosdoshmëri.

Në Kosovë e gjithkund tjetër, kjo praktikë u shpeshtua sidomos gjatë pandemisë Covid-19, kur për shkak të masave kufizuese, kontakti fizik e frekuentimi i hapësirave si restorantet a kafiteritë u ndalua. Plot biznese të gastronomisë, për ta mbajtur punën e tyre, në një kontekst sfidues ekonomik, përqafuan shërbimet e shpërndarjes. 

Dikur shërbim për mbretërorët, sot përmes një aplikacioni apo thirrjeje telefonike, ushqimi mund t’i shkojë në derë gjithkujt që mund ta përballojë atë financiarisht. Derisa tash shumë punëtorë nuk dalin nga zyrat për të ngrënë, punëtorët e shpërndarjes së ushqimit punën e kanë në rrugë. Lehtësinë, që shërbimi i shpërndarjes mund t’u ketë sjellë të tjerëve, nuk e përjetojnë dot ata e ato që shpërndajnë ushqim përmes motorëve në Kosovë. 

Puna nën moshë, pa kontratë, pa mbrojtje të përshtatshme e pa siguri ka vënë ata që e sjellin bukën në shtëpi në situatë të vështirë.

Të mitur e pa kontrata

Sektori i shpërndarjes së ushqimit, ngjashëm me sektorë tjerë në Kosovë vuan nga informaliteti ekonomik. Edhe pse nuk ka statistika të sakta për shkallën e informalitetit, raportet e ndryshme dhe analiza nga institucione të pavarura, sugjerojnë se tregu informal dhe i paligjshëm përbën rreth 30% të Produktit të Brendshëm Bruto, që paraqet vlerën e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një ekonomi gjatë një periudhe të caktuar.

Sipas raportit të vitit 2023 të Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve, për Kosovë, informaliteti mbizotëron në sektorët kyç si bujqësia, ndërtimi dhe shitja me pakicë. Po ashtu, në raport theksohet se shpesh marrëveshjet joformale dhe verbale kanë më shumë peshë se kontratat formale për shkak të ritmit të ngadaltë të procedurave ligjore.

Pa kontratë punon edhe Anesi, prej nga burojnë plot vështirësi, që lidhen sidomos me rrezikun e përditshëm të punës në rrugë. “Fatmirësisht nuk kam pasur ndonjë aksident a diçka”, thotë Anesi, me shpresën që shpejt do të mund ta gjejë një punë tjetër, më të sigurt e me kontratë. 

Por, Fatjon Fetahun, në punën e tij si shpërndarës ushqimi e la edhe fati, në të cilin mbështetej edhe ai, si Anesi. Kur kishte pësuar aksident në punë, pos lëndimit, mbi supe i ranë edhe shpenzimet e trajtimit. 

“Vetë i pata kry shpenzimet te mjeku”, thotë 21-vjeçari, i cili po ashtu s’kishte kontratë pune. “Vetë i kam kry me ilaqe me krejt. Normal nuk është ndjenjë e mirë me u rrëzu prej motorri. Tani masi m’kaloi, familja nuk m’lanë me vazhdu këtë punë”. 

Kolegu tjetër i Anesit dhe Fatjonit, Armendi, 17-vjeçar ka filluar punë së fundmi si shpërndarës i ushqimit në një kafiteri dhe restorant te “Santea” në kryeqytet. 

Kur flet për kontratën, Armendi thotë: “Nuk kam kontratë sepse jam i mitur. Rrogën e marrë kesh”. Për punën ku i kalon tetë orë të ditës, brenda së cilës i bën rreth 40 kilometra, paguhet 350 euro në muaj. 

Të tre pa kontrata, Armendi, Fatjoni e Anesi, përballen përditë me rrezikun dy-rrotëshit. 

Rrugët e qyteteve të Kosovës janë plot punëtorë të shpërndarjes së ushqimit, shumë prej tyre pa helmeta e pajisje mbrojtëse. Fotografia: Dina Hajrullahu / K2.0

Pos mungesës së kontratës, në rastin e Anesit e Armendit ndërthuret edhe çështja e moshës — Anesi, që ka nisur punën si i mitur e Armendi tash 17 vjeç — punojnë një lloj pune që për moshën e tyre konsiderohet si punë me rrezik. Në bazë të Ligjit të Punës, personat prej moshës 15 deri në 18-vjeçare mund të punësohen vetëm për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin, zhvillimin, sigurinë apo moralin e tyre.

Puna pa kontratë i përbashkon moshatarët e tyre nëpër Kosovë. Në anketën e fuqisë punëtore për tre-mujorin e tretë të vitit 2022, realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), 16.1 % e fuqisë punëtore të grupmoshës 15-24 vjeçare janë të punësuar, derisa 21.1% e tyre punojnë pa kontrata. 

I riu Armendi, i cili e kishte lënë në gjysmë shkollimin e mesëm për t’iu përkushtuar punëve, angazhohet mesatarisht 48 deri në 50 orë në javë dhe punë të tilla me orar të ngjashëm thotë se kryen nga mosha 12-vjeçare, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

“Nuk kisha punu për 350 euro kurrë, por po duhet. Unë punoj prej 12 vjet, së pari kam punu ndërtimtari, kam punu si shankist, kam la kerre në autolarje, kam punu me hamburgera në Hajvali, e qisi punë”, thotë Armendi, i cili tregon se në vendin ku punon tani, ka edhe më të rinj se ai.

Kolegë nën moshën 18-vjeçare ka edhe Anesi. “Po more, nji punëtor e kanë 16 vjeç, n’klasë X a XI, ai punon ma shumë ndërrimin e tretë [ndërrimin e pasdites]”, thotë me lehtësi ai. 

Për ekspertin e sigurisë dhe shëndetit në punë, i angazhuar në kompaninë për siguri dhe shëndet në punë “HSK”, Naim Bajraktari, puna në këtë moshë me orar të plotë nuk mund të lejohet. “Nuk mund të punojë punë të kategorisë që punon një i rritur”, thotë Bajraktari, teksa shton se pos vozitjes në vete, presioni i kohës për ta dërguar ushqimin sa më shpejt te klienti shton pasiguritë në punë.

Sipas Naim Bajraktarit, pasiguritë në sektorin e shpërndarjes së ushqimit janë të mëdha. Fotografia: Halim Kafexholli / K2.0

Ligji i Punës pos që thotë se orari i punës për personat nën 18 vjeç nuk mund të jetë mbi 30 orë në javë, ndalon tërësisht punën e natës për të miturit. Ndërkaq, edhe Udhëzimi Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve ndalon punën e fëmijëve gjatë natës sepse cilësohet si punë që shkakton dëme fizike e psiqike. 

Kurse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, shprehimisht parandalon të gjitha format, të cilat cenojnë mirërritjen e fëmijëve dhe parasheh të gjithë kuadrin institucional për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik nga punët e rënda.

Në nëntor të vitit 2022, Organizata Ndërkombëtare e Punës publikoi një raport për situatën e punësimit të fëmijëve në Kosovë. Sipas të dhënave të përpiluara nga disa institucione shtetërore në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, raporti zbuloi se 5.3% e fëmijëve në Kosovë ishin të angazhuar në punë, duke përfshirë më shumë se 19,600 fëmijë. 

Kjo shifër ishte më e lartë tek fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku 7% e fëmijëve kryenin punë.

Megjithatë, raporti tregoi se nëse nuk llogariteshin punët e shtëpisë që fëmijët kryenin, numri i përgjithshëm i fëmijëve që punonin zbritej në 3.8% në përgjithësi, ndërsa tek fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, shifra do të shkonte deri në 6.1%.

Në anketën e treguesve të shumëfishtë, e njohur si MICS6 (Multiple Indicator Cluster Survey), merreshin në konsideratë edhe punët e shtëpisë të fëmijëve. Bazuar në këtë tregues, prevalenca e punës së fëmijëve pothuajse dyfishohej nga 5.3 në 9.3% për Kosovën në përgjithësi.

Me gjithë kornizën ligjore, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike dhe nivelit të ulët të mbikqyrjes institucionale, shumë fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë detyrohen të bëjnë punë dhe atë, të rrezikshme. Sipas Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), fëmijët e përfshirë në punë të rënda u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin të formave të ndryshme, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e qasjes në arsim. Ndërkohë, UNICEF, mosvarësisht shkaqeve prapa saj, punën e fëmijëve e cilëson si pabarazi shoqërore dhe diskriminim.

Të pambrojtur në rrugë 

Përveç mungesës së kontratës, Anesi këtë veprimtari e kryen edhe jashtëligjshëm pasi që ai nuk posedon leje adekuate për qarkullimin e mjetit dy-rrotësh. 

Në bazë të Ligjit për Patentë Shoferi, Anesi dhe kolegët e tij duhet të jenë të pajisur së paku me patentë shofer të kategorisë A1, e nevojshme për drejtimin e motoçiketave me fuqi motorrike të vogël. Por, përveç motorrit elektrik, të cilin ai e vozitë qe dy muaj, para kësaj periudhe thotë se ka vozitur edhe veturë, pasi në restorantin e ushqimeve të shpejta ku ai punon, deri në maj të këtij viti, shpërndarja e ushqimit bëhej me vetura. 

“Ma herët kena punu me kerre tash që nja dy muaj ja kena nisë me motorra”, thotë 18-vjeçari, i cili nuk e ka as kategorinë B të lejes së qarkullimit, e domosdoshme për drejtimin e automjeteve katër-rrotëshe — veturave të zakonshme për pasagjerë. Megjithatë, thotë se kjo nuk përbën shqetësim për pronarin e tij. “Nuk ia ka ndi bre shumë për këtë punë shefit, veç na thotë me bo kujdes”, thotë ai.

Eksperti dhe ligjëruesi universitar i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se personave që i ofrojnë shërbime të palës së tretë përmes mjeteve dy-rrotëshe, nuk u mjafton veç patentë shoferi, që obligohet me Ligjin për Sigurinë në Komunikacion Rrugor. “Është e domosdoshme që këta persona, të cilët e drejtojnë një mjet me një gjurmë, të kategorisë A1, të jenë të trajnuar, ta kenë një përvojë të vozitjes, minimumi dy vjet, pastaj të fillojnë veprimtarinë e tyre përkatëse”, thotë Dedaj. 

Përveç mungesës së lejes përkatëse për drejtimin e skuterit, shqetësim më i madh për Anesin mbetet mungesa e pajisjeve mbrojtëse të sigurisë, të cilat ai thotë se nuk janë siguruar nga pronari i tij për asnjërin nga tre punëtorët të cilët kryejnë këtë shërbim.

“Nuk kemi helmeta fare, nuk na ka dhanë kërkush,” thotë Anesi.

Ndërkaq, Dedaj thotë se përveç helmetës, këta persona duhet të jenë të pajisur edhe me mjete tjera të sigurisë siç janë pajisjet reflektuese. 

“Duhet me qenë i ndriçueshëm edhe personi që e drejton mjetin, duhet me qenë me reflektues, sepse duhet të jepet informacioni edhe për drejtuesit tjerë, në mënyrë që të shmangen aksidentet, sepse shumë të shpeshta janë aksidentet të mjeteve me një gjurmë [automjetet me dy rrota]”, thotë Dedaj. Ai tregon se  se në përvojën e tij 34-vjeçare, është angazhuar si ekspert në shumë raste të aksidenteve rrugore. Sipas tij, ato që kanë qenë aksidente të mjeteve me një gjurmë kanë pasur shkallë shumë të lartë të vdekshmërisë.

Rrezikun e përballjes me më të keqen e përjetoi edhe Fatjon Fetahu, i cili punën si shpërndarës ushqimi e kishte nisur për t’i mbuluar shpenzimet e shkollimit e për ta mbështetur familjen katër-anëtarëshe. Ai punën e kishte filluar në vitin 2021, menjëherë pasi masat e lidhura me pandeminë Covid-19 ishin liruar dhe kur shërbimi i shpërndarjes së ushqimit me motorë kishte filluar të rritej në masë të madhe. 

“Lypshin shumë n’qat vakt delivery edhe hajt thashë t’punoj edhe naj shpenzim t’fakulltetit ta nxjerri”, tregon studenti i vitit të tretë të ekonomisë. “Ka qenë asfallti i lagur sepse sapo ishte ndalur shiu ku një një kthesë diku 500 metra nga piceria, më rrëshqiti motorri dhe mbeta i lënduar në kokë dhe me një krisje në brrylin e krahut të majtë”. 

Fatjoni mendon se do i shpëtonte lëndimit sikur të kishte pasur helmetën e vendosur në kokë, apo edhe pajisjet tjera shtesë të sigurisë, për të cilat thotë se nuk i kishte të siguruar nga pronari.

Kurse Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, një think-tank i përqendruar në kërkime dhe analiza empririke të zhvillimit socio-ekonomik në Kosovë, thotë se përveç këtyre elementeve, këta punëtorë duhet që me patjetër ta kenë edhe kontrollën shëndetësore.

“Kur e qet dikë në komunikacion duhet me ditë që personi është në rregull me shëndet, me ditë a sheh mirë, a e ka pjesën e instinktit e të reagimit të mirë e shumë elemente tjera”, thotë ajo, teksa pohon se një gjë e tillë ndodh fare pak dhe nga ato kategori që i kryejnë këto kontrolla, ajo thotë se i kryejnë në Qendra Klinike të Mjekësisë Familjare dhe jo tek mjeku i punës. Sipas Berishës, aktualisht në tërë Kosovën janë vetëm tre të tillë, të cilët janë pranë pensionimit.

Brikena Berisha mendon se Inspektorati i Punës i neglizhon punëtorët e sektorit të shpërndarjes së ushqimit. Fotografia: Halim Kafexholli / K2.0

Qefsere Grajqevci, mjeke e punës në Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq brenda Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë se, në përvojën e sa gati 40-vjeçare në këtë fushë, nuk ka pasur ndonjë rast të punëtorëve të shpërndarjes së ushqimit, të cilët janë obliguar nga punëdhënësit që t’i kryejnë këto kontrolla. 

“Mirë qenkeni kujtuar sepse për këtë sektor nuk diskutohet as në grupe të ndryshme punuese në Ministrinë e Punës”, thotë ajo. Sipas saj, kjo lloj pune duhet të trajtohet seriozisht nga institucionet dhe të mbrohen këta punëtorë sepse përveç aksidenteve fatale, shpesh ka edhe pasojave të sëmundjet traumatike që vijnë si shkak i aksidenteve.

Të panjohur për institucionet

Një institucion kyç që do të mund të ndërhynte për t’i parandaluar e reduktuar shkeljet e të të drejtave në vendin e punës, si dhe institucioni përgjegjës për mbikqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës dhe ​​Udhëzimit Administrativ për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve është Inspektorati i Punës (IP). 

Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet thotë se IP do duhej të mbikqyrte realizimin e marrëdhënies kontraktuale. “IP nuk duhet me leju me u bë dëmi, duhet masa preventive – gjobitje të kompanisë,” thotë ajo.

Drejtori i departamentit për planifikim strategjik dhe çështje ligjore në IP, Vesel Zhinipotoku, thotë se bazuar në evidencat që kanë, nuk kanë raste të evidentuara të aksidenteve të tilla sepse këto trajtohen sipas Ligjit mbi Komunikacion, që do të thotë se vdekjet apo aksidentet e tilla, ky institucion nuk i kategorizon si vdekje apo aksidente në vendin e punës dhe se të tilla raste klasifikohen si vdekje apo aksidente në trafik. 

Në pyetjen rreth numrit të bizneseve të këtilla, të cilat janë gjobitur për shkak të mungesës së pajisjeve mbrojtëse të punëtorëve, nga IP nuk kanë ofruar statistika apo të dhëna. Ndërsa, në pyetjen rreth monitorimit të këtyre bizneseve, sidomos kur është fjala për punësimin e të miturve, punën pa kontrata, rreziqet në punë, nga IP nuk kanë ofruar ndonjë përgjigje specifike, pos që ka thënë se ata bëjnë punën e tyre përkitazi me ligjin. 

Si IP, as Policia e Kosovës (PK), nuk ka statistika të ndara lidhur me aksidentet e këtyre punëtorëve, gjobat e shqiptuara. Zyra për Informim e PK ka ndarë me K2.0 vetëm statistikat e përgjithshme të aksidenteve fatale, aksidenteve me lëndime dhe numrin e gjobave në trafik. Këto të dhëna tregojnë se në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, 40 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në trafik. Ndërkohë, në po atë periudhë PK ka larguar nga trafiku mbi 130 mjete dy-rrotëshe dhe ka shqiptuar mbi 250 gjoba për ngasësit e motoçikletave.

Sipas Berishës, kjo mungesë e të dhënave ndodh sepse IP është më shumë i koncentruar tek sektori i ndërtimtarisë dhe i marketeve dhe shumë kategori të tjera neglizhohen për inspektim, anipse sipas saj, monitorimi i bizneseve që bëjnë shpërndarjen e ushqimit do të ishte lehtësisht i realizueshëm. “Me një kërkim të thjeshtë nëpër rrjete sociale e sheh kush ofron delivery [shpërndarje] edhe IP mundet me marrë një mostër me 20 biznese për shembull, shko te ato edhe kqyri se a punojnë në bazë të rregulloreve, kjo është puna e IP”, thotë ajo.

Ndryshe prej Berishës, e cila punën e policisë e sheh më shumë si reagim momental sesa zgjidhje afatgjatë, eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Bajraktari, përgjegjësinë kryesore ia lë policisë, e cila sipas tij bart barrën kryesore dhe është neglizhente ndaj këtyre vozitësve. Ai beson se kjo është “kryekëput punë e policisë”, duke shtuar se IP e ka rolin në implementimin e masave ndaj bizneseve, por nuk mund ta monitorojë se çka ndodh në rrugë. Sipas Bajraktarit, policia duhet t’i ndalojë këta ngasës, nën moshë e pa kontrata, dhe t’u shqiptojë gjoba, së pari që vozisin pa leje dhe së dyti, pa pajisje mbrojtëse. Për të, kjo do të mbronte sigurinë në punë.

“Mbrojtja e shëndetit në punë është pikërisht nga kjo, këta të rinj, këta punëtorë duhet të ruhen; kush është përgjegjës? Punëdhënësi, drejtpërdrejt ai, jo punëtori”, thotë Bajraktari. 

Aksidentet në rrugë të punëtorëve të sektorit të shpërndarjes nuk regjistrohen si aksidente në vendin e punës. Fotografia: Dina Hajrullahu / K2.0

Edhe Dedaj është kritik ndaj policisë në trafik, pasi, sipas tij e tëra që këtyre ngasësve iu kërkohet nga policia është helmeta e kokës, por jo edhe mjetet tjera që sipas tij janë të po të njëjtës rëndësi. 

Nga PK thonë se janë të angazhuar në baza ditore në identifikimin e kundërvajtjeve në trafik sa i përket mjeteve me dy rrota, teksa mohojnë se ka neglizhencë lidhur me këtë çështje. “Për këtë çështje puna policore është pasqyruar edhe përmes rrjeteve sociale të PK-së dhe paraqitje në media, me të vetmin qëllim senzibilizimin e pjesëmarrsve në trafik e po ashtu për këtë kategori ka pasur dhe do të ketë edhe këshilla dhe fushata senzibilizuese për përdorimin e këtyre mjeteve”, thonë nga Zyra për Informin e PK.

Nga ky institucion nuk janë përgjigjur edhe nëse kanë bashkëpunim me IP lidhur çështjen e shpërndarësve të ushqimit, bashkëpunim që, sipas Bajraktarit, duhet të ndodhë.

Ndërkohë, Armendi veç ka humbur shpresën se dikush do t’i dalë në mbështetje, sidomos nëse, i ndodh ndonjë aksident, siç i ndodhi Fatjonit. “Nëse ndodh diçka në rrugë nuk merr kërkush përgjegjësi, ajo është e ditne, por duhet me punu del ku t’del, qysh ta kish t’shkrume”, thotë ai. 

K2.0 ka pyetur edhe Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat lidhur me këtë veprimtari pune. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi është përgjigjur se nuk ka çfarë të thotë për këtë çështje pasi që kjo Sindikatë nuk ka anëtarë apo përfaqësues të kësaj veprimtarie.

Ndërkohë, Berisha thotë se krijimi i një sindikate për sektorin e shpërndarjes së ushqimit do të mund të kishte një rol kyç në përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave të këtyre punëtorëve. Megjithatë, ajo konsideron se sindikalizimi i këtij sektori është sfidues për shkak të numrit të vogël të punëtorëve përbrenda kompanive, që bëjnë shpërndarjen e ushqimit. 

Sipas Ligjit për Organizim Sindikal, për formimin e një shoqate sindikale duhen 10 anëtarë të një subjekti, ndëra për formimin e një federate sindikale duhen të paktën dy shoqata sindikale, anëtarësia e së cilave përbën së paku 10% të të punësuarve në nivel sektori — që do t’i mbronte interesat e grupacionit të caktuar të punëtorëve, në këtë rast, atyre të shpërndarjes së ushqimit.

Praktikisht të panjohur nga institucionet e pa përfaqësim e pa shumë mundësi për organizim sindikal, Anesi, Fajtoni, Armendi e shumë të tjerë që ditë e natë trokasin në dyert e njerëzve gjithkund nëpër qytetet e Kosovës me ushqim në duar, janë të vetëm e të pasigurt në rrugë. Të mbështetur në fat, aq sa mund të ketë fat pa leje e pa pajisje mbrojtëse në rrugët e stërngarkuara të qyteteve, ata punojnë edhe një ditë, me shpresën se kjo do të kalojë.

“N’mujsha me punu n’call center kur t’i bëj 18 vjet, ose masi e njoh gjuhën ndoshta iku edhe në Gjermani”, thotë me zemërim dhe vendosmëri Armendi, para se ta ndërpresë bisedën nxtimithi për t’i dorëzuar disa hamburgerë dikujt, sepse ai nuk mund ta lë askënd të presë.

 

Imazhi i ballinës: Dina hajrullahu / K2.0

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenueshme në tregun e punës”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC ose BIRN Kosovo.

Pse kjo klauzolë?